Vëllezër të dashur,
Ndonjëherë detyrohemi të betohemi për ndonjë gjë, qoftë të betohemi vetë apo kërkohet prej nesh të betohemi.
Nisur nga kjo, duhet mësuar se cilat janë rregullat që duhet pasur parasysh gjatë duasë…
Në vazhdim po përmendim disa prej tyre:
- Të mos betohesh në asgjë veçse në All-llahun
Betimi në dikë apo diçka tjetër përveç në All-llahun nuk lejohet, ngase betim do të thotë madhërim të atij në të cilin betohesh, ndërsa madhërimi nuk i takon kujt tjetër pos All-llahut të Madhërishëm. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush betohet në dikë tjetër pos All-llahut, ka bërë shirk.”[1] Po ashtu ka thënë: “Kush betohet me ibadetet, nuk është prej radhëve tona.”[2] Ndërsa në një hadith tjetër ka thënë: “Vërtet All-llahu ju ndalon të betoheni në baballarët tuaj. Andaj, kush betohet, le të betohet në All-llahun ose le të heshtë.”[3]
Ndërsa All-llahu i Madhërishëm betohet në çfarë të dëshirojë prej krijesave të Tij.
- Të jesh i sinqertë në betimin tënd
Betimi i rrejshëm nuk lejohet asnjëherë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtet njeriu do të vazhdojë të gënjejë derisa tek All-llahu të shkruhet si gënjeshtar.”[4] Po ashtu ka thënë: “Kush betohet rrejshëm qëllimisht për t’ia marrë pasurinë vëllait të tij mysliman, le të përgatisë një vend në zjarrin e xhehennemit.”[5]
Prandaj Pegamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar të jemi të sinqertë kur betohemi dhe ka thënë: “Betohuni në All-llahun dhe jini të sinqertë, ngase All-llahu dëshiron betimin në Të.”[6]
Duhet të dish se betimi në All-llahun rrejshëm është prej mëkateve më të mëdha, dhe e fundosë njeriun në zjarrin e xhehennemit.
- Mosbetimi për ndonjë gjë të ndaluar
Doemos duhet të dish se nuk lejohet të betohesh se do të bësh një gjë të ndaluar, si betimi: “Vallahi do t’i shkëpus lidhjet me të afërmit e mi.”
Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush betohet se do t’i shkëpusë lidhjet farefisnore ose për diçka që nuk bën, mirësi e tij do të ishte të mos i realizonte ato.”[7]
- Mos-shpeshtimi i betimit
Nuk duhet të betohemi për çdo gjë të vogël e të madhe, dhe ta kemi shprehi të betohemi për çdo gjë, sepse kjo është zhvlerësim i emrit të All-llahut të Madhërishëm. Prandaj All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ruani betimet tuaja.”[8]
- Kushtëzimi në betim me fjalën ‘in ShaAll-llah’
Kjo do të thotë që gjatë betimit të themi ‘in ShaAll-llah’ (nëse do All-llahu).
Këtu nuk është fjala që njeriu të betohet por të mos ketë për qëllim ta çojë betimin në vend, ngase kjo është prej shenjave të nifakut, por kjo do të thotë që gjatë betimit nëse thotë ‘in ShaAll-llah’ dhe nuk arrin të realizojë betimin, atëherë ai nuk llogaritet si mospërfillës i betimit.
Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush betohet me kushtëzim (thotë in ShaAll-llah), nëse do, e realizon betimin, e nëse do, mund ta lëjë realizimin e betimit, duke mos qenë mëkatar.”[9]
- Çuarja e betimit të tjetrit në vend
Kur vëllai yt të betohet të bësh diçka, mos e bëj të kundërtën e saj. Ndërsa nëse të betohet të mos bësh diçka, mos e bëj të njëjtën. Ti e ke obligim ta çosh betimin e tjetrit në vend përveç nëse përmban mëkatim ndaj All-llahut të Madhërishëm. Nga Bera’ ibën Azibi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut na ka urdhëruar me shtatë gjëra dhe prej tyre përmendi: Të çosh betimin e tjetrit në vend.”[10]
- T’i besosh atij që të është betuar në All-llahun
Atij të cilit i bëhet betimi duhet besuar betuesin që betohet në All-llahun e Madhërishëm dhe duhet të jetë në pajtim me këtë betim, si lartësim ndaj All-llahut të Madhërishëm. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush betohet në All-llahun, le të jetë i sinqertë. Atij të cilit i bëhet betimi, le të jetë në pajtim me të. E kush nuk është i kënaqur, ai nuk ka asgjë nga feja e All-llahut.”[11] Pejgamberët dhe njerëzit e mirë e madhëronin shumë betimin në All-llahun. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Isai, i biri i Merjemes, kishte parë një njeri duke vjedhur, dhe i tha: A vodhe? Njeriu tha: Jo pasha Atë që nuk ka Zot tjetër pos Tij! Isai tha: I besoj All-llahut dhe e përgënjeshtroj syrin tim.”[12]
- Mospërdorimi i betimit si mjet për promovimin e biznesit
Kjo gjë është e përhapur te shumica e tregtarëve, kështu që shpesh i sheh duke thënë: Vallahi këtë produkt e kam blerë për kaq para, ndërsa unë e shes për kaq e kaq… Vallahi është origjinal… Vallahi është e klasës së parë, etj.
Shitësi nuk duhet bërë shprehi betimin për të promovuar produktin e tij ngase mund të bjerë në gënjeshtër dhe kështu të bëhet mëkatar. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Tre njerëz në ditën e kiametit All-llahu nuk i shikon, nuk i pastron dhe ata do të kenë dënim të dhembshëm: Plakun zinaqar (të pamoralshëm), fukaranë mendjemadh dhe njeriun që produktin e tij nuk e blen apo nuk e shet përveçse me betim.”[13]
9. Çuarja e betimit në vend
Kjo do të thotë ta bësh gjënë për të cilën je betuar se do ta bësh dhe të mos e bësh gjënë për të cilën je betuar se nuk do ta bësh, përveç nëse ajo gjë është mëkat apo shkëputje e lidhjeve farefisnore. Nëse betohesh se nuk do t’i vizitosh të afërmit e tu, kjo nuk të lejohet sepse shkëputja e lidhjeve farefisnore është e ndaluar. Po ashtu nëse betohesh se do të konsumosh duhan, nuk lejohet të bësh një gjë të tillë sepse duhani është i ndaluar.
Ndërsa nëse betohesh se do të bësh një ibadet të caktuar apo se do të largohesh nga një mëkat i caktuar, atëherë medoemos duhet ta çosh betimin në vend.
- Shpagimi i betimit për të bërë një adhurim
Nëse betohesh se do të bësh një mëkat, atëherë mos e bëj të njëjtin dhe shpaguaje betimin tënd, ose nëse betohesh se do të braktisësh një ibadet, si p.sh. namazin, atëherë duhet ta bësh atë ibadet dhe ta shpaguash betimin tënd…
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë, vallahi, in shaAll-llah, kur betohem për diçka dhe e shoh se diçka tjetër është më e mirë se ajo gjë për të cilën jam betuar, e shpaguaj betimin tim dhe e bëj atë që është më e mirë.”[14] Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar në këtë gjë dhe ka thënë: “O Abdurr-Rrahman ibën Semur, nëse betohesh për ndonjë gjë dhe e sheh se diçka tjetër është më e mirë se ajo gjë për të cilën je betuar, shpaguaje betimin tënd dhe veproje atë që është më e mirë.”[15]
- Nëse betohesh me harresë në dikë tjetër pos All-llahut, thuaj ‘Lai Ilahe Il-lAll-llah’
Nëse betohesh me harresë në dikë tjetër pos All-llahut, shpagimi i kësaj është të thuash: ‘La Ilahe Il-lAll-llah’… Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush prej jush betohet duke thënë: Pasha Latin dhe Uzzanë, le të thotë: La Ilahe Il-lAll-llah, dhe ai që i thotë shokut: Eja të luajmë bixhoz, le të ndajë sadeka.”[16]
- Nijeti i betimit është sipas nijetit të njeriut që kërkon prej teje të betohesh
Nëse dikush kërkon prej teje të betohesh për diçka, nuk të lejohet të betohesh para tij ndërsa në vete ke nijet tjetër duke përdorur alegorinë, por betimi duhet bërë sipas nijetit të atij që kërkon betimin tënd, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Gjatë betimit tënd, në konsideratë merret ajo për të cilën shoku yt të beson.”[17] Po ashtu ka thënë: “Betimi llogaritet sipas nijetit të atij që kërkon betimin.”[18]
Prandaj sheriatikisht nuk pranohet ajo që disa njerëz e veprojnë duke përdorur alegorinë gjatë betimit, si p.sh. kur njeriu i thotë shkout të tij: Betohu në All-llahun se nuk e ke bërë këtë gjë. Kështu, ai betohet duke pasur për qëllim se nuk e ka bërë atë gjë sot, por e ka bërë ditën e djeshme. Kjo gjë përveç asaj që nuk lejohet, po ashtu ndikon në humbjen e besimit te njerëzit saqë pothuaj askush më nuk u beson.[19]
- Shpagimi i betimit
Kur betohesh për ndonjë gjë dhe e sheh se hairi është në të kundërtën e saj, si p.sh. nëse je betuar se nuk do t’i respektosh prindërit, atëherë e ke për detyrë t’i respektosh ata dhe ta shpaguash betimin tënd duke ushqyer dhjetë fukarenj nga ushqimi që ti dhe familja jote e ha, apo duke liruar një rob, apo të agjërosh tri ditë nëse nuk ke mundësi t’i bësh dy të parat. All-llahu i Madhërishëm thotë: “All-llahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet tuaja kur i theni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu All-llahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës.”[20]
[1] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3251), Tirmidhiu (1534) dhe Ahmedi (2/69). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6204) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3253) dhe Ahmedi (5/352). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6203) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6646) dhe Muslimi (1646).
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6094) dhe Muslimi (2607).
[5] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3242) dhe Ahmedi (4/441). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6213) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[6] Sahih: Shënojnë Ebu Nuajmi në librin e tij Hiljetul-Evlija’ (7/267) dhe Dejlemiu (1/101). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6215) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[7] Sahih: shënon Ibën Maxhe (2110). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6215) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[8] Kaptina El-Maide, ajeti 89.
[9] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (3262) dhe Nesaiu (3793). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6206) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1239) dhe Muslimi (2066).
[11] Sahih: shënojnë Ibën Maxhe (2101) dhe Ebu Ja’la. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7247) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[12] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3444) dhe Muslimi (2368).
[13] Sahih: shënon Taberaniu (6/246). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3072) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[14] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6623) dhe Muslimi (1649).
[15] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6622) dhe Muslimi (1652).
[16] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4860) dhe Muslimi (1647).
[17] Sahih: shënon Muslimi (1653).
[18] Sahih: shënon Muslimi (1653).
[19] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/327).
[20] Kaptina El-Maide, ajeti 89.
www.thirrjaislame.com