- T’i duam ata Çdo mysliman e ka për obligim t’i dojë sahabët e Pajgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase dashuria ndaj tyre do të thotë besim, ndërsa urrejtja ndaj tyre do të thotë hipokrizi. Na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shenjë e besimit është dashuria ndaj ensarëve, ndërsa shenjë e hipokrizisë është urrejtja ndaj ensarëve.”[1] Ndërsa në lidhje me ensarët ka thënë: “Ata nuk i do kush pos besimtarëve, ndërsa nuk i urren kush pos hipokritëve.”[2] Nëse kështu është puna me ensarët, atëherë muhaxhirët duhet dashur akoma më tepër, ngase ata përgjithësisht janë më të vlefshëm se ensarët për shkak të hershmërisë së tyre në islam, hixhretit dhe ndihmës ndaj Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Po ashtu në shumë tekste sheriatike ata përmenden para ensarëve, e ato tekste e sqarojnë vlerën e tyre dhe atë se çfarë shpërblime të mëdha All-llahu ka përgatitur për ta. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Edhe ata që kanë ardhur pas tyre e thonë: Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë që para nesh u pajisën me besim dhe mos lejo në zemrat tona farë urrejtjeje ndaj atyre që besuan. Zoti ynë, Ti je i butë, mëshirues!”[3]
Ibën Ebi Lejla thotë: “Njerëzit janë tri kategorish: Muhaxhirë, ata që përgatitën vendin (Medinen) dhe besimin,[4] dhe ata që kanë ardhur pas tyre.[5] Mundohu të mos dalësh jashtë këtyre kategorive.” Disa të tjerë kanë thënë: “Bëhu diell, e nëse nuk mundesh, atëherë bëhu hënë, e nëse nuk mundesh, atëherë bëhu yll ndriçues, e nëse nuk mundesh, atëherë bëhu yll i vogël, por assesi mos iu ndaj dritës. Kjo do të thotë: Bëhu muhaxhir, e nëse nuk mundesh, bëhu ensar, e nëse nuk mundesh, atëherë vepro sikur ta, e nëse nuk mundesh, atëherë duaji ata, kërko falje për ta ashtu siç All-llahu të ka urdhëruar.”[6]
- Pohimi i vlerës dhe pozitës së lartë të tyre
Ne si myslimanë, medoemos duhet ditur pozitën e tyre, si dhe duhet nderuar e respektuar ata.
Sahabët janë ata të cilëve All-llahu i Madhërishëm u është drejtuar me fjalët: “Ju jeni populli më i dobishëm.”[7] Po ashtu me fjalët: “Ne u bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në ditën e gjykimit) ndaj njerëzve.”[8] Ata pra, janë të parët, më të vlefshmit dhe më meritorët për të qenë pjesë e këtij ajeti. Po ashtu Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në hadithe autentike tregon se ata janë gjeneratat më të mira të këtij ummeti, janë njerëzit më të mirë që kanë ekzistuar ndonjëherë, dhe se në ditën e kiametit ata do të jenë njerëzit më të mirë tek All-llahu i Madhërishëm. Tekstet sheriatike si të kur’anit, po ashtu ato të sunnetit, të cilët i sqarojnë vlerat e sahabëve, lavdëratat për ta, premtimin për shpërblime të mëdha etj, janë në numër të madh.
- Marrja (e diturisë) prej tyre dhe pasimi i tyre
Edukata e tretë ndaj sahabëve është marrja e diturisë prej tyre dhe pasimi i tyre në dituri, punë, thirrje (në islam), urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja, në raportet e mira të tyre ndaj ummetit në përgjithësi, në ashpërsinë e tyre ndaj mosbesimtarëve, etj. Kjo, duke e pasur parasysh se ata janë njerëzit më të dijshëm të këtij ummeti në lidhje me qëllimin e All-llahut të Madhërishëm me fjalët e Tij dhe qëllimin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem me sunnetin e tij, janë më të saktët kur bëhet fjalë për të vepruarit me kur’an dhe sunnet, janë më të plotët kur bëhet fjalë për këshillimin e këtij ummeti, si dhe janë më të ruajturit e këtij ummeti nga pasimi i epsheve dhe bidati.
Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu thotë: “Kush dëshiron të pasojë dikë, le ta pasojë atë që ka vdekur, ngase i gjalli nuk e ka të sigurt se do t’i shpëtojë sprovës. Sahabët e Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem janë njerëzit me zemër më të mirë të këtij ummeti, më të dijshmit; All-llahu i Madhërishëm i zgjodhi që ata të jenë shoqëruesit e të dërguarit të Tij dhe ngritësit e fesë së Tij. Prandaj kijini parasysh meritat e tyre, kapuni për udhëzimin e tyre sepse ata janë në rrugën e drejtë.”[9]
[1] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (17) dhe Muslimi (74).
[2] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3783) dhe Muslimi (75).
[3] Kaptina El-Hashr, ajeti 10.
[4] Shih ajetin 9 të kaptinës El-Hashr. (shën. përkth.)
[5] Shih ajetin 10 të kaptinës El-Hashr. (shën. përkth.)
[6] Shkëputur nga Tefsiri i Kurtubiut (18/32,33).
[7] Kaptina Alu Imran, ajeti 110.
[8] Kaptina El-Bekare, ajeti 143.
[9] Shënon Ibën Abdul-Berri në librin e tij Xhamiu Bejanil-Ilmi ve Fadlihi (2/97), Hereviu (86) dhe në një transmetim tjetër prej tij nga Katadeja me zinxhir të ndërprerë të transmetimit. Këtë e ka thënë Shejh Albani në librin e tij El-Mishkah, fq. 193.
ww.thirrjaislame.com