EDUKATA GJATË DUASË (LUTJES)

Vëllezër të dashur,

Duhet ditur se duaja është prej ibadeteve më të vlefshme me të cilën robi i afrohet Zotit të tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: Thuaj: Zoti im as nuk do të kujdesej për ju, sikur të mos ishte lutja juaj.”[1]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka gjë më fisnike tek All-llahu i Madhërishëm se duaja.”[2] Robi, i cili e di madhërinë e Zotit të tij dhe i cili e di se me duanë e tij troket në derën e Mbretit të mbretërve, All-llahut të Madh e të Lartësuar, duhet përvetësuar rregullat dhe edukatën e qëndrimit para Mbretit, në Dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo send. Prej rregullave më të rëndësishme po veçojmë:

 

  1. Nijeti i sinqertë vetëm për hirin e All-llahut

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: Pra, adhurojeni All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij.[3] “Ai është i përjetshmi, s’ka zot, vetëm Ai, pra adhurojeni Atë me adhurim të sinqertë ndaj Tij.”[4] Duanë nuk duhet drejtuar kujt tjetër pos All-llahut të Madhërishëm. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “… kur të kërkosh diçka, kërko prej All-llahut…”[5]

 

  1. Largimi nga harami

 

Kjo do të thotë të largohesh nga harami në haje, pije dhe veshje. Kështu duaxhiu duhet bërë kujdes që haja, pija dhe veshja e tij të jenë nga hallalli. I dërguari i All-llahut ka thënë: Vërtet All-llahu i Madhërishëm është i bukur dhe nuk pranon përveç të bukurës, dhe vërtet All-llahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të dërguarit dhe ka thënë: O ju të dërguar, hani gjërat e mira dhe punoni mirë.”[6] Po ashtu ka thënë: O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat ju kemi furnizuar.”[7] Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura dhe i cili i ngritë duart e tij nga qielli duke thënë: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, pija e tij haram, veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”[8] Ky hadith sqaron se ngrënia e haramit e pengon përgjigjen e duasë (nga All-llahu), edhe sikur duaxhiu t’u përmbahet të gjitha faktorëve që ndikojnë në përgjigjen e duasë.

 

  1. Ndërmjetësimi tek All-llahu me anë të veprës së mirë e të sinqertë

 

Me anë të kësaj robi synon që vepra e mirë dhe e sinqertë e tij të jetë faktor që ndikon në përgjigjen e duasë nga ana e All-llahut të Madhërishëm, siç e kemi rastin e tre pesonave që u bllokuan në shpellë kur një gurë i madh ra prej lartë dhe ua mbylli hyrjen e shpellës, kështu që secili prej tyre e luti All-llahun me anë të një vepre të mirë që e kishte bërë dhe kështu All-llahu ua hapi hyrjen e shpellës nga e cila dolën.

 

  1. Marrja e avdesit para duasë

 

Kjo bëhet nëse ka mundësi për një gjë të tillë. Nga Ali ibën Ebi Talibi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një herë dolëm bashkë me të dërguarin e All-llahut, dhe kur arritëm te Hurretus-Sukja,[9] që ishte pronë e Sa’d ibën Ebi Vekkasit radijAll-llahu anhu, i dërguari i All-llahut tha: Më sillni ujë për avdes. Pastaj morri abdest, u kthye nga kibleja dhe tha: O Zot! Ibrahimi ishte robi dhe i dashuri yt, dhe ai kërkoi prej Teje bereqet për Mekën dhe banorët e saj. Edhe unë jam robi dhe i dërguari yt, dhe po kërkoj prej Teje bereqet për Medinenë dhe banorët e saj dyfish nga ajo që i dhé Mekës dhe banorëve të saj.”[10]

Kjo është prej edukatës ndaj All-llahut të Madhërishëm kur i drejtohesh atij me dua. Ndoshta prej sekreteve të duasë është që robi kur merr avdes para duasë, i bijnë mëkatet, kështu që i drejtohet All-llahut të Madhërishëm me dua duke qenë i pastër në trup e zemër, pra kërkon nga All-llahu nevojën e tij i pastruar nga mëkatet.

 

  1.  Të drejtuarit nga kibleja

 

Kjo është një gjë që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjatë duasë e ka praktikuar shumë herë, siç është rasti në betejën e Bedrit etj.

 

  1. Namazi (vullnetar)

 

Nga Hudhejfe ibën Jemani radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut kur përballej me ndonjë brengë apo situatë të vështirë, falte namaz (vullnetar).”[11]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush merr avdes ashtu siç duhet, e pastaj falë dy rekate namaz (vullnetar) me përpikëri, All-llahu do t’i japë atë që kërkon prej Tij, herët a vonë.”[12]

 

  1. Lavdërimi dhe madhërimi i All-llahut të Madhërishëm fillimisht, pastaj salavatet ndaj Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem

Para duasë, robi duhet filluar me madhërim ndaj All-llahut të Madhërishëm për begatitë e Tij të dukshme e të padukshme, pra e lavdëron, e madhëron dhe e lartëson ashtu siç Ai e meriton, me emrat dhe cilësitë e Tij. Pastaj i çon salavat Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe me këtë e përfundon. Transmetohet se i dërguari i All-llahut një herë e dëgjoi një njeri duke u lutur në namazin e tij, ndërsa paraprakisht nuk e kishte madhëruar All-llahun e Madhërishëm dhe nuk i kishte dërguar salavat Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Me këtë rast ai tha: “Ky njeri nxitoi.” Pastaj e thirri njeriun dhe i tha atij apo të tjerëve: “Kur ndonjëri prej jush lutet, le të fillojë me madhërimin dhe lavdërimin e All-llahut të Madhërishëm, pastaj le t’i dërgojë salavat të dërguarit të Tij, e pastaj le t’i lutet All-llahut për çfarë të dëshirojë.”[13]

 

  1. Shtrirja e duarve dhe ngritja e tyre deri te supet apo veshët

 

Ndërsa gjatë sprovave dhe vështirësive të mëdha preferohet ngritja e tyre sa më lart që është e mundshme dhe duart duhet të jenë të ngjitura njëra me tjetrën si dhe gishtat duhet të jenë të ngjitur. Pra pëllëmba e duarve duhet të jetë në drejtim të qiellit, ndërsa pjesa e jashtme e duarve në drejtim të tokës. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur t’i luteni All-llahut, luteni me pëllëmbët tuaja, e jo me pjesën e jashtme të duarve.”[14] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: All-llahu është i Turpshëm, Bujar; turpërohet kur robi i drejton duart drejt Tij, t’ia kthejë ato bosh.”[15] Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “e të mos vendosë në to (duart) hair.”

Pra, prej edukatës me Zotin tënd është që kur të kërkosh diçka prej Tij, t’i zgjatësh duart në drejtim të Tij sikur lypësi a lutësi i përgjëruar i cili është i interesuar për të mirat  e Zotit të tij. Po ashtu derisa i ke duart e drejtuara nga qielli, bindu që pas duasë, ato duar të janë kthyer të mbushura me të mira, ashtu siç të ka premtuar Zoti yt i Madhërishëm.

 

       9. Duaja me përulje, nënshtrim, përgjërim, frikë, dëshirë dhe qarje

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: Ata përpiqeshin për punë të mira, Na luteshin duke shpresuar dhe duke u frikësuar, ishin respektues ndaj Nesh.”[16] Po ashtu thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.”[17]

 

 

  1. Ta lusësh All-llahun me emrat e Tij të mirë

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: All-llahu ka emrat më të mirë, andaj thirreni (luteni) Atë me ta.[18]

Si p.sh kur kërkon mëshirën, e kërkon me anë të emrave Err-Rrahman dhe Err-Rrahim. Kur kërkon rizkun, e kërkon me anë të emrave Err-Rrezzak. Kur robi gjendet në një gjendje nënshtrimi, kërkon nga All-llahu me anë të emrave El-Aziz apo El-Kadir. Kur kërkon falje, duhet thënë: O Gafur (Falës), më fal mua, e kështu me radhë, në bazë të gjendjes dhe nevojës që ka, e zgjedhë edhe emrin me të cilin i drejtohet All-llahut.

 

  1. Zëri gjatë duasë duhet të jetë mesatar

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: “E ti mos e ngrit zërin (duke lexuar) në namazin tënd, po as mos e ul tepër në të, mes kësaj kërkoje një rrugë mesatare.”[19] Po ashtu thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.”[20] Ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: O ju njerëz! Mos e mundoni veten (duke i ngritur zërat), pasi nuk po i drejtoheni një shurdhi apo një të papranishmi; Ai është me ju dhe padyshim që Ai dëgjon gjithçka dhe gjithnjë është afër jush. Emri dhe madhëria e Tij janë më të lartat.”[21]

 

  1. Pendimi, braktisja e mëkateve dhe kthimi i gjësendeve te pronarët e tyre

 

All-llahu i Madhërishëm thotë: Pendohuni të gjithë tek All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.”[22]

Pendimi është shkak për sukses në çdo çështje. Prandaj pendohu para se të kërkosh prej All-llahut, në mënyrë që t’u përgjigjet kërkesave tuaja, duke iu kthyer Atij me përqendrim, pastërti, dhe me zemër të dëlirë nga mëkatet, si dhe me shumim të adhurimit, sadekasë dhe bamirësisë.

Sufjan Eth-Theuriu, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kam dëgjuar se Benu Israilëve u ishte ndalur shiu për shtatë vjet me radhë, derisa ishin detyruar të hanë ngordhësirën nga plehrat, po ashtu i kishin ngrënë fëmijët. Ata dilnin nëpër kodra, qanin dhe përgjëroheshin, derisa All-llahu i Madhërishëm u shpalli pejgamberëve të tyre: Sikur të ecnit drejt Meje në këmbë derisa t’ju ënjten këmbët, duart e juaja të mbërrinin hapësirën e qiellit dhe gjuhët tuaja të lodheshin nga duaja, Unë nuk i përgjigjem asnjë lutësi nga ju dhe nuk e marr parasysh asnjë qarës nga mesi juaj, derisa t’i ktheni gjësendet (që i keni marrë me padrejtësi) te pronarët e tyre. Ata e bënë këtë gjë, dhe All-llahu që atë ditë u lëshoi shi.”

 

  1. Përqendrimi i zemrës, shpresa e mirë dhe bindja në përgjigjen e duasë

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Luteni All-llahun duke qenë të bindur se do t’ju përgjigjet dhe dijeni se All-llahu nuk i përgjigjet duasë nga një zemër e shkujdesur dhe e shpërqendruar.”[23]

 

  1. Përsëritja e duasë

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur bënte dua, e bënte tri herë, dhe kur kërkonte diçka (nga All-llahu) e kërkonte tri herë.[24]

Myslimani duhet përpjekur në dua, duhet qenë optimist në pranimin e duasë, e nuk duhet qenë pesimist nga mëshira e All-llahut ngase ai është duke iu lutur një Bujari.

 

  1. Vendosmëria në dua

 

Duaxhiu duhet bërë duanë me vendosmëri, entuziazëm, zell dhe përpjekje maksimale, e jo vetëm sa për provë. Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush bën dua, le ta bëjë me vendosmëri, e të mos thotë: O All-llah, nëse do, më jep, sepse All-llahu nuk është nën presionin e askujt.”[25]

 

  1. Të insistuarit në dua dhe mosnxitimi

 

I dërguari i All-llahut ka thënë: “(gjatë duasë) Shpeshtojeni dhe përmbajuni fjalës: Ja Dhel-Xhelali vel-Ikram.”[26]

All-llahu i do ata që insistojnë në dua edhe nëse vazhdojnë ashtu për një kohë të gjatë.

Transmetohet se kur robi, të cilin All-llahu e do, i lutet All-llahut, All-llahu thotë: “O Xhibril, mos nxito në plotësimin e kërkesës së robit Tim, sepse unë dua ta dëgjoj zërin e tij.”

Pra, përderisa robi insiston në dua dhe shpreson në përgjigje të duasë së tij, duke mos qenë pesimist, është afër përgjigjes së duasë. Kjo është e njëjtë sikur njeriu kur e zgjatë trokitjen në derë, mundësia për t’iu hapur dera është më e madhe.

Nga Ebu Derda’ radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kush e zgjatë trokitjen në derë, mundësia për t’iu hapur dera është më e madhe. Po ashtu kush e shumon duanë, mundësia për t’iu përgjigjur duasë është më e madhe.”

 

  1. Duaja me lutjet nga kur’ani dhe sunneti

 

Varësisht nga lutja, ashtu edhe zgjedhen fjalët me të cilat lutemi. P.sh. nëse dikush lutet për përqendrim në udhëzim, lutet me këto fjalë: Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh.”[27], ose lutet me lutjen e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem që e kishte bërë për Xherir ibën Abdullah El-Bexheliun radijAll-llahu anhu: “O All-llah, përqendroje dhe bëje udhëzues dhe të udhëzuar.”[28], ose me lutjen tjetër të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “O Ti që i rrotullon zemrat, ma përqendro zemrën në fenë Tënde.”[29] Ose nëse dikush lutet për pranimin e një vepre, atëherë lutet me fjalët: “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!”[30]

 

  1. Preferohet duaja e përgjithshme

 

Prej këtij lloji të duasë e kemi atë që na përcillet prej Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i cikli thotë: O Zoti im, kërkoj prej Teje të gjitha të mirat, të kësaj bote dhe të ahiretit, atë që e di dhe atë që nuk e di. Dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga të gjitha të këqiat, të kësaj bote dhe të ahiretit, atë që e di dhe atë që nuk e di. O Zoti im, kërkoj prej Teje çdo të mirë që e ka kërkuar prej Teje Pejgamberi Yt, dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga çdo e keqe nga e cila ka kërkuar mbrojtje Pejgamberi Yt. Të lutem të më mundësosh xhennetin dhe atë vepër e fjalë që më afron nga xhenneti, dhe kërkoj mbrojtjen Tënde nga zjarri dhe nga çdo vepër ose fjalë që më afron nga ai. Të lus që ajo që më është përcaktuar, përfundimi i saj të jetë për mua hair.”[31]

E nëse dëshiron mund të shtosh: “Mua dhe gjithë myslimanëve.”

 

  1. Duaxhiu kur lutet për dikë tjetër, le të fillojë me veten

 

Nëse duaxhiu vepron kësisoj, kjo do të thotë që duaja është më afër pranimit, sinqeriteti është më i pranishëm, adhurimi është më i efektshëm, modestia është në nivel më të lartë dhe vetëpëlqimi është më i shmangshëm. Ky veprim është sunnet i të gjithë pejgamberëve dhe të dërguarve. All-llahu i Madhërishëm në kur’an i përmend fjalët e Ibrahimit alejhis-selam: O Zoti im! Më bën mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi dhe pranoje lutjen time o Zoti ynë! Zoti ynë! Më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.”[32] Po ashtu i përmend fjalët e Musait alejhis-selam: “Zoti im, më falë mua dhe vëllain tim dhe na dhuro mëshirën Tënde, se Ti je mëshirues i mëshiruesve.”[33]

Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma ka thënë: “I dërguari i All-llahut kur lutej për dikë, fillonte duke u lutur për veten.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë Ti je i butë, mëshirues!”[34] Pra, lutja fillohet nga vetja.

 

  1. Mosbërja e duasë kundër familjes, pasurisë, vetes dhe fëmijëve

 

Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Mos u lutni kundër vetes suaj, mos u lutni kundër fëmijëve tuaj, mos u lutni kundër shërbëtorëve tuaj, mos u lutni kundër pasurisë suaj, ngase ndodh të qëlloni në momentet kur All-llahu jep atë që i kërkohet dhe kështu t’ju pranohet lutja.”[35]

 

  1. Duaja nuk duhet bërë për mëkat apo shkëputje të lidhjeve farefisnore

 

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberisal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Duaja do t’i pranohet robit derisa nuk lutet për mëkat, shkëputje të lidhjeve farefisnore dhe derisa nuk nxiton.”[36]

Nga Ubade ibën Samiti radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka mysliman në tokë i cili e lutë All-llahun me ndonjë lutje, përveçse All-llahu t’ia pranojë atë lutje ose t’ia largojë të keqen në të njëjtën masë, derisa nuk lutet për mëkat dhe shkëputje të lidhjeve farefisnore.”[37]

  1. Të mos lutet për një gjë që ka kaluar

Muslimi na e përcjellë hadithin që ka të bëjë me këtë gjë, kur Ummu Habibe radijAll-llahu anha, bashkëshortja e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “O Zot, më jep jetë të gjatë dhe të lumtur me burrin tim, të dërguarin e All-llahut, me babanë tim Ebu Sufjanin dhe me vëllanë tim Muaviun.” Me këtë rast, i dërguari i All-llahut i tha: “Ti kërkove nga All-llahu diçka e cila ka afat të përcaktuar, ditë të caktuara dhe furnizim të ndarë. Asgjë nuk vjen para kohës dhe asgjë nuk vonohet nga koha e përcaktuar. Sikur ta kishe lutur All-llahun të të mbrojë nga dënimi i xhehenemit dhe dënimi në varr, do të kishte qenë më mirë për ty!”[38]

 

  1. Të mos lutet për diçka të pamundshme

 

Duaja për diçka të pamundshme është teprim në dua, ndërsa më herët përmendëm se kjo është e ndaluar. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.”[39]

Disa prej dijetarëve, teprim e konsiderojnë ngritjen e zërit. Disa të tjerë thonë që teprim është nëse njeriu në duanë e tij kërkon diçka që nuk mund të arrihet, sikur njeriu që kërkon pozitën e Pejgamberëve.

 

  1. Duaxhiu duhet kërkuar të gjitha nevojat që ka

 

 Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush të lutet, le të kërkojë shumë, sepse vërtet ai kërkon nga Zoti i tij.”[40]

Po ashtu ka thënë: “Kërkojeni nevojën tuaj nga Zoti. Kërkoni edhe kripën prej Tij, madje edhe rripin e sandaleve kur këputet.”[41]

 

  1. Ai që lutet dhe ai që dëgjon lutjen duhen thënë ‘amin’

 

Pra, pas duasë duhet thënë ‘amin’, që do të thotë: ‘pranoje, o Zot’. Fjala ‘amin’  po ashtu në vete ngërthen kërkesë për pranimin e duasë nga All-llahu i Madhërishëm, kështu që është vërtetim, përsëritje dhe insistim në atë dua.

Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Jehudët nuk ju kanë zili në diçka sikur ju kanë zili në përshëndetjen me selam dhe thënien e fjalës ‘amin’.”[42]

 

  1. Duaja në gjendje komoditeti dhe gjendje vështirësie

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush dëshiron që All-llahu t’i përgjigjet në gjendje vështirësie dhe brenge, le t’i lutet edhe në gjendje komoditeti.”[43]

 

  1. T’i shpeshtojë adhurimet vullnetare

 

Adhurimet vullnetare janë faktor i madh që ndikojnë në pranimin e duasë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: All-llahu ka thënë: Gjëja më e dashur për Mua me të cilën robi Im mund të më afrohet është ajo me çka Unë e kam obliguar. Robi im vazhdimisht më afrohet Mua me vepra vullnetare (nafile) derisa ta dua. E kur e dua, të dëgjuarit e tij me të cilin dëgjon është vetëm për Mua; të pamurit e tij me të cilin sheh është vetëm për Mua; dora e tij me të cilën kapë, punon vetëm për Mua; këmba e tij me të cilën ecën, ecën vetëm për Mua. I këtilli nëse më kërkon diçka, do t’ia jap, e nëse kërkon mbrojtje nga Unë, do ta mbroj atë.”[44]

 

  1. Të përkujdeset që duatë t’i bëjë në kohët e preferuara për dua

 

Këtu mund të përmendim kohët si dita e Arafatit, muaji i Ramazanit, dita e xhuma, një e treta e fundit e natës, koha e syfyrit. Po ashtu duhet shfrytëzuar gjendjet dhe pozitat e vlefshme si sexhdeja, takimi i ushtrive, rënia e shiut, në çastet e ezanit, në çastet e ikametit, në kohën mes ezanit dhe ikametit, në çastet kur ndjehesh mirë, gjatë shqetësimeve dhe vështirësive, etj.

Ajo që duhet thënë është se vlera e kohëve është e lidhur me vlerën e gjendjeve, ngase koha e syfyrit është kohë e dëlirësisë dhe sinqeritetit të zemrës. Po ashtu dita e Arafatit dhe dita e xhuma janë ditë të ndihmës reciproke të zemrave për arritjen e mëshirës së All-llahut. Pra, për sa kohë që zemra e përqendruar tërësisht bashkohet me duanë dhe rastisin në njërën prej kohëve kur pranohet duaja, vjen deri të mëshira dhe pranimi i duave nga Zoti i tokës e i qiejve.

 

[1] Kaptina El-Furkan, ajeti 77.

[2] Sahih: Shënojnë Tirmidhiu (3370) dhe Ibën Maxhe (3829). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5392) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Kaptina Gafir, ajeti 14.

[4] Kaptina Gafir, ajeti 65.

[5] Sahih: shënon Tirmidhiu (2516). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7957) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[6] Kaptina El-Mu’minun, ajeti 51.

[7] Kaptina El-Bekare, ajeti 172.

[8] Sahih: shënon Muslimi (1015).

[9] Hurretus-Sukja: Pus në periferi të Medinesë. (shën. përkth.)

[10] Sahih: shënon Tirmidhiu (3914). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1272) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[11] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (1319) dhe Ahmedi (1/268). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (4703) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[12] Daif: shënon Ahmedi (6/442). Shuajb Arnauti ka thënë: “Senedi i këtij hadithi është i dobët.”

[13] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1319) dhe Ahmedi (1/268). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (4703) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[14] Sahih: shënon Ebu Davudi (1486). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (595) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[15] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1488), Tirmidhiu (3556), Ibën Maxhe (3865) dhe Ahmedi (23202). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1757) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[16] Kaptina El-Enbija’, ajeti 90.

[17] Kaptina El-E’raf, ajeti 55.

[18] Kaptina El-E’raf, ajeti 180.

[19] Kaptina El-Isra’, ajeti 110.

[20] Kaptina El-E’raf, ajeti 55.

[21] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2992) dhe Muslimi (2704).

[22] Kaptina En-Nur, ajeti 31.

[23] Sahih: shënon Tirmidhiu (3479). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (594) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[24] Sahih: shënon Muslimi (1794).

[25] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6338) dhe Muslimi (2678). Ndërsa fjala ‘Ja Dhel-Xhelali vel-Ikram’ do të thotë: ‘O Ti që je i Madhëruar dhe Fisnik.’ (shën. përkth.)

[26] Sahih: shënon Tirmidhiu (3524). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1536) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[27] Kaptina Alu Imran, ajeti 8.

[28] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3020) dhe Muslimi (2475).

[29] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (2140) dhe Ibën Maxhe (3834). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4801) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[30] Kaptina El-Bekare, ajeti 127.

[31] Sahih: shënon Ibën Maxhe (3846). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1276) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[32] Kaptina Ibrahim, ajetet 40-41.

[33] Kaptina El-E’raf, ajeti 151.

[34] Kaptina El-Hashr, ajeti 10.

[35] Sahih: shënon Muslimi (3014).

[36] Sahih: shënon Muslimi (2735).

[37] Sahih: shënon Muslimi (3573).

[38] Sahih: shënon Muslimi (2663).

[39] Kaptina El-E’raf, ajeti 55.

[40] Sahih: shënon Ibën Hibbani (3/172). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (437) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[41] Daif: Shënon Tirmidhiu (3974). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1362) e ka klasifikuar si hadith daif.

[42] Sahih: shënon Ibën Maxhe (856). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5613) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[43] Sahih: shënon Tirmidhiu (3382). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (593) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[44] Sahih: shënon Buhariu (6502).

 

www.thirrjaislame.com