Devotshmëria ndaj All-llahut të Madhërishëm

Kjo arrihet duke vendosur mes vetes dhe dënimit e ndëshkimit të All-llahut një mburojë me anë të veprimit të veprave të obliguara dhe largimit nga mëkatet dhe veprat e këqija si dhe duke e ditur se All-llahu ka mundësi të të ndëshkojë në çdo moment, por Ai të jep afat në mënyrë që të pendohesh e t’i kthehesh Atij. Kështu devotshmëria bëhet shkak që t’ia kesh frikën All-llahut dhe të largohesh nga gjërat që mund të shkaktojnë hidhërimin dhe dënimin e Tij.

Devotshmëria ka fryte të mëdha. Prej tyre po përmendim:

  1. Të qenët e All-llahut me robin e Tij, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: S’ka dyshim se All-llahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave).”[1] Të qenët e All-llahut të Madhërishëm me robin e Tij të devotshëm në vete ngërthen udhëzimin, përmirësimin, kujdesin, suksesin, nderimin, mëshirën, mbrojtjen etj.
  2. Shpëtimi nga kurthet e armiqve, sado që të jenë të mëdha ato. All-llahu i Madhërishëm thotë: “në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe u ruheni (mëkateve), dinakëria e tyre nuk do t’ju dëmtojë aspak.[2]
  3. Dallimi i të vërtetës nga e kota, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “O ju që besuat, nëse keni frikë All-llahun, Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’jua mbulojë të këqijat, do t’jua falë mëkatet.”[3] Pra, të devotshëmve All-llahu u jep një dritë dhe udhëzim me anë të të cilit janë në gjendje të dallojnë të vërtetën nga e kota, udhëzimin nga devijimi, kështu që ata nuk devijojnë e as nuk lajthisin si dhe nuk bien në rrugët e devijimit duke i menduar ato si rrugë udhëzimi.

ç. Mbulimi i të këqijave dhe falja e mëkateve

Këtë e vërejmë nga ajeti i sipërpërmendur dhe ajetet e tjera që kanë kuptim të ngjashëm me të. Devotshmëria është prej faktorëve më të mëdhenj për faljen e mëkateve dhe shlyerjen e të këqijave dhe gabimeve.

  1. Fitimi i mëshirës së All-llahut të Madhërishëm, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Mëshira ime ka përfshirë secilin send. Atë (mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (mëkateve).”[4] Pra ata që u ruhen mëkateve (të devotshmit) janë njerëzit më meritorë për mëshirën e All-llahut të Madhërishëm.
  2. Hyrja në xhennet dhe shpëtimi nga zjarri, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: Ato janë xhennetet që do t’ua trashëgojmë robërve Tanë që ishin të ruajtur.”[5] Po ashtu thotë: “Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t’i shpëtojmë ata që u ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t’i lëmë aty të gjunjëzuar.”[6] Kjo është një gjë që lidhet drejtpërdrejt me devotshmërinë.

[1] Kaptina En-Nahl, ajeti 128.

[2] Kaptina Alu Imran, ajeti 120.

[3] Kaptina El-Enfal, ajeti 29.

[4] Kaptina El-E’raf, ajeti 156.

[5] Kaptina Merjem, ajeti 63.

[6] Kaptina Merjem, ajeti 72.

 

www.thirrjaislame.com