Vëllezër të dashur,
Myslimani gëzohet shumë kur takohet me vëllezërit, të dashurit dhe të afërmit e tij. Prandaj duhet mësuar rregullat dhe sjelljen të cilat myslimani duhet pasur parasysh gjatë takimit me vëllezërit, të dashurit dhe të afërmit.
Në vazhdim po përmendim disa prej tyre:
- Përshëndetja me selam
Forma e përshëndetjes islame është si vijon: Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu.
Kjo përshëndetje ka ndikim të madh në përhapjen e frymës së dashurisë në mesin e myslimanëve. Po ashtu në të ka shpërblim të madh dhe është një prej haqeve që myslimani e ka ndaj vëllait të tij mysliman.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “… Myslimani ndaj myslimanit ka gjashtë obligime: Kur ta takosh, jepi selam…” [1]
Njëherë një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “Es-selamu alejkum!” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia ktheu selamin dhe pastaj ai u ul. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Dhjetë.” Pastaj erdhi një njeri tjetër dhe tha: “Es-selamu alejkum ue rrahmetullah!” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia ktheu selamin dhe ai u ul. I Dërguari salAll-llahu alejhi ue selem tha: “Njëzet.” Pastaj erdhi një njeri tjetër dhe tha: “Es-selamu alejkum ue rrahmetullahi ue berekatuhu!” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia ktheu selamin dhe ai u ul. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Tridhjetë.”[2] Me këtë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kishte për qëllim shpërblimet. Pra sa më i plotë të jetë selami, aq më i madh është shpërblimi.
- Buzëqeshja në momentin e takimit
Nuk ka dyshim se buzëqeshja yte kur i takon vëllezërit dhe shokët e tu e shton dashurinë mes jush… Madje kjo buzëqeshje konsiderohet si vepër e mirë që do të peshohet në peshoren e veprave të tua të mira.
Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Buzëqeshja me vëllanë tënd është sadeka për ty.”[3] Po ashtu ka thënë: “Assesi në asnjë mënyrë mos e nënvlerëso asnjë vepër të mirë, madje as atë që ta shikosh vëllanë tënd me buzëqeshje.”[4]
Ndërsa mrrolja dhe mosbuzëqeshja para të tjerëve shkakton humbjen e dashurisë dhe shkëputjen e lidhjeve mes myslimanëve.
- Shtrëngimi i duarve gjatë përshëndetjes
Kjo do të thotë që gjatë takimit me vëllanë tënd, t’ia zgjatësh dorën për ta përshëndetur, dhe të mos mjaftohesh vetëm me përshëndetje verbale dhe buzëqeshje. Përshëndetjen duhet ta bësh me gojë, duke buzëqeshur dhe duke i shtrënguar dorën vëllait tënd, sepse kështu kompletohet forma e dashurisë mes teje dhe vëllezërve të tu myslimanë.
Dije se kjo formë e përshëndetjes është prej faktorëve më të mëdhenj që ndikon në shlyerjen dhe faljen e mëkateve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur besimtari e takon besimtarin, e përshëndet me selam duke e kapur për dore, atyre u bien gjynahet sikurse bien gjethet e pemës.”[5] Po ashtu ka thënë: “Kur dy myslimanë takohen dhe përshëndeten duke i shtrënguar dorën njëri-tjetrit, u shlyhen mëkatet para se të ndahen.”[6]
Bera’ ibën Azibi radijAll-llahu anhu ka thënë: “Shtrëngimi i dorës gjatë përshëndetjes me vëllain tënd e bën përshëndetjen më të plotë.”[7]
- Mospërkulja gjatë selamit
Ka ca njerëz që kur takohen me dikë, i përkulen gjatë përshëndetjes, e ky është një gabim i madh ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar që myslimani t’i përkulet ndonjë njeriu sepse myslimani nuk duhet përkulur askujt veç All-llahut të Madhërishëm.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është pyetur: “O i dërguari i All-llahut! Kur ndonjëri prej nesh takohet me vëllanë a mikun e vet, a bën t’i përkulet atij?” “Jo” – tha i dërguari i All-llahut. A bën ta merr ngrykë e ta puthë? – u pyet përsëri. “Jo” – tha i dërguari i All-llahut. A bën ta përshëndesë duke i shtrënguar dorën? “Po” – tha i dërguari i All-llahut.”[8]
- Marrja ngrykë gjatë takimit pas udhëtimit
Nëse miku apo i afërmi yt ka qenë në udhëtim dhe takohesh me të pas kthimit nga udhëtimi, prej sunnetit është të merresh ngrykë me të, sepse kjo e shton dashurinë mes jush.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe sahabët vepronin kësisoj.
Në disa transmetime na përcillet se sahabët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur takoheshin, përshëndeteshin duke shtrënguar dorën njëri-tjetrit, ndërsa kur ktheheshin nga udhëtimi, merreshin ngrykë mes vete.”[9]
- Të mos e kthesh kokën në anë tjera
Kur takohesh me mikun tënd dhe përshëndetesh me të, mos e kthe kokën në ndonjë drejtim tjetër, ngase kjo bën që ai të ndiejë mosinteresimin tënd për të dhe shkakton frymën e urrejtjes mes jush.
- Pyetja për gjendjen e tij dhe lutja për të
Prej edukatës së takimit është të pyesësh mikun tënd për gjendjen e tij si dhe të bësh lutje për të duke i dëshiruar suksese dhe të mira në dynja e ahiret, ngase kjo bën që ai të ndjejë dashurinë dhe interesimin që ke për të.
[1] Sahih: shënon Muslimi (2162).
[2] Hasen: shënojnë Tirmidhiu (2189) dhe Ahmedi (19446). Shejh Albani në librin El-Mishkah (4644) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[3] Sahih: shënon Tirmidhiu (1956). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2908) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[4] Sahih: shënon Muslimi (2626).
[5] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (1/84). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (526) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[6] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (5212) dhe Tirmidhiu (2727). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (525) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[7] Meukuf me sened sahih: shënon Buhariu në Edebul-Mufred (967). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Edebil-Mufred (748) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[8] Hasen: shënojnë Tirmidhiu (2728) dhe Ahmedi (3/198). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (160) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[9] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset, dhe siç thotë Mundhiriu (3/270), transmetuesit e tij janë të kategorisë së hadithit sahih. Po ashtu shënon edhe Hejthemiu (8/36). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2647) e ka klasifikuar si hadith sahih.
www.thirrjaislame.com