Dora e Tij është e mbushur dhe nuk e pakëson atë asnjëfarë shpenzimi

Dora e Tij është e mbushur dhe nuk e pakëson atë asnjëfarë shpenzimi

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem thotë: “Dora e All-llahut është e mbushur dhe nuk mangësohet nga asnjëfarë shpenzimi natë e ditë.” Pastaj tha: “A e shihni se si Ai shpenzon qëkur i krijoi qiejt e tokën, ndërsa nuk është mangësuar aspak nga ajo që ka në Dorën e Tij. Arshi i Tij është mbi ujë, ndërsa në Dorën tjetër të Tij është mizani (peshorja), e ulë dhe e ngritë.”[8]

Zemrat dhe balluket e robërve të tij janë në Dorën e Tij. Kapistrat e të gjitha çështjeve varen nga caktimi i Tij. Në ditën e kiametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt, të mbështjella në të djathtën e Tij. Të gjitha qiejt i kap me Dorën e Tij, ndërsa toka do të jetë në Dorën tjetër të Tij. Pastaj i shkundë ato dhe thotë: Unë jam sundimtari… Unë jam sundimtari. Unë jam Ai që e krijova dynjanë ndërsa ajo akoma nuk ishte gjë ekzistuese. Po ashtu unë e kthej atë ashtu siç e krijova. Qiejt do t’i vendosë në njërin prej Gishtave të Tij, tokën në njërin Gisht, kodrat në tjetrin Gisht, pemët në Gishtin tjetër dhe ujin në Gishtin tjetër. Shtatë qiejt në Dorën e Tij do të jenë sikur një kokërr meli në dorën e njeriut. Sikur të gjitha krijesat që nga i pari e deri tek i fundit të bashkoheshin, nuk do të kishin mundësi të përfshijnë asgjë nga dituria e All-llahut të Madhërishëm.

All-llahu i Madhërishëm thotë: “(Përkujto) Atë ditë kur Ne e palojmë qiellin sikurse palimi i fletëve në libër. Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë. Ky është obligim Yni, e Ne e bëjmë këtë.”[9]

Po ashtu thotë: “Ata nuk e çmuan All-llahun me atë madhështinë që i takon, ndërsa në ditën e kiametit e tërë toka është në grushtin e Tij, e qiejt, të mbështjella në të djathtën e Tij. Ai është i pastër nga të metat dhe Ai është i lartë nga çka ata i shoqërojnë!”[10]

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Në ditën e kiametit All-llahu do ta kapë tokën ndërsa qiejt do t’i palosë me Dorën e Tij, e pastaj do të thotë: “Unë jam Sundimtari; ku janë sundimtarët e tokës?”[11]

Po ashtu ka thënë: “Qielli krikëllon dhe i takon (i ka hije) të krikëllojë. Në të nuk ka vend në madhësi të katër gishtave e të mos ketë një engjëll me fytyrë në se­xhde për All-llahun e Madhërishëm.”[12]

Sikur banorët e qiejve dhe të tokës që nga krijesa e parë dhe deri tek e fundit, dhe njerëzit e xhinnët të ishin të devotshëm sikur zemra më e devotshme e njërit prej tyre, kjo nuk do ta shtonte sundimin e Tij në asgjë. Sikur banorët e qiejve dhe të tokës që nga krijesa e parë dhe deri tek e fundit, dhe njerëzit e xhinnët të ishin të prishur si zemra më e prishur e njërit prej tyre, kjo nuk do ta mangësonte sundimin e Tij në asgjë.
Vëllai im i dashur… motra ime e shtrenjtë, sikur të gjithë drunjtë e tokës që nga koha kur ajo u krijua e deri sa të përfundojë të kishin qenë lapsa, ndërsa detit t’i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë me ngjyrë) dhe me ato lapsa e me atë ngjyrë të shkruhej, lapsat dhe ngjyra do të harxhoheshin, ndërsa fjalët e All-llahut të Madhërishëm nuk do të mbaronin. E si ka mundësi që fjalët e All-llahut të Madhërishëm të mbarojnë kur ato nuk kanë fillim e as mbarim, ndërsa gjëja e krijuar ka fillim e mbarim dhe prandaj është më e logjikshme t’i ekspozohet zhdukjes. E si ka mundësi që gjëja e krijuar ta asgjësojë gjënë e pakrijuar?!

All-llahu i Madhërishëm thotë: Vetëm të All-llahut janë të gjitha që gjenden në qiej e në tokë; All-llahu është Ai që s’ka nevojë dhe është i lavdishëm. Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë me ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e All-llahut (do të shteroheshin detet, do të soseshin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). All-llahu është ngadhënjyesi i urtë. Krijimi dhe ringjallja juaj nuk është më e rëndë se krijimi i një qenieje (një njeriu); vërtet, All-llahu është që i dëgjon e i sheh veprat e njerëzve.”[13]

Ai është i Pari dhe para Tij nuk pati asgjë. Ai është i Fundit dhe pas Tij nuk mbetet asgjë. Ai është i Dukshmi dhe mbi Të s’ka asgjë. Ai është i Padukshmi dhe nën Të s’ka asgjë. I Lartëmadhëruar është Ai.

Çdo gjë do të shkatërrohet përveç tij, çdo pasuri do të asgjësohet përveç pasurisë së Tij, çdo hije do të shkurtohet përveç hijes së Tij dhe çdo mirësi do të ndërpritet përveç mirësisë së Tij. Atij nuk mund t’i bëhet adhurim përveç me lejen dhe mëshirën e Tij, dhe nuk mund t’i mëkatohet përveç me dijen dhe urtësinë e Tij. Adhurohet, ndërsa Ai shpërblen, dhe i bëhet mëkat, ndërsa ai falë. Çdo dënim nga Ai është drejtësi dhe çdo begati nga Ai është mirësi.

Ai është më i madhi, më i fuqishmi, më i dijshmi dhe më i urti.
Me plotësinë e fuqisë së Tij, Ai i krijoi qiejt e tokën brenda gjashtë ditëve dhe nuk ndjeu lodhje.

Asnjëri nga krijesat e Tij nuk mund ta paaftësojë e ta dështojë Atë, por që të gjitha ato janë në Dorën e Tij kudo që të jenë. Të gjitha cilësitë e Tij janë të plota dhe të gjitha atributet e tij janë të larta.[14]

Pasi e mësuam vlerën e këtij Zoti të Madh, atëherë duhet mësuar edhe cilat janë sjelljet dhe edukata të cilat çdo mysliman duhet përvetësuar kundrejt All-llahut të Madhërishëm.

Në vazhdim do të përmendim edukatën që çdo mysliman duhet përvetësuar kundrejt Zotit të tij.

_____________________________

[8]. Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7419) dhe Muslimi (993) nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu.
[9]. Kaptina El-Enbija’, ajeti 104.
[10]. Kaptina Ez-Zumer, ajeti 67.
[11]. Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7382) dhe Muslimi (2787) nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu.
[12]. Hasen: shënon Ibën Merdivejhi. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1020) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[13]. Kaptina Lukman, ajetet 25-27.
[14]. Shkëputur nga libri La Tehzen Vebtesim Lil-Hajati, i vetë autorit, fq. 507-512, me ndërhyrje.

_____________________________

Shkëputur nga libri: Edukata Islame