Vëllezër të dashur,
Duhet të dimë se myslimani nuk mund të jetojë në këtë botë pa të dashurit dhe vëllezërit e tij… Prandaj medoemos ai ka nevojë për dashuri dhe vëllazërim.
Prej haqeve reciproke është vizita e ndërsjellë mes teje dhe vëllezërve e të afërmve të tu në mënyrë që të shtohet fryma e dashurisë dhe vëllazërisë.
Për t’i realizuar frytet e vizitës, medoemos duhet mësuar se cilat janë rregullat dhe edukata të cilën myslimani duhet përvetësuar gjatë vizitës që i bën miqve dhe vëllezërve të tij.
- Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm
Kjo do të thotë që t’i vizitosh vëllezërit dhe të afërmit e tu duke pasur për qëllim arritjen e shpërblimeve, e jo për përfitime materiale.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një njeri e vizitoi një vëlla të vetin në një fshat tjetër. All-llahu i Madhërishëm i cakton një melek për ta vëzhguar gjatë rrugës së tij dhe kur erdhi tek ai, (meleku) i tha: Ku po shkon? Ai tha: Te një vëlla i imi në këtë fshat. Meleku tha: A mos ke tek ai ndonjë levërdi e dëshiron ta fitosh atë prej tij? Ai tha: Jo, përpos që unë atë e dua për hirin e All-llahut! (Meleku) Tha: Unë jam i dërguar nga All-llahu te ti për të të njoftuar se All-llahu të do ty ashtu siç ti e deshe atë njeri për hirin e All-llahut.”[1]
- Kërkimit i lejes për hyrje
Për këtë gjë kemi folur në kapitullin e mëparshëm, prandaj për informata më të hollësishme kthehu atje.
- Vizita të bëhet në kohët e përshtatshme
Nuk është e udhës që t’i bësh vizitë dikujt në një kohë të papërshtatshme, si herët në mëngjes, gjatë kohës së drekës apo vonë në mbrëmje, ngase këto janë kohë për pushim dhe gjumë e jo për vizita, përveç në raste urgjente ose me leje paraprake prej atij që dëshiron ta vizitosh.
- Të rrish në vendin ku të ka ulur nikoqiri
Nëse shkon te dikush dhe ai të vendosë në një dhomë të caktuar, nuk lejohet që ti të transferohesh në dhomë tjetër pa kërkuar leje prej tij. Po ashtu nëse të ulë në ndonjë karrige apo kanape të caktuar, nuk lejohet që ti të kalosh në ndonjë karrige apo kanape tjetër, ngase ka mundësi që nikoqori të ka ulur pikërisht në atë vend që të mos jepet mundësia të shohësh gjëra të ndaluara prej anëtarëve të shtëpisë.
- Largimi i shikimit në gjëra të ndaluara të anëtarëve të shtëpisë
Nëse hyn në shtëpinë e dikujt, duhet t’i largosh sytë nga shikimi i grave apo vajzave të asaj shtëpie. E nëse nuk e bën një gjë të tillë, atëherë kjo llogaritet tradhti ndaj nikoqirit të shtëpisë.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.”[2]
- Të mos i ngulitësh sytë në orenditë e shtëpisë
Shumica e njerëzve nuk duan që vizitori t’i ngulitë sytë dhe të pyesë për çdo gjë: Sa ka kushtuar kjo? Prej nga e sollët? Kur e keni blerë?
Por nuk ka dert nëse i hedh një shikim të shpejtë dhe i drejtohesh nikoqirit: MashaAllah, sa shije të mirë paskeni pasur në përzgjedhen e orendive të shtëpisë. E lus All-llahun t’ju japë bereqet në këtë shtëpi.
7.Të mos luash rolin e spiunit
Ka prej njerëzve që shkon diku për vizitë për të dëgjuar bisedën e anëtarëve të shtëpisë apo grave, për të marrë vesh ç’thonë, e pastaj të bartë sekretet e shtëpisë tek të tjerët. Kjo gjë është haram dhe assesi nuk lejohet, si dhe konsiderohet një lloj tradhtie.
Myslimani nuk duhet luajtur rolin e spiunit në asnjë rast, e nëse dëgjon ndonjë fjalë pa dashje, atëherë këtë sekret duhet mbajtur për vete dhe nuk duhet publikuar.
- Moszgjatja e vizitës
Vizita duhet të jetë e shkurtër në mënyrë që të mos i vëjë njerëzit në siklet, e të bezdisen prej tij dhe ta urrejnë vizitën e tij.
Prandaj, vizitori duhet të jetë i shkurtër në vizitën e tij që njerëzit ta duan dhe të përmallohen për të.
- Të mos e ngritë zërin në shtëpi
Vizitori nuk duhet ngritur zërin gjatë bisedës ngase në atë shtëpi mund të ketë ndonjë të sëmurë, ndonjë njeri që fle apo dikush që përsërit mësimet e shkollës, kështu që ngritja e zërit i shqetëson ata.
- Urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja
Kur të vizitosh vëllanë apo të afrmin tënd, duhet ta urdhërosh në të mirë, ta ndihmosh në faljen e namazeve në xhami, lexim të kur’anit, respekt ndaj prindërve dhe gjërave të tjera të mira. E nëse në atë shtëpi sheh ndonjë të keqe, atëherë duhet ta ndalosh nga ajo e keqe, por këtë duhet ta bësh në mënyrën më të përshtatshme, kështu që duhet ta ndalosh me butësi dhe mëshirë.
- Të falënderosh anëtarët e shtëpisë për mikpritjen
Kur ta mbarosh vizitën, duhet t’i falënderosh anëtarët e shtëpisë për mikpritjen dhe respektin që ta kanë bërë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush nuk i falënderon njerëzit, ai nuk ka falënderuar as All-llahun…”[3]
- Të mos dalësh nga shtëpia pa lejen e nikoqirit
Nuk lejohet që të dalësh nga shtëpia pa marrë leje nga nikoqiri. Kjo, ngase nëse del pa leje, ka mundësi që të shohësh ndonjë gjë që është e ndaluar ta shohësh. Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikush e viziton vëllanë e tij, të mos çohet për të shkuar pa kërkuar leje prej tij.”[4]
[1] Sahih: shënon Muslimi (2567).
[2] Kaptina En-Nur, ajeti 30.
[3] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (1955) dhe Ahmedi (2/258). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6541) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[4] Sahih: shënon Dejlemiu (1/304). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (182) e ka klasifikuar si hadith sahih.
www.thirrjaislame.com