EDUKATA NDAJ KUR’ANIT

Nga virtytet e Pejgamberit tonë, Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, është se All-llahu i Madhërishëm e ka ndihmuar atë me mrekulli të mëdha. Kjo ka qenë ndihmë e All-llahut të Madhërishëm për robin dhe të dërguarin e Tij, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe argument për sinqeritetin e tij dhe pozitën e lartë te Zoti i tij. Mrekullia më e madhe e cila iu dha Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është kur’ani. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Nuk ka ndonjë të dërguar veçse t’i është dhënë ndonjë shenjë që në bazë të saj njerëzit t’i besojnë. Vërtet, ajo që më është dhënë mua (si shenjë e mrekulli), është shpallja që më zbriti (kur’ani). Shpresoj që të jem pejgamberi më i pasuar në ditën e kiametit.”[1]

Prandaj, para se të përmendim disa edukata dhe sjellje që myslimani duhet t’i ketë ndaj kur’anit, duhet përmendur edhe vlerën e leximit të kur’anit.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata që e lexojnë librin e All-llahut, e falin namazin dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (All-llahu) do t’ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t’ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtet Ai është Mëkatfalës dhe shumë Mirënjohës.”[2]

Ndërsa në vazhdim do të përmendim disa hadithe të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në lidhje me vlerën e leximit të kur’anit:

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë “All-llahu i Madhërishëm ka njerëz të afërt.” Sahabët e pyetën: “E kush janë ata, o i dërguari i All-llahut?” Ai tha: “Lexuesit e kur’anit; ata janë të afërtit e All-llahut dhe të veçuarit e Tij.”[3] Po ashtu ka thënë: “Të porosis me devotshmëri ndaj All-llahut, sepse ajo është kurora e çdo gjëje. Të porosis me xhihad (përpjekje për ibadet, shën. përkth.) sepse ai është kulmi i islamit. Të pososis me dhikër (përmendje) ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe lexim të kur’anit, ngase ai është shpresa jote në qiell dhe dhikri yt në tokë.”[4] Po ashtu ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson kur’anin dhe ua mëson të tjerëve.”[5] Po ashtu ka thënë: “All-llahu i Madhërishëm me anë të këtij libri i ngrit disa njerëz dhe i poshtëron disa të tjerë.”[6] Po ashtu, nga Ebu Musa el-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Shembulli i besimtarit i cili e lexon kur’anin është sikur shembulli i qitros, ka erë të mirë dhe shije të këndshme. Shembulli i besimtarit i cili nuk e lexon kur’anin është sikur shembulli i hurmës, nuk ka erë, por ka shije të ëmbël. Shembulli i munafikut (hipokritit) i cili e lexon kur’anin është sikur shembulli i borzilokut, i cili ka erë të mirë e shije të hidhur. Ndërsa, shembulli i munafikut i cili nuk e lexon kur’anin është sikurse shembulli i kungullit të thatë, nuk ka erë si dhe shijen e ka të hidhur.”[7] Ndërsa nga Ebu Umame el-Bahiliu radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Lexojeni kur’anin sepse ai në ditën e kiametit do të jetë ndërmjetësues për lexuesit e tij.”[8] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë se All-llahu i Madhërishëm do t’i thotë xhennetliut që në dynja e ka lexuar kur’anin: “Lexo dhe ngrihu, lexo ashtu siç ke lexuar në dynja, se me të vërtetë vendi yt është në ajetin e fundit që do ta lexosh.”[9] Po ashtu ka thënë: Ai që e lexon kur’anin bukur, do të jetë në shoqëri të shkruesve (melekëve) të ndershëm, ndërsa ai që e lexon duke belbëzuar dhe me vështirësi, do të ketë shpërblim të dyfishuar.”[10] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e lexon një shkronjë nga Libri i All-llahut (kur’ani), do të ketë një shpërblim, e çdo shpërblim dhjetëfishohet. Unë nuk them që ‘Elif Lam Mim’ është një shkronjë, por, ‘Elif’ është shkronjë më vete, ‘Lam’ është shkronjë më vete dhe ‘Mim’ është shkronjë më vete.”[11] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush ka dëshirë ta dojë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, le të lexojë kur’anin.”[12] Po ashtu ka thënë: Nuk ka zili (të lejuar) veçse ndaj dy gjërave: ndaj një njeriu të cilit All-llahu ia ka dhënë kur’anin (leximin e tij, shën. përkth.), dhe ai e lexon ditë e natë, dhe ndaj një njeriu të cilit All-llahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon atë (në rrugë të All-llahut) ditë e natë.”[13] Po ashtu ka thënë: Nuk ka zili (të lejuar) veçse ndaj dy gjërave: ndaj një njeriu të cilit All-llahu ia ka mësuar kur’anin, dhe ai e lexon ditë e natë, ndërsa fqiu i tij e dëgjon atë duke lexuar dhe thotë: Ah sikur edhe unë të kisha fatin e këtij dhe të veproja ashtu siç ai vepron….”[14] Po ashtu ka thënë: “Në ditën e kiametit kur’ani do të thotë: O Zot, vishe! (lexuesin e kur’anit, shën. përkth.), e atij do t’i vishet kurora e nderit. Pastaj do të thotë: O Zot, shtoja! E atij do t’i vishet edhe xhupi i nderit. Pastaj (kur’ani) do të thotë: O Zot, Jij i Kënaqur me të (lexuesin e kur’anit, shën. përkth.), e All-llahu do të jetë i Kënaqur me të. Pastaj do të thotë: Lexo dhe ngrihu, dhe me secilin ajet që do ta lexojë do t’i shtohet nga një shpërblim.”[15]

[1] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4981) dhe Muslimi (152).

[2] Kaptina Fatir, ajetet 29-30.

[3] Sahih: shënojnë Ibën Maxhe (215) dhe Ahmedi (11870). Shejh Albani në librin e tij Sahih Ibën Maxhe (178) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: shënon Ahmedi (11365). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (555) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Sahih: shënon Buhariu (5027).

[6] Sahih: shënon Muslimi (817).

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5427) dhe Muslimi (797).

[8] Sahih: shënon Muslimi (804).

[9] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1464), Tirmidhiu (2914) dhe Ahmedi (6760). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2240) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4937) dhe Muslimi (798).

[11] Sahih: shënon Tirmidhiu (2910). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (3327) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[12] Hasen: shënon Bejhekiu në Shuabul-Iman (2/408). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2342) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[13] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (73) dhe Muslimi (816).

[14] Sahih: shënon Buhariu (5026).

[15] Hasen: shënon Tirmidhiu (2915). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (8030) e ka klasifikuar si hadith hasen.

 

www.thirrjaislame.com