Vëllezër të dashur,
Ne e dimë se njerëzit nuk janë të një rangu për sa i përket pasurisë, kështu që ka të pasur dhe të varfër.
Prej madhështisë së kësaj feje është se në mesin e besimtarëve ka mbjellur frymën e mëshirës, kështu që i fuqishmi e mëshiron të dobëtin dhe i pasuri e mëshiron të varfrin duke i dhënë diçka nga pasuria e tij për t’i ndihmuar në nevojat e jetës.
All-llahu i Madhërishëm për ta motivuar të pasurin për punë të mira, përveç bereqetit që e kaplon pasurinë e tij dhe kompenzimit të pasurisë me diçka më të mirë se ajo, i ka premtuar shpërblime të shumta në dynja dhe ahiret.
Në vazhdim po përmendim disa ajete që kanë të bëjnë me këtë segment. All-llahu i Madhërishëm thotë: “E çkado që të jepni, Ai e kompenson atë.”[1] “Çkado që të jepni nga pasuria, e keni për veten tuaj, po mos jepni për tjetërkë, por vetëm për hir të All-llahut, e çkado që t’u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t’ju kompensohet në mënyrë të plotë duke mos ju dëmtuar juve.”[2] “Çkado që të jepni nga pasuria, s’ka dyshim se atë All-llahu e di shumë mirë.”[3] “Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e All-llahut është si i një kokrre që i mbinë shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. All-llahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, All-llahu është bujar i madh, i di qëllimet.”[4]
Nga Adij ibën Hatimi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kijeni frikë zjarrin dhe ruajeni veten prej tij, qoftë edhe me një gjysmë kokrre hurmë (të dhënë si lëmoshë, shën. përkth.).”[5]
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kush jep lëmoshë një gjysmë hurme që e ka fituar nga ndonjë fitim i mirë – e All-llahu nuk pranon tjetër përveçse të mirës – All-llahu e merr në Dorën e djathtë të Tij dhe kujdeset për rritjen e saj ashtu siç ju kujdeseni për pemën që e mbillni derisa të bëhet sa kodra.”[6]
Po ashtu nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë, në të cilën gdhijnë njerëzit e të mos zbresin dy melaike, që njëri prej tyre thotë: O All-llahu im! Kompensoja pasurinë atij që jep, dhe tjetri: O All-llahu im! Shkatërroja pasurinë atij që nuk jep!”[7]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë: “Veprat e mira të ruajnë nga arenat e te këqijave, sëmundjeve (epidemive) dhe shkatërrimeve. Njerëzit e mirë në dynja janë të mirë edhe në ahiret.”[8]
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem po ashtu ka thënë: “Njeriu më i dashur tek All-llahu i Madhërishëm është ai që është më i dobishmi për njerëzit. Vepra më e dashur tek All-llahu i Madhërishëm është ta gëzosh një mysliman, apo t’ia largosh një hall, apo t’ia lash një borxh, apo t’ia shuash urinë. Tek unë më e dashur është ecja me një vëlla kur ai ka nevojë sesa të bëj i’tikaf në xhami për një periudhë njëmujore. Ai i cili ndal inatin e tij, All-llahu ka për t’ia mbuluar atij të metën. Ai i cili e përmban zemërimin e tij – e nëse do që të përmbahet ka për t’u përmbajtur – All-llahu në ditën e gjykimit ka për t’ia mbushur zemrën me shpresë. Ai i cili ecën me vëllanë e tij kur ka nevojë derisa ta kryejë atë, All-llahu ka për t’ia forcuar këmbët ditën kur tronditen këmbët (d.m.th. në ditën e gjykimit). Vërtet morali i keq e prishë veprën ashtu sikurse uthulla e prishë mjaltin.”[9]
Nga Ebu Malik el-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Në xhennet ka dhoma, që nga brendia duket pjesa e jashtme e tyre dhe nga jashtë duket pjesa e brendshme e tyre. All-llahu këto dhoma i ka përgatitur për ata që i ushqejnë fukaratë, e përhapin selamin dhe falin namaz nate kur njerëzit flenë.”[10]
Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që i jep lëmoshë vejushës ose fukarasë, e ka shpërblimin sikur të muxhahidit në rrugë të All-llahut ose atij që falë namaz nate dhe agjëron ditën.”[11]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një dërhem ia ka tejkaluar njëqind mijë dërhemëve.” Dikush tha: “Si është e mundur kjo gjë, o i dërguari i All-llahut?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Një njeri që ka dy dërhemë, njërin dërhem e jep sadeka, ndërsa një njeri tjetër ka pasuri të madhe dhe nga ajo pasuri jep njëqind mijë dërhemë sadeka.”[12]
Ndërsa për sa i përket rregullave të sadekasë, ato po i përmendim në vazhdim:
- Sinqeriteti
Kjo do të thotë që me anë të kësaj vepre të ketë për qëllim arritjen e kënaqësisë së All-llahut.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”[13]
Po ashtu thotë: “Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër. Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të All-llahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi (dënimit të) Zotit tonë në një ditë që fytyrat i bën të zymta dhe është shumë e vështirë. Po All-llahu i ruajti ata prej sherrit të asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh. Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me xhennet dhe me petka mëndafshi.”[14]
Besimtari nuk jep sadeka që njerëzit të thonë se ai është bujar e fisnik, por këtë e bën për të arritur kënaqësinë dhe xhennetin e All-llahut.
- Sadekaja të jetë nga pasuria e fituar në mënyrë të pastër
Kjo do të thotë që ajo pasuri të jetë e fituar me hallall, sepse kjo është shkak që të pranohet nga All-llahu i Madhërishëm dhe të shpërblehet shumë, siç thotë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kush jep lëmoshë një gjysmë hurme nga ndonjë fitim i mirë – e All-llahu nuk pranon tjetër përveçse të mirës – All-llahu e merr në Dorën e djathtë të Tij dhe kujdeset për rritjen e saj ashtu siç ju kujdeseni për pemën që e mbillni derisa të bëhet sa kodra.”[15]
Prandaj ai që jep sadeka duhet pasur kujdes që sadekaja e tij të jetë e fituar me hallall, sepse në të kundërtën, nuk i pranohet. Për çudi, sa e sa herë kemi dëgjuar që një kërcimtare beli, një tregtar drogash, një shitës alkooli, një kamatar, etj të japin sadeka me anë të fitimit të tyre të ndyrë! Të tillët, sikur vërtet të kishin qenë të sinqertë, do të largoheshin nga këto vepra për hirin e All-llahut të Madhërishëm dhe si përgjigje ndaj urdhrit të Tij, por shumica e tyre në të vërtetë synojnë mendjemadhësinë dhe krenarinë që njerëzit të thonë se filani është bujar dhe fisnik![16]
3.Të nxitojë në dhënien e sadekasë
Besimtari i sinqertë dhe i devotshëm gjithnjë nxiton të jetë i pari në çdo punë të hairit. Nga ana tjetër, nxitimi në dhënien e sadekasë e fut gëzimin në zemrën e të varfrit, jetimit dhe nevojtarit. Ka mundësi që sadekaja atyre t’u vijë në momente të vështira, kështu që kjo bëhet shkak për largimin e vështirësisë dhe si rrjedhojë, All-llahu sadekadhënësit ia largon një vështirësi prej vështirësive të ditës së kiametit.
Prej faktorëve që ndikojnë në nxitimin e dhënies së sadekasë është edhe fjala e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Jipni sadeka, ngase ka mundësi që njeriu t’ia çojë sadekanë dikujt, ndërsa ai të cilit i jepet sadekaja, t’i thotë: Sikur të na e kishe sjellur sadekanë dje, do ta pranoja, ndërsa tani nuk kam më nevojë për të, kështu që nuk gjen dot njeri kujt t’ia japë atë sadeka.”[17]
- Të dhënit përparësi sadekasë vaxhib ndaj asaj mustehabb[18]
Në momentin kur të vijë koha për zeqatin vaxhib, njeriu duhet dhënë përparësi asaj ndaj sadekasë mustehab. Ky është thelbi i çështjes, ngase dhënia e zeqatit vaxhib është pjesë përbërëse e islamit dhe se All-llahu nuk e pranon ibadetin vullnetar derisa të kryhet ibadeti i obliguar. Gjëja më e dashur tek All-llahu me të cilën njeriu i afrohet Atij është kryerja e vaxhibit, siç qëndron në hadithin kudsijj: “… dhe gjërat më të dashura për Mua me të cilat robi Im më afrohet janë ato që ia bëra atij obligim…”[19]
- Përpjekja për të gjetur nevojtarët për sadeka
Ai që jep sadeka duket përpjekur t’i gjejë ata që vërtet kanë nevojë për sadeka, qofshin të varfër, të ngratë, jetimë, vejusha, borxhlinj dhe kategori të tjera që vërtet janë nevojtarë, dhe të mos ia jep sadekanë një njeriu për të cilin ka informata se nuk është nevojtar. Kjo, ngase nëse sadekaja që jepet është vaxhib, si p.sh. zeqati, atëherë ajo nuk është e vlefshme përpos nëse u jepet kategorive që e meritojnë atë. E nëse sadekaja që jepet është nafile, atëherë duhet dhënë përparësi atyre që vërtetë kanë nevojë për të, sepse kjo është mbrojtje për ta që të mos bien në haram duke dashur të arrijnë kafshatën e gojës, veshjen etj. All-llahu i Madhërishëm në një ajet kur’anor i përmendë kategoritë që meritojnë zeqatin dhe ka thënë: “All-llahu caktoi obligim që lëmosha (zeqati etj.) t’ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e All-llahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. All-llahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet.”[20]
- Sadekaja që jepet duhet të jetë cilësore
Njeriu gjatë dhënies së sadekasë nuk duhet dhënë ushqim jocilësor apo pasuri të ndyrë, por duhet zgjedhur atë që është e mirë, e nëse ka mundësi, le të jep gjënë më të vlefshme që ka, sepse realisht, atë që ai e jep, e gjen vet tek All-llahu i Madhërishëm. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që u dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete vetëm symbyllas. E, dijeni se All-llahu s’ka nevojë për ju, është i madhëruar.”[21]
Pra ai që jep sadeka, duhet që për hirin e All-llahut, mundësisht të japë gjërat sa më të mira që ka në dispozicion, sepse ato do t’i gjejë të depozituara tek All-llahu i Madhërishëm në kohën kur më së shumti do të ketë nevojë për to.
- Dhënia e sadekasë nga gjërat që i do për vete
Nëse njeriu ka mundësi të japë sadeka prej gjërave që i do për vete, si pasuri e patundshme, ushqim, veshmbathje etj, atëherë do të arrijë shpërblim të madh tek All-llahu i Madhërishëm, I Cili thotë: “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj.”[22]
Prandaj kur ndonjë lypsar shkonte tek Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma për të kërkuar diçka, ai i urdhëronte familjarët t’i japin atij sheqer ngase ai shumë e donte sheqerin. Kështu duhet vepruar ai që synon veprat e mira.
- Sadekadhënësi duhet vërejtur begatinë e All-llahut ndaj tij
Pra, sadekadhënësi gjatë dhënies së sadekasë duhet vërejtur begatinë e All-llahut ndaj tij duke qenë mirënjohës ndaj All-llahut që i ka dhënë pasuri dhe nuk e ka bërë nevojtar për të pranuar sadeka nga të tjerët, por ka bërë që dora e tij të jetë ajo që jep e jo që merr. Kjo është një begati e madhe e All-llahut ndaj tij, për të cilën duhet falënderuar Atë me adhurim, shpeshtim të sadekasë, solidarizim me fukarenjtë, të ngratët dhe nevojtarët.
- Sadekadhënësi nuk duhet parë veten si meritor për dhënien e sadekasë
Ai që jep sadeka nuk duhet llogaritur këtë gjë si meritë të tij, por para se gjithash duhet pasur parasysh se kjo është një begati e All-llahut, I Cili i ka dhënë atij pasuri, e ka udhëzuar në islam dhe e ka larguar nga koprracia.
Madje besimtari i mençur, e konsideron të varfrin si shkaktar për sadekanë e dhënë ngase ky i fundit ka pranuar të marrë atë sadeka prej tij dhe në këtë mënyrë i ka mundësuar të fitojë shpërblim nga All-llahu i Madhërishëm. Në këtë kontekst, disa selefë thoshin: “Vallahi unë e konsideroj të varfrin si begati e All-llahut për mua. Sikur All-llahu të mos e kishte bërë që ai ta pranonte sadekanë time, unë s’do të kisha mundësinë për të fituar shpërblimin nga All-llahu i Madhërishëm.
- Mosbraktisja e dhënies së sadekasë për shkak të dyshimit tek njerëzit që e meritojnë atë
Nëse sadekadhënësi dyshon në atë se atij që i jepet sadekaja e meriton të njëjtën apo jo, kjo gjë nuk duhet të ndikojë që ai të mos ia japë sadekanë, ngase ai në esencë synon shpërblimin nga All-llahu i Madhërishëm dhe sido që të jetë, ai këtë shpërblim do ta arrijë, duke e pasur parasysh se ai e ka studiuar çështjen dhe ka arritur në përfudim se sipas të gjitha gjasave ky person e meriton sadekanë. Pastaj duhet pasur parasysh faktin se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kurrë nuk e ka kthyer lypsarin duarthatë. Veç kësaj, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një njeri kishte thënë: Sonte do të jap sadeka. Pastaj e dha sadekanë, por atij që ia dha kishte qenë vjedhës. Të nesërmen njerëzit thonin: Mbrëmë iu dha sadeka një vjedhësi, kurse ai tha: O Zoti im, qofsh i lavdëruar! Përsëri do të jap sadeka. Pastaj e dha sadekanë, por asaj që ia dha kishte qenë lavire. Të nesërmen njerëzit thonin: Mbrëmë iu dha sadeka një lavireje, kurse ai tha: O Zoti im, qofsh i lavdëruar! Përsëri do të jap sadeka. Pastaj e dha sadekanë, por atij që ia dha kishte qenë pasanik. Të nesërmen njerëzit thonin: Mbrëmë iu dha sadeka një pasaniku, kurse ai tha: ‘O Zoti im, qofsh i lavdëruar! I dhashë sadeka vjedhësit, lavires, e më në fund edhe pasanikut. Më vonë këtij njeriu (në ëndërr) iu tha: Sa i përket sadekasë tënde te vjedhësi, ndoshta ajo do ta largojë, ca pak, nga vjedhja. Sa i përket lavires, ndoshta ajo sadeka do ta shpëtojë nga prostitucioni, kurse sa i përket pasanikut, ndoshta ajo sadeka do ta mësojë që edhe ai të fillojë të japë sadeka nga ajo që All-llahu ia ka dhënë atij.”[23] Pra, ky njeri kishte menduar se ata tre persona e meritojnë sadekanë dhe prandaj ua kishte dhënë, ndërsa këtë e kishte bërë me nijet të sinqertë. Kjo ka qenë arsyeja që All-llahu ia kishte pranuar këtë sadeka edhe pse ata tre persona nuk kanë qenë meritorë për ta marrë të njëjtën. Ky pra është qëllimi i parë i sadekadhënësit, d.m.th. të fitojë shpërblimin e All-llahut, gjë që u realizua. Ndërsa qëllimi i dytë është t’i bëhet dobi të varfrit duke ia plotësuar nevojat, kështu që ky qëllim realizohet nëse personi e meriton sadekanë, ose realizohet ndonjë qëllim tjetër, nëse personi në fjalë nuk e meriton sadekanë. Por nëse sadekadhënësi fiton përshtypjen dhe bindet se lypsari nuk e meriton sadekanë, apo lypsarinë e ka “profesion”, nuk duhet t’i japë sadeka.
- Dhënia përparësi farefisit
Nëse pjesëtarët e farefisit janë nevojtarë për sadeka, atëherë haku ndaj tyre është më i madh se ndaj të tjerëve. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sadekaja për të varfrin llogaritet një sadeka, ndërsa për pjesëtarët e farefisit llogaritet dyfish; sadeka dhe ruajtje e lidhjeve farefisnore.”[24] Prandaj kush jep sadeka, le të fillojë nga farefisi nëse janë nevojtarë për të, sepse ata kanë përparësi, e nëse jo, atëherë le t’ua japë të tjerëve. Kësisoj, sa më të afërt të jenë pjesëtarët e farefisit, aq më i madh është shpërblimi për sadekanë. All-llahu e di më mirë.
- Kërkimi i njerëzve meritorë për sadeka
Kjo do të thotë të kërkosh për sadeka njerëz që e meritojnë atë, si njerëzit e devotshëm apo njerëzit e dijes, ose njerëz që e fshehin skamjen dhe nuk ankohen haptazi, apo njerëz të mirë të cilëve u ka humbur pasuria si dhe njerëz të sëmurë, njerëz të afërm apo farefis. Kështu, kjo llogaritet edhe sadeka edhe ruajtje e lidhjeve farefisnore.
- Të mos e glorifikojë dhënien
Nëse ai e glorifikon dhënien, atëherë kjo ndikon në vetëpëlqim, i cili është prej gjërave destruktive dhe që ndikon në asgjësimin e gjërave të mira. Thuhet: Adhurimi kur minimizohet (nga njeriu), tek All-llahu i Madhërishëm rritet. Po ashtu thuhet: Puna e mirë nuk plotësohet përveçse me tri gjëra: minimizimi, shpejtimi dhe fshehja e saj.
- Të mos e prishë sadekanë me të krenuar e ofendim
All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim.”[25]
Kjo do të thotë që të mos e shohë veten si bamirës ndaj të varfrit por ta shohë të varfrin si bamirës ndaj tij, i cili e ka pranuar atë sadeka dhe është bërë shkak për pastrimin e tij (nga mëkatet) dhe shpëtimin e tij nga zjarri i xhehennemit.
- Kujdesi ndaj interesit dobiprurës për sa i përket pubikimit apo fshehjes së sadekasë
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon (me punë të mira) të këqijat. All-llahu është i njohur hollësisht për veprat tuaja.”[26]
Pra, sadekadhënësi duhet shikuar dobitë dhe dëmet që ndërlidhen me publikimin, respektivisht fshehjen e sadekasë.
Ndërsa fshehja e sadekasë është më e dobishme për atë që ka frikë nga syefaqësia. Prandaj All-llahu i Madhërishëm thotë: “por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju”, e nuk ka thënë “ajo është më mirë për ta”, ngase publikimi i sadekasë është më i dobishëm për të varfrit nga aspekti se njerëzit kur të shohin dikë duke i dhënë sadeka një të varfri, kjo i nxitë që edhe ata t’i japin dhe kështu ky i varfër përfiton më shumë.
- Moskthimi i sadekasë prapa
Kur njeriu të japë një sadeka, nuk lejohet t’i bijë pishman dhe të kërkojë kthimin e saj. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli i atij që jep sadeka e pastaj e kërkon atë prapa është sikur shembulli i qenit i cili vjell, e pastaj kthehet dhe e ha të vjellën e tij.”[27] Ky është një shembull neveritës për sa i përket pishmanllëkut nga sadekaja dhe kjo tregon sa e shëmtuar është kjo vepër. Ajo që sadekadhënësi duhet bërë është që sadekanë e tij ta japë me bujari dhe të mos bëhet pishman për të, pa marrë parasysh rrethanat dhe shkaqet.
[1] Kaptina Es-Sebe’, ajeti 39.
[2] Kaptina El-Bekare, ajeti 272.
[3] Kaptina El-Bekare, ajeti 273.
[4] Kaptina El-Bekare, ajeti 261.
[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1413) dhe Muslimi (1016).
[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1410) dhe Muslimi (1014).
[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1442) dhe Muslimi (1010).
[8] Shënon Hakimi në Mustedrek (1/213). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3689) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[9] Hasen: shënon Ibën Ebi Dunja në librin Kadaul-Havaixh (fq. 47). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (176) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[10] Hasen: shënon Ahmedi (6578). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3886) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[11] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5353) dhe Muslimi (2982).
[12] Hasen: shënojnë Nesaiu (2527) dhe Ahmedi (8710). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (883) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[13] Kaptina El-Bejjineh, ajeti 5.
[14] Kaptina El-Insan, ajetet 8-12.
[15] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1410) dhe Muslimi (1014).
[16] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/487-488).
[17] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1411) dhe Muslimi (1011).
[18] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/486-492), me ndërhyrje. Autor: Abdul-Aziz Neda.
[19] Sahih: shënon Buhariu (6502).
[20] Kaptina Et-Tevbe, ajeti 60.
[21] Kaptina El-Bekare, ajeti 267.
[22] Kaptina Alu Imran, ajeti 92.
[23] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1421) dhe Muslimi (1022).
[24] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (658), Nesaiu (2582) dhe Ibën Maxhe (1844). Shejh Albani në librin e tij el-Mishkah (1939) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[25] Kaptina El-Bekare, ajeti 264.
[26] Kaptina El-Bekare, ajeti 271.
[27] Sahih: shënon Muslimi (1622).
www,thirrjaislame.com