Vëllezër të dashur,
Myslimani është pasqyrë e vëllait të tij mysliman… Kur e sheh se ka bërë ndonjë gabim, atëherë ia drejton këshillën me mëshirë e butësi. E kur ai kërkon prej tij ndonjë këshillë për ndonjë çështje të kësaj apo botës tjetër, ai duhet t’i japë këshillë të sinqertë.
Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem këshillën e sinqertë të myslimanit ndaj vëllait të tij mysliman e ka llogaritur prej haqeve që i kanë njëri-tjetrit dhe ka thënë: “Myslimani ndaj myslimanit ka gjashtë obligime: Kthimi i selamit (përshëndetjes), përgjigjia ndaj ftesës së tij, këshillimi kur ai e kërkon këtë gjë prej tij…”[1]
Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem besatohej me sahabët e tij se do t’i këshillojnë myslimanët me këshilla të sinqerta.
Nga Xherir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Ia dhash besën Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem se do ta fal namazin, do ta jap zeqatin dhe do ta këshilloj çdo mysliman.”[2]
Pas gjithë kësaj, nuk është e çuditshme nëse e shohim se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem këshillën e ka llogaritur si vetë feja. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Feja është këshillë” Thamë: “Për kë o i dërguar i All-llahut?” Tha: “Për All-llahun, për librin e Tij, për të dërguarin e Tij, për imamët (krerët) e myslimanëve dhe për njerëzit e rëndomtë prej tyre.”[3]
Por kjo këshillë ka rregulla të cilave duhet përmbajtur. Ndër to:
- Nijeti i mirë
Kjo do të thotë që t’i këshillosh njerëzit që na rrethojnë dhe këtë ta bësh me sinqeritet dhe përkushtim. Me këtë duhet të synohet fitimi i shpërblimit nga All-llahu i Madhërishëm, e jo për të arritur famën në mesin e njerëzve.
- Këshilla duhet bërë në fshehtësi
Shumica e njerëzve nuk e pranojnë këshillën publike ngase kjo i fut në pozitë të palakmueshme para njerëzve. Prandaj kush dëshiron ta këshillojë vëllain e tij, këtë duhet bërë në fshehtësi, që të mos e fusë atë në siklet dhe që kjo të ketë efektin e pranimit të këshillës.
All-llahu e mëshiroftë Shafiiun, i cili ka thënë:
Syno që të më këshillosh në vetmi
Dhe largoju këshillës për mua në mesin e njerëzve
Sepse këshilla në mesin e njerëzve është lloj qortimi
Të cilin nuk dëshiroj ta dëgjoj.
E nëse më kundërshton dhe s’e përfillë fjalën time,
Mos u hidhëro nëse prej meje nuk gjen respekt.
Po ashtu ka thënë: “Ai që e këshillon vëllain e tij në fshehtësi, e ka këshilluar dhe e ka zbukuruar, e ai që e këshillon publikisht, e ka poshtëruar dhe e ka turpëruar.”[4]
- Këshilla duhet t’i përfshijë çështjet e fesë dhe të kësaj bote
Kjo do të thotë që këshilla të mos lidhet vetëm me çështjet e kësaj bote, por duhet përfshirë çështjet e fesë, ato të kësaj bote si dhe të botës tjetër, në mënyrë që myslimani me anë të asaj këshille të përfitojë në dynja e ahiret.
Nëse vëren se vëllai yt ka nevojë për këshillën tënde për ndonjë çështje të kësaj bote, mos ngurro ta këshillosh. E nëse e vëren se ka rënë në ndonjë mëkat, këshilloje duke e nxitur në lënien e atij mëkati dhe këtë bëje me mëshirë e butësi.
- Këshilla të bëhet me mëshirë dhe butësi
Kjo do të thotë që të zgjedhësh mënyrën e përshtatshme për këshillë, si p.sh. të buzëqeshësh para atij që dëshiron ta këshillosh, madje ta lavdërosh dhe t’i thuash: Unë e di se ti je një vëlla i virtytshëm dhe se do ta pranosh këshillën time ngase ti e di se unë të dua… dhe fjalë të ngjashme si këto, sepse kjo metodë e këshillimit bën që ai ta pranojë këshillën.
- Këshillimi i myslimanit bile edhe nëse nuk kërkon një gjë të tillë
Nëse e sheh se vëllai yt do të bëjë ndonjë gjë në të cilën ka dëm për të, ose e sheh se është në prag të rënies në mëkat, ose e sheh se dikush po i përgatitë një kurth, këshilloje dhe bëhu i butë në këshillën që do t’ia japësh, dhe mos prit që ai të kërkojë këshillë prej teje, ngase nëse ti e sheh një njeri duke u mbytur në ujë, ti do ta shpëtosh atë edhe nëse ai nuk kërkon prej teje një gjë të tillë.
Pra, nëse e sheh dikë duke u mbytur në mëkate e shkelje të dispozitave të fesë, apo e sheh se është në prag të rënies në ndonjë gjë që e dëmton, në këtë rast më prioritare është ta këshillosh edhe nëse nuk e kërkon prej teje një gjë të tillë.
- Të mos e shpalosësh sekretin e tij
Nëse e këshillon vëllain tënd, e ai i përgjigjet këshillës apo jo, ty në asnjë rast nuk të lejohet ta shpalosësh sekretin e tij sepse All-llahu e ka ndaluar këtë gjë… Nga ana tjetër, nëse ti e shpalos sekretin e tij, ai më kurrë nuk do të pranojë asnjë këshillë prej teje.
[1] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1240) dhe Muslimi (2162).
[2] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (58) dhe Muslimi (56).
[3] Sahih: shënon Muslimi (55).
[4] Shkëputur nga hyrja e librit El-mexhmu’ Sherhul-Muhedhdheb.
www,thirrjaislame.com