Vëllezër të dashur,
Ne e dimë se nevojat e njeriut në jetë janë të shumta dhe para se të bëjë ndonjë hap në jetë ai duhet të kërkojë prej All-llahut të Madhërishëm hairin dhe pastaj të konsultohet me njerëz me përvojë që i ka përreth dhe kështu ai ka ndjekur të gjithë faktorët të cilët i mundësojnë suksesin në jetë. Pra ai është mbështetur në All-llahun e Madhërishëm dhe njëkohësisht i ka ndjekur faktorët e suksesit.
Nisur nga kjo, duhet t’i mësojmë rregullat të cilat myslimani duhet pasur parasysh gjatë istihares. Në vazhdim po i përmendim disa prej tyre:
1.Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm
Kur të marrësh vendimin për të bërë cilëndo qoftë punë në jetën tënde, medoemos duhet të kesh nijetin e pastër për hirin e All-llahut të Madhërishëm, të jesh i sinqertë në mbështetjen tënde në All-llahun, ta dish se ti nuk ke mundësi të bësh asnjë vepër apo të kesh sukses në asnjë gjë përveçse me dëshirën e All-llahut të Madhërishëm dhe para se të bësh ndonjë gjë, të bësh nijetin se atë e bën për hirin e All-llahut të Madhërishëm.
- Gjatë istihares të jesh i pavendosur
Kjo do të thotë që të jesh i paanshëm në mes dy gjërave dhe të mos dish se cila është më e hairit. Në këtë rast, e bën istiharen duke kërkuar nga All-llahu të ta lehtësojë të zgjedhësh më të mirën.
Por nëse zemra yte anon nga njëra gjë dhe je i vendosuar ta bësh atë, në këtë rast istihareja nuk ka kuptim, ngase istihareja bëhet vetëm kur je në dilemë dhe kur nuk anon nga njëra prej dy gjërave.
Për ta qartësuar këtë gjë, do të të sjell një shembull:
Ka mundësi që të jesh i pavendosur të zgjedhësh në mësimin e njërës prej dy gjuhëve: anglishtes apo frëngjishtes… Nëse zemra yte anon nga frëngjishtja dhe ti ke vendosur ta mësosh atë, atëherë në këtë rast istihareja nuk ka kuptim dhe nuk vlen të bëhet, ngase ti më ke zgjedhur njërën prej tyre.
Por nëse je dymendjesh dhe neutral në animin nga njëra prej dy gjuhëve, atëherë me këtë rast mund të falësh dy rekate namaz dhe të bësh istiharen, dhe All-llahu do të ta mundësojë që të anosh nga njëra prej dy gjuhëve e cila do të jetë më e hairit për ty.
- Të falësh dy rekate namaz jo të obligueshme (farz)
Nuk është e thënë që të falen dy rekate namaz apostafat për istihare, por mund të bësh istiharen pas dy rekateve ‘tehijjetul-mesxhid’ (përshëndetje e xhamisë), pas dy rekateve sunnet të drekës apo pas çdo namazi nafile nëse e bën këtë me nijet të istihares. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur dikush prej jush dëshiron të vendosë për një punë me rëndësi, le t’i falë dy rekate namaz (nafile) dhe pastaj le të thotë: …” [1] dhe pas dy rekateve e thotë duanë e istihares… Pra, e rëndësishme është që duaja e istihares bëhet pas namazit nafile e jo pas namazit farz.
- Shfaqja e nënshtrimit, përuljes dhe nevojës nga All-llahu
Kur robi shfaq nënshtrim, përulje dhe nevojë para madhështisë së All-llahut, kjo është prej faktorëve më të mëdhenj që ndikon në përgjigjen e duasë nga All-llahu i Madhërishëm.
5.Duaja e istihares bëhet menjëherë pas përfundimit të dy rekateve
Duaja e istihares duhet bërë pas dy rekateve nafile. Ndërsa duanë e istihares e mësojmë nga ky hadith: “Kur dikush prej jush dëshiron të vendosë për një punë me rëndësi, le t’i falë dy rekate namaz (nafile) dhe pastaj le të thotë: O All-llah, me diturinë Tënde (të pakufishme) kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Tënde. Kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi, e unë s’kam mundësi, Ti di gjithçka e unë nuk di asgjë. Ti je Ai që i di të fshehtat. O All-llah, nëse kjo punë e imja (e përmend nevojën e tij) është e dobishme për fenë time, jetën time dhe për të ardhmen time, ma bëj të mundshme që kjo të realizohet, ma lehtëso mua këtë dhe më beko me të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë time, jetën time dhe për të ardhmen time, largoje atë nga unë dhe më largo mua nga ajo, dhe më përcakto mirësinë (mbarësinë) kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të.”[2]
- Istihareja nuk bëhet shtatë herë
Disa njerëz mendojnë se istihareja duhet bërë shtatë herë, por kjo është gabim.
E vërteta është se istihareja nuk lidhet me ndonjë numër të caktuar. Lejohet që ajo të përsëritet më shumë se një herë, por nuk përkufizohet me shtatë herë.
- Nuk është kusht të shohim ëndrra
Ka prej njerëzve që mendojnë se pas istihares njeriu patjetër duhet parë ëndrra. Kjo po ashtu nuk është e vërtetë. Myslimani bën istiharen dhe pastaj i rreket punës për të cilën ka bërë istiharen. Nëse në atë punë ka hair, atij do t’i lehtësohet ajo punë, e nëse në të nuk ka hair, në atë punë do të hasë në vështirësi. Ky është rezultati i istihares.
- Isitihareja bëhet për çdo punë
Kur vendos të bësh çfarëdo pune në jetë, duhet të bësh istiharen në mënyrë që të realizosh mbështetjen në All-llahun e Madhërishëm në të gjitha punët e jetës.
Xhabir ibën Abdullahu, radijAll-llahu anhuma, ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e mësonte duanë e istihares për çdo çështje ashtu siç na i mësonte suret e kur’anit dhe thoshte: “Kur dikush prej jush dëshiron të vendosë për një punë…”[3]
Por, duhet potencuar se istihareja nuk vlen për zbatimin e farzeve dhe mustehabeve, si dhe nuk vlen për lënien e harameve dhe mekruheve, por vlen vetëm në çështjet që janë mubah.
Për ta qartësuar këtë gjë, do të të sjell një shembull:
Nuk lejohet të bëhet istihare për sa i përket faljes së pesë namazeve farz, sunneteve apo nafileve, apo të bëhet istihare për sa i përket agjërimit. Po ashtu nuk lejohet të bëhet istihare për sa i përket lënies së ndonjë harami, si alkooli, bixhozi apo mosrespektimi i prindërve.
Pra, istihareja bëhet në çështjet mubah, si p.sh. blerja e veturës, zgjedhja e shkollës ku do të regjistrohesh, blerja e rrobave të ndryshme, martesa, e kështu me radhë.
- Myslimani pas istihares menjëherë i rreket punës
Pasi të bësh istiharen, duhet menjëherë t’i rrekesh punës për të cilën ke bërë istiharen. Nëse ajo punë i shkon mbarë, kjo është si rezultat i istihares dhe sikur kjo është shenjë se hairi është në atë punë. E nëse ajo punë nuk i shkon mbarë, kjo është si rezultat i istihares dhe sikur kjo është shenjë se në atë punë është sherri.
1] Istihare: Të kërkosh më të mirën e dy gjërave për njërën prej të cilave ke nevojë. (shën. përkth.)
[1] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (444) dhe Muslimi (714).
[2] Sahih: shënon Buhariu (6382).
[3] Sahih: shënon Buhariu (1166).
www.thirrjaislame.com