EDUKATA GJATË NEVOJËS FIZIOLOGJIKE (Pjesa E dytë)

  1. Të thënit ‘Bismil-lah’ dhe kërkimi i mbrojtjes nga All-llahu para hyrjes në nevojtore

Kjo ka të bëjë me atë nëse ai hyn në nevojtore, ndërsa nëse është në ndonjë vend të hapur, atëherë këto fjalë i thotë gjatë përvjeljes së rrobave para kryerjes së nevojës fiziologjike

D.m.th. duhet thënë: Bismil-lah, All-llahumme inni eudhu bike minel-hubthi vel-habaith.”, që do të thotë: “Me emrin e All-llahut! O All-llah, kërkoj mbrojtjen Tënde nga të këqijtë (djajtë meshkuj) dhe nga të këqijat (djajtë femra)”, bazuar në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Perdja mes xhinnëve dhe avretit të bijve të Ademit është që kur të hyjnë në nevojtore të thonë: Bismil-lah.”[1]

Po ashtu nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut kur hynte në nevojtore thoshte: All-llahumme inni eudhu bike minel-hubthi vel-habaith.”[2]

 

  1. Mosurinimi në vendin ku bëhet dush

 

Kjo sidomos ka të bëjë me rastin kur në atë vend mblidhet uji dhe njeriu nuk ka mundësi t’i shmanget, si banja e të ngjashme me të, ndërsa “…Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar që njeriu të urinojë në vendin ku lahet.”[3]

 

  1. Mosurinimi në ujë të amullt

 

Ne e dimë se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar urinimin në vendin ku lahemi dhe në ujë të rrjedhshëm.

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka ndaluar urinimin në ujë të amullt.”[4]

Kjo, sepse uji është një begati e madhe të cilën duhet ruajtur derisa të mbarojë jeta në sipërfaqen e tokës. All-llahu i Madhërishëm thotë: Dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi.”[5]

Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në veçanti e ka ndaluar urinimin në ujë të amullt, sepse ai më shumë ndikohet nga papastërtia sesa uji i rrjedhshëm, dhe se kjo gjë i pengon njerëzit nga përfitimi prej atij uji.

 

 

  1. Moskryerja e nevojës fiziologjike në rrugën ku kalojnë njerëz apo nën hije ku ata gjejnë çlodhjen

 

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ruajuni nga dy të mallkuarit.” Thanë: “Kush janë dy të mallkuarit, o i dërguari i All-llahut?” Ai tha: “Ai që kryen nevojën në rrugën ku kalojnë njerëzit dhe në hijen ku ata gjejnë çlodhjen.”[6]

Hattabiu thotë: “Qëllimi me dy të mallkuarit është dy gjërat që e tërheqin dhe shkaktojnë mallkimin. Kjo sepse kush i bën këto dy gjëra mallkohet dhe shahet, d.m.th. zakonisht njerëzit i mallkojnë apo i shajnë, por pasi që këto dy gjëra janë shkak për mallkimin, atëherë mallkimi u është përshkruar atyre dy njerëzve që i bëjnë ato dy gjëra.

 

  1. Mbulimi dhe largimi nga sytë e njerëzve sidomos gjatë nevojës fiziologjike

 

Kjo, për arsye se myslimani e ka haram të shikojë në avretin[7] e vëllait të tij mysliman.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Të mos shikojë burri në avretin e burrit, e as gruaja në avretin e gruas…”[8], e ai që e kryen nevojën fiziologjike para të tjerëve bëhet shkak që ata të bien në mëkatin e shikimit në avretin e tij, ndërsa që të dy janë të barabartë në mëkat.

Prej udhëzimit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë që ai gjatë nevojës fiziologjike është larguar nga shikimi dhe dëgjimi i njerëzve.

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Ishim në një udhëtim me Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe sa herë që kishte nevojë fiziologjike largohej aq shumë nga njerëzit saqë nuk shihej.”[9]

Nga Abdullah ibën Xha’feri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Gjëja më e dashur për Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për t’u mbuluar gjatë nevojës fiziologjike ishte ndonjë vend i lartë apo degët e palmave.”[10]

 

  1. Hyrja në nevojtore me këmbën e majtë dhe dalja me të djathtën

 

Sheukaniu thotë: “Për sa i përket hyrjes me të majtën e daljes me të djathtën, kjo ka një arsye, e që është se në gjërat e ndershme e të pastërta përgjithësisht përdoret dora e djathtë, ndërsa në ato të pandershmet e të papastra, e majta. Ekzistojnë edhe argumente që përgjithësisht e vërtetojnë këtë gjë.”[11]

[1] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (606) dhe Ibën Maxhe (297). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3611) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[2] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (142) dhe Muslimi (375).

[3] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (28) dhe Nesaiu (238). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibi vet-Terhib (154) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: shënon Muslimi (281).

[5] Kaptina El-Enbija’, ajeti 30.

[6] Sahih: shënon Muslimi (269).

[7] Avret: Pjesët e turpshme të trupit që nuk lejohet të shihen nga të tjerët përveç bashkëshortëve mes vete. Avreti i meshkujve është nga kërthiza e deri te gjunjtë, ndërsa avreti i femrave është tërë trupi i saj, përveç duarve dhe fytyrës sipas një mendimi të dijetarëve. (shën. përkth.)

[8] Sahih: shënon Muslimi (338).

[9] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (2) dhe Ibën Maxhe (335). Shejh Albani në librin e tij Sahih ibën Maxhe e ka klasifikuar si hadith sahih.

[10] Sahih: shënon Muslimi (342).

[11] Shkëputur nga libri Es-Sejlul-Harar (1/64).

www.thirrjaislame.com