Vëllezër të dashur,
Duhet ditur se avdesi është një ibadet madhështor me të cilën afrohemi tek All-llahu i Madhërishëm. Ai është çelësi i namazit, madje është kusht për vlefshmërinë e tij.
Prandaj medoemos duhet ditur cilat janë rregullat që duhet zbatuar gjatë avdesit.
Por, para se t’i përmendim ato rregulla, ejani të mësojmë disa nga vlerat e abdestit.
- Avdesi i shlyen mëkatet e vogla
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur një rob mysliman, apo një besimtar merr avdes, dhe e lanë fytyrën, nga fytyra i bien të gjitha mëkatet që i ka bërë me fytyrën e tij bashkë më ujin ose me pikën e fundit të ujit. Kur t’i lajë duart, i bien të gjitha mëkatet që i ka bërë me duart e tij bashkë me ujin ose me pikën e fundit të ujit. Kur t’i lajë këmbët, i bien të gjitha mëkatet që i ka bërë me këmbët e tij bashkë me ujin ose me pikën e fundit të ujit, ashtu që ai mbetet plotësisht i pastër prej mëkateve.”[1]
Nga Othmani radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush merr avdes, i falen mëkatet e kaluara, ndërsa namazi dhe shkuarja e tij në xhami i llogaritet nafile.”[2]
Kjo vlerë dhe ky shpërblim bëhet i plotë sidomos për njeriun që menjëherë pas namazit falë namaz farz apo nafile.
Në hadithin që na e përcjellë Othmani radijAll-llahu anhu, ku përshkruhet forma e avdesit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i dërguari i All-llahut thotë: “Kush merr avdes sikur unë tani, e pastaj falë dy rekate namaz (nafile), duke qenë i përqendruar në to, do t’i falen mëkatet e kaluara që i ka bërë.”[3]
- Avdesi i zgjidh nyjet e shejtanit
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur njeriu bie të fjejë, shejtani ia lidhë te koka tri nyje dhe i thotë: Fli, ngase para vetes ke natë të gjatë! Nëse ai ngrihet dhe e përmendë All-llahun, i zgjidhet një nyje, nëse merr avdes i zgjidhet edhe një nyje dhe nëse ngrihet dhe e falë namazin i zgjidhen të gjitha nyjet dhe zgjohet nga gjumi aktiv dhe shpirtdëlirë. Në të kundërtën, zgjohet shpirtlig dhe përtac.”[4]
- Avdesi llogaritet sa gjysma e imanit
Nga Ebu Malik el-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Pastërtia është gjysma e imanit…”[5]
- Abdesti është dritë për robin në ditën e kiametit
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar mikun tim duke thënë: Besimtarët kaplohen nga drita (në ditën e kiametit) deri aty ku ka arritur avdesi.”[6]
- Avdesi është shenjë që e dallon këtë ummet te kroi i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem shkoi te varrezat dhe tha: “Paqja qoftë mbi ju, o banorë të shtëpisë së besimtarëve, edhe ne, nëse do All-llahu, së shpejti do të vijmë pas jush. Do të dëshiroja sikur t’i shihnim vëllezërit tanë. Thanë (shokët e tij): “O i dërguari i All-llahut! Po a nuk jemi ne vëllezërit e tu?!” Tha: “Ju jeni shokët e mi, ndërsa vëllezërit e mi janë ata që ende nuk kanë ardhur (në këtë botë).” Si i njeh ata pjesëtarë të ummetit tënd që ende nuk kanë ardhur – e pyetën. Tha: “Ç’mendoni, sikur ndokush prej jush të kishte një kalë me kokë dhe këmbë të bardha, a thua nuk do ta njihte kalin e tij në mesin e kuajve të zinj?! Thanë: “Po, gjithsesi, ai do ta njihte atë.” Tha: “Po kështu edhe ummeti im, do të vijnë me fytyra dhe këmbë të bardha nga gjurmët e avdesit, ndërsa unë do të jem para atyre te kroi. Disa njerëzve do t’u ndalohet të takohen me mua, ashtu siç u ndalohet deveve pa pronarë të pinë ujë, e unë do t’i thërras: Ejani tek unë. Ndërsa atëherë do të më thuhet: Ata e kanë ndryshuar sunnetin tënd pas teje. E unë do të them: Larg meje, larg meje.”[7]
- Avdesi është rrugë për në xhennet
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka thënë Bilalit në namazin e sabahut: “O Bilal, më trego për veprën më shpresëdhënëse për ty që e ke bërë në islam, sepse unë e dëgjova (në ëndërr) zhurmën e nallaneve të tua para meje në xhennet?” Ai tha: “O i dërguari i All-llahut, punën më shpresëdhënëse për mua që e kam bërë është se çdoherë që kam marrë avdes, qoftë natën apo ditën, nuk kam lënë pa falur atë që më është urdhëruar ta falë.”[8]
Nga Ukbe ibën Amiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke thënë: Kush merr avdes si duhet, pastaj falë dy rekate (namaz nafile) me përqendrim dhe kënaqësi në to, xhenneti do t’i patjetërsohet.”[9]
- Avdesi e ngritë pozitën e robit
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A dëshironi t’ju udhëzoj për atë se me çfarë All-llahu i shlyen mëkatet dhe i ngre pozitat?!” Ata u përgjigjën: “Po, o i dërguari i All-llahut”, ndërsa ai tha: “Me plotësimin e avdesit në vështirësi, me hapat e shumtë për në xhami dhe me pritjen e namazit pas namazit. Kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat, kjo është për ju ribat (vigjilencë në rrugën e All-llahut)!”[10]
Disa dijetarë thonë: Dije se kur ti merr avdes, je duke e vizituar Zotin tënd. Andaj duhesh të pendohesh tek Ai, sepse ai e ka bërë pastrimin me ujë si hyrje për pastrim nga mëkatet… Kur e bën gargaritjen, kështu gjuha jote pastrohet nga rrena, përgojimi dhe bartja e fjalëve. Gjuha jote është krijuar për përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, lexim të kur’anit, madhërim, falënderim dhe njësim të Tij.
Kur e pastron hundën, ajo pastrohet nga nuhatja e asaj që është e ndaluar. Kur e pastron fytyrën, shikimi yt pastrohet
nga tri gjëra:
– Shikimi në haram.
– Shikimi i myslimanit me nënçmim, dhe
– Ta turpërosh dikë tjetër.
Sytë janë krijuar që me to të udhëzohesh në rrugën e drejtë, t’i përdorësh për nevojat e tua, të shikosh me to në çudirat e tokës e qiejve, sepse ajo që e shikon në tokë e qiej llogaritet nga argumentet e All-llahut.
Kur t’i pastrosh duart me ujë, kjo do të thotë që i ke pastruar edhe nga dëmtimi i myslimanëve, prekja e ndonjë harami me to, shkrimi i diçkaje që e shqetëson myslimanin, sepse mysliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të lirë myslimanët e tjerë.
Kur i jep kokës mes’h, dije se kjo është përgjigje ndaj urdhrit të All-llahut, nënshtrim ndaj madhërisë së Tij, përulje para Qenies së Tij dhe shfaqje e nevojës tënde për Të.
Kur i pastron këmbët, kjo do të thotë se i pastron nga ecja në diçka që All-llahu e ka ndaluar. Çdo hap që robi e bën, do të pyetet se ç’ka synuar me atë hap.[11]
Në vazhdim do të përmendim disa rregulla që duhet përvetësuar gjatë avdesit:
1.Nijeti i mirë
Besimtari kur merr avdes synon kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm dhe pasimin e sunnetit të të dërguarit të All-llahut, si dhe kujdesin ndaj pastërtisë dhe përgatitjes për namaz.
- Të thënit ‘Bismil-lah’
Kjo, ngase çdo gjë të cilës nuk i paraprinë besmeleja është e pavlefshme. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka avdes ai që nuk e përmendë All-llahun para se të fillojë atë.”[12] Prandaj para se të fillosh avdesin, thuaj ‘Bismil-lah’, sepse ky është një sunnet i fortë, bazuar në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kur të fillosh avdesin thuaj ‘bismil-lah dhe el-hamdu lil-lah’, sepse melekët nuk ndalojnë së shkruari shpërblime për ty derisa ta prishësh atë avdes.”[13]
- Përdorimi i misvakut
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Misvaku është pastrues për gojën dhe gjë që e kënaqë All-llahun.”[14] Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Sikur të mos ia rëndoja ummetit tim, do t’i urdhëroja të përdorin misvakun gjatë çdo avdesi.”[15]
- Harxhimi i ujit në mënyrë racionale
Uji është një begati të cilën duhet ruajtur. Nuk është e lejuar që të teprohet në harxhimin e ujit, qoftë për avdes, larje të trupit, pije apo për çfarëdo nevoje tjetër.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “merrte gusël me ‘saë’[16] ose me pesë ‘mudda’[17], ndërsa merrte abdest me një ‘mudd’.”[18] ndërsa një ‘saë’ plotësohet nga katër ‘mudda’, e një ‘mudd’ peshon afërsisht gjysmë litre ujë.
- Përpikëria në avdes
Kjo do të thotë që uji të përshkojë të gjitha pjesët e trupit që përfshihen në avdes në mënyrë që të mos mbesë asnjë pjesë e gjymtyrëve pa mos arritur uji në to. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të synosh faljen e namazit, merr avdes me përpikëri dhe fute ujin mes gishtave të duarve dhe të këmbëve.”[19] madje edhe nëse uji është i ftohtë gjatë dimrit dhe i nxehtë gjatë verës. Pra gjithsesi, avdesi duhet bërë me përpikëri, ndërsa në këso raste shpërblimi është shumë më i madh. Kjo, sepse përpikëria gjatë avdesit në kushte jo të favorshme është prej veprave më të vlefshme.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj se me çka All-llahu i shlyen mëkatet e juaja dhe me çka i lartëson gradat tuaja? Të pranishmit i thanë: “Po, o i Dërguari i All-llahut!” I Dërguari i All-llahut u tha: “Marrja e avdesit edhe atëherë kur është vështirë…”[20]
- Shmangia e të folurit dhe qeshjes gjatë avdesit
Gjatë marrjes së abdestit preferohet të mos flitet përveç në raste në domosdoshme, si urdhri në të mirë, ndalimi nga e keqja, udhëzimi i ndonjë të humburi apo kthimi i selamit, etj.
- Të dhënit përparësi gjymtyrëve të djathta para atyre të majtave gjatë avdesit
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të merrni avdes, filloni me të djathtat.”[21] Ndërsa në hadithin që na e përcjellë Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma, e që ka të bëjë me përshkrimin e avdesit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, thuhet: “… pastaj morri një grusht ujë dhe e lau me të dorën e djathtë, pastaj morri një grusht ujë dhe e lau me të dorën e majtë, pastaj i dha mes’h kokës, morri një grusht ujë, e hodhi mbi këmbën e djathtë të tij dhe e lau, pastaj morri një grusht tjetër me ujë dhe me të e lau këmbën e majtë të tij…”[22]
Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Preferonte anën e djathtë kur vishte sandalet, kur krihte flokët, kur lahej dhe në të gjitha çështjet e tij.”[23]
- Të marrim avdes ashtu siç merrte Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem
Forma e avdesit të Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është transmetuar në disa hadithe. Prej tyre është hadithi që na përcillet nga Othmani radijAll-llahu anhu i cili kërkoi që t’i sillet një enë me ujë, nga e cila morri avdes. Së pari lau duart tri herë, pastaj gargariti dhe bëri istinshak,[24] pastaj lau fytyrën e tij tri herë, pastaj e lau krahun e djathtë deri në bërryl, pastaj krahun e majtë njëlloj si të djathtin, pastaj i dha mes’h kokës, pastaj e lau këmbën e djathtë deri në nyje tri herë, pastaj edhe këmbën e majtë njëlloj si të djathtën, e pastaj tha: “E kam parë të dërguarin e All-llahut duke marrë avdes kështu siç morra unë tani, dhe pasi përfundoi avdesin tha: Kush merr avdes kështu sikur unë, pastaj i falë dy rekate me përkushtim dhe përqendrim, do t’i falen mëkatet e kaluara.”[25]
Në vazhdim, shkurtimisht do të përmendi mënyrën e marrjes së avdesit: Në fillim duhet thënë ‘Bismil-lah’, pastaj lahen duart tri herë, pastaj bëhet gargaritja tri herë si dhe istinshaku tri herë, pastaj lahet fytyra tri herë, pastaj lahet krahu i djathtë deri në bërryl tri herë dhe njëjtë veprohet edhe me krahun e majtë, pastaj i jepet mes’h kokës një herë duke e lagur dorën dhe duke e përshkuar kokën nga vendi ku fillojnë flokët e deri ku përfundojnë ato dhe anasjelltas si dhe duke i larë veshët. Pastaj lahet këmba e djathtë deri në nyje tri herë dhe kështu veprohet edhe me këmbën e majtë. Pas kësaj duhet thënë këto lutje: “Eshhedu en la ilahe il-lAll-llahu vahdehu la sherike lehu ve Eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu.” (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç All-llahut, që është i Vetëm e i Pashoq, dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij). All-llahummexh’alni minet-tevvabine vexh’alni minel mutetahhirin.” (O All-llah, më bëj prej atyre që pendohen dhe më bëj prej të pastërve). Subhaneke All-llahumme ve bi hamdike, Eshhedu en la ilahe il-la Ente; estagfiruke ve etubu ilejke.” (I Lartësuar je ti, o All-llahu im, Ty të përket falënderimi. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Teje, kërkoj falje prej Teje dhe te Ti pendohem).”[26] Nëse e bën këtë, atij i hapen tetë dyert e xhennetit dhe e ka mundësinë të zgjedhë cilën të dojë prej tyre. Kështu është transmetuar në hadith sahih nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.[27]
9.Larja e gjymtyrëve nga tri herë
Kemi transmetime nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem se ka marrë avdes duke larë gjymtyrët nga një herë.[28] Po ashtu kemi transmetime si i ka larë nga dy herë.[29] Por avdesi më i plotë është që gjymtyrët të lahen nga tri herë, siç ka vepruar Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe shumica e transmetimeve e thonë këtë gjë.
- Mosshtuaraja më tepër se tri herë
Kjo gjë është në kundërshtim me sunnetin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Një herë, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem morri avdes duke larë gjymtyrët nga tri herë, e pastaj tha: “Kështu merret avdes. Ai që e shton apo e pakëson, ka vepruar keq dhe ka bërë padrejtësi.”[30] Pra, shtuarja më tepër se tri herë nuk është e lejuar.
- Larja e duarve tri herë para avdesit
Kjo gjë është përmendur në hadithin që e transmeton Othmani radijAll-llahu anhu, që e tregon formën e avdesit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ku mes tjerash thuhet: “… e zbrazi pak ujë në duart e tij dhe i lau tri herë…”[31]
- Tertipi gjatë marrjes së avdesit
Këtë gjë e bazojmë në hadithet që transmetohen nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili fillonte me larjen e duarve, gargaritjen, istinshakun, larjen e fytyrës, larjen e krahëve deri në bërryla, mes’hun e kokës dhe veshëve dhe përfundonte me larjen e këmbëve deri në nyje. Ky tertip nuk duhet prishur qëllimisht duke e pasur parasysh që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk e ka prishur asnjëherë.[32]
- Bërja e maksimumit gjatë gargaritjes dhe istinshakut
Kjo ka të bëjë me joagjëruesin, sepse Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ia ka ndaluar agjëruesit të bëjë maksimumin në gargaritje dhe istinshak duke thënë: “Jepe maksimumin në istinshak përveç nëse je duke agjëruar.”[33]
- Futja e gishtave në mjekrën e dendur
Nëse mjekra është e dendur, atëherë preferohet futja e gishtave të lagur në të për ta pastruar, bazuar në hadithin që na e përcjellë Enesi radijAll-llahu anhu i cili thotë se i dërguari i All-llahut kur merrte abdest, merrte një grusht ujë dhe e lagte pjesën e qafës nën mjekër dhe pastaj e pastronte mjekrën me gishta duke i futur në mjekër, e pastaj ka thënë: “Kështu më ka urdhëruar Zoti im i Madhërishëm.”[34]
- Pastrimi ndërmjet gishtave të duarve dhe këmbëve
Kjo po ashtu është prej përpikërisë gjatë avdesit. Ko do të thotë lagia me ujë vendet mes gishtave të duarve dhe të këmbëve bazuar në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Laji pjesët mes gishtave të duarve dhe këmbëve.”[35]
Preferohet që pastrimi i pjesëve mes gishtave të bëhet me gishtin e vogël, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur merrte avdes, i pastronte pjesët mes gishtave të këmbës me gishtin e vogël.”[36]
- Mes’hi i flokëve të kokës deri në qafë
Kështu ka qenë udhëzimi i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili kur merrte avdes “e fuste dorën në enë dhe e përshkonte kokën e tij duke filluar nga flokët e përparme e deri te qafa dhe anasjelltas…”[37] Kjo do të thotë se ai i ka dhënë mes’h kokës duke filluar nga fillimi i flokëve e deri në qafë, e pastaj anasjelltas duke përfunduar në vendin nga i cili kishte filluar. Kjo gjë është transmetuar edhe në hadithe të tjera.
- Mes’hi i veshëve jashtë dhe brenda
Këtë e bazojmë në veprimin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, në atë se kjo është prej plotësimit të avdesit si dhe në atë atë se veshët janë pjesë e kokës. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Veshët janë pjesë e kokës.”[38]
Tirmidhiu thotë: “Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve nga sahabët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe të tjerëve pas tyre. Të gjithë janë të mendimit se veshët janë pjesë përbërëse e kokës.
Këtë mendim po ashtu e mbështesin edhe Sufjan Eth-Theuriu, Ibën Mubareku, Shafiiu, Ahmedi dhe Is’haku.”[39]
Kështu, gjatë pastrimit, me gishtat e mëdhenj e pastron anën e jashtme, ndërsa me gishtat tregues e pastron anën e brendshme të veshëve. Pastaj i rrotullon gishtat që t’ju japë mes’h pjesës së jashtme dhe të brendshme të veshëve.
- Kujdesi për larjen e thembrave
Gjatë avdesit duhet pasur kujdes dhe duhet qenë i bindur se uji ka prekur thembrat, sepse mosarritja e ujit deri te një pjesë e gjymtyrës do të thotë se avdesit nuk është i vlefshëm, dhe si rrjedhojë, edhe namazi nuk është i vlefshëm. Kjo gjithashtu është prej përpikërisë dhe plotësisë së avdesit. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Plotësojeni avdesin, mjerë për thembrat (e paprekura me ujë) nga zjarri (i xhehennemit).”[40] Ky kërcënim i ashpër është argument i fuqishëm për obligueshmërinë e kujdesit ndaj larjes së thembrave, të cilës shumë prej njerëzve nuk ia venë mendjen.[41]
- Avdesi të merret në vend të pastër
Kjo, për arsye se besimtari që merr avdes, e fillon avdesin me bismil-lah, e pastaj menjëherë pas avdesit i thotë lutjet e posaçme pas avdesit. Prandaj avdesi duhet bërë në vend të pastër.
- Preferohet që të rrihet vazhdimisht me avdes
Muslimanit i preferohet që vazhdimisht të rrijë me avdes, madje edhe jashtë kohëve të namazit, që ta përmendë All-llahun duke qenë me avdes.
Nga Muhaxhir ibën Kunfudhi radijAll-llahu anhu na përcillet se shkoi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe e gjeti duke urinuar, dhe nuk ia ktheu selamin derisa morri avdes, e pastaj i kërkoi falje atij duke i thënë: “Unë e urrej që ta përmend All-llahun e Madhërishëm përveçse duke qenë me avdes.”[42]
- Ripërtëritja e abdestit pas çdo prishjeje të tij
Këtë e bazojmë në fjalën e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Avdesit i rri gati vetëm besimtari.”[43]
- Lutjet pas avdesit
Lutjet pas avdesit janë: “Eshhedu en la ilahe il-lAll-llahu vahdehu la sherike lehu ve Eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu.” (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç All-llahut, që është i Vetëm e i Pashoq, dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguari i Tij). “All-llahummexh’alni minet-tevvabine vexh’alni minel mutetahhirin.” (O All-llah, më bëj prej atyre që pendohen dhe më bëj prej të pastërve). “Subhaneke All-llahumme ve bi hamdike, Eshhedu en la ilahe il-la Ente; estagfiruke ve etubu ilejke.” (I Lartësuar je ti, o All-llahu im, Ty të përket falënderimi. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Teje, kërkoj falje prej Teje dhe te Ti pendohem).
Nga Omeri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka thënë: Kush prej jush merr avdes me përpikëri dhe pastaj thotë: Eshhedu en la ilahe il-lAll-llahu vahdehu la sherike lehu ve Eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu, do t’i hapen tetë dyert e xhennetit, dhe do të hyjë nga cila derë të dëshirojë.”[44]
Nga Ebu Seidi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush merr avdes e pastaj thotë: Subhaneke All-llahumme ve bi hamdike, Eshhedu en la ilahe il-la Ente; estagfiruke ve etubu ilejke, do të regjistrohet në një fletë të bardhë, e pastaj do të vuloset dhe nuk do të shlyhet deri në ditën e kiametit.”[45]
- Falja e dy rekateve pas avdesit
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka nxitur në këtë gjë dhe ka thënë: “Kush merr avdes me përpikëri, e pastaj falë dy rekate namaz në të cilat nuk është i shkujdesur, do t’i falen mëkatet e kaluara.”[46] Po ashtu ka thënë: “Çdo mysliman i cili merr avdes me përpikëri, e pastaj i falë dy rekate namaz duke qenë i përqendruar me zemrën dhe fytyrën e tij, atij i bëhet obligim xhenneti.”[47]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka thënë Bilalit në namazin e sabahut: “O Bilal, më trego për veprën më shpresëdhënëse për ty që e ke bërë në islam, sepse unë e dëgjova (në ëndërr) zhurmën e nallaneve të tua para meje në xhennet?” Ai tha: “O i dërguari i All-llahut, punën më shpresëdhënëse për mua që e kam bërë është se çdoherë që kam marrë avdes, qoftë natën apo ditën, nuk kam lënë pa falur atë që më është urdhëruar ta falë.”[48]
[1] Sahih: shënon Muslimi (244).
[2] Sahih: shënon Muslimi (229).
[3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (6433) dhe Muslimi (226).
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1142) dhe Muslimi (776).
[5] Sahih: shënon Muslimi (223).
[6] Sahih: shënon Muslimi (250).
[7] Sahih: shënon Muslimi (249).
[8] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1149) dhe Muslimi (2458). Ndërsa Bilali radijAll-llahu anhu me këtë ka pasur për qëllim se pas çdo avdesi ka falur dy rekate namaz nafile. Ky është një sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. (shën. përkth.)
[9] Sahih: shënon Muslimi (234).
[10] Sahih: shënon Muslimi (251).
[11] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 134-135.
[12] Hasen: shënojnë Ibën Maxhe (397), Ahmedi (11309), Hakimi në Mustedrek dhe Darimiu në Sunenin e tij. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7573) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[13] Hasen: shënon Taberaniu në Mu’xhemus-Sagir (1/131), ndërsa Hejthemiu në librin e tij Mexhmeuz-Zevaid (1/220) thotë: “Senedi i këtij hadithi është hasen.”
[14] Sahih: shënojnë Ahmedi (1/3), Ebu Ja’la (1/103), Ibën Ebi Asimi (2/4) dhe Darekutniu në El-Ilel (1/277). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3695) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[15] Sahih: shënon Maliku (1/66), Shafiiu (1/13), Ibën Ebi Shejbe (1/155) dhe Bejhekiu (1/35). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (5317) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[16] Saë: Sasi e ujit që e marrim kur i bashkojmë dy duart dhe i mbushim me ujë katër herë. (shën. përkth.)
[17] Mudd: Sasi e ujit që e marrim kur i bashkojmë dy duart dhe i mbushim me ujë një herë. (shën. përkth.)
[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (201) dhe Muslimi (325).
[19] Sahih: shënon Ibën Maxhe (447). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (739) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[20] Sahih: shënon Muslimi (251).
[21] Sahih: shënon Ibën Maxhe (402). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (454) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[22] Sahih: shënon Buhariu (140).
[23] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (168) dhe Muslimi (268).
[24] Istinshak: thithja e ujit me hundë gjatë abdestit apo guslit. (shën. përkth.)
[25] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (160) dhe Muslimi (226).
[26] Sahih: shënon Tirmidhiu (55). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tirmidhi e ka klasifikuar si hadith sahih.
[27] Shkëputur nga libri Fetava ve Resail. Ndërsa kjo fetva është nga Shejh Uthejmini, All-llahu e mëshiroftë.
[28] Sahih: shënon Buhariu (157).
[29] Sahih: shënon Buhariu (158).
[30] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (135) dhe Nesaiu (140). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7015) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[31] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (142) dhe Tirmidhiu (38). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (927) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[32] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/871).
[33] Shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (927) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[34] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (145), Bejhekiu (1/54) dhe Hakimi (1/149). Shejh Albani në librin e tij Irvaul-Galil (92) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[35] Sahih: shënon Ahmedi (1/287). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3239) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[36] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (148), Tirmidhiu (40) dhe Ibën Maxhe (446). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4700) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[37] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (192) dhe Muslimi (235).
[38] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (148), Tirmidhiu (40) dhe Ibën Maxhe (446). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4700) e ka klasifikuar si hadith sahih. Ndërsa me këtë Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka dashur të thotë se kur t’i jepet mes’h kokës njëkohësisht duhet të pastrohen edhe veshët, sepse edhe për veshët, si pjesë përbërëse e kokës, vlen e njëjta dispozitë fetare, pra pastrimi i tyre është farz sikurse koka. (shën. përkth.)
[39] Sunen Et-Tirmidhi (1/54-55).
[40] Sahih: shënon Ibën Maxhe (455). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (368) e ka klasifikuar si hadith sahih. Baza e këtij hadithi gjendet te Buhariu (60, 96, 163) dhe Muslimi (241).
[41] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (2/874-875).
[42] Sahih: shënon Ebu Davudi (17) Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (834) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[43] Hasen: shënon Ibën Maxhe (277). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (115) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[44] Sahih: shënon Muslimi (234).
[45] Sahih: shënojnë Nesaiu në Es-Sunenul-Kubra (9909) dhe Hakimi (1/564). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2333) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[46] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (905) dhe Ahmedi (4/117). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (6165) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[47] Sahih: shënon Muslimi (234).
[48] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1149) dhe Muslimi (2458). Po ashtu shih Sahih Fikhis-Sunneh (1/122,126). Ndërsa Bilali radijAll-llahu anhu me këtë ka pasur për qëllim se pas çdo abdesti ka falur dy rekate namaz nafile. Ky është një sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. (shën. përkth.)
www.thirrjaislame.com