EDUKATA ME KAFSHËT

Vëllezër të dashur,

Begatitë e All-llahut ndaj nesh nuk numërohen a përkufizohen dot. All-llahu i Madhërishëm thotë: “edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përkufizoni (në numër).”[1]

Në mesin e këtyre begative është edhe nënshtrimi i kafshëve në favorin tonë. All-llahu i Madhërishëm neve në to na ka dhënë dobi të shumta.

All-llahu i Madhërishëm thotë:”Edhe kafshët Ai i krijoi dhe në saje të këtyre ju mund të mbroheni (nga të ftohtit), keni edhe dobi të tjera dhe prej tyre hani. Në to (në kafshët) ju shihni hijeshi (idili) kur në mbrëmje ato i ktheni (nga kullosa) dhe kur në mëngjes i lëshoni (për në kullosë). Ato bartin barrën tuaj (të rëndë) në ndonjë vend (të largët) që ju do të arrinit atje me shumë vështirësi (me gjysmë shpirti). Vërtet, Zoti juaj është shumë Bamirës dhe shumë Mëshirues. Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat edhe gomarët, për t’ju hipur atyre dhe si stoli, e Ai krijon (për hipje) çka ju (tash) nuk dini.”[2]

Po ashtu thotë: “Dhe Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) dhe ju mundësoi të udhëtoni hipur në anije ose në kafshë. Të uleni mbi to dhe atëherë, pasi të jeni vendosur mbi to, ta përkujtoni të mirën që ua dha Zoti juaj e të thoni: “Falënderuar qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë.”[3]

Ne e dimë se ato kafshë e madhërojnë dhe lavdërojnë All-llahun, madje edhe i bëjnë sexhde All-llahut të Madhërishëm. All-llahu i Madhërishëm thotë: “A nuk e di për All-llahun se Atij i lutet kush është në qiej e në tokë, madje edhe shpezët krahhapura. Të gjithë e dinë dhe janë të udhëzuar për lutje ndaj Tij dhe për madhërimin ndaj Tij. All-llahu e di ç’punojnë ata.”[4]

Po ashtu thotë: “A nuk e di për All-llahun se Atij i nënshtrohet (i bën sexhde) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe kodrat, edhe bimët, edhe shtazët, e edhe shumë njerëz, po shumë janë që dënimi është meritë e tyre. Atë që e poshtëron All-llahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. All-llahu punon atë që dëshiron.”[5]

Prandaj ne medoemos duhet mësuar edukatën gjatë veprimit me ato kafshë që të përfitojmë prej tyre në mënyrën më të plotë dhe njëkohësisht të kemi mëshirë ndaj tyre ashtu siç All-llahu i Madhërishëm dhe i dërguari i Tij na kanë urdhëruar.

 

Në vazhdim po përmendim disa prej sjelljeve dhe edukatës që duhet t’i kemi parasysh gjatë veprimit tonë me kafshët.

 

  1. Mëshira dhe dhembshuria ndaj tyre si dhe mosdëmtimi i tyre

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mëshirojini ata që janë në tokë, ju mëshiron Ai që është në qiell.”[6] Po ashtu ka thënë: “Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.”[7] Po ashtu ka thënë: “Ai që mëshiron qoftë edhe në therjen e zogut, All-llahu atë e mëshiron në ditën e kiametit.”[8]

Prandaj duhet të jemi të mëshirshëm ndaj kafshëve dhe nuk duhet dëmtuar ato në asnjë mënyrë.

Njëri prej selefëve ka thënë: “Nëse ke dëshirë të madhe për mëshirë nga All-llahu, atëherë bëhu i mëshirshëm me veten, me të tjerët dhe mos i shfaq të mirat e tua (ndaj të tjerëve). Të padijshmin mëshiroje me dijen tënde, të nënshtruarin me autoritetin tënd, të varfrin me pasurinë tënde, të moshuarin me dhembshurinë tënde, të voglin me butësinë tënde, mëkatarët me thirrjen tënde (islame), kafshët me butësinë dhe mos’hidhërimin tënd. Njeriu më afër mëshirës së All-llahut është më i mëshirshmi ndaj krijesave të Tij.”

  1. Të ushqyerit dhe dhënia ujë kafshëve kur uriten apo eten

 

Kjo është gjëja më e vogël që mund t’ua japësh kafshëve, pra t’u ofrosh ushqim apo ujë. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: Ndërkohë që një njeri po ecte në rrugë iu shtua etja. Gjeti një pus, zbriti në të dhe piu ujë. Kur doli, pa një qen që gulçonte dhe hante dheun e lagur nga etja. Njeriu tha: Këtij qeni i është shtuar aq shumë etja sa ç’mu shtua edhe mua. Zbriti në pus, e mbushi këpucën me ujë, pastaj e kapi me gojë derisa u ngjit dhe i dha qenit ujë. All-llahu e lavdëroi dhe e fali.”[9]

Po ashtu ka thënë: “Për çdo mushkëri të lagur ka shpërblim.”[10]

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Derisa një qen i cili desh po ngordhte nga etja po sillej rreth e rrotull një pusi, kur një lavire nga Benu Israilët e pa dhe zbathi këpucën e saj, e mbushi me ujë dhe i dha të pijë. Për shkak të këtij veprimi, All-llahu ia fali asaj mëkatet.”[11]

 

  1. Mos-shqetësimi dhe moskeqetrajtimi i tyre

 

Kjo do të thotë që torturimi i tyre të mos bëhet në asnjë mënyrë, qoftë me goditje, qoftë duke i lënë të uritur apo duke i ngarkuar me aq sa nuk mund të përballojnë… Myslimani ka zemër të mëshirshme dhe kurrë nuk torturon dikë a diçka. Nga Abdullahu radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Një grua u fut në zjarr (xhehennem) për shkak të një maceje të cilën e kishte lidhur dhe as nuk e kishte ushqyer e as nuk e kishte lënë të lirë të hante nga ushqimet e tokës, derisa kishte ngordhur.”[12]

 

  1. Të mos i ngarkojmë me aq sa nuk mund të përballojnë

 

Kafsha ka një fuqi të kufizuar përtej të cilës nuk përballon dot… Prandaj nuk duhet ngarkuar sa nuk mund të përballojë.

Nga Sehl ibën Handhale radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut kaloi pranë një deveje të cilës i ishte ngjitur shpina me barkun (nga uria e madhe) dhe tha: Kini frikë All-llahun ndaj këtyre kafshëve që nuk flasin. Shaloni ato në mënyrën të mirë dhe hajini në mënyrën të mirë.”[13]

 

  1. Mosmallkimi i kafshëve

 

Këtu kemi për qëllim që njeriu t’i thotë kafshës: ‘All-llahu të mallkoftë’, apo ‘mallkimi i All-llahut qoftë mbi ty.’

Nga Umran ibën Husajni radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një herë ishim së bashku me të dërguarin e All-llahut në një udhëtim dhe një grua prej ensarëve ishte mbi devenë e saj, ndërsa deveja u lodh, e ajo u zemërua dhe e mallkoi devenë. I dërguari i All-llahut e dëgjoi dhe tha: Merreni atë që ka mbi dhe lëreni, sepse ajo (deve) është e mallkuar. Umrani tha: Më kujtohet shumë mirë se si ecte ajo (deve) mes njerëzve dhe askush nuk e shalonte.”[14]

 

  1. Qetësimi i tyre gjatë therjes apo mbytjes

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Vërtet All-llahu e ka bërë obligim mirësjelljen ndaj çdo gjëje; kur të mbytni (p.sh. armikun), mbyteni në mënyren më të mirë; kur të therni (kafshët e lejuara), therini në mënyrën më të mirë; mprihni thikat që t’ia lehtësoni kurbanit tuaj.”[15]

 

  1. Mosvendosja e kumbonave në qafat e tyre

 

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Melaiket nuk e shoqërojnë grupin e njerëzve në mesin e të cilëve ka qen ose kumbonë.”[16]

  1. Të mos e ndajë kafshën nga të vegjlit e saj përveç kur është e domosdoshme

 

Nga Ebu Ejjubi radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush bën ndarje mes nënës dhe fëmijës së saj, në ditën e kiametit All-llahu do ta ndajë atë prej të dashurve të tij.”[17]

Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një herë ishim bashkë me të dërguarin e All-llahut në një udhëtim, ndërsa ai u largua nga ne për nevojë fiziologjike, e ndërkohë njëri prej sahabëve kapi një zog harabeli, ndërsa harabeli u afrua tek i dërguari i All-llahut dhe filloi t’i shkundë krahët. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: Kush e privoi këtë nga fëmija i saj? Një njeri tha: Unë, o i dërguari i All-llahut. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: Ktheja zogun, trego mëshirë ndaj saj.”[18]

 

  1. Mosdamkosja e kafshës me tatuazh në fytyrë dhe mosgoditja në fytyrë

 

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka ndaluar damkosjen me tatuazh në fytyrë apo goditjen në fytyrë.”[19]

Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Dikush kaloi pranë Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me një gomar të cilin e kishin damkosur në fytyrë, ndërsa ai tha: All-llahu e mallkoftë atë që e ka damkosur.”[20]

Ndërsa në një transmetim të Ahmedit dhe Ebu Davudit nga Xhabiri radijAll-llahu anhu qëndron se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A nuk e dini se unë e kam mallkuar atë që e damkos kafshën në fytyrë apo atë i cili i mëshon kafshës në fytyrë.”[21]

Pra goditja në fytyrë është haram te çdo gjallesë, duke filluar nga njeriu, gomari, kali, deveja, mushka, bagëtitë në përgjithësi, e kështu me radhë. Por goditja në fytyrën e njeriut është më e shëmtuar. Kjo, ngase fytyra është shënjestra e bukurisë, si dhe pjesë e trupit ku goditja vërehet. Goditja në fytyrë gjithashtu mund të shkaktojë ndonjë shëmtim të përhershëm apo dëmtim të ndonjë shqise.

Ndërsa damkosja e kafshëve në fytyrë është haram me pajtimin e të gjithë dijetarëve, por lejohet në pjesë të tjera të trupit nëse ka nevojë për një gjë të tillë, si p.sh. damkosja të bëhet me qëllim mjekimi, apo të jetë prej atyre që ndahen për sadeka, siç ka vepruar Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

Devetë, zakonisht damkosen në kurriz, ndërsa gomerët dhe mushkat në kofshë.

 

  1. Mosqëndrimi mbi kafshë

 

Këtë e bazojmë në hadithin që na e përcjellë Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu i cili thotë se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos i shndërroni shpinat e kafshëve tuaja në kolltuqe, ngase All-llahu i ka vënë ato në dispozicionin tuaj për t’ju bartur në vendе në të cilat ju do të arrinit atje me vështirësi të madhe. All-llahu ka krijuar tokën për juve, prandaj uluni në të për nevojat tuaja.”[22]

 

  1. Të mos na angazhojnë dhe largojnë nga adhurimi ndaj All-llahut

 

Ka mundësi që njeriu të angazhohet me kafshë të ndryshme dhe kjo të ndikojë në largimin nga namazi apo nga ibadetet tjera… Pa dyshim kjo është haram dhe nuk lejohet.

I dërguari i All-llahut ka thënë: Shaloni kafshët të shëndosha, dhe lini të shëndosha, dhe mos i shndërroni ato në karrige.”[23]

 

  1. Mbytja e kafshëve të dëmshme lejohet

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Pesë kafshë (lejohet të) vriten jashtë apo brenda territorit të vendit të shenjtë (haremit të Mekës), ato janë: Gjarpri, korbi laraman, miu, qeni i tërbuar dhe qifti.”[24]

 

  1. Lejohet shalimi i më shumë personave në to

 

Është e lejuar që një kafshë të shalohet nga më shumë persona nëse e dimë se ajo kafshë e përballon një gjë të tillë… Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka shaluar kafshën dhe mbrapa tij e ka hipur edhe Abdullah ibën Abbasin radijAll-llahu anhuma.

 

  1. Dhënia e zeqatit për to

 

Prej rregullave që duhet t’i dimë për sa i përket sjelljes me kafshët është edhe ajo se për to duhet dhënë zeqat nëse janë prej kategorive që jepet zeqat për to.

 

Dhe më në fund…

 

Ne duhet patjetër të përpiqemi të jemi sa më të mëshirshëm dhe të butë me kafshët, ngase ato kanë shqisa dhe e përjetojnë dhembjen, madje nganjëherë edhe qajnë… Kush dëshiron të fitojë mëshirën e All-llahut, duhet të mëshirojë çdokënd që e ka përreth vetes.

 

[1] Kaptina Ibrahim, ajeti 34.

[2] Kaptina En-Nahl, ajetet 5-8.

[3] Kaotina Ez-Zuhruf, ajetet 12-13.

[4] Kaptina EN-Nur, ajeti 41.

[5] Kaotina El-Haxh, ajeti 18.

[6] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4941), Tirmidhiu (1924), Ahmedi (2/160), Buhariu në Et-Tarihul-Kebir (7/194) dhe Hakimi (4/175). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (925) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5997) dhe Muslimi (2318).

[8] Hasen: shënojnë Buhariu në Edebul-Mufred (381) dhe Taberaniu (8/234). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (27) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6009) dhe Muslimi (2244).

[10] Sahih: shënojnë Ahmedi (4/175) dhe Ibën Maxhe (3686). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6204) e ka klasifikuar si hadith sahih. Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me fjalën “mushkëri të lagur” ka përdorur një alegori dhe me të është për qëllim çdo krijesë e gjallë, sepse ajo krijesë që vdes, mushkëritë e saj thahen. (shën. përkth.)

[11] Sahih: shënon Muslimi (2245).

[12] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3482) dhe Muslimi (2242).

[13] Sahih: shënon Ebu Davudi (2548). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (23) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[14] Sahih: shënon Muslimi (2595).

[15] Sahih: shënon Muslimi (1955).

[16] Sahih: shënon Muslimi (2113).

[17] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1566) dhe Ahmedi (5/412). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6412) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[18] Sahih: shënon Buhariu në Edebul-Mufred (382). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Edebil-Mufred (295) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[19] Sahih: shënon Muslimi (2116).

[20] Sahih: shënon Muslimi (2117).

[21] Sahih: shënon Ebu Davudi (2564). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1549) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[22] Sahih: shënon Ebu Davudi (2567). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (22) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[23] Sahih: shënon Ahmedi (3/439). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (21) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[24] Sahih: shënon Muslimi (1198).

 

www.thirrjaislame.com