EDUKATA E PEJGAMBERËVE NDAJ ALL-LLAHUT TË MADHËRISHËM

Vërtet, edukata e pejgamberëve dhe të dërguarve ndaj All-llahut ka qenë edukata më e vlefshme dhe më madhështore.

All-llahu i Madhërishëm në lidhje me zotërinë e njerëzisë, Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, thotë: “Shikimi i tij nuk lakoi e as nuk tejkaloi.”[1] Ky është një përshkrim i edukatës së Tij në atë situatë, kur shikimi i tij nuk e tejkaloi atë që e pa, e kjo është plotësi e edukatës, duke e pasur parasysh se ai iu përkushtua tërësisht All-llahut, ndërsa zemra si e tillë është organ potencial për devijim apo tejkalim të kufijve. E njëjta vlen edhe për syrin, por që të dyja janë të palejueshme për zemrën dhe syrin e të dërguarit të All-llahut. Pra, zemra e tij nuk devijoi duke u drejtuar nga dikush tjetër pos All-llahut, si dhe nuk i tejkaloi kufijtë duke dalur jashtë kornizave të pozitës në të cilën ishte vendosur.

All-llahu i Madhërishëm kur i tha Isait alejhis-selam “a ti njerëzve u the: “Më besoni mua dhe nënën time si dy zota pos All-llahut!?”, ai nuk tha: Jo, nuk e kam thënë këtë, por tha: “Larg asaj të mete je Ti (o Zoti im). Nuk më takon mua ta them atë që s’është e vërtetë, ta kisha thënë unë atë, Ti do ta dije.” Pastaj e përmendi diturinë dhe sekretet që All-llahu i Madhërishëm i di, dhe tha:”Ti e di ç’ka në mua”, dhe më pas e përjashtoi veten nga dituria e tij për gjërat e fshehta që i di vetëm All-llahu dhe që janë të veçanta vetëm për Të, duke thënë “e unë nuk e di ç’ka në Ty. Ti je më i dijshmi i të fshehtave!”[2] Pastaj tha: “Nëse i dënon ata, në të vërtetë ata janë robër Tu, e nëse ua falë atyre, Ti je i gjithëfuqishmi, i urti.”[3] Kjo është prej edukatës më madhështore ndaj All-llahut në këtë situatë.

Ndërsa Ibrahimi alejhis-selam me një edukatë madhështore tha: “Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua. Dhe Ai që më ushqen dhe më jep të pijë. Dhe kur të sëmurem, Ai më shëron.”[4] Pra nuk ka thënë: Kur të më sëmurë, por kur të sëmurem, dhe kjo duke u kujdesur për edukatën ndaj All-llahut.

Po ashtu e kemi rastin e Hidrit alejhis-selam kur tha: “e unë desha ta bëj atë (anijen) me të meta”[5] e nuk ka thënë: Zoti yt deshi ta bëjë atë me të meta.

Po ashtu e kemi rastin e xhinnëve besimtarë kur thanë: “Ne nuk e dimë se me këtë (përgatitje të qiellit) është për qëllim ndonjë e keqe për ata që janë në tokë, apo Zoti i tyre dëshiron që ata t’i udhëzojë.”[6]

Ndërsa më madhështorja është fjala e Ademit alejhis-selam kur tha: “Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë vetvetes, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërruarve!”[7], e nuk tha: O Zot, Ti e kishe caktuar për mua të veproj kështu, ose diçka të ngjashme.

Po ashtu e kemi fjalën e Ejjubit alejhis-selam kur tha: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!”[8], pra nuk ia përshkroi belanë Zotit të tij, duke shprehur kështu edukatë të lartë ndaj Tij.[9]

[1] Kaptina En-Nexhm, ajeti 17.

[2] Kaptina El-Maide, ajeti 116.

[3] Kaptina El-Maide, ajeti 118.

[4] Kaptina Esh-Shuara’, ajetet 78-80.

[5] Kaptina El-Kehf, ajeti 79.

[6] Kaptina El-Xhinn, ajeti 10.

[7] Kaptina El-E’raf, ajeti 23.

[8] Kaptina El-Enbija’, ajeti 83.

[9] Shkëputur nga libri Medarixhus-Salikin (2/159-160). Autor: Ibën Kajjimi.