Vëllezër të dashur,
Duhet ditur se fqinji ka një pozitë të madhe e të lartë. Prandaj All-llahu i Madhërishëm e ka urdhëruar të dërguarin e Tij të ketë sjellje të mirë me fqinjin dhe të mos e shqetësojë në asnjë formë shqetësimi.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët.[1]”[2]
Nga Abdullah ibën Omeri dhe Aisheja radijAll-llahu anhum na përcillet se kanë thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Xhibrili aq shumë më porosiste për fqinjin saqë mendova se do t’i japë hise në trashëgimi.”[3]
Nga Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se një ditë familjarët e tij kishin therur një dele. Kur erdhi Ibën Omeri në shtëpi i pyeti: “A i dhuruat diçka nga ajo fqinjit tonë jehudi? A i dhuruat diçka nga ajo fqinjit tonë jehudi? Unë e kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: Xhibrili aq shumë më porosiste për fqinjin saqë mendova se do t’i japë hise në trashëgimi.”[4]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush beson në All-llahun dhe në ditën e fundit, le të mos e dëmtojë fqinjin e tij.” Ndërsa në një transmetim tjetër nga Muslimi qëndron: “… le të sillet mirë me fqinjin.”[5]
Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vallahi nuk beson, vallahi nuk beson, vallahi nuk beson.” (Sahabët) Thanë: “Kush O i dërguari i All-llahut?” Tha: “Ai prej të këqijave të të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij.”[6]
Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Nuk hyn në xhennet ai prej të këqijave të të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij.”[7]
Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Fqinja të mos e nënçmojë dhuratën e fqinjes së saj, qoftë ajo edhe një thundër deleje.”[8]
Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Thashë: O i dërguari i All-llahut: Kam dy fqinje. Cilës prej tyre t’i jap dhuratë? Ai tha: Atë që e ke më afër derës tënde.”[9]
Nga Abdullah ibën Amri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Shoku më i mirë tek All-llahu i Madhërishëm është ai që është më i mirë ndaj shokut të tij, dhe fqinji më i mirë tek All-llahu i Madhërishëm është ai që është më i mirë ndaj fqinjit të tij.”[10]
Nga Mikdad ibën Esvedi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut u tha shokëve të tij: Ç’mendoni për zinanë (imoralitetin)? Thanë: Ajo është një nga haramet që All-llahu dhe i dërguari i Tij e kanë llogaritur të tillë dhe do të mbetet haram deri në ditën e kiametit. Atëherë i dërguari i All-llahut tha: Sikur personi të bëjë zina (imoralitet) me dhjetë gra është më e lehtë për të sesa të bëjë zina me gruan e fqinjit të tij. Pastaj pyeti: Ç’mendoni për vjedhjen? Thanë: Ajo është një nga haramet që All-llahu dhe i dërguari i Tij e kanë llogaritur të tillë dhe do të mbetet haram deri në ditën e kiametit. Atëherë i dërguari i All-llahut tha: Sikur personi të vjedhë prej dhjetë shtëpive, është më e lehtë për të sesa të vjedhë prej shtëpisë së fqinjit të tij.”[11]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Disa njerëz thanë: O i dërguari i All-llahut! Filania ngrihet e falet natën (namaz nate), agjëron ditën (agjërim nafile) dhe jep sadaka shumë, por ka gjuhë të fëlliqur, i lëndon me të fqinjtë e saj. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: S’ka hair në të. Ajo është prej banorëve të zjarrit. Pastaj thanë: Ndërsa filania falë vetëm namazet farze, e agjëron muajin e Ramazanit, dhe jep sadaka qumësht të ngrirë, por nuk i bën dëm askujt. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: Ajo është prej banorëve të xhennetit.”[12]
Dijetarët thonë: “Fqinjët ndahen në tri grupe. Fqinj që ndaj tij ke një hak, fqinj që ndaj tij ke dy haqe dhe fqinj që ndaj tij ke tri haqe. Fqinji ndaj të cilit ke tri haqe është fqinji mysliman, i afërt. Ai ka hakun e fqinjësisë, hakun e islamit dhe hakun e afërsisë familjare. Fqinji ndaj të cilit ke dy haqe është fqinji mysliman. Ai ka hakun e fqinjësisë dhe hakun e islamit. Ndërsa fqinji ndaj të cilit ke një hak është fqinji mushrik. Në lidhje me këtë kemi një hadith daif (të dobët). Kjo ndarje përputhet me atë që kuptohet nga ajetet dhe hadithet për sa i përket hakut ndaj myslimanit, hakut ndaj të afërmit dhe hakut ndaj fqinjit. Po ashtu përputhet edhe me ndarjen logjike. Rrjedhimisht, ndaj fqinjit mosbesimtar, sado që të jetë kufri i tij, kemi hak fqinjësie duke qenë bamirës ndaj tij dhe duke mos e dëmtuar.”[13]
Në vazhdim do të përmendim rregullat dhe sjelljet që duhet pasur në raport me fqinjët:
- Zgjedhja e fqinjit të mirë
Njeriu para se të vendosë të jetojë diku, duhet zgjedhur vendin në të cilin ka fqinjë të mirë. Kjo, ngase fqinji ka mundësi të mësojë diçka nga sekretet e shtëpisë. Po ashtu njeriu ndonjëherë mund të ketë nevojë për fqinjin e tij. Nëse ai është i mirë, atëherë i sjell dobi dhe ia lehtëson vështirësinë. E nëse nuk është i mirë, atëherë i shkakton probleme dhe mund të bëhet shkak për fatkeqësinë e tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Katër gjëra e bëjnë njeriun të lumtur: Gruaja e mirë, vendbanimi i gjerë, fqinji i mirë dhe mjeti i rehatshëm i udhëtimit, ndërsa katër gjëra njeriun e bëjnë fatkeq: Gruaja e keqe, fqinji i keq, mjeti jo i rehatshëm i udhëtimit dhe shtëpia e ngushtë.”[14] Ndërsa një fjalë e urtë thotë: “Shiko fqinjin para se të shikosh shtëpinë.”[15]
- Sjellja e mirë me të
All-llahu i Madhërishëm me këtë na urdhëron në librin e Tij ku thotë: “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët.[16]”[17]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush beson në All-llahun dhe në ditën e fundit, le të sillet mirë me fqinjin.”[18]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar që fqinji të nderohet dhe këtë e ka llogaritur prej pjesëve përbërëse të imanit, duke thënë: “Kush beson në All-llahun dhe në ditën e fundit, le ta nderojë fqinjin e tij.”
Madje prej gjërave të para të thirrjes së Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë urdhri i tij për mirësjellje me fqinjët, siç e kemi rastin e Ebu Sufjanit me Herakliun kur ky i fundit e pyeti Ebu Sufjanin: “Ç’ju urdhëron ai (Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem)? Ebu Sufjani u përgjigj: “Na urdhëron të jemi të sinqertë në fjalë, të mos tradhtojmë, t’i mbajmë lidhjet farefisnore, të jemi të sjellshëm me fqinjët dhe të largohemi nga haramet dhe derdhja e gjakut.”
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut njëherë tha: Kush i merr prej meje këto fjalë dhe vepron me to ose i mëson të tjerët të veprojnë me to? Thashë: Unë, oi dërguari i All-llahut. Atëherë ai më kapi për dore dhe m’i numëroi pesë gjëra: Ruaju nga haramet, do të jesh njeriu më adhurues në mesin e njerëzve; bëhu i kënaqur me atë që të ka ndarë All-llahu, do të jesh njeriu më i pasur; sillu mirë me fqinjin, do të jesh besimtar; duaju njerëzve atë që ia do vetes, do të jesh mysliman; mos qesh shumë, sepse qeshja e shumtë ta vdes zemrën.”[19]
- T’i dëshirojë fqinjit të tij atë që dëshiron për vete prej gjërave të mira
Prej mirësjelljes ndaj fqinjëve është edhe mendimi i mirë për ta dhe dëshirimi i të mirës për ta. Në një hadith të cilin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi nga Enesi radijAll-llahu anhu, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, robi nuk arrin besimin e plotë derisa nuk i dëshiron fqinjit atë që i dëshiron vetes.”[20]
Në këtë hadith shihet qartë konfirmimi për hakun e fqinjit, dhe se ai që nuk dëshiron për fqinjin atë që dëshiron për vete është i mangët në iman. Ky është kulmi i tërheqjes së vërejtjes në lidhje me ndalimin e dëmtimit të fqinjit, qoftë i afërt apo i largët.
- T’i çojë në vend të gjitha haqet që myslimani i ka ndaj vëllait të tij mysliman
Kjo është kështu sepse fqinji ka përparësi dhe është më meritor për këtë gjë sesa tjetri, kështu që duhet mirësjellur me të në çdo mënyrë të mundshme. Pra, duhet vizituar atë kur sëmuret, duhet thënë ‘Jerhamukellah’ (All-llahu të mëshiroftë), kur ai teshtinë, duhet këshilluar me këshilla që mendon se janë në dobi të tij, duhet përgjigjur ftesës së tij, duhet të interesohet për të te familja dhe fëmijët e tij në rast kur ai mungon apo është në udhëtim, e përcjellë xhenazen e tij deri në varr kur ai vdes, lutet për të, e orienton nga hairi, e kështu me radhë.
- Mënjanimi i rreziqeve prej tij
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Vallahi nuk beson, vallahi nuk beson, vallahi nuk beson.” (Sahabët) Thanë: “Kush O i dërguari i All-llahut?” Tha: “Ai prej të këqijave të të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij.”[21]
D.m.th. nuk është i sigurt nga gjërat që mund t’i sjellin rrezik. Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit qëndron: “Nuk hyn në xhennet ai prej të këqijave të të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij.”[22]
Në këto hadithe shohim madhërim të hakut ndaj fqinjit, obligueshmëri për mënjanimin e rreziqeve prej tij si dhe atë se dëmtimi i tij është prej mëkateve të mëdha. All-llahu i Madhërishëm e ka kosideruar të madhe dëmtimin e fqinjit dhe e ka rritur dënimin për këtë gjë. Nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut u pyet: Cili është mëkati më i madh ndaj All-llahut? Ai u përgjigj: T’i shoqërosh All-llahut diçka tjetër në adhurim, ndërkohë që Ai është Krijuesi yt. Po pastaj – e pyeta. Ai tha. Të vrasësh fëmijën tënd nga frika se do të ushqehet me ty. Po pastaj – e pyeta sërish. Ai tha: Të bësh imoralitet me gruan e fqinjit tënd.”[23]
Argumentet në lidhje me mënjanimin e rreziqeve nga fqinji janë të prera dhe alarmuese. Mosdëmtimi i fqinjit është lidhur me çështjen e besimit në All-llahun dhe ditën e fundit. Në hadithin që na e përcjell Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush beson në All-llahun dhe në ditën e fundit, le të mos e dëmtojë fqinjin e tij.”
Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka tërhequr vërejtjen në lidhje me rrezikun e dëmtimit të fqinjit në raport me veprat e mira. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Disa njerëz thanë: O i dërguari i All-llahut! Filania ngrihet e falet natën (namaz nate), agjëron ditën (agjërim nafile) dhe jep sadaka shumë, por ka gjuhë të fëlliqur, i lëndon me të fqinjtë e saj. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: S’ka hair në të. Ajo është prej banorëve të zjarrit. Pastaj thanë: Ndërsa filania falë vetëm namazet farze, e agjëron muajin e Ramazanit, dhe jep sadaka qumësht të ngrirë, por nuk i bën dëm askujt. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: Ajo është prej banorëve të xhennetit.”[24]
Prandaj le të kenë kujdes ata që i dëmtojnë apo shqetësojnë fqinjët e tyre, le të pendohen dhe le të kërkojnë falje nga All-llahu nga ky mëkat i madh si dhe le të kërkojnë hallallëk nga fqinjët para se të jetë vonë, kur më nuk ka vlerë as dinari e as dërhemi.
Mëkati që bëhet me anë të dëmit ndaj fqinjit zmadhohet derisa bëhet dhjetëfish. Dëgjojeni fjalën e Pejgamberit tuaj, të cilin na e përcjellë Mikdad ibën Esvedi radijAll-llahu anhu, i ili thotë: “I dërguari i All-llahut u tha shokëve të tij: Ç’mendoni për zinanë (imoralitetin)? Thanë: Ajo është një nga haramet që All-llahu dhe i dërguari i Tij e kanë llogaritur të tillë dhe do të mbetet haram deri në ditën e kiametit. Atëherë i dërguari i All-llahut tha: Sikur personi të bëjë zina (imoralitet) me dhjetë gra është më e lehtë për të sesa të bëjë zina me gruan e fqinjit të tij. Pastaj pyeti: Ç’mendoni për vjedhjen? Thanë: Ajo është një nga haramet që All-llahu dhe i dërguari i Tij e kanë llogaritur të tillë dhe do të mbetet haram deri në ditën e kiametit. Atëherë i dërguari i All-llahut tha: Sikur personi të vjedhë prej dhjetë shtëpive, është më e lehtë për të sesa të vjedhë prej shtëpisë së fqinjit të tij.”[25]
Pra, dëmi ndaj fqinjit, i çfarëdo lloji të jetë, është krim i madh.
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe iu ankua nga fqinji i tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Shko dhe bëhu durimtar.” Pastaj i njëjti njeri i erdhi dy apo tri herë, dhe me këtë rast Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Shko dhe nxirri gjërat e shtëpisë në rrugë.” Njeriu e bëri këtë gjë, ndërsa njerëzit kalonin pranë tij dhe e pyesnin për shkakun e këtij veprimi, ndërsa ai u tregonte për fqinjin e tij. Kështu njerëzit filluan ta mallkojnë fqinjin duke thënë: All-llahu e bëftë kështu, All-llahu e bëftë ashtu… ndërsa disa të tjerë bënin dua kundër tij. Atëherë fqinji shkoi tek njeriu dhe i tha: “Kthehu (në shtëpi) se nuk do të shohësh prej meje diçka që të shqetëson.”[26]
- Gjasa për shqetësim nga ana e tij
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Tri gjëra All-llahu i pëlqen dhe tri të tjera i urren.” dhe në mesin e tri gjërave që i do, përmendi: “… dhe një njeri që ka pasur një fqinj që e shqetësonte atë, ndërsa ai bënte durim ndaj shqetësimeve të tij, derisa All-llahu ta shpëtojë prej tij gjatë jetës apo me anë të vdekjes.”[27]
Nga Ebu Xhuhajfe radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri erdhi tek i dërguari i All-llahut dhe iu ankua nga fqinji i tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Shko dhe nxirri gjërat e shtëpisë në rrugë.” Njeriu e bëri këtë gjë, ndërsa njerëzit filluan ta mallkojnë fqinjin. Atëherë fqinji shkoi tek i dërguari i All-llahut dhe i tha: ‘O i dërguari i All-llahut! Njerëzit po flasin për mua.” – “Ç’po thonë për ty?! – pyeti i dërguari i All-llahut. – “Po më mallkojnë” – tha njeriu. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me këtë rast i tha: “All-llahu të ka mallkuar para se të të mallkojnë njerëzit.”
Atëherë njeriu tha: “Unë nuk do ta përsëris veprimin tim.” Pastaj shkoi tek fqinji i vet dhe i tha: “Hiqi gjërat e shtëpisë nga rruga sepse që tani je i sigurt prej meje.”
- Madhërimi i nderit të fqinjit, ruajtja e autoritetit të tij dhe mostradhtimi i tij
Kjo arrihet në shumë forma, si p.sh. duke mos i zbuluar sekretet e tij, duke mos nëpërkëmbur autoritetin dhe nderin e tij dhe duke mos u sjellur keq me familjarët e tij, sepse kjo është prej mëkateve të mëdha më të këqija. I dërguari i All-llahut kur u pyet se cili është mëkati më i madh ndaj All-llahut, u përgjigj: “T’i shoqërosh All-llahut diçka tjetër në adhurim, ndërkohë që Ai është Krijuesi yt.” Po pastaj – u pyet. Ai tha. “Të vrasësh fëmijën tënd nga frika se do të ushqehet me ty.” Po pastaj – u pyet sërish. Ai tha: “Të bësh imoralitet me gruan e fqinjit tënd.”[28] Madje duhet ruajtur atë, nderin e tij dhe pasurinë e tij, derisa ai të ndihet i sigurt. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vallahi nuk beson, vallahi nuk beson, vallahi nuk beson.” (Sahabët) Thanë: ‘Kush O i dërguari i All-llahut?” Tha: “Ai prej të këqijave të të cilit nuk është i sigurt fqinji i tij.”[29], d.m.th. nga mashtrimi, tradhtia dhe të këqijat e tij.
- Ndihma materiale kur ai ka nevojë për të
Myslimani duhet interesuar për gjendjen e fqinjit të tij nëse ky i fundit është nevojtar, kështu që i jep të holla pa mos i kërkuar ai. Ky është prej haqeve të myslimanit ndaj vëllait të tij mysliman, ndërsa haku i fqinjit në këtë segment është akoma më i madh.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Myslimani është vëllai i myslimanit; nuk i bën atij padrejtësi dhe nuk e braktisë. Kush i gjendet në nevojë vëllait të tij, All-llahu do t’i gjendet atij në nevojë. Kush ia largon myslimanit një brengë, All-llahu ia largon atij një brengë në ditën e kiametit. Kush ia mbulon një të metë myslimanit, All-llahu ia mbulon atij një të metë në ditën e kiametit.”[30]
Ndërsa huazimi i mirë është prej virtyteve të burrërisë dhe cilësive të njerëzve të devotshëm. Me anë të tij largohen brengat, ruhet nderi. Ka mundësi që shoku apo fqinji yt të ketë nevojë për veshje të fëmijëve të tij gjatë dimrit apo në festa. Ka mundësi që ai t’i ketë borxh dikujt dhe koha e kthimit të borxhit ka ardhur ndërsa ai nuk e ka mundësinë e kthimit të tij. Ka mundësi t’i ndodhë ndonjë fatkeqësi që nuk e përballon dot apo që rrezikon falimentimin e tij, kështu që të drejtohet ty duke të të kërkuar hua në mënyrë që ta largojë brengën që e ka, ndërsa ti ke mundësi t’i ndihmosh. Nëse i përgjigjesh kërkesës së tij dhe ia realizon shpresën që ka te ti, atëherë All-llahu do të të shpërblejë me shpërblim të madh dhe pasurinë që ia ke dhënë hua do të ta llogarisë sikur ta kesh dhënë sadeka.
Njerëzit deri para pak kohe e ndihmonin njëri-tjetrin materialisht. Kur njeriu ndjente se fqinji i tij ka nevojë për ndihmë, i jipte nga pasuria e tij pa e kërkuar ai. Po ashtu kur shoku merrte vesh për shokun e tij se e ka kapluar skamja, nxitonte në largimin e skamjes së tij duke kontribuar materialisht dhe moralisht.
- Ndihma me ushqim, sidomos nëse është varfanjak
Nuk është fqinjësi e mirë kur njeriu ngopet vetë ndërsa fqinji i tij është i uritur. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ështe besimtar ai që ngopet ndërsa fqinji që ka pranë vetes është i uritur.”[31]
Ka shumë prej njerëzve që nuk çajnë kokën për fqinjët, kështu që kur kthehet në shtëpi me vete sjell gjëra të mira, ndërsa fqinjëve nuk u kushton kujdes. Kjo gjë nuk duhet toleruar. Ajo që duhet bërë është që kur njeriu të përgatisë ushqim, duhet ndarë prej tij edhe për fqinjin, dhe këtë duhet bërë për të shprehur dashuri ndaj tij, për të pastruar veten nga egoizmi dhe për të vazhduar afërsinë mes tij dhe fqinjit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush përgatitë gjellë, le t’ia shtojë ujin dhe le t’i japë fqinjit një pjesë prej saj.”[32] Dhe nuk duhet të ndihet keq, nuk duhet minimizuar apo nuk duhet turpëruar nëse fqinjit të tij i çon diçka të imët a të vogël, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Fqinja të mos e nënçmojë dhuratën e fqinjes së saj, qoftë ajo edhe një thundër deleje.”[33] Pra, çdo mysliman duhet t’i kushtojë kujdes kësaj edukate madhështore dhe nuk duhet neglizhuar atë, ngase kjo ka një ndikim të madh te fqinji dhe është argument për cilësimin e shoqërisë islame me mëshirë, butësi dhe solidaritet mes pjesëtarëve të saj.
Ndërsa të blejë ushqime të ndryshme dhe t’i lërë fëmijët e tij të dalin me ëmbëlsira dhe pemë të ndryshme përpara fëmijëve të fqinjit të tij të varfër, duke i joshur ata dhe duke mos iu dhënë, kjo është sjellje e keqe me fqinjin dhe zhgënjim për të, si dhe kundërshtim i urdhrit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.
- Bashkëngjitja me fqinjin në gëzime e mërzi
Nëse fqinji ka ndonjë rast gëzimi, duhet të shkosh tek ai dhe bashkë me të ta ndash gëzimin, me kusht që rasti në fjalë të mos ngërthejë në vete ndonjë mëkat. Po ashtu nëse fqinji ballafaqohet me ndonjë mërzi, duhet të shkosh tek ai dhe bashkë me të ta ndash edhe mërzinë, ta ngushëllosh me fjalë të mira dhe t’i japësh kurajë për të vazhduar më tej. Të gjitha këto, në esencë, janë prej haqeve që myslimani i ka ndaj vëllait të tij, ndërsa fqinji ka më shumë përparësi në këto haqe sesa të tjerët.
- Këshillimi, urdhërimi i tyre në të mirë dhe ndalimi i tyre nga e keqja
Ka mundësi që fqinji të shohë te fqinji i tij ndonjë gjë të keqe apo të vërejë se ai ka braktisur ndonjë prej veprave të mira, e kështu me radhë. Me këtë rsat, ai e ka për detyrë ta këshillojë atë, ta urdhërojë në të mirë dhe ta ndalojë nga e keqja, ngase ai ndaj tij, si fqinj, ka më shumë hak sesa ndaj të tjerëve. Shumë prej njerëzve i shohin fqinjët e tyre duke vepruar punë të këqija, por nuk i ndalojnë prej tyre e as nuk i urdhërojnë në të mirë. Kjo është tradhti ndaj fqinjit dhe mangësi ndaj hakut të tij.[34]
12.T’ia ofrojë shtëpinë për blerje fqinjit nëse vendos për shitjen e saj
Nëse njeriu vendos të zhvendoset nga shtëpia e tij, atëherë le t’ia ofrojë fqinjit blerjen e saj para se t’ia ofrojë të tjerëve, ngase ka mundësi që fqinji është i gatshëm ta blejë atë. Kjo vlen edhe për tokën apo pasurinë e patundshme. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush ka një copë tokë dhe dëshiron ta shesë, le t’ia ofrojë fqinjit të tij.”[35] Kjo është gjëja më e mirë për zemrën e fqinjit. Nëse njerëzit nuk i kushtojnë kujdes kësaj gjëje, atëherë i hapin derën fërkimeve, mosmarrëveshjeve dhe armiqësive. All-llahu na ruajt!
- Të mos e pengojë fqinjin nëse dëshiron të mbjellë ndonjë dru te muri i tij
Nëse fqinji ka nevojë për këtë gjë, atëherë duhet lejuar të mbjellë këtë dru dhe nuk duhet penguar përfitimin e tij prej drurit. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Të mos e pengojë fqinji fqinjin të mbjellë drurin te muri i tij.”[36] Pastaj Ebu Hurejra tha: “Ç’është puna me juve?! Po shoh sikur doni ta refuzoni këtë gjë! Vallahi do t’jua them këtë në sy![37]
- Moslartësimi i objektit duke ia bllokuar diellin dhe ajrin fqinjit të tij
Fqinji që e ka shtëpinë e ngjitur me shtëpinë e fqinjit të tij duhet të jetë i kujdesshëm të mos e shqetësojë fqinjin e tij në formën që do ta përmendim në vijim, pra, nëse fqinji dëshiron të ndërtojë një mur me të cilin do ta ndante oborrin e tij nga ai i fqinjit, duhet marrë në konsideratë moslartësimin e murit deri në atë shkallë saqë t’ia pengojë rrymën e erës apo ajrit.
E nëse patjetër ka nevojë për një gjë të tillë, atëherë këtë duhet bërë me leje nga fqinji i tij dhe duhet marrë parasysh edhe mendimin e tij në lidhje me këtë gjë. Ajo që duhet arritur që të dy në këtë çështje është që asnjëri prej tyre të mos jetë i dëmtuar, por që të dy të jenë të kënaqur me vendimin që kanë marrë bashkërisht.
[1] Me fqinjin e afërt është për qëllim afërsia farefisnore, ndërsa me fqinjin e largët është për qëllim mosafërsia farefisnore. (shën. përkth.)
[2] Kaptina En-Nisa’, ajeti 36.
[3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6014) dhe Muslimi (2624).
[4] Sahih: shënon Tirmidhiu (1943). Shejh Albani në librin e tij Irvaul-Galil (891) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6018) dhe Muslimi (47).
[6] Sahih: shënon Buhariu (6016).
[7] Sahih: shënon Muslimi (46).
[8] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2566) dhe Muslimi (30).
[9] Sahih: shënon Buhariu (2259).
[10] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1944) dhe Ahmedi (6530). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (103) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[11] Sahih: shënon Ahmedi (23342). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (5043) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[12] Sahih: shënon Ahmedi (9383). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2560) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[13] Shkëputur nga libri Es-Sulukul-Ixhtimaijju Fil-Islam (282-283). Autor: Shejh Hasen Ejjub.
[14] Shënojnë Ibën Hibbani (9/340), Hakimi (2/175), Ebu Nuajmi në Hiljetul-Evlija’ (8/388), Bejhekiu në Shuabul-Iman (7/82), Hatibi (12/89) dhe Dijai (3/240). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (887) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[15] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/297). Autor: Abdul-Aziz Neda.
[16] Me fqinjin e afërt është për qëllim afërsia farefisnore, ndërsa me fqinjin e largët është për qëllim mosafërsia farefisnore. (shën. përkth.)
[17] Kaptina En-Nisa’, ajeti 36.
[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6019) dhe Muslimi (48).
[19] Hasen: shënojnë Tirmidhiu (2305) dhe Ahmedi (8034). Shejh Albani në librin Es-Silsiletus-Sahiha (930) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[20] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (13) dhe Muslimi (45).
[21] Sahih: shënon Buhariu (6016).
[22] Sahih: shënon Muslimi (46).
[23] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4477) dhe Muslimi (86).
[24] Sahih: shënon Ahmedi (9383). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2560) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[25] Sahih: shënon Ahmedi (23342). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (5043) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[26] Sahih: shënon Ebu Davudi (5153). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2559) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[27] Sahih: shënon Ahmedi (20849). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (2569) e ka klasifikuar si hadith sahih. Ndërsa pjesa e fundit e hadithit do të thotë që njeriu ose fqinji i tij të ndërrojnë vendbanimin gjatë jetës, ose njëri prej tyre të ndërrojë jetë. (shën. përkth.)
[28] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4477) dhe Muslimi (86).
[29] Sahih: shënon Buhariu (6016).
[30] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2442) dhe Muslimi (2580).
[31] Sahih: Shënojnë Buhariu në Edebul-Mufred (112), Ebu Ja’la (5/92), Taberaniu (12/154), ndërsa Hejthemiu thotë: “Transmetuesit e këtij hadithi janë të besueshëm.” Po ashtu Hakimi (4/184) dhe thotë: “Senedi i këtij hadithi është sahih.” Bejhekiu (10/3) Bejhekiu në Shuabul-Iman (3/225) dhe Hatibi (10/391). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5382) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[32] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (4/54). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (676) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[33] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2566) dhe Muslimi (30).
[34] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 300.
[35] Sahih: shënon Ibën Maxhe (2493). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2358) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[36] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2463) dhe Muslimi (1609).
[37] D.m.th. do t’jua them këtë sunnet të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem edhe nëse juve nuk ju pëlqen ta dëgjoni. (shën. përkth.) Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (299-300).
www.thirrjaislame.com