EDUKATA GJATË GUSLIT DHE HYRJES NË BANJË DHE NEVOJTORE

Vëllezër të dashur,

Ne e dimë se islami është fe e cila thërret në pastërti, se mendja e shëndoshë është në trup të shëndoshë dhe se prej faktorëve më të mëdhenj të shëndetit të trupit është pastërtia e tij. Gusli është prej gjërave për të cilat myslimani ka më së shumti nevojë pavarësisht a bëhet për largim të xhunubllëkut, pastrim apo freskim.

Prandaj duhet mësuar rregullat që kanë të bëjnë me guslin dhe hyrjen në banjë dhe nevojtore. Në vijim po përmendim disa prej tyre:

             1.Nijeti i sinqertë për hirin e All-llahut të Madhërishëm

Gjëja e parë që myslimani e bën është të bëjë nijet të sinqertë për larje të trupit që trupi i tij të jetë i pastër dhe t’i vijë aromë e këndshme që të qëndrojë para All-llahut i pastër dhe kjo pastërti të jetë ndihmë për të për sa i përket adhurimit ndaj All-llahut të Madhërishëm si dhe melaiket të mos shqetësohen nga ndonjë aromë eventuale jo e këndshme.

  1. Të thënit bismil-lah kur të zhvishen rrobat

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Perdeja mes syve të xhinnëve dhe pjesëve të turpshme të trupit të bijve të Ademit është që myslimani kur të dëshirojë të zhveshë rrobat e tij të thotë: Bismil-lah.”[1]

Të thënit bismil-lah duhet bërë para hyrjes në banjë apo nevojtore.

  1. Në banjë apo nevojtore duhet hyrë i mbuluar

Kjo do të thotë që në trupin e tij duhet patur diçka që i mbulon pjesët e turpshme të trupit, si pantallona apo diçka tjetër.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e beson All-llahun dhe ditën e fundit, le të mos hyjë në banjë përveçse me diçka që i mbulon pjesët e turpshme të trupit.”[2]

Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhu thotë: “Hyrja në banjë pa diçka që e mbulon trupin është haram.”

  1. Mbulimi i avretit (pjesëve të turpshme)

Një njeri i tha Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “O i dërguari i All-llahut, nga kush duhet të kemi kujdes për avretet tona?” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem iu përgjigj: “Ruaje avretin tënd nga çdokush përveç gruas tënde dhe atë që e ke në pronën tënde (robëreshat).” “E çka duhet të mbulojë burri nga burri?” – pyeti njeriu. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “Nëse ke mundësi të ruhesh e të mos e shohë askush avretin, atëherë bëje këtë.” “E nëse njeriu është vetëm?” – pyeti prapë njeriu. Atëherë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “All-llahu është më meritori që të turpërohesh prej Tij.”[3]

Na përcillet se disa prej selefëve kanë thënë: “Kush e shpalos avretin e tij mes njerëzve, All-llahu do ta shpërfillë atë në ditën e kiametit.”

Avret i cili duhet mbuluar është pjesa nga kërthiza e deri te gjunjët. Po ashtu edhe kofsha është pjesë e avretit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kofsha është avret.”[4]

  1. Largimi i shikimit në avretin e tij apo avretin e të tjerëve

Kjo ka të bëjë me atë kur është duke u larë në ndonjë banjë publike.

All-llahu i Madhërishëm thotë: Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.”[5]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Mos të shikojë burri në avretin e burrit dhe mos të shikojë gruaja në avretin e gruas. Mos të mbulohet burri me burrin me një mbulesë, dhe të mos mbulohet gruaja me gruan me një mbulesë.”[6]

  1. Shmangia nga harxhimi i tepërt i ujit

Gjatë guslit, myslimani nuk duhet tepruar në harxhimin e ujit, por duhet përpjekur të harxhojë vetëm aq sa ka nevojë, në mënyrë që ta ruajë ujin i cili është burim jete për të gjithë njerëzit.

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Për gusël mjafton një saë, ndërsa për abdest mjafton një mudd.”[7] Saë është sasi e ujit që e marrim kur i bashkojmë dy duart dhe i mbushim me ujë katër ose pesë herë, ndërsa mudd është sasi e ujit që e marrim kur i bashkojmë dy duart dhe i mbushim me ujë një herë. Xhabiri radijAll-llahu anhu u pyet për guslin, e ai tha: “Të mjafton një saë.” Dikush tha: “Mua nuk më mjafton.” Xhabiri iu përgjigj: “I ka mjaftuar atij që ka pasur më shumë flokë se ti dhe ka qenë më i mirë se ti.”[8] (aludonte në Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, shën. përkth.)

  1. Marrja gusël sipas dispozitave sheriatike

Kjo do të thotë që myslimani të marrë gusël ashtu siç merrte Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

Aisheja radijAll-llahu anha, bashkëshortja e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Sa herë që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem merrte gusël pasi ishte bërë xhunub, ai gjithnjë fillonte duke larë duart, pastaj merrte avdes sikur që merrte për faljen e namazit. Pastaj i fuste gishtat në enën me ujë dhe me ta i shprishte rrënjët e flokëve. Pas kësaj hidhte në kokë tri grushta me ujë dhe pastaj i hidhte ujë gjithë trupit të tij.”[9]

Sunnet është që gjatë guslit të fillohet me anën e djathtë e pastaj me të majtën bazuar në hadithin që na e përcjellë Aisheja radijAll-llahu anha ku thuhet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur lahej fillonte me anën e djathtë të kokës, pastaj me anën e majtë të kokës dhe më në fund me pjesën e mesme të kokës.[10]

  1. Arritja e ujit në rrënjët e flokëve

Burri duhet shprishur flokët e tij, dhe nëse mban gërsheta, duhet zgjidhur ato në mënyrë që uji të depërtojë deri në rrënjët e flokëve. E gruaja nuk e ka obligim të zgjidhë gërshetat, por mjafton të hedhë ujë në kokë. Gërshetat duhet zgjidhur vetëm gjatë pastrimit nga menstruacionet dhe lehonia. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Burri le t’i shprishë flokët dhe le t’i lajë ato derisa uji të arrijë në rrënjë të flokëve. Ndërsa gruaja nuk e ka obligim t’i shprishë, por le të hedhë mbi kokën e saj tri grushta ujë (me të dy duart), kjo i mjafton.”[11]

  1. Shmangia e të folurit gjatë guslit

Derisa qëndrojmë në banjë, duhet shmangur të folurit, si kthimi i selamit, dhikri ndaj All-llahut, leximi i kur’anit, sepse banjat dhe nevojtoret janë vende të dashura për shejtanët.

Katadeja thotë: “Iblisi kur u zbrit në tokë tha: O Zot, më mallkove dhe më nxorre nga xhenneti si i nënçmuar e i përbuzur dhe më vendose në tokë duke më përzënë. Kush janë të dërguarit e mi? Dhe kush janë librat e mia? (All-llahu) tha: Të dërguarit e tu janë fallxhorët dhe magjistarët, ndërsa librat e tua janë tatuazhi dhe poezia. (Shejtani) tha: Kush është thirrësi im? (All-llahu) tha: Surlet. (Shejtani) tha: Kush është xhamia ime? (All-llahu) tha: Tregu. (Shejtani) tha: Kush janë shtëpitë e mia? (All-llahu) tha: Banjat dhe nevojtoret.

  1. Shmangia nga të ngrënit dhe pirja gjatë larjes

Kjo për arsye se e dëmton njeriun dhe ndikon negativisht në sistemin e tretjes. Madje duhet shmangur edhe larjen menjëherë pas ushqimit sepse kjo e dëmton sistemin e tretjes.

  1. Mesatarja në numrin e larjeve

Kjo gjë duhet bërë në atë mënyrë që as mos të teprohet e as të mos lihet mangu. Ka njerëz të cilët e teprojnë në numrin e larjeve kështu që brenda një dite lahen disa herë, ndërsa në anën tjetër, disa njerëz kalojnë madje edhe disa javë pa larë. Ajo që duhet thënë është: Njeriu duhet larë sa herë që e kërkon nevoja një gjë të tillë. Kështu, ka njerëz që djersiten shumë dhe djersa e tyre kundërmon erë të keqe. Këta njerëz rekomandohet që të lahen sa herë që t’u ndryshojë era e trupit. Kjo vlen edhe nëse koha është me vapë dhe vjen deri te djersitja e madhe, ndërsa njeriu nuk mund të durojë të qëndrojë ashtu i djersitur, si dhe nëse profesioni i tij është i tillë që shkakton përlyerje të teshave dhe trupit. Thënë përgjithësisht, kufiri i larjes që nuk preferohet të kapërcehet është të paktën larja për çdo ditë xhumaje para namazit të xhumasë që të arrihet erë e mirë në trup dhe që të mos ndjehen keq melaiket dhe namazfalësit… Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush prej jush vjen në namazin e xhumasë, le të lahet.”[12]

Kjo pra është kohëzgjatja më e madhe me të cilën pajtohet islami për sa i takon guslit. Kjo, ngase islami nuk pranon veprimin e disa pjesëtarëve të feve të tjera të cilët e braktisin guslin për periudha të gjata kohore.[13]

  1. Nuk duhet marrë gusël në ujë të amullt pas urinimit në të

Nëse njeriu urinon në ujë të amullt, nuk i lejohet që të pastrohet më aty derisa (ujit) t’i kthehet pastërtia, dhe kjo për arsye që gusli i tij të jetë i saktë dhe i plotë. Veç kësaj, duhet pasur parasysh se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar urinimin në ujë të amullt. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Të mos urinojë dikush në ujë të amullt, i cili nuk rrjedh, e pastaj të lahet në të.”[14]

 

[1] Sahih: Shënon Tirmidhiu (606). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3610) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[2] Sahih: shënon Tirmidhiu (2801) dhe Nesaiu (401). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (6506) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (4017), Tirmidhiu (2794) dhe Ibën Maxhe (1920). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (203) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Sahih: Shënon Tirmidhiu (2795). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4280) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[5] Kaptina En-Nur, ajeti 30.

[6] Sahih: shënon Muslimi (338).

[7] Sahih: shënon Ibën Maxhe (270) dhe Ebu Ja’la. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (8024) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[8] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (252) dhe Muslimi (329).

[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (248) dhe Muslimi (321).

[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (258) dhe Muslimi (318).

[11] Sahih: shënon Ebu Davudi (255). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1343) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[12] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (894) dhe Muslimi (844).

[13] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/652-653), me ndërhyrje. Autor: Abdul-Aziz Fet’hi.

[14] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (239) dhe Muslimi (282).

 

www.thirrjaislame.com