DISPOZITA MBI NGRËNIEN E MISHIT TË KALIT

PYETJE: Cila është dispozita mbi ngrënien e mishit të kalit?

 

PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se mishi i kalit lejohet të hahet, duke u bazuar në disa hadithe të vërteta.

Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut në ditën e Hajberit e ka ndaluar ngrënien e mishit të gomarit të butë (shtëpiak,) ndërsa e ka lejuar mishin e kalit.” (Shënojnë Buhariu 3982 dhe Muslimi 1941).

Nga Esma’ bintu Ebi Bekri radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Në kohën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e therëm një kalë dhe e hëngrëm mishin e tij.” (Shënojnë Buhariu 5191 dhe Muslimi 1942).

Nga Xhabiri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Njëherë ishim në një udhëtim bashkë me të dërguarin e All-llahut, dhe gjatë udhëtimit hanim mish kali dhe pinim nga qumështi i pelave.” (Shënojnë Darekutniu dhe Bejhekiu. Neveviu thotë: Senedi i këtij hadithi është i saktë).

Ndërkaq, disa dijetarë të tjerë, si Ebu Hanifeja dhe dy nxënësit e tij, Ebu Jusufi dhe Muhammedi, janë të mendimit se ngrënia e mishit të kalit është mekruh (e urryer), dhe këtë mendim e mbështesin në një ajet dhe në një hadith.

Sa i përket ajetit, ai është: Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat edhe gomarët, për t’u hipur atyre dhe si stoli.” (En-Nahl 8). Ata thonë: All-llahu i Madhërishëm në këtë ajet nuk e ka përmendur ngrënien e mishit të tyre, ndërsa në ajetin para tij e ka përmendur ngrënien e mishit të kafshëve që përmenden në atë ajet.

Dijetarët e tjerë i janë përgjigjur këtij shpjegimi, duke thënë: “Të përmendurit e hipjes dhe stolisjes nuk argumenton se dobia e tyre është e përkufizuar vetëm në këto dy gjëra, por këto dy gjëra janë përmendur për shkak se janë gjëra që më së shumti përdoren te ato kafshë. I ngjashëm me këtë është edhe ajeti ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësirat, gjaku, mishi i derrit.” (El-Maide 3). Pra, këtu All-llahu i Madhërishëm e ka përmendur mishin ngase ajo është gjëja që më së shumti përdoret nga ajo kafshë. Por myslimanët unanimisht pajtohen se dhjami, gjaku dhe pjesët e tjera të trupit të derrit janë, po ashtu, të ndaluara.”

Ndërsa për sa i përket hadithit, nga Halid ibën Velidi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut e ka ndaluar mishin e kalit, mushkës, gomarit dhe të gjitha kafshëve me kthetra (mishngrënëse).”(Shënojnë Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibën Maxhe). Por ky hadith është daif (i dobët). Shejh Albani në librin e tij Daif Sunen Ebi Davud e ka klasifikuar si hadith daif.

“Hafidh Musa ibën Haruni thotë: Ky hadith është daif. Buhariu thotë: Ky hadith është jashtëzakonisht i dobët. Bejhekiu thotë: Senedi i këtij hadithi është i turbullt dhe në kundërshtim me senedet e transmetuesve të besueshëm, në hadithet e të cilëve mishi i kalit lejohet. Hattabiu thotë: Senedi i këtij hadithi është i dobët. Ebu Davudi thotë: Ky është hadith i abroguar. Nesaiu thotë: Hadithi që përmban lejimin e mishit të kalit është më i saktë dhe shton: Mesa duket, edhe sikur ky hadith të jetë i saktë, duhet të jetë i abroguar, bazuar në hadithin sahih ku thuhet: “E lejoi mishin e kalit”, që do të thotë se më parë ka qenë i ndaluar.” (El-Mexhmu’ 5/7-9).

All-llahu e di më së miri.

 

Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

www.thirrjaislame.com