EDUKATA NDAJ ALL-LLAHUT TË MADHËRISHËM
Jemi bashkë me edukatën e parë dhe më të madhe me të cilën myslimani duhet të edukohet, e ajo është edukata ndaj All-llahut të Madhërishëm.
Por së pari, a e dimë ne se kush është All-llahu i Madhërishëm?
All-llahu është Krijuesi i qiejve dhe i tokës dhe në Dorën e Tij janë dizgjinët e të gjitha sendeve.
Ai rrethon e përfshin gjithçka në Gjithëdijen (e Tij). As edhe një thërrmijë, ose diçka më e vogël apo më e madhe se ajo, nuk shpëton nga Dijenia e Tij në qiej ose në tokë, as në thellësi të detit e as nën shtresat e kodrave.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe vetëm me Të janë çelësat e Gajbit (gjithçka e fshehtë dhe e panjohur), askush nuk i di përveç Atij. Ai di gjithë ç’ka në tokë e në det; nuk ka asnjë gjeth që bie dhe Ai të mos ketë Dijeni për të; nuk ka asnjë grimcë në errësirën e tokës, asgjë të njomë ose të thatë, që të mos jetë shkruar në Shkrim të Qartë.”[4]
Ai rrethon e përfshin gjithçka në Gjithëdijen (e Tij), Ai mban llogari për çdo gjë, Ai përfshinë gjithçka në mëshirë dhe urtësi. Dëgjimi i Tij përfshin çdo zë, edhe përkundër ndryshimit të gjuhëve.
Gajbi për Të është i dukshëm dhe sekreti për Të është i hapur
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Vetëm i All-llahut është Gajbi (e fshehta) i qiejve dhe tokës dhe tek Ai kthehen të gjitha çështjet (për gjykim e vendim), kështu që adhuro Atë pra, dhe tek Ai mbështetu. Ndërkohë, Zoti yt nuk është i pavetëdijshëm për çfarë veproni ju (o njerëz).”[5]
Shikimi i Tij përfshin çdo gjë, kështu që Ai e sheh ecjen e buburrecit të zi në natën e errët. I sheh trurin, damarët dhe lëvizjet e tyre. I sheh fletët e mushkonjës në errësirën e natës.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra.”[6]
Atij i takon krijimi dhe të gjitha çështjet, sundimi dhe lavdërimi. Atij i takon dynjaja dhe ahireti, begatia dhe mirësia, si dhe lavdërimi më i mirë. Atij i takon i tërë sundimi, i tërë falënderimi. Në dorën e Tij është e tërë mirësia, fuqia e Tij ka përfshirë çdo send dhe mëshira e Tij ka kapluar çdo gjë.
Ai ngrit një popull dhe e ulë një tjetër. Ai nuk fle dhe nuk i ka hije madhërisë së Tij që të flejë.
I dërguari i All-llahut thotë: “Vërtet All-llahu nuk fle dhe nuk ka nevojë të flejë; Ai (me raste) e ulë drejtësinë e (me raste) e ngre atë (dhe pasuesit e saj). Tek Ai ngrihen punët e natës para atyre të ditës, dhe punët e ditës para atyre të natës. Drita është mbulesë e Tij. Sikur ta hiqte mbulesën e Tij, shkëlqimi i Fytyrës së Tij do të digjte çdo krijesë që arrin shikimi i Tij (d.m.th. çdo gjë, meqë Ai sheh çdo gjë).”[7]
__________________________________
[4] Kaptina El-En’am, ajeti 59.
[5] Kaptina Hud, ajeti 123.
[6] Kaptina Gafir, ajeti 19.
[7] Sahih: shënon Muslimi (179) nga Ebu Musa el-Esh’ariu radijAll-llahu anhu.
__________________________
Shkëputur nga libri: Edukata Islame