Vëllezër të dashur,
Kjo është njëra prej edukatave të cilat argumentojnë për plotësinë dhe bukurinë e sheriatit islam, për atë se sheriati islam është i përshtatshëm për çdo kohë e vend, dhe se nuk ka gjë të mirë përveçse sheriati islam e ka nxitur atë, dhe nuk ka gjë të keqe përveçse sheriati islam ka tërhequr vërejtjen nga ajo gjë. Ai është një sheriat i plotë, dhe këtë e argumenton fjala e All-llahut të Madhërishëm: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.”[1]
Pra, ai është sheriat i plotësisë dhe të bukurës.
Abdurr-Rrahman ibën Jezidi thotë: “Një njeri e pyeti Selman el-Farisiun radijAll-llahu anhu: Pejgamberi juaj ju ka mësuar madje edhe pastrimin nga nevoja fiziologjike? Ai tha: Po.”[2]
Pastrimi pas nevojës fiziologjike është prej natyrshmërisë së njeriut, për shkak të pastërtisë së trupit.
Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Dhjetë gjëra janë prej fitres: shkurtimi i mustaqeve, lënia e mjekrës, misvaku, istinshaku (thithja e ujit me hundë gjatë avdesit apo guslit), shkurtimi i thonjve, larja e nyjave të gishtave, rruajtja e nënsqetullave, rruajtja e vendeve të turpshme, pastrimi me ujë pas mbarimit të nevojës fiziologjike dhe gargaritja.”[3]
Kjo është prej obligimeve me të cilat All-llahu e obligoi Ibrahimin alejhis-selam.
Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma në lidhje me ajetin: “Përkujto (O i dërguar) kur Zoti i vet, Ibrahimin e provoi me disa obligime, e ai i përmbushi ato.”, thotë: “E obligoi me pesë obligime në kokë dhe gjashtë të tjera në trup… Pesë të kokës janë: Shkurtimi i mustaqeve, gargaritja, istinshaku, misvaku dhe mbledhja (lidhja bisht) e flokëve. Ndërsa pesë të trupit janë: Shkurtimi i thonjve, larja e nyjave të gishtave, rruajtja e vendeve të turpshme, synetimi, rruajtja e nënsqetullave, pastrimi me ujë pas mbarimit të nevojës fiziologjike dhe mosurinimi në ujë të rrjedhshëm.”[4]
Një herë Ibën Semmaku hyri te Harun Err-Rreshidi (kalifi i besimtarëve) dhe e gjeti duke afruar ibrikun te goja për të pirë ujë. I tha: “Kërkoj nga udhëheqësi i besimtarëve para se ta pijë ujin ta pyes diçka. Pastaj i tha: “O udhëheqësi i besimtarëve, sikur dikush të të ndalonte të pish nga ky ujë, sa do të paguaje për të?” Ai tha: “Do të paguaja me gjysmën e pasurisë sime vetëm e vetëm të pija.” Ibën Semmaku tha: “Pi deri sa të ngopesh, All-llahu të bekoftë.” Pasi piu ujin, Ibën Semmaku e pyeti: “O udhëheqësi i besimtarëve, ç’do të kishe bërë sikur të mos kishe pasur mundësinë të nxjerrësh këtë ujë nga vetja, përveçse të paguaje tërë dynjanë me çka ka në të. A do ta bëje këtë? Ai tha: “Po.” Atëherë Ibën Semmaku tha: “E ç’të duhet gjëja (dynjaja) kur një pije uji është më e vlefshme se ajo?!”[5]
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Banorët e xhennetit hanë dhe pinë në të, nuk pështyjnë, nuk e kryejnë as nevojën e madhe e as të voglën, nuk i fryjnë hundët” (për t’i nxjerrë mbeturinat prej saj, shën. përkth.). Dikush pyeti: “E ç’bëhet me ushqimin e tyre?” Ai tha: “Ushqimi i tyre do të dalë me gromësimë dhe djersë që ka erë të myshkut dhe ata do të frymëzohen me tesbih[6] dhe tahmid.”[7]
Dikush mund të çuditet nga kjo gjë, por kjo është një gjë e mundshme dhe e lehtë. Esenca është që kur në një gjë nijeti është i mirë dhe vepruesi i respekton rregullat e sheriatit, kjo gjë shndërrohet në ibadet. Dihet se njeriu kur është në kaps, qoftë nga urina apo nevoja e madhe, ai nuk ndjehet i qetë dhe nuk mund të përqendrohet në ndonjë punë, madje nuk mund të punojë asgjë. Por kur ai lirohet nga ajo që ka në stomak dhe ndjehet i rehatshëm, e ka mundësinë të bëjë ibadetin pa pengesa. Veç kësaj, nëse ai nuk lirohet nga ajo që ka në stomak, kjo mund t’i shkaktojë sëmundje dhe gjëra të padëshirueshme, ndërsa prej tij kërkohet që të mos e dëmtojë veten, kështu që kryerjen e nevojës e bën me nijet që të lirohet nga gjërat që e dëmtojnë nëse mbesin në stomakun e tij si dhe të kthjellë mendjen e tij për përqendrim në ibadet ndaj All-llahut. Kështu bëhet nijeti i mirë për sa i përket kryerjes së nevojës fiziologjike.[8]
Këtë e bazojmë në hadithi që na e përcjellë Ebu Ejjub el-Ensariu radijAll-llahu anhu i cili thotë se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të kryeni nevojën e madhe, mos u ktheni me fytyrë e as me shpinë nga kibla, por me krahun e djathtë apo të majtë.” Ebu Ejjubi radijAll-llahu anhu vazhdon dhe thotë: “Kur shkuam në Sham, atje i gjetëm nevojtoret të ndërtuara në drejtim të Qabesë, kështu që ne ktheheshim anash dhe kërkonim falje nga All-llahu i Madhërishëm.”[9]
Por, në një hadith sahih, ibën Omeri radijAll-llahu anhuma thotë: “Një ditë isha hipur mbi shtëpinë time dhe e pashë të dërguarin e All-llahut hipur mbi dy tulla, duke kryer nevojën fiziologjike dhe ishte i kthyer nga Bejtul-Mekdisi.”[10]
Nëse Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë i kthyer nga Bejtul-Mekdisi, ndërsa ai ndodhej në Medinë, atëherë kjo i bie që ai të ketë qenë i kthyer me shpinë nga Qabeja!!
Por më e mira është moskthimi me fytyrë apo shpinë nga Qabeja. All-llahu e di më mirë.
[1] Kaptina El-Maide, ajeti 3.
[2] Sahih: shënon Muslimi (262).
[3] Sahih: shënojnë Ahmedi (24941), Sahih Sunen Ebi Davud (53) dhe Sahih el-Xhami’ (4009) të shejh Albanit.
[4] Shënon Abdurr-Rrezzaku në Musannef me sened sahih.
[5] Shkëputur nga libri Tehdhib Meuidhatil-Mu’minin min Ihjai Ulumid-Din (2/189).
[6] Tesbih: fjala ‘SubhanAll-llah’, si dhe të gjitha fjalët e tjera që shprehin madhërim të All-llahut. (shën. përkth.)
[7] Sahih: shënojnë Muslimi (2835) dhe Ahmedi (14857). Ndërsa teksti është shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 117-118. Autor: Muhammed Buhajri.
[8] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje, fq. 703. Autor: Abdul-Aziz Neda.
[9] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (394) dhe Muslimi (264).
[10] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (145) dhe Muslimi (266).
www.thirrjaislame.com