EDUKATA E TË PËRMENDURIT TË ALL-LLAHUT TË MADHËRISHËM

Vëllezër të dashur,

Vërtet përmendja e All-llahut të Madhërishëm është prej ibadeteve më madhështore me të cilat afrohemi tek All-llahu i Madhërishëm, madje ajo është thelbi i punëve të mira, shkak i zbritjes së mëshirës dhe kënaqësisë së Zotit të qiejve e të tokës, mbjellje e xhennetit, si dhe shkak i arritjes së lumturisë në dynja e ahiret.

 

GJUHA JOTE ËSHTË PANDËRPRERË E NJOMË NGA TË PËRMENDURIT E ALL-LLAHUT

 

O ti që synon lumturinë e vërtetë, përmbaju përmendjes së All-llahut të Madhërishëm. A nuk e ke dëgjuar fjalën e All-llahut të Madhërishëm: Me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.”[1] All-llahu i Madhërishëm po ashtu thotë: “Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim).”[2] “Përmendeni shpeshherë All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim.”[3] “shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.”[4]

Nga Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend All-llahun dhe atij që nuk e përmend është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.”[5]

Ndërsa në transmetimin e Muslimit qëndron: “Shembulli i shtëpisë ku përmendet All-llahu dhe shtëpisë ku nuk përmendet All-llahu është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.”[6]

Nga Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri tha: “O i dërguari i All-llahut, obligimet e fesë janë bërë shumë për mua (ngarkesë e tepërt), andaj më trego diçka të cilës do t’i përmbahem. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: Le të jetë gjuha jote gjithmonë e njomë nga të përmendurit e All-llahut.”[7]

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush thotë: SubhanAll-llahil-Adhim ve bihamdihi,[8] atij do t’i mbillet në palmë në xhennet.”[9]

Nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Natën që u dërgova në qiell e takova Ibrahimin, alejhis-selam, e ai më tha: O Muhammed, bëji selam ummetit tënd prej meje dhe tregoju se xhenneti e ka dheun e pastër, ujin e ëmbël dhe është rrafshinë, ndërsa shkak për të fituar pemët e tij janë fjalët: SubhanAll-llah (i lartësuar qoftë All-llahu); El-hamdu li-lah (i falënderuar qoftë All-llahu); La ilahe il-lAll-llah (nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç All-llahut) dhe All-llahu ekber (All-llahu është më i madhi).”[10]

Nga Ebu Derda’ radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: A nuk doni t’ju tregoj për punët tuaja më të mira dhe më të pastra tek Sunduesi juaj; që i lartësojnë më së shumti gradat dhe janë më të mira për ju se shpenzimi i floririt dhe argjendit (për të fituar kënaqësinë e All-llahut) dhe që janë më mirë për ju se ta takoni armikun tuaj e t’i godisni ose t’ju godasin në zverqe?!” I thanë: “Po.” Ai tha: “Të përmendurit e All-llahut të Madhërishëm.”[11]

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se një ditë fukarenjtë e muhaxhirëve erdhën tek i dërguari i All-llahut dhe i thanë: “Pasanikët na tejkaluan në shkallët e larta dhe në bekimet e vlefshme. Falen siç falemi, agjërojnë siç agjërojmë, dhe me pasuritë që i kanë, e bëjnë haxhin dhe e kryejnë umren, bëjnë xhihad dhe japin sadeka!  I Dërguari i All-llahut u tha: “A dëshironi t’ju mësoj diç­ka me të cilën do t’i arrini ata që kanë qenë para jush dhe do t’i tejkaloni ata që vij­në pas jush, dhe askush nga ju nuk do të jetë më i vlef­shëm, përveç nëse vepron ç‘veproni edhe ju?” Ata thanë: “Po, gjithqysh, o i dërguari i All-llahut!”. I Dërguari i All-llahut u tha: “Do të thoni SubhanAll-llah, Elhamdu lil-lah dhe All-llahu ekber pas çdo namazi nga tridhjetë e tri herë.”[12]

Ndërsa në transmetimin e Muslimit qëndron edhe kjo shtojcë: Fukarenjtë e muhaxhirëve u kthyen tek i dërguari i All-llahut dhe i thanë: “Vëllezërit tanë pasanikë dëgjuan për atë që ne bëmë dhe edhe ata e bënë të njëjtën.” Atëherë i dërguari i All-llahut u tha: “Kjo është mirësi e All-llahut, që ia jep atij që do.”

Nga Muadh ibën Xhebeli radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut një herë i kishte thënë atij: “Po të porosis, o Muadh, që në fund të çdo namazi (para selamit) të thuash: O All-llah, më ndihmo, që të të përmend e të të falënderoj, dhe më mundëso që të të adhuroj sa më mirë.”[13]

 

Rregullat gjatë përmendjes së All-llahut

 

  1. Sinqeriteti në nijet vetëm për hirin e All-llahut të Madhërishëm dhe shpresa vetëm në shpërblimin e Tij. All-llahu i Madhërishëm thotë:” E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”[14]
  2. Mallëngjimi i zemrës për përmendje të All-llahut ashtu siç trupi mallëngjehet për haje e pije, kështu që robi e përmendë All-llahun me mall, dashuri, pasion dhe përqendrim, ngase All-llahu i ka përshkruar munafikët me fjalët: Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin All-llahun.”[15] Pra, prej rregullave dhe edukatës gjatë përmendjes së All-llahut është përmendja e Tij me mall.

 

  1. Marrja e avdesit apo guslit paraprakisht. Kjo, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk ka parapëlqyer përmendjen e All-llahut pa praninë e pastërtisë (avdesit apo guslit). Nga Muhaxhir ibn Kunfudhi radijAll-llahu anhu na përcillet se ai një herë kishte kaluar përreth Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa ai po urinonte, e kishte përshëndetur me selam, por Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk ia kishte kthyer selamin derisa kishte marrë avdes, e pastaj i kishte kërkuar falje, duke i thënë: “Mua nuk më pëlqen të përmend emrin e All-llahut të Madhërishëm kur nuk jam në gjendje të pastër.” [16]

Ndërsa Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhu thotë: “Avdesi (i marrur) mirë e largon shejtanin prej teje.”

 

  1. Ulja në drejtim të kibles me përkushtim dhe maturi. Kështu duhet të jetë nënshtrimi yt gjatë lutjes ndaj All-llahut, Zotit të botëve, e në veçanti kur e përkujton fjalën e All-llahut: Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim).”[17] ose fjalën: “Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua, Unë jam me të kur më përmend Mua; nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time, e nëse ai më përmend Mua në bashkësi, edhe Unë atë e përmend në një bashkësi më të mirë se të atij.”[18]

 

  1. Ta pastrosh brendësinë tënde me kërkim faljeje (nga All-llahu), duke pasur parasysh mbikëqyrjen e All-llahut, si dhe me pendim nga mëkatet e gjynahet, në mënyrë që zemra dhe gjuha të parapërgatiten për përmendje të All-llahut.

 

  1. Zgjedhja e kohëve të përshtatshme për përmendje të All-llahut, gjatë kohës kur njeriu është i lirë nga obligimet e ngarkesat, shpirti është i gatshëm për pranimin e dritës dhe zemra është e përmalluar për lutje ndaj All-llahut të Madhërishëm, si koha para agimit, para perëndimit të diellit, menjëherë pas farzit të çdo namazi, si dhe në netët e bekuara dhe ditët e vlefshme.

 

  1. Ndjellja e madhërisë së All-llahut të Madhërishëm, meditimi në fjalët e dhikrit dhe përmendja e All-llahut të Madhërishëm me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta. Kështu arrihet përkulja, nënshtrimi dhe adhurimi i vërtetë ndaj All-llahut të Madhërishëm. Në këto momente zemra ndien rehati.

 

  1. Gjatë përmendjes së All-llahut rekomandohet e qara. Në hadithin e shtatë grupeve të njerëzve të cilët All-llahu do t’i fusë nën hijen e Tij, në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër por asaj, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem mes tjerash thotë: “… dhe një njeri që e përmendë All-llahun dhe i mbushen sytë me lot…”[19] Ai që përqendrohet me zemër gjatë përmendjes së All-llahut, e ndien afërsinë e All-llahut të Madhërishëm ndaj tij dhe e kupton nga All-llahu i Madhërishëm qëllimin përse robi e përmendë Zotin e tij, nuk e përmban dot veten nga lotët.

 

  1. Fshehja e saj nga të tjerët në mënyrë që të ruhet sinqeriteti dhe t’i iket syefaqësisë. Kështu përmendja e All-llahut arrin në thellësinë e shpirtit dhe troket me trokitjet e zemrës.

 

  1. Kërkimi i fryteve të përmendjes së All-llahut. Kjo arrihet duke qenë i përpiktë në adhurimet ndaj All-llahut, duke u larguar nga dëfrimet, fjalët e kota, veprat e kota, mëkatet, si dhe duke u përqendruar në fjalë, vepra dhe marrëdhënie ndërnjerëzore.

Hasen El-Basriu, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Përmendja e All-llahut (dhikri) është dyllojësh: Njëri ka të bëjë me përmendjen e All-llahut të Madhërishëm që është mes teje dhe Tij, e që është një dhikër shumë i mirë dhe me shpërblim të madh. Ndërsa dhikër akoma më i mirë se i pari është kur përmendet All-llahu në momentin kur bëhet mëkat ndaj Tij.

All-llahu i Madhërishëm thotë: Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (All-llahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën).”[20] Po ashtu thotë: “Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç All-llahut?”[21]

Pra, fryti i vërtetë i dhikrit është që nefsi yt mos të të nxisë në ndonjë haram, por kur e përmend All-llahun në mënyrë konstante, e sheh se je para All-llahut, dhe realisht e do Atë, realisht turpërohesh prej Tij, ia ke frikën sikur e ke para vetes dhe e sheh dhe kështu bëhesh prej përmendësve të mëshiruar të All-llahut. E lusim All-llahu të na bëjë prej tyre.[22]

[1] Kaptina Err-Rra’d, ajeti

[2] Kaptina El-Bekare, ajeti 152.

[3] Kaptina El-Xhumuah, ajeti 10.

[4] Kaptina El-Ehzab, ajeti 35.

[5] Sahih: shënon Buhariu (6407).

[6] Sahih: shënon Muslimi (779).

[7] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3375) dhe Ibën Maxhe (3793) nga Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7700) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[8] ‘SubhanAll-llahil-Adhim ve bihamdihi’: I Lartësuar qoftë All-llahu, Atij i takon lavdërimi. (shën.përkth.)

[9] Sahih: shënon Tirmidhiu (3464, 3465). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (64) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[10] Hasen: shënon Tirmidhiu (3462) nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin Es-Silsiletus-Sahiha (105) e ka klasifikuar si hadith hasen.

[11] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3377), Ibën Maxhe (3790) dhe Ahmedi (21195) nga Ebu Derda’ radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2629) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[12] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (843) dhe Muslimi (595), nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu.

[13] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1522), Nesaiu (1303) dhe Ahmedi (21621) nga Muadh ibën Xhebeli radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7969) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[14] Kaptina El-Bejjine, ajeti 5.

[15] Kaptina En-Nisa’, ajeti 142.

[16] Sahih: shënon Ebu Davudi (17). Shejh Albani në librin e tij Sahih Ebi Davud e ka klasifikuar si hadith sahih.

[17] Kaptina El-Bekare, ajeti 152.

[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7405) dhe Muslimi (2675).

[19] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (660) dhe Muslimi (1031).

[20] Kaptina El-E’raf, ajeti 201.

[21] Kaptina Alu Imran, ajeti 135.

[22] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 236-238, me pak ndërhyrje. Autor: Prof. Muhammed Abdul-Ati Buhajri.

 

www.thirrjaislame.com