Category: Tema Islame

  • A ËSHTË ‘WhatsApp-i’ MË I RËNDËSISHËM SE FËMIJËT TANË?

    A ËSHTË ‘WhatsApp-i’ MË I RËNDËSISHËM SE FËMIJËT TANË?

    Në të kaluarën e afërt janë shkruar shumë artikuj për sa i përket ndikimit të shërbëtorëve shtëpiakë në edukimin e fëmijëve, pas përhapjes së shërbëtorëve nëpër shtëpitë tona. Gjithashtu, janë shkruar edhe shumë artikuj për sa i përket punës së grave jashtë shtëpisë dhe largimit të tyre nga edukimi i fëmijëve ose angazhimit të madh të baballarëve dhe mospasjes së kohës së mjaftueshme për edukimin e fëmijëve të tyre. Sot, nuk flasim më për shërbëtorët, punën e gruas dhe neglizhencën edukative, por sot, i gjithë përqendrimi i prindërve u kushtohet  rrjeteve sociale, saqë ata u shpërqendruan nga kujdesi për fëmijët dhe nga preokupimi me edukimin dhe udhëzimin e tyre.

    Kështu, shumë baballarë dhe nëna janë preokupuar intensivisht me mjete komunikative të cilat ofrohen falas, si WhatsApp, Tango, Viber, Skype, ose rrjete sociale, si Instagram, Twitter, Kik, Facebook, etj. E ndoshta programet që më së shumti u marrin kohë prindërve janë WhatsApp dhe Instagram, saqë brezi i sotëm u bë i njohur si brezi i “qafave të përkulura”, për shkak të përkuljes së madhe të kokës drejt telefonave të zgjuar. Sot, WhatsApp-i është ai që e menaxhon kohën tonë deri në atë shkallë saqë i kemi humbur ndjenjat për shijen e jetës dhe meditimin rreth natyrës, e kemi humbur mendimin rreth ngjarjeve dhe fokusimin në arritjen e qëllimeve tona. Sot, vëmendja jonë është e përqendruar në transmetimin e lajmeve dhe ndodhive përreth nesh, më shumë sesa në angazhimin me vetë ndodhinë që e kemi para vetes, kështu që p.sh. nëse dikush sheh ndonjë aksident automobilistik, gjëja e parë që i shkon ndërmend është transmetimi i këtij lajmi para se të mendojë dhe nxitojë në ndhimën e të lënduarve. Madje, ndodh që një njeri të vijë në shok-dhomën e spitalit ku janë të shtruar babai apo nëna e tij në momentet e fundit të jetës së tyre, ndërsa ai, në këto momente, më shumë merret me shpërndarjen e lajmeve nëpërmjet këtyre programeve sesa me angazhimin e tij për lutje dhe përkujdesje për ta. Ndodh që të shohësh fëmijë të shkujdesur dhe të anashkaluar, të paedukuar në shtëpinë e tyre, përderisa nëna e tyre gjendet në dhomën e gjumit duke shpërndarë foto apo video, ndërsa babai i tyre është i nxënë me shkëmbimin e teksteve humoristike dhe shakave me miqtë e tij.

    Disa prindër ankohen për preokupimin e fëmijëve të tyre me mjetet teknologjike. Por nëse shikojnë mirë, do të shohin se vetë ata janë të preokupuar me këto mjete më shumë se fëmijët e tyre, saqë kemi arritur në një kohë kur fëmijët tanë mund t’i përshkruajmë lirisht si “jetimë të teknologjisë”, dhe lidhja jonë me telefonat e zgjuar është bërë shenjë dalluese e kohës. Një herë më kujtohet kur një grua më tha: “Dëshira ime në jetë është sikur të isha një telefon i zgjuar, kështu që burri im dhe fëmijët e mi të më mbanin në dorë gjatë gjithë ditës.” Kjo shprehje e kësaj gruaje më bëri të buzëqesh për mënyrën se si e përshkroi situatën në të cilën jetojmë. Ndërsa para dy ditëve, një burrë u ankua tek unë për gruan e tij dhe lidhjen e saj të tepërt me shoqet e saj në WhatsApp, dhe lidhjen e saj me publikimin e lajmeve me anë të Instagramit, dhe e gjithë kjo në llogari të përkujdesjes ndaj shtëpisë, edukimit të fëmijëve dhe ndjekjes së mësimeve të tyre.

    Të ndikuar nga lidhja e tepërt me teknologjinë e shpejtë dhe telefonat e zgjuar, prindërit dëshirojnë që edhe problemet e tyre edukative t’i zgjidhin shpejt, me të njëjtin ritëm. Ata mendojnë se problemet edukative zgjidhen lehtë e shpejt, me një seancë dhe me një këshillë të vetme, sikur ngrohja e ushqimit në mikrovalë. Realizimi i këtij “edukimi mikrovalik” është i pamundshëm praktikisht, ngase njeriu nuk është vegël ose makinë, por ai ka nevojë për durim, këshilla të përsëritura dhe precizitet në vazhdimësi. Po ashtu ai ka nevojë për fleksibilitet në trajtimin e tij me qëllim të përmirësimit të sjelljes së tij dhe edukimit të mirë.

    Prandaj, prindërit e kanë humbur kontrollin ndaj edukimit të fëmijëve të tyre në ushqim, veshje, etikë dhe shkathtësi të ndryshme, për shkak të preokupimit të tyre me veten dhe teknologjinë që e kemi para nesh. Fëmijët filluan të ankohen nga mbipesha, të kequshqyerit, humbja e oreksit, shumë sëmundje mendore dhe dhuna, që vjen si rezultat i mosinteresimit të prindërve për ta. E gjithë kjo për shkak të aplikacionit WhatsApp, në të cilën për çdo ditë, sipas statistikave, përcillen të paktën 27 miliardë mesazhe, saqë është bëre një çerdhe e skandaleve, zbulimit të sekreteve, kërcënimeve dhe shkurorëzimeve, dhe mënyrë për të hequr të gjitha emocionet e ndrydhura dhe për të parë skena pornografike.

    Para dy ditësh kontaktova me një grup në “Kik”, në temën “Mami dhe Babi në internet online”, shumica e pasuesve të të cilit ishin djem të ri dhe vajza të reja, dhe me këtë rast, atyre u thashë: Prindërit janë bërë “online” me miqtë e tyre dhe janë lidhur me ta më shumë sesa me fëmijët e tyre. Pastaj, u thashë atyre me shaka: Ndërsa me fëmijët e tyre janë bërë “offline”. Vetëm brenda pak orësh, ky postim morri mbi 4000 pëlqime dhe mbi 100 komente nga të rinjtë e të rejat. Në vazhdim po përmend disa komente që më tërhoqën vëmendjen. Njëri thoshte: “Ata neve na thoshin: Lërini telefonat, ndërsa tani janë bërë sikur ne.” Tjetri thoshte: “Madje edhe shërbëtorët tanë janë bërë si babai dhe nëna.” Një tjetër thoshte: “Nëna ime e la përkujdesjen për ne dhe u largua nga televizori, dhe tani 24 orë është online në WhatsApp.” Ndërsa një tjetër thoshte: “Babai im ka shoqe dhe është bërë i varur nga WhatsApp.” E një vajzë thoshte: “Nëna ime është e zënë me WhatsApp,  ndërsa babai im me shëtitje dhe pushime.”

    Ne nuk jemi kundër përdorimit të mjeteve apo teknologjisë së komunikimit, por ne i japim rëndësi prioriteteve në jetën shoqërore. E pa dyshim, prioriteti më i lartë është të ndërtojmë një familje të qëndrueshme, të lumtur dhe të lidhur mes vete. Kjo nuk arrihet ndryshe veçse me përkushtim ndaj edukimit, dialogut dhe përhapjes së dashurisë. Kjo trilogji ka nevojë për kohë derisa të zëjë vend në familje.

    Po përfundoj duke përmendur rastin e një prindi që i kishte sugjeruar familjes së tij që një ditë ta kalojnë pa përdorim të telefonave të zgjuar dhe kishte pasur sukses, siç thotë ai, në zbatimin e kësaj përvoje. Por, kryesorja është që “WhatsApp-i” të mos jetë më i rëndësishëm se fëmijët tanë.

     

    www.thirrjaislame.com

    Shkroi: Dr. Xhasim EL-MUTAVVA

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

  • FITORJA ËSHTË NJË ÇAST DURIMI

    FITORJA ËSHTË NJË ÇAST DURIMI

    Është kjo një thënie për të cilën disa mendojnë se është hadith, por gjatë hulumtimit erdhi deri te përfundimi se nuk është ashtu. Sipas mendimit më të saktë, kjo është një fjalë e thënë nga luftëtari hero, mrekullia e islamit dhe Shamit, komandanti i patrembur, Ebu Abdullah El-Bettal, me fjalët: “Trimëria është një çast durimi.”

    Këtë fjalë atij ia atribuoi Imam Dhehebiu në librin e tij Tarihul-Islam, ku thotë: “Nga Ebu Bekr ibën Ajjashi na përcillet se ka thënë: E pyetën Bettalin: Ç’është trimëria? – Një çast durimi.” – u përgjigj ai.

    Po ashtu ia atribuoi edhe Ibën Asakiri në librin e tij Tarihu Dimeshk, si dhe Ibën Rexhebi në librin e tij Xhamiul-Ulumi vel-Hikem, gjatë komentit të hadithit të nëntëmbëdhjetë.

    Imam Dhehebiu në librin e tij Sijer E’lamin-Nubela’, në lidhje me Ebu Abdullah El-Bettalin thotë: “Trimi dhe komandanti më i madh, Ebu Muhammed Abdullah El-Bettal, njëri nga prijësit më të spikatur të Shamit i cili i tmerroi dhe gjunjëzoi romakët. U vra në vitin njëqind e dymbëdhjetë (sipas kalendarit hixhij).”

    Prej haditheve me kuptim më të përafërt me fjalën e Bettalit është hadithi: “Fitorja arrihet me durim.” Ky është një hadith sahih të cilin e shënon Ahmedi dhe disa të tjerë nga Ibënn Abbasi radijAll-llahu anhuma. Ibën Haxheri e ka klasifikuar si hadith hasen, ndërsa Shejh Albani, Ahmedi Shakiri dhe disa të tjerë e kanë klasifikuar si hadith sahih.

    Ky hadith i bekuar dhe kjo fjalë e sinqertë “Trimëria është një çast durimi” është një fjalë përmbledhëse që e ngërthen jetën e njeriut nga të gjitha anët dhe është e përshtatshme për të udhëhequr të gjitha rastet që kanë të bëjnë me jetën e kësaj bote dhe botës tjetër.

    Ky çast durimi i përfshinë të trija llojet e njohura të durimit, e që janë durimi në adhurime, durimi ndaj mëkateve dhe durimi ndaj caktimeve të mundimshme të All-llahut.

    Ky çast durimi nuk ka të bëjë veçanërisht me luftën, edhe pse më së shumti ka të bëjë me të, duke e pasur parasysh momentin e takimit të ushtrive dhe intensifikimit të luftës si dhe ndeshjes së dy taboreve. Në këtë rast korrë fitore ai që i përmbahet durimit. Prandaj All-llahu i Madhërishëm i porosit robërit e tij me durim duke thënë: O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqëndrohuni dhe përmendni çdo herë All-llahun, që ta arrini fitoren e dëshiruar. Dhe respektojeni All-llahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se All-llahu është me të durueshmit.” (El-Enfal 45-46)

    Fjalën e Bettalit “Trimëria është një çast durimi” më së miri e ilustron transmetimi i disa letrarëve nga Antere ibën Sheddadi, të cilin dikush e pyeti: Arabët si i fituan luftërat? – Me durim, – u përgjigj ai. Një njeri trim i tha: Si mund të jesh durimtar kur unë jam më durimtar se ti? Antere i tha: Ma afro gishtin dhe ti kape gishtin tim. Ti kafshoje gishtin tim e unë tëndin dhe të shohim se kush është më durimtar. Kështu që të dy i futën gishtat në gojën e njëri-tjetrit, pastaj i tha kafsho, dhe që të dy kafshuan gishtat e njëri-tjetrit. Sapo i kafshuan, njeriu piskati: Aaaah! Me këtë rast, Antere i tha: Sikur të duroje pakëz, do piskatja unë i pari.

    Durimi ndaj fatkeqësive dhe sprovave

    Fatkeqësitë dhe sprovat mund të jenë të mëdha dhe si rrjedhojë, kanë nevojë për një durim të mirë, racionalizëm dhe besim të fuqishëm. Ka ca njerëz të cilët fatkeqësia dhe sprova i huton, durimi i lëshon dhe kështu humbasin shpërblimin e madh. E sikur të duronin për një çast, do të arrinin shpërblimin dhe do të bëheshin shembull për të tjerët.

    Shënojnë Buhariu dhe Muslimi nga Enesi radijAll-llahu anhu i cili thotë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kaloi pranë një gruaje, e cila vajtonte mbi një varr dhe i tha: “Kije frikë All-llahun dhe bëj durim”! Ajo tha: “Largohu prej meje, sepse ty nuk të ka goditur ajo që më ka goditur mua”. Mirëpo, ajo nuk e njohu kush ishte. Dikush i tha: “Ai është pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem”. Ajo menjëherë shkoi te shtëpia e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tek e cila nuk gjeti roje, dhe i tha: “Nuk të njoha”. Ai ia ktheu: “Durimi njihet në goditjen e parë.”

    Durimi ndaj mëkateve

    Shpëtimi nga gjërat destruktive, rrugët e këqija, sprovat e ndryshme, joshësit e epshit dhe mëkatet, po ashtu mund të evitohen me një çast durimi.

    Serrij ibën Dinari njëherë shkoi në Egjipt dhe u vendos në një shtëpi. Një grua dëgjoi për ardhjen e tij dhe tha: Do ta vë në sprovë. Kështu, trokiti në derën e tij. Kur ai e hapi derën, ajo hyri me shpejtësi, e mbylli derën dhe iu ekspozua atij. Ai e pyeti: Ç’po bën kështu? Ajo tha: A ke një dyshek të butë? Me të dëgjuar këto fjalë, ai e hapi derën dhe iku me vrap.

    I ngjashëm është rasti me Rebi’ ibën Huthejmin, kur një grua bënte sikur dëshironte ta pyeste diçka, dhe papritmas iu ekspozua, ndërsa Rebiu filloi së qari. Ajo e pyeti: Përse po qan? – Po qaj për këtë fytyrë të cilën rruga e devijimit po mundohet ta tërheqë dhe pastaj në xhehennem të duket një kafkë e djegur, – iu përgjigj ai.

    Kur një grua e zbukuruar kalon pranë një të riu mysiman, ai ose do t’i përgjigjet thirrjes së shejtanit dhe epshit dhe do të hedhë një shikim në atë që All-llahu ia ka ndaluar, ose shejtani do të mundohet t’ia marrë mendjen në kontroll, ose do të shkojë pas saj dhe do të përpiqet të bëjë imoralitet. Ose e fundit është që kjo të përfundojë me një shikim syri, dëshirë për imoralitet dhe cytje nga nefsi, dhe më në fund shikimi mbaron, kënaqësia e mëkatit ikën, por mëkati mbetet.

    Alternativa tjetër është që të durojë një çast dhe ta ulë shikimin për disa çaste derisa ajo të kalojë, kështu që e mbron fenë dhe zemrën, dhe e fiton embëlsinë e besimit, kënaqësinë dhe shpërblimin e të Gjithëmëshirshmit. Kështu, vetëm një çast ulje shikimi bën që ai ta fitojë shejtanin dhe epshin e tij, dhe t’i përulet Zotit të tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. All-llahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata.” (En-Nur 30). Fitorja pra, është një çast durimi.

    Në qetësinë e natës dhe pakujdesinë e njerëzve në lidhje me atë se çfarë e joshë robin nga “lundrimi” nëpër kanalet e haramit dhe argëtimi me atë që mund të jetë e ndaluar praktikisht, një çast durimi është ajo që e mbron dhe kështu shejtani shtanget, i Gjithëmëshirshmi kënaqet dhe njeriu shpëton.

    Jusufi alejhis-selam duroi një çast dhe shiko se ky çast durimi deri ku e ngriti atë në dynja e ahiret.

    Ismaili alejhis-selam duroi një çast gjatë sprovës së therjes dhe shiko se si u bë halli me të dhe si e lavdëroi Zoti i tij me fjalët: “Përkujtoju në këtë Libër Ismailin! Ai ka qenë shumë besnik në premtim (premtoi të bëhet kurban) dhe i dërguar, pejgamber.” (Merjem 54)

    Po ashtu, Ejjubi alejhis-selam i duroi sëmundjes, humbjes së pasurisë, familjes dhe fëmijëve, por nuk u dëshpërua, nuk u bë kundërshtues dhe nuk angulloi, por u pajtua me caktimin e All-llahut dhe bëri durim, ndërsa si rezultat i durimit të tij ishte se All-llahu ia kompenzoi familjen, pasurinë dhe fëmijët sa dyfishi i tyre si mëshirë nga All-llahu, e pastaj e lavdëroi atë me lavdërimin më të bukur duke thënë: Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti.” (Sad 44)

    Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma thotë: “Njeriu nuk e arrin dot imanin e qartë derisa të bindet se All-llahu i Madhërishëm e sheh, kështu që nuk vepron në fshehtësi asgjë me të cilën do të turpërohej në ditën e kiametit.”

    Durimi në adhurime

    Prej llojit të këtij durimi është edhe durimi në fushën e adhurimeve. Fitorja në këtë fushë po ashtu arrihet me një çast durimi. All-llahu i Madhërishëm thotë: ”E ata, të cilët luftuan për hirin Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bëmirësve.” (El-Ankebut 69)

    Njeriu nuk e gjen dot kënaqësinë e adhurimit, ëmbëlsinë e nënshtrimit ndaj All-llahut, lumturinë e jetës nën kënaqësinë e All-llahut, si dhe adhurimi nuk i fut dot qetësinë në shpirt e as rehati në në zemër, përveç nëse duron gjatë adhurimit dhe përpiqet me veten e tij të jetë i përpiktë në të e më pas e ndjen kënaqësinë e adhurimit tek vetja. Vetëm në këtë rast dashuria dhe gëzimi për adhurimin arrijnë të depërtojnë në shpirt e zemër, dhe vazhdojnë të shtohen derisa të mbushin zemrën krejtësisht saqë robi nuk e gjen gëzimin dhe qetësinë përveçse në të, siç thotë zotëria i adhuruesve, pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Gëzimi im më i madh është në namaz.”

    Prandaj medoemos duhet pasur durim gjatë adhurimeve sepse adhurimi shoqërohet me lodhje fizike, dhe duhet adaptuar veten me të gradualisht. Lodhja është pjesë përbërëse e adhurimit dhe sidomos ndjehet në fillim por më pas vjen kënaqësia e adhurimit, siç thotë Ibën Kajjimi: “Në fillim, adhuruesi ballafaqohet me lodhje dhe vështirësi të dispozitave fetare për shkak të mosmishërimit të zemrës së tij me të adhuruarin e tij (All-llahun). E kur zemra arrin frymën e mishërimit, atëherë lodhja dhe vështirësitë largohen prej tij dhe adhurimi i shndërrohet në gëzim, fuqi dhe kënaqësi.”

    Thabit El-Bunaniu thotë: “E kam përballuar namazin e natës për njëzet vjet, dhe kam përjetuar kënaqësinë e tij për njëzet vjet të tjera.”

    Kjo çështje është ashtu siç thotë All-llahu i Madhërishëm: ”E ata, të cilët luftuan për hirin Tonë, Ne me siguri do t’i orientojmë rrugës për te Ne, e nuk ka dyshim se All-llahu është në krahun e bëmirësve.” (El-Ankebut 69). Ose ajeti tjetër: “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgaditur dhe ruajuni dënimit të All-llahut, që të shpëtoni.” (Alu Imran 200)

    Dhe dijeni se “Fitorja është një çast durimi.”

     

    www.thirrjaislame.com

    Marrë nga faqja islamweb.net

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

  • IKJA NGA RRUGËT E MËKATEVE

    IKJA NGA RRUGËT E MËKATEVE

    Kush i afrohet tundimeve (fitneve), prej tij largohet shpëtimi… Është kjo një thënie e bukur dhe një këshillë fisnike që përfaqëson një rregull real dhe aktual, dhe të cilën e ka ka përmendur imam Ibën Xheuziu në librin e tij të shkëlqyer Sajdul-Hatir, për secilin që synon shpëtimin për sa i përket fesë dhe jetës së kësaj bote.

    Pa dyshim, këtë thënie ai e ka marrë nga fjalët e All-llahut, fjalë këto, të cilat All-llahu i Madhërishëm ua drejton besimtarëve në librin e Tij Madhështor duke ua tërhequr vëretjen nga mëkatet dhe rënia në to, kështu që ndalon afrimin tek ato dhe thirr në largim prej tyre para se të ndalojë rënien në to. Kjo, ngase afrimi ndaj tundimeve dhe mëkateve ndikon në veprimin e vet mëkateve. All-llahu i Madhërishëm thotë: Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” (El-Isra’ 32). Po ashtu thotë: “Mos iu afroni pasurisë së jetimit ndryshe vetëm në mënyrë më të mirë (për t’ia shtuar), derisa ai ta arrijë pjekurinë e vet.” (El-Isra’ 34). Po ashtu thotë: “Të mos u afroheni mëkateve të hapta apo të fshehta.” (El-En’am 151).

    Kush e kullotë bagëtinë rreth kufijve të arës, do të hyjë në arën e tjetrit

    Njeriu vazhdon të jetë mirë derisa të qëndrojë larg tundimeve, mëkateve dhe të këqiave. Kur i shfaqen, ai largohet prej tyre, ndërsa kur sheh se ato i vijnë nga mbrapa, ai ikën prej tyre me vrap dhe ia mbyll vetes dyert që të shpiejnë te to dhe kështu jeton në qetësi dhe rehati.

    Por kur troket në derën e tundimeve dhe ndjek rrugët e epsheve duke u bërë i luhatshëm ndaj largimit të tyre dhe duke mos i mbyllur dyert e joshjeve, atëherë atij i hapen dyert e belasë. Sa e sa njerëz kanë dështuar pasi kanë qenë të përqendruar dhe sa e sa njerëz para se t’i bartë përroi i vrullshëm e t’i fundosë në det kanë jetuar në komoditet në bregdet.

    Ikja nga tundimet e mbron njeriun nga zhytja në mëkate. Ndërsa nga ana tjetër, ai që ia lejon vetes të zhytet në gjëra të dyshimta dhe fillime të harameve, në të shumtën e rasteve bie në haram, kështu që kur i ekspozohet tundimeve, ato i duken si diçka e mirë. Ai që kullot bagëtinë rreth kufijve të arës, pritet që së shpejti të hyjë në arën e tjetrit. Kush është tolerant ndaj gjërave të dyshimta, me siguri do të bjerë në haram, siç thotë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Andaj kush ruhet nga gjërat e dyshimta e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet. Ndërsa kush bie në to, ka rënë në haram. (Kjo është) ngjashëm me çobanin që e kullot bagëtinë përreth tokës së ruajtur (të dikujt tjetër); nga çasti në çast pritet që bagëtia e tij të futet aty. Vërtet, çdo mbret ka kufijtë e vet dhe kufijtë e All-llahut janë ndalesat e Tij.” (Buhariu dhe Muslimi)

    Sa e sa të rinj kanë qenë të ndershëm derisa Iblisi nuk i ka joshur të shikojnë foto të grave lakuriqe – qoftë edhe nga kurioziteti – dhe kështu kanë dështuar, zemra u është lidhur dhe janë zhytur në baltë derisa tërë dita u kalon duke kërkuar gjëra të reja e të çuditshme dhe nuk ndalen dot së kërkuari. Shembulli i tyre është sikur njeriu i cili pi ujë nga deti, kështu që sa më shumë që pi, aq më shumë i shtohet etja. Sa herë që dëshiron të pendohet, nuk ia del dot. Sa herë që ia jep besën Zotit se do të largohet, nuk e mban dot fjalën, epshi e mbizotëron dhe kthehet ashtu si ka qenë, madje edhe më fuqishëm. E sikur ta kishte mbyllur derën që nga fillimi, do ta gjente shpëtimin.

    Heqja e dëgjueseve të telefonit gjatë dëgjimit të zërave romantikë është i mjaftueshëm për parandalimin e ndodhive të hidhura të njerëzve të cilët kanë qenë të shkujdesur ndaj refuzimit të dyerve të sherrit, dhe si pasojë janë shkatërruar shtëpi, janë përçarë familje, kanë ndodhur tradhti bashkëshortore dhe marri të zhurmshme. Episode të këtilla sot e kësaj dite akoma përsëriten. E kush nuk merr mësim nga të tjerët, këshillat nuk i sjellin dobi.

    Sa e sa njerëz kanë rënë në imoralitet për shkak të një shikimi. Shikimi, siç thotë Ibën Kajjimi, është esenca e pjesës më të madhe të gjërave të cilat i ndodhin njeriut. Kështu, shikimi mbjell kujtesën, e kujtesa mbjell mendimin. Pastaj mendimi mbjell epshin, e epshi mbjell dëshirën, e cila shkon duke u përforcuar dhe mbjell vedosmërinë e prerë, dhe kështu vjen deri te vepra (imoraliteti), nëse nuk paraqitet ndonjë pengesë. Prandaj në këtë kontekst është thënë: “Durimi për uljen e shikimit ëhtë më i lehtë sesa durimi i dhembjes që pason pas tij.” (Sajdul-Hatir, fq. 41)

    Sikur njeriu të mbyllte sytë një herë, do t’ia mbyllte derën Iblisit dhe do të jetonte në shpëtim.

    Një shenjë e mendjes dhe imanit

    Mbyllja e derës së tundimeve dhe largimi nga faktorët e mëkateve dhe gabimeve është shenjë e mendjes së shëndoshë dhe fuqisë së imanit dhe fesë, ndonëse disa prej njerëzve mund të mashtrohen nga ndonjë segment i fesë, mirësisë, moralit të mirë që kanë dhe përqendrimit të tyre në fe, kështu që duke pasur mendim të mirë për veten, bëhen tolerantë, shkujdesen dhe harrojnë se rrugët e shejtanit janë të shumta, metodat e tij janë të shumëfishta dhe nuk kanë të mbaruar. Ata po ashtu harrojnë se shejtanin kurrë nuk e kaplon pesimizmi nga ndonjë njeri derisa këtij të fundit shpirti t’i ndahet nga trupi, si dhe se ai është më i kujdesshëm për njerëzit e përqendruar sesa për të tjerët.

    Duke e pasur parasysh se shejtani e njeh shpirtin dhe i di gjërat që e joshin atë, ai e ka mundësinë të depërtojë tek ai nga çdo rrugë e mundshme. Kur atij i mbyllet një derë, ai hyn nga një tjetër. Ndodh që ai t’i hapë robit njëqind dyer të hairit vetëm e vetëm për ta futur në një derë të sherrit, e ndoshta kjo e fundit është ajo shkatërrimtarja. All-llahu i Madhërishëm na e ka tërhequr vërejtjen nga hapat e tij duke thënë: O ju të cilët besuat, mos shkoni gjurmëve të shejtanit.” (En-Nur 21)

    Një njeri i devotshëm nga Benu Israilët devijoi pas një kohe të gjatë që kaloi në ibadet, dhe kjo vetëmse nuk i evitoi nga vetja hapat e shejtanit, i cili nuk ndaloi së punuari me të derisa e shtyu të bëjë imoralitet dhe vrasje. Por ai nuk mjaftoi me kaq dhe vazhdoi ta mashtrojë derisa ai i bëri kufër All-llahut, Zotit të Botëve. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata (hipokritët) janë shembull si djalli, kur i thotë njeriut: “Refuzo besimin!”, e kur ai ta ketë refuzuar, ai (djalli) tërhiqet e thotë: “Unë tërhiqem prej teje; unë i frikohem All-llahut, Zotit të të gjitha botëve!” (El-Hashr 16)

    Prandaj, mos ia ekspozo veten sprovave, dhe ik prej mëkateve ashtu siç ikën nga luani, ngase sprovat janë më të egra se luani. Ruaju nga shigjetat e veprave të këqija, ngase ato shkaktojnë plagë të cilat t’i hapin dyert e zjarrit dhe kështu ta djegin imanin e zemrës. Prej kësaj nuk të shpëton gjë tjetër veçse largimi dhe ikja prej tyre. Prandaj, kush i afrohet tundimeve (fitneve), prej tij largohet shpëtimi.

     

    Marrë nga faqja islamweb.net

    Përkthyes: Fahrudin REXHEPI

    www.thirrjaislame.com

  • Vlera e dhjetë ditëve e para të muajit Dhul-Hixhe

    Vlera e dhjetë ditëve e para të muajit Dhul-Hixhe

    Pyetja:Dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe a kanë me shumë vlerë se ditët e tjera të vitit? Dhe cilat janë veprat të cilat preferohet të shpeshtohen gjatë këtyre ditëve?

    Përgjigjja:

    Falënderimi i takon All-llahut…

    Prej kohëve të përshtatshme dhe madhështore për adhurime janë edhe dhjetë ditët e para të muajit Dhul-Hixhe. Këto ditë All-llahu i Madhërishëm i ka vlerësuar më tepër sesa ditët e tjera të vitit. Nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që veprat e mira të birit të Ademit të jenë më të dashura tek All-llahu i Madhërishëm sesa në këto dhjetë ditë.” Të pranishmit thanë: As lufta në rrugën e All-llahut?! (Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “As lufta në rrugën e All-llahut përveç atij që del për të luftuar vetë bashkë me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre.” (Buhariu 2/457)

    Po ashtu nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka vepër më të pastër dhe më të shpërblyertek All-llahu i Madhërishëm sesa vepra e mirë që bëhet në këto dhjetë ditë.” Dikush pyeti: As lufta në rrugën e All-llahut?! (Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem) tha: “As lufta në rrugën e All-llahut të Madhërishëm, përveç atij që del për të luftuar vetë bashkë me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën prej tyre.” (Darimiu 1/357, ndërsa senedi i këtij hadithi është Hasen, siç përmendet në Irvaul-Galil  (3/398)

    Këto tekste sheriatike argumentojnë se këto dhjetë ditë janë më të vlefshme se çdo ditë tjetër e vitit pa përjashtim, madje edhe më të vlefshme se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Por netët e dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit janë më të vlefshme se dhjetë netët e para të muajit Dhul-Hixhe për shkak të natës së Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. (Shih Tefsirin e Ibën Kethirit 5/412)

    Prandaj, myslimani duhet filluar këto dhjetë ditë me pendim të sinqertë tek All-llahu i Madhërishëm, si dhe duhet shpeshtuar veprat e mira në përgjithësi, por theks të veçantë duhet t’u kushtojë veprave që do t’i përmendim në vijim:

    1. Agjërimi

    Sunnet është që myslimani të agjërojë ditën e nëntë të Dhul-Hixhes, duke e pasur parasysh se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka nxitur në vepra të mira në dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes, ndërsa siç e dimë, agjërimi është prej veprave më të vlefshme, të cilin All-llahu i Madhërishëm e ka zgjedhur për Veten e Tij, siç ka thënë në hadithin Kudsij: “Çdo vepër e birit të Ademit i përket atij përveç agjërimit. Agjërimi është i Imi dhe Unë për të shpërblej.” (Buhariu 1805)

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e agjëronte ditën e nëntë të Dhul-Hixhes. Nga Hunejde bin Halidi radijAll-llahu anhu na përcillet se gruaja e tij i ka dëgjuar disa prej grave të pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lemduke thënë: “I Dërguari i All-llahut agjëronte ditën e nëntë të Dhul-Hixhes, ditën e ashurës si dhe tre ditë nga çdo muaj, të hënën e parë të muajit dhe dy të enjte.” (Nesaiu 4/205 dhe Ebu Davudi. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith sahih në Sahih Sunen Ebi Davud2/462)

    1. Shpeshtimi i tahmidit, tehlilit dhe tekbirit

    Prej sunnetit është që gjatë dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes të shpeshtohet tahmidi, tehlili, tekbiri dhetesbihu dhe kjo të bëhet me zë nëpër xhami, shtëpi, rrugë dhe në çdo vend ku lejohet përmendja e All-llahut, duke pasur për qëllim shfaqjen e adhurimit dhe madhërimin e All-llahut të Madhërishëm.

    Kjo vlen për burrat, ndërsa gratë këtë duhet bërë pa zë.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe për që i ka furnizuar me kafshë.” (El-Haxh, ajeti 28)

    Ndërsa për sa i përket fjalëve “në ato ditë të caktuara”, shumica e dijetarëve janë të mendimit se me to është për qëllim dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes duke marrë si argument transmetimin nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma i cili thotë: “Ditët e caktuara janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.”

    Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Nuk ka ditë më madhështore dhe më të dashura tek All-llahu për sa i përket veprave të mira në to, sesa dhjetë ditët e Dhul-Hixhes. Prandaj shpeshtoni në këto ditë tahlilin, tekbirin dhe tahmidin.”(Ahmedi 7/224, ndërsa Ahmed Shakiri thotë se senedi i hadithit është sahih)

    Njëra prej formave të tekbirit është: All-llahu EkberAll-llahu Ekber, La ilahe Il-lAllah, vAll-llahu Ekberu ve Lil-lahil Hamd. Po ashtu ka edhe forma të tjera.

    Tekbiri në kohët e sodit është vënë në harresë, e sidomos në fillim të muajit, kështu nuk e dëgjon atë përvese nga një pakicë njerëzish. Prandaj duhet bërë atë me zë, për të ringjallur këtë sunnet dhe për t’i vetëdijësuar të shkujdesurit. Transmetohet se Ibën Omeri radijAll-llahu anhu dhe Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu gjatë dhjetë ditëve të para të Dhul-Hixhes dilnin në treg dhe bënin tekbirin me zë, ndërsa njerëzit iu bashkëngjitnin atyre në tekbir. Qëllimi i kësaj është që njerëzit të përkujtojnë tekbirin dhe çdonjëri ta bëjë atë mëvetësisht e jo njëzëri në mënyrë grupore, ngase nuk ka argument për një gjë të tillë.

    Ringjallja e sunneteve të zhdukura apo që janë në zhdukje e sipër ka shpërblim të madh, siç thotë pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: Kushdo që e ringjall një sunnet timin që ka vdekur pas meje, do ketë shpërblim sa shpërblimi i atyre që punojnë me të, pa iu pakësuar fare shpërblimi atyre.” (Tirmidhiu 7/443. Ky është hadith hasen për shkak të haditheve të tjera që janë transmetuar në këtë kuptim.)

    1. Kryerja e haxhit dhe Umres

    Prej veprave më të vlefshme gjatë këtyre dhjetë ditëve është haxhi në Shtëpinë e Shenjtë të All-llahut. Kujt All-llahu i mundëson bërjen e Haxhit në formën e kërkuar, inshaAllah do të ketë hise në atë që thotë i dërguari i All-llahut: “Haxhi i bërë me të gjitha rregullat siç duhet, nuk ka shpërblim tjetër përveçse xhennetit.”

    1. Kurbani

    Prej veprave të lavdëruara gjatë këtyre ditëve është edhe afrimi tek All-llahu i Madhërishëm me therje të kurbanit dhe shpenzimi në rrugë të All-llahut.

    Prandaj, të nxitojmë në shfrytëzimin e këtyre ditëve të vlefshme para se i shkujdesuri të pendohet për veprimin e tij dhe të kërkojë kthim mbrapa, por kjo kërkesë nuk i plotësohet dot.

     

    Shejh Muhammed Salih EL-MUNEXHXHID

    Përktheu: Fahrudin REXHEPI

  • MERR MËSIME NGA AJO QË E SHEH

    MERR MËSIME NGA AJO QË E SHEH

    Mësoje nga malet qëndrueshmërinë mbi vlerat dhe moralin.

    Mësoje nga deti thjeshtësinë karshi atij që është më i dobët.

    Mësoje nga dita qartësinë dhe çiltërsinë.

    Mësoje nga nata qetësinë dhe rehatinë.

    Mësoje nga lulet bukurinë e shpirtit.

    Mësoje nga kozmosi precizitetin dhe përsosmërinë.

    I lartësuar është Allahu që na e përsosi këtë kozmos dhe na urdhëroi të meditojmë që ta mësojmë madhështinë e Tij!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MEDITO RRETH KËTYRE KËSHILLAVE!!

    MEDITO RRETH KËTYRE KËSHILLAVE!!

     

    1. Hulumto shtatë vite para se t’i besosh një lajmit!

    2. Mendo një vit, pastaj fol!

    3. Dynjaja është mësues i vërtet, mirëpo kërkon shpërblim të madh!

    4. Një lule në shtëpi ta sjell pranverën!

    5. Disa pika të vogla, munden të krijojnë një përrua!

    6. Mëso shkrim-leximin, qoftë edhe në moshën gjashtë dhjetë vjeçare!

    7. Të jesh në të drejtë, nuk është patjetër ta rrisësh zërin lart!

    8. Nuk e kthen të qeshurit atë që e largoi zemërimi!

    9. Jeta nuk ndryshon, ajo është e njëjtë, a e kalove në të qarë apo në të qeshur!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • SHKAQET E NGURTËSISË SË ZEMRËS!

    SHKAQET E NGURTËSISË SË ZEMRËS!

    1. Largimi nga adhurimi i Allahut dhe preokupimi me gjynahe.

    2. Dashuria ndaj dynjasë dhe përkujdesja për të dhe shpresa e gjatë.

    3. Harresa e ahiretit dhe begatitë e saj.

    4. Preokupimi me atë që e shkatërron zemrën. Gjërat që e shkatërrojnë zemrën janë pesë: Përzierja e tepërt me njerëz, shpresat e kota, lidhja jo me Allahun, ushqimi i tepërt dhe gjumi i tepërt!

    5. Dembelia dhe përtacia në kryerjen e adhurimeve.

    6. Mos ndikimi nga ajetet e Kuranit, as nga ajetet kërcënuese dhe as nga ajetet inkurajuese!

    7. Shkujdesja! Ajo është sëmundje shumë e rrezikshme.

    8. Shoqërimi i shokëve të ligë dhe ulja në ambiente shkatërruese.

    9. Harresa e vdekjes dhe dhembjeve të saj, dhe varrit, dhe jetës pas saj!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

     

  • FUQIA E LUTJES!!

    FUQIA E LUTJES!!

    Edhe dyert më të mëdha çelësat i kanë të vogla!

    Mos të jetë pengesë madhështia e “shpresave”, e të dëshpërohesh! 

    Ndoshta një lutje të cilën ia drejton Allahut, ta realizon të pamundurën!

    Vetëm se thuaj: O Zot!

    Një dijetar tha: Dallimi mes të pamundurës dhe realitetit, është duaja!!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • FËMIJA ËSHTË PASQYRA E EDUKATËS TËNDE!!

    FËMIJA ËSHTË PASQYRA E EDUKATËS TËNDE!!

    Mos thuaj, i biri nuk më respekton, po thuaj, unë çfarë bëja me prindërit e mi!

    Mos thuaj, i biri ka moral të keq, po thuaj, nuk dija si ta edukoj!

    Mos thuaj, i biri më urren, po thuaj, nuk e mësova se si të donë!

    Mos thuaj, i biri nuk flet me mua, po thuaj, unë më herët nuk i dëgjoja fjalët e tij!

    Mos thuaj, i biri nuk është burrë, po thuaj, nuk e shihja atë përveçse si fëmijë!

    Mos thuaj, i biri është dështak, po thuaj, nuk u përkujdesa për të asnjë ditë!

    Mos thuaj, i biri nuk mundet të punon asgjë, po thuaj, nuk i mbjella besim që të punon!

    Mos thuaj, i biri bën dua kundër meje, po thuaj, nuk bëja për të dua!

    Mos thuaj, i biri është i paqartë, po thuaj, kur u ula me të që t’ia qartësoj gjërat!

    Mos thuaj, i biri nuk po rrinë në shtëpi, po thuaj, sjellja ime me të është të rrahurit dhe të bërtiturit!

    Mos thuaj, i biri është i paarsimuar, po thuaj, nuk u interesova asnjëherë se çfarë mësoi në shkollë!

    Mos thuaj, biri im unë jam prindi yt, po thuaj, biri im ti je i biri im!

    Prezenca e moralit dhe edukatës së keqe në mesin e fëmijëve tanë, nuk është diç tjetër, përveçse të edukuarit e gabuar dhe mangësia në edukatë nga disa prindër!

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • NUK DUA T’IA THYEJ ZEMRËN ASKUJT

    NUK DUA T’IA THYEJ ZEMRËN ASKUJT

    Nuk dua t’ia thyej zemrën askujt ..

    e as nuk shpresoj që ta thyen zemrën time askush.

    Pavarësisht se sa flasim, e sa qeshim e sa zihemi..

    në fund prapëseprapë ne jemi njerëz.

    Mundet një fjalë të na gëzon tërë ditën..

    e një fjalë të na lëndon dhe të na jep dhembje tanë jetën!

    Të kërkuarit falje dhe të falurit janë cilësi dhe kulturë e njerëzve të mëdhenj.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU