Category: Tema Islame

  • T’i japësh përparësi All-llahut para të gjitha krijesave në përgjithësi

    T’i japësh përparësi All-llahut para të gjitha krijesave në përgjithësi

    Kjo do të thotë t’i japësh përparësi kënaqësisë së All-llahut para kënaqësisë së të gjitha krijesave dhe të jesh i përpiktë të bësh çdo gjë që e kënaq All-llahun edhe nëse të gjithë njerëzit hidhërohen me ty.

     Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i kënaq njerëzit duke e hidhëruar All-llahun, All-llahu do ta lërë në dorë të njerëzve. Ndërsa kush i hidhëron njerëzit duke e kënaqur All-llahun, All-llahu do ta bëjë të pavarur prej njerëzve.”[1]

    Tani mendo rreth një ndodhie të bukur që do ta përmendim në vazhdim

    Kur kalifi asket, Omer ibën Abdul-Azizi ndërroi jetë, në krye të kalifatit erdhi Jezid ibën Abdul-Meliku, i cili për udhëheqës të Irakut e emëroi Omer in Hubejre el-Fizariun. Jezid ibën Abdul-Meliku shpesh i dërgonte letra Omer ibën Hubejres në të cilat e urdhëronte të zbatojë urdhrat që gjendeshin të shkruara në ato letra, edhe nëse urdhrat e tij ishin në kundërshtim me hakun.

    Një ditë Ibën Hubejre i ftoi dy dijetarët e vyer, Hasen el-Basriun dhe Sha’biun dhe u tha: Kalifi i besimtarëve, Jezid ibën Abdul-Meliku po i detyron njerëzit t’u binden urdhrave të tij. Siç po e shihni, ai më ka emëruar si udhëheqës të Irakut dhe herë pas here më dërgon letra duke më urdhëruar t’i zbatoj urdhrat e tij ndër të cilat unë shoh gjëra të padrejta. A mendoni se mund të më gjeni rrugëdalje në sheriat për pasimin që unë po ia bëj atij?

    Sha’biu i dha një përgjigje që në njëfarë mënyre i justifikonte veprimet e Omer ibën Hubejres… ndërsa Haseni rrinte i heshtur.

    Omer ibën Hubejre iu drejtua Hasenit e i tha: Ç’thua ti për këtë, o Ebu Seid?

    Ai u përgjigj: O Ebu Hubejre, jipi përparësi frikës së All-llahut ndaj Jezidit, e jo frikës së Jezidit ndaj All-llahut… Dije se All-llahu i Madhërishëm të mbron nga Jezidi, ndërsa Jezidi nuk të mbron nga All-llahu. O Ebu Hubejre, në çdo moment është e mundshme të të zbresë një melek i ashpër, i cili nuk e thyen urdhrin e All-llahut, dhe të të zhdukë nga ky krevat i yti, e të të transferojë nga gjerësia e pallatit tënd në ngushtësinë e varrit tënd, ku nuk do ta gjesh Jezidin, por do t’i gjesh veprat e tua në të cilat e ke kundërshtuar Zotin e Jezidit.

    O Ibën Hubejre: Nëse ti je me All-llahun e Madhërishëm dhe nën urdhrin e Tij, kjo të mjafton ndaj të këqijave të Jezidit (që mund të t’i bëjë) në dynja e ahiret. Por nëse je me Jezidin dhe i mëkaton All-llahut të Madhërishëm, atëherë All-llahu të lë në mbështjen e Jezidit.

    Dije, o Ebu Hubejre, se nuk i bëhet respekt krijesës derisa i bën mëkat Krijuesit të Madhërishëm.

    Nga këto fjalë, Omer ibën Hubejre qau derisa lotët ia lagën mjekrën.

    Nga kjo ditë, Hasen El-Basriu tek ai gëzonte një respekt të veçantë. Ata dy pasi dolën nga Shtëpia e Omerit, u drejtuan për në xhami. Njerëzit u mblodhën rreth tyre dhe i pyesnin për vizitën e tyre që i bënë udhëheqësit të Irakut, Omer ibën Hubejres, ndërsa Sha’biu u kthye nga ata dhe u tha: O ju njerëz, kush ka mundësi që t’i japë përparësi All-llahut të Madhërishëm para çdo gjëje, le ta bëjë këtë, sepse, pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, atë që Haseni ia tha Omer ibën Hubejres nuk është që nuk e dija, por me atë që thash unë synova kënaqësinë e Ibën Hubejres, ndërsa Haseni me atë që tha synoi kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm, kështu që All-llahu më largoi nga Ebu Hubereja, ndërsa Hasenin e afroi tek ai dhe ia bëri të dashur.

    [1] Sahih: Shënon Tirmidhiu (2414). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6010) e ka klasifikuar si hadith sahih.

     

    www.thirrjaislame.com

  • Shumimi i përmendjes së All-llahut të Madhërishëm

    Shumimi i përmendjes së All-llahut të Madhërishëm

    Ai që ka besuar All-llahun, e ka dashur Atë, ia ka frikën Atij dhe është lidhur me Të, medoemos që do ta shumojë përmendjen e All-llahut me zemër duke shprehur dashuri, dëshirë, nënshtrim dhe lidhje me Të, me gjuhën e tij duke shprehur lavdërim, falënderim, madhërim, njësim, lutje, kërkim dhe falje, si dhe me gjymtyrët e tij duke vepruar me respekt ndaj Tij. Që të gjitha këto janë gjëra shoqëruese të imanit, dashurisë, lidhjes, frikës, ngase ai që do diçka, e shumon përmendjen e tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, përkujtoni All-llahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje.”[1]

    Përmendja e shumtë e All-llahut le gjurmë më të bukura në dynja e ahiret. Prej tyre:

    a) Qetësimi i zemrës dhe stabilizimi i saj në përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.”[2]

    Kjo është prej gjërave që besimtarin përmendës të All-llahut të Madhërishëm e bën stabil në zemrën e tij, të paluhatshëm dhe të përmbajtur gjatë fatkeqësive dhe vështirësive.

    b) Përqendrimi në adhurim e respekt ndaj All-llahut

    Ai që e angazhon gjuhën e vet në përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, nuk ka mundësi të flasë diçka që është mëkat. Po ashtu ai që i angazhon gjymtyrët e veta në adhurim, nuk ka mundësi të angazhohet në mëkat. Pra, kështu ai bëhet i përqendruar në rrugën e All-llahut të Madhërishëm, me zemër, gjuhë dhe gjymtyrë.

    c) Mburoja nga shejtani

    Kjo, ngase shejtani ikën dhe zhduket kur përmendet All-llahu i Madhërishëm. Andaj kush e shpeshton përmendjen e All-llahut, e ka mbrojtur veten nga shejtani sikur ai që ka vendosur para vetes një fortifikatë të fuqishme për t’u mbrojtur nga armiku.

    ç) Shumimi i shpërblimeve

    Përmendja e All-llahut është prej veprave të mira më madhështore me të cilat njeriu afrohet tek All-llahu i Madhërishëm dhe e cila ndikon në fitimin e shpërblimeve. Në tekstet sheriatike kemi shumë argumente që tregojnë për shpërblime të llojllojshme varësisht nga lloji i përmendjes së All-llahut, por këtu nuk është momenti për përmendjen e tyre.

    d) Përmendja e All-llahut të Madhërishëm dhe të qenët e Tij me robin

    Ai që e përmend All-llahun e Madhërishëm, All-llahu e përmend atë, siç shihet në hadithin kudsijj: “All-llahu i Madhërishëm thotë: Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua, Unë jam me të kur më përmend Mua; nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time, e nëse ai më përmend Mua në bashkësi, edhe Unë atë e përmend në një bashkësi më të mirë se të atij…”[3] E kur All-llahu e përmend një rob, kjo është prej faktorëve më të mëdhenj të lumturisë, suksesit dhe udhëzimit.

    [1] Kaptina El-Ehzab, ajetet 41-42.

    [2] Kaptina Err-Rra’d, ajeti 28.

    [3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7405) dhe Muslimi (2675).

     

    www.thirrjaislame.com

  • Devotshmëria ndaj All-llahut të Madhërishëm

    Devotshmëria ndaj All-llahut të Madhërishëm

    Kjo arrihet duke vendosur mes vetes dhe dënimit e ndëshkimit të All-llahut një mburojë me anë të veprimit të veprave të obliguara dhe largimit nga mëkatet dhe veprat e këqija si dhe duke e ditur se All-llahu ka mundësi të të ndëshkojë në çdo moment, por Ai të jep afat në mënyrë që të pendohesh e t’i kthehesh Atij. Kështu devotshmëria bëhet shkak që t’ia kesh frikën All-llahut dhe të largohesh nga gjërat që mund të shkaktojnë hidhërimin dhe dënimin e Tij.

    Devotshmëria ka fryte të mëdha. Prej tyre po përmendim:

    1. Të qenët e All-llahut me robin e Tij, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: S’ka dyshim se All-llahu është me ata që janë të devotshëm (që ruhen prej të këqijave).”[1] Të qenët e All-llahut të Madhërishëm me robin e Tij të devotshëm në vete ngërthen udhëzimin, përmirësimin, kujdesin, suksesin, nderimin, mëshirën, mbrojtjen etj.
    2. Shpëtimi nga kurthet e armiqve, sado që të jenë të mëdha ato. All-llahu i Madhërishëm thotë: “në qoftë se ju bëheni të durueshëm dhe u ruheni (mëkateve), dinakëria e tyre nuk do t’ju dëmtojë aspak.[2]
    3. Dallimi i të vërtetës nga e kota, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “O ju që besuat, nëse keni frikë All-llahun, Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’jua mbulojë të këqijat, do t’jua falë mëkatet.”[3] Pra, të devotshëmve All-llahu u jep një dritë dhe udhëzim me anë të të cilit janë në gjendje të dallojnë të vërtetën nga e kota, udhëzimin nga devijimi, kështu që ata nuk devijojnë e as nuk lajthisin si dhe nuk bien në rrugët e devijimit duke i menduar ato si rrugë udhëzimi.

    ç. Mbulimi i të këqijave dhe falja e mëkateve

    Këtë e vërejmë nga ajeti i sipërpërmendur dhe ajetet e tjera që kanë kuptim të ngjashëm me të. Devotshmëria është prej faktorëve më të mëdhenj për faljen e mëkateve dhe shlyerjen e të këqijave dhe gabimeve.

    1. Fitimi i mëshirës së All-llahut të Madhërishëm, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Mëshira ime ka përfshirë secilin send. Atë (mëshirën) do ta caktoj për ata të cilët u ruhen (mëkateve).”[4] Pra ata që u ruhen mëkateve (të devotshmit) janë njerëzit më meritorë për mëshirën e All-llahut të Madhërishëm.
    2. Hyrja në xhennet dhe shpëtimi nga zjarri, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: Ato janë xhennetet që do t’ua trashëgojmë robërve Tanë që ishin të ruajtur.”[5] Po ashtu thotë: “Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t’i shpëtojmë ata që u ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t’i lëmë aty të gjunjëzuar.”[6] Kjo është një gjë që lidhet drejtpërdrejt me devotshmërinë.

    [1] Kaptina En-Nahl, ajeti 128.

    [2] Kaptina Alu Imran, ajeti 120.

    [3] Kaptina El-Enfal, ajeti 29.

    [4] Kaptina El-E’raf, ajeti 156.

    [5] Kaptina Merjem, ajeti 63.

    [6] Kaptina Merjem, ajeti 72.

     

    www.thirrjaislame.com

  • Të turpëruarit nga All-llahu i Madhërishëm

    Të turpëruarit nga All-llahu i Madhërishëm

    Si të mos turpërohet robi nga All-llahu kur e di se All-llahu e sheh dhe e ka nën mbikëqyrje në të gjitha situatat.

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Turpërohuni nga All-llahu ashtu siç Ai meriton! Kush turpërohet nga All-llahu ashtu siç Ai meriton, le ta ruajë kokën dhe atë që është në të (mendjen), barkun dhe atë që mban në të, le të përkujtojë vdekjen dhe sprovën. Ai i cili dëshiron ahiretin, braktis zbukurimet e kësaj bote, e ai i cili i bën këto, është turpëruar nga All-llahu ashtu siç meriton Ai.”[1]

    Prandaj Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Atë që nuk dëshiron të tjerët ta shohin prej teje, mos e bëj edhe kur je vetëm.”[2]

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e porositi njërin nga sahabët duke i thënë: “Të porosis të turpërohesh prej All-llahut të Madhërishëm ashtu siç turpërohesh prej ndonjë njeriu të mirë nga populli yt.”[3]

    Na përcillet se një njeri shkoi tek Ibrahim ibën Ed’hemi dhe i tha: O Ebu Is’hak… Unë i bëj zullum vetes sime (duke bërë mëkate), andaj më këshillo si të largohem nga mëkatet.

    Ibrahim ibën Ed’hemi i tha: Do të t’i tregoj pesë parime, të cilave nëse u përmbahesh, nuk do të jesh më mëkatar.

    Njeriu: M’i trego ato parime, o Ebu Is’hak!

    Ibrahimi i tha: E para: Nëse dëshiron t’i bësh mëkat All-llahut, atëherë mos ha asgjë nga rizku (furnizimi) i Tij!

    E nga të ha – pyeti njeriu me habi -, kur i gjithë rizku është prej All-llahut?!

    Atëherë Ibrahimi tha: Atëherë a të ka hije të hash rizkun e Tij dhe në anën tjetër t’i bësh mëkat?!

    Njeriu tha: Jo! Hajde tani ma trego të dytën!

    Ibrahimi tha: Nëse dëshiron t’i bësh mëkat All-llahut, atëherë mos bano në asnjë vend të Tij!

    Njeriu tha: Kjo është akoma më e rëndë se e para, o Ibrahim. Pasi lindja dhe perëndimi janë të Tij. Ku të jetoj unë?!

    Atëherë Ibrahimi tha: O ti njeri, atëherë a të ka hije të jetosh në vendin e Tij dhe në anën tjetër t’i bësh mëkat?!

    Njeriu tha: Jo! Hajde tani ma thuaj të tretën!

    Ibrahimi tha: Kur të shprehësh dëshirë t’i bësh mëkat All-llahut, gjeje ndonjë vend ku All-llahu nuk të sheh dhe bëje mëkatin atje!

    Njeriu tha: Ç’është kjo, o Ibrahim?! Si po kërkon një gjë të tillë kur Ai i sheh të gjitha fshehtësitë, e di atë që njeriu ka në brendinë e tij dhe asgjë nuk mund t’i shpëtojë diturisë së Tij?!

    Atëherë Ibrahimi tha: O ti njeri, atëherë a të ka hije ta hash rizkun e tij, të jetosh në tokën e Tij dhe t’i bësh mëkat, ndërsa Ai të sheh dhe e di çfarë ke në vete?!

    Njeriu tha: Jo! Hajde tani ma trego të katërtën!

    Ibrahimi tha: Kur të vijë Meleku i Vdekjes të ta marrë shpirtin, thuaji: Më jep edhe pak kohë (jetë) deri në një afat të caktuar derisa të pendohem.

    Njeriu tha: Këtë ai nuk e pranon prej meje…

    Ibrahimi tha: Pasi nuk paske mundësi ta vonosh vdekjen që të pendohesh dhe e di se kur të vijë ai, nuk ka vonim, atëherë si e shpreson shpëtimin?!

    Njeriu tha: Ashtu është. Hajde tani ma trego të pestën!

    Ibrahimi tha: Kur të vijnë zebanijtë (melekët e ndëshkimit – xhehennemit) në ditën e kiametit për të të dërguar në xhehennem, mos shko me ta!

    Njeriu tha: Ata nuk do ta pranojnë këtë prej meje.

    Atëherë si e shpreson shpëtimin?! – tha Ibrahimi.

    Atëherë njeriu tha:  Mjaft më, o Ibrahim, mjaft! Unë i kërkoj falje All-llahut dhe pendohem.

    [1] Hasen: Shënon Tirmidhiu (2458). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (935) e ka klasifikuar si hadith hasen.

    [2] Hasen: shënon Ibën Hibbani në Sahihun e tij (2/129 nr. 403) dhe Dijai (4/178, nr. 1393). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (1055) e ka klasifikuar si hadith hasen.

    [3] Shënojnë Taberaniu, Bejhekiu dhe Hasen ibën Sufjani. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2541) e ka klasifikuar si hadith sahih.

     

    www,thirrjaislame.com

  • Frika nga All-llahu i Madhërishëm

    Frika nga All-llahu i Madhërishëm

    Frika është një prej edukatave më të mëdha me All-llahun e Madhërishëm. Kjo frikë buron nga njohja e pozitës së All-llahut, madhështisë së Tij mbi krijesat, madhësisë së fuqisë së Tij, ashpërsisë së dënimit dhe ndëshkimit të Tij, hakmarrjes ndaj armiqve të Tij, armiqve të të dërguarve të Tij dhe armiqve të evliave të Tij duke i pasur parasysh dënimet që i ka zbritur mbi ta në këtë dynja. Po ashtu buron nga meditimi rreth teksteve sheriatike (kur’an dhe sunnet) për sa i përket kërcënimeve të Tij, meditimit në lidhje me atë se çfarë lloje dënimesh ka përgatitur All-llahu për armiqtë e tij në varr dhe në zjarrin e xhehenemit. Kur myslimani bindet se All-llahu ka mundësi t’i dënojë të gjitha krijesat e Tij, dhe se vendimin e Tij nuk mund ta thyejë askush si dhe gjykimin e Tij nuk mund ta ndryshojë askush, atëherë kjo e shpien deri te frika ndaj All-llahut të Madhërishëm. Kjo frikë e përfshin zemrën, depërton në damarët e saj si dhe rrjedh në brendinë e saj ashtu siç rrjedh gjaku. Kjo është ajo frikë që e ndalon myslimanin nga mëkatimi ndaj All-llahut të Madhërishëm, e largon nga veprimet që e hidhërojnë All-llahun, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Me këtë All-llahu i frikëson robërit e Vet: “O robërit e Mi, kini frikë (dënimin)!”[1] E në një ajet tjetër thotë: “Kështu Ne e shpallëm këtë kur’an arabisht dhe përsëritëm në të vërejtjet, në mënyrë që ata të ruhen ose ai (kur’ani) t’u sjellë atyre përvojë mësimi.”[2]

    Kjo frikë është prej gjërave më të dobishme për myslimanin, sidomos në kohën e rinisë kur ai është i fuqishëm. Kjo frikë duhet ta përcjellë myslimanin në çdo situatë gjatë gjithë jetës së tij dhe nuk duhet ndarë prej saj as për një moment. Kjo frikë sjell fryte dhe dobi shumë të mëdha për besimtarin i cili i frikohet All-llahut.

    Nga ana tjetër, mospasja frikë nga All-llahu i Madhërishëm është sjellje e keqe me Të, tejkalim i kufijve të Tij dhe veprim i asaj që All-llahu i Madhërishëm e ka ndaluar.

    Frika nga All-llahu i Madhërishëm ngërthen në vete fryte të shumta. Prej tyre:

    – Largimi nga mëkatimi ndaj All-llahut të Madhërishëm.

    – Kthimi nga obligimet dhe adhurimet ndaj All-llahut dhe praktikimi i tyre në mënyrë të vazhdueshme.

    – Lidhja me All-llahun e Madhërishëm. Kjo, duke e pasur parasysh se nuk ka strehim dhe shpëtim diku tjetër përpos tek Ai si dhe nuk ka mbrojtës prej dënimit të Tij përpos Tij.

    – Përqendrimi i zemrës ndaj krijesave dhe mospasja frikë prej tyre, sepse zemra e mbushur me frikë nga All-llahu, nuk ia ka frikën askujt pos Tij, madje të tjerët ia kanë frikën atij njeriu. Kështu vëren se kriminelët janë ata që frikohen nga njeriu i mirë, ndërsa ai nuk frikohet prej tyre.

    [1] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 16.

    [2] Kaptina Ta-Ha, ajeti 113.

     

    www.thirrjaislame.com

  • Mbikëqyrja e All-llahut të Madhërishëm

    Mbikëqyrja e All-llahut të Madhërishëm

    Kjo arrihet duke e ditur se All-llahu të sheh dhe i di veprat e tua të fshehura e publike. Ai gjithnjë të ka nën mbikëqyrje dhe Atij nuk i fshihet asnjë çështje e jotja.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ta dini se All-llahu e di çka fshihni në vete, pra kini frikë prej Atij.”[1] “All-llahu është përcjellës ndaj çdo sendi.”[2] “A nuk e di ai se All-llahu e sheh?“[3] “se ti je nën mbikëqyrjen tonë.”[4]Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra.”[5]

    Ndërsa në hadithin e njohur si Hadithi i Xhibrilit, Xhibrili alejhis-selam e pyeti Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për ihsanin, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem iu përgjigj: “Ta adhurosh All-llahun sikur e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh.”[6]

    Prandaj kur Xhunejdi, All-llahu e mëshiroftë, u pyet: “Me se njeriu e ka më lehtë të ulë shikimin (nga harami)? Ai u përgjigj: Duke e pasur në vetëdije se shikimi i shikuesit tënd (All-llahut) është më i shpejtë sesa shikimi yt që ia bën diçkaje.”

    Abdullah ibën Mubareku njëherë i tha një njeriu: “Përmbaju mbikëqyrjes së All-llahut.” Njeriu e pyeti: “E ç’nënkuptojmë me mbikëqyrjen?” Ai u përgjigj: “Llogarite gjithnjë se je duke e parë All-llahun e Madhërishëm.”

    Sa fjalë e bukur është kjo e Sufjan e Theuriut, All-llahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Përmbaju mbikëqyrjes së Atij të Cilit nuk i fshihet asgjë; përmbaju lutjes së Atij që e ka në pronë besnikërinë; përmbaju kujdesit ndaj Atij që në Dorë e ka ndëshkimin.”

    Abdullah ibën Dinari thotë: “Një herë dola me Abdullah ibën Omer ibën Hattabin radijAll-llahu anhuma për në Mekë dhe në mbrëmje u ulëm në një vend për të pushuar. Papritmas pamë një njeri që po zbriste nga kodra. Abdullah ibën Omeri i tha: O ti bari, a na shet një dele?

    Bariu tha: Bagëtia nuk është e imja, unë jam rob dhe rrogëtar i zotërisë tim… Prandaj nuk mund të shes gjë prej saj.

    Abdullahu, duke dashur ta provojë bariun, i tha: Thuaj zotërisë tënd: E hëngri ujku.

    Bariu tha: Nëse këtë ia them zotërisë dhe mikut tim, ku mbeti All-llahu? Ç’do t’i them All-llahut të Madhërishëm?

    Abdullahu qau nga kjo fjalë, e pastaj shkoi te zotëria i bariut dhe e bleu këtë rob prej tij dhe bashkë me të i bleu të gjithë bagëtinë… Pastaj këtij bariu ia fali lirinë ndërsa bagëtinë ia bëri dhuratë.”

    [1] Kaptina El-Bekare, ajeti 235.

    [2] Kaptina El-Ehzab, ajeti 52.

    [3] Kaptina El-alek, ajeti 14.

    [4] Kaptina Et-Tur, ajeti 48.

    [5] Kaptina Gafir, ajeti 19.

    [6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (50) dhe Muslimi (9, 10) nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu. Po ashtu Muslimi (8) nga Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhu.

     

    www.thirrjaislame.com

  • Meditimi rreth dhuntive të All-llahut ndaj teje

    Meditimi rreth dhuntive të All-llahut ndaj teje

    Kjo do të thotë të meditosh rreth dhuntive të All-llahut ndaj teje, të jesh mirënjohës dhe ta falënderosh All-llahun për to. Dhuntitë e All-llahut nuk mund t’i numërosh a përkufizosh e as të realizosh falënderimin për to. Çdo dhunti, e madhe apo e vogël, është vetëm prej Tij dhe prej askujt tjetër.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut.”[1] “Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato.”[2]

    Mirësitë e Tij e kanë përfshirë njeriun që kur ka qenë spermë në mitrën e nënës së tij. All-llahu sikur i drejtohet njeriut duke i thënë: Të kam marrë nën kujdesin Tim dhe të kam shndërruar nga sperma në copë gjaku të ngjizur, nga copa e gjakut në copë mishi, nga mishi deri në fazën kur eshtrat i vesha me mish. Në barkun e nënës për ty bëra mbështetëse në anën e djathtë dhe në anën e majtë. Në anën e djathtë mbështetëse e bëra mëlçinë ndërsa në anën e majtë shpretkën. Fytyrën ta mbulova me një cipë që mos të shqetësohesh nga era e ushqimit. Po ashtu të mësova të qëndrosh në këmbë e të ulesh në barkun e nënës… A ka mundësi këtë ta bëjë kush tjetër pos Meje?!

    E kur mbaroi koha e caktuar, e urdhërova melekun përgjegjës për mitrat dhe ai të nxori nëpërmjet një puple të fletëve të tij… Nuk kishe dhëmbë me të cilët do të kafshoje, duart e tua nuk mund të kapnin asgjë, këmbët e tua nuk mund të ecnin. Mbiva për ty dy burime të buta në gjoksin e nënës tënde që nxjerrin qumësht të kulluar, i nxehtë gjatë dimrit ndërsa i ftohtë gjatë verës. E kur shpina jote u forcua dhe u rrite, atëherë më mëkatove duke qenë në vetmi dhe nuk pate turp prej Meje! Megjithëkëtë, sikur të pendohesh sinqerisht, unë ta pranoj pendimin dhe sikur të kërkoje falje prej Meje, unë të falë.[3]

    [1] Kaptina En-Nahl, ajeti 53.

    [2] Kaptina En-Nahl, ajeti 18.

    [3] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 10. Autor: Prof. Muhammed Buhajri.

     

    www.thirrjaislame.com

  • Veçimi i adhurimit ndaj All-llahut të Madhërishëm

    Veçimi i adhurimit ndaj All-llahut të Madhërishëm

    Pranimi i veprave është i lidhur drejtpërdrejt me veçimin e adhurimit ndaj All-llahut të Madhërishëm. Kjo, ngase njeriu mund të bëjë mirësi të mëdha por megjithatë ka mundësi të mos arrijë as edhe një shpërblim të vetëm, sepse me ato vepra nuk ka pasur për qëllim arritjen e kënaqësisë së All-llahut.

    Prandaj myslimani duhet ta ripërtërijë nijetin në zemrën e tij para çdo veprimi që bën, duke synuar që me atë vepër të arrijë kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”[1] “Thuaj: “Unë jam i urdhëruar ta adhuroj All-llahun, të jem i sinqertë në adhurimin ndaj Tij!”[2]Thuaj: “Vetëm All-llahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.”[3] “S’ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës, përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu përmbajtën All-llahut (mësimeve të Tij) dhe praktikojnë sinqerisht fenë e tyre për hirin e All-llahut. Të tillët do të jenë bashkë me besimtarët, e All-llahu ka për t’u dhënë besimtarëve shpërblim të madh.”[4]

    I dërguari i All-llahut thotë: “Në trup gjendet një copë mishi, e cila kur përmirësohet, atëherë i tërë trupi përmirësohet, dhe kur ajo prishet, i tërë trupi prishet. Ajo është zemra.”[5]

    Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë, All-llahu nuk shikon pamjen dhe pasurinë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.”[6]

    Nga Muavije radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Veprat janë sikur ena; nëse ushqimi në fund të saj zihet si duhet, atëherë edhe pjesa e sipërme zihet si duhet, e nëse është pjesa e poshtme digjet, atëherë edhe pjesa e sipërme e saj digjet.”[7]

    Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu thotë: “Zemra është mbret ndërsa organet e tjera janë ushtarët e saj. Kur mbreti është i mirë, atëherë edhe ushtria do të jenë të mirë, ndërsa kur mbreti është i prishur, atëherë edhe ushtria do të prishen.”

    [1] Kaptina El-Bejjine, ajeti 5.

    [2] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 11.

    [3] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 14.

    [4] Kaptina En-Nisa’, ajetet 145-146.

    [5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (52) dhe Muslimi (1599).

    [6] Sahih: shënon Muslimi (2564).

    [7] Sahih: shënon Ibën Maxhe (4119) dhe Ebu Ja’la. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2320) e ka klasifikuar si hadith sahih.

     

    www.thirrjaislame.com

  • SI T’IA FILLOJMË ME IMANIN

    SI T’IA FILLOJMË ME IMANIN

    Me emrin e Allahut Mëshirëgjërit, Mëshirëplotit

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, vetëm Atë falënderojmë! I kërkojmë ndihmë, falje dhe mbrojtje nga të këqijat e vetëve tona e nga te këqijat e punëve tona. Atë që e udhëzon Allahu nuk ka kush e humbë dhe atë që Ai e humbë nuk ka kush e udhëzon! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut dhe Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

    Para se të fillojmë në këtë rrugëtim, duhet t’i plotësojmë disa kushte. Kushti i parë dhe më i rëndësishëm në këtë rrugëtim është: dëshira e flakët dhe synimi i lartë dhe i sinqertë për ndryshimin dhe përmirësimin e gjendjes, e gjithë kjo arrihet përmes zgjimit të zemrës. Ky gjallërim, zgjim është një shtytës i fortë në këtë rrugëtim.

    Thotë imam ibën Kajim el Xheuzi: “ Nuk ka dyshim se të vepruarit me gjymtyrë, pa prezantimin dhe mbikëqyrjen e zemrës, bënë pak dobi në dunja dhe ahiret, ashtu sikur nuk bën dobi të vepruarit pa sinqeritet si dhe të vepruarit jashtë rrugës së sunetit. Kjo edhe pse mund të jetë e shumët, është lodhje që nuk bënë dobi. Vepra e jashtme pa prezantimin e zemrës si dhe pa pasimin e sunetit është si pamja e pemës e cila edhe pse e kënaqë shikuesin, pak ka dobi në të. Allahu nuk shkruan për robin nga namazi i tij, vetëm se atë që ai e ka bërë në mënyrë të vetëdijshme, kështu që të gjitha veprat duhet të bëhen me prezencën dhe përuljen e zemrës.” Tehdhib Medarixhu Essalikin

    Në shumë ajete në Kuran vërtetohet se dëshira e flakët është çelës i fillimit të çdo suksesi.

    Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:

    Nëse i frikësoheni përçarjes mes tyre (burrit e gruas), dërgoni një pari të drejtë nga familja e tij dhe një pari të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, All-llahu ju mundëson sukses në afrimin mes tyre (burrit e gruas). All-llahu është i dijëshëm, është njohës i mirë. [en Nisa, 35]

    Kurani na përkujton se i tërë universi është i mbushur me fakte të cilat i përkujtojnë njeriut për besimin në Allahun Një, mirëpo kjo nuk i bënë dobi njeriut vetëm se atij i cili dëshiron udhëzimin, edhe pse këto argumente janë të shumta dhe të mrekullueshme, janë të padobishme për ata të cilët nuk dëshirojnë udhëzim.

    Thotë Allahu i Lartëmadhëruar:

    Thuaj: “Vështroni me vëmendje çka ka (nga argumentet) në qiej e në tokë. Po argumentet dhe qortimet nuk bëjnë dobi ndaj një populli që nuk beson. [Junus, 101]

    Dëshira e flakët dhe synimi duke iu mbështetur Allahut të Lartëmadhëruar, janë premisa të një suksesi të garantuar.

    Nga Ebu Uakid el-Harith b. Aufi radijAll-llahu anhu. transmetohet se njëherë i Dërguari i All-llahut është ulur në xhami, rreth tij ishin as’habët, e me atë rast erdhën tre persona në xhami. Dy prej tyre u nisën në drejtim të të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s., kurse një shkoi. Dy që u nisën nga Pejgamberi sal-l All-llahu alejhi ue sel-lem, kur erdhën deri te rrethi rreth Muhamedit sal-l All-llahu alejhi ue sel-lem, një prej tyre e pa një vend të zbrazët dhe u ul. Personi i dytë u ul prapa rrethit, kurse shoku i tyre i tretë doli nga xhamia. Pasi i Dërguari i All-llahut sal-l All-llahu alejhi ue sel-lem mbaroi me ligjëratën tha: “A dëshironi t’ju njoftoj për gjendjen e këtyre tre personave? Një nga ata iu pendua All-llahut dhe All-llahu e ka pranuar, i dyti ka ngurruar nga turpi, prandaj edhe All-llahu u turpërua nga ai, kurse sa i përket të tretit që ktheu shpinën duke mos ndjerë nevojë, edhe All-llahu ka kthyer nga ai (mëshirën e Tij).” (Muttefekun alejhi)

     

    Mënyrat e shfaqjes së dëshirës së madhe

    Kurani na ka shpjeguar shembuj brilant se si duhet të jetë dëshira e madhe për të arritur suksesin.

    “Ndërsa ai që nxiton dhe vjen te ti,

    Dhe meqë ai frikësohet,” [Abese, 8,9]

    – Abdullah ibën Ummi Mektumi edhe pse ishte i verbër, erdhi vet te Pejgamberi sal-l All-llahu alejhi ue sel-lem

    – Duke nxituar dhe i përmalluar, me dëshirë të zjarrtë nga nevoja e madhe për dituri

    – Dhe i frikësuar, duke dëshiruar rrugën e shpëtimit

     

    Lutja jonë e fundit është: ,,Lavdërimi i takon All-llahut, Zotit të Botëve”.

     

     

     

    Përktheu dhe përshtati: Tafil Ramuka

    (Sqarim: kjo temë është pjesë e zingjirit të temave rreth edukatës së imanit)

    www,thirrjaislame.com

  • Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre (Pjesa e dytë

    Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre (Pjesa e dytë

    Me Emrin e Allahut, i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.

    Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

    Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

    Sa pejgamberë janë përmendur në Kur’an?

    Në Kur’an janë përmendur 25 pejgamberë. Thotë Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’an: Dhe kjo ishte Prova Jonë që Ne ia dhamë Ibrahimit ndaj popullit të tij. Ne ngremë lart atë që Ne duam. Vërtetë që Zoti yt është më i Urti Gjithëgjykues, i Gjithëditur. Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin duke e udhëzuar secilin dhe para tij (Ibrahimit), Ne udhëzuam Nuhin dhe nga pasardhësit e tij Davudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë Ne Muhsinët (mirëpunuesit në Rrugë të Allahut). Edhe Zekerija, edhe Jahja, edhe Isai edhe Iljasi; secili prej tyre ishte prej të drejtëve. Edhe Ismaili, Eljasa, Junusi dhe Luti: secilin prej tyre Ne e ngritëm lartë përmbi Alemin (gjithë botën e njerëzve dhe xhinëve, secili prej tyre në kohën kur u dërgua).1

    Në këto ajete janë përmendur tetëmbëdhjetë nga pejgamberët, kurse pejgamberët e tjerë janë përmendur në vende të tjera në Kur’an, e ata janë: Ademi, Hudi, Salihu, Shuajbi, Idrisi, Dhul Kifli dhe Muhamedi alejhimu selam.

    Gjithashtu në Kur’an janë përmendur edhe të tjerë për të cilët nuk është e qartë se a janë nga njerëzit e mirë apo nga pejgamberët, e ata janë: Lukmani, Uzejri dhe Dhul Karnejni.

     

     

    Sa pejgamberë kanë qenë nga arabët?

    Nga arabët kanë qenë vetëm katër pejgamberë, e ata janë: Hudi, Salihi, Shuajbi dhe Muhamedi alejhimu selam.

    Cili është dallimi mes pejgamberit dhe të dërguarit?

    Pegamberët dallojnë nga të dërguarit, pra ka pejgamberë dhe të dërguar, dhe argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka pyetur pejgamberin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, për numrin e pejgamberëve. Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka treguar se numri i tyre është njëqind e njëzet e katër mijë, kurse kur e ka pyetur për numrin e të dërguarve, pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka treguar se numri i tyre ishte treqind e pesëmbëdhjetë.1

    Poashtu duke u mbështetur në fjalët e Allahut të Lartëmadhëruar ku thotë: Nuk ka ndodhur që, kur Ne kemi sjellë ndonjë të dërguar ose pejgamber para teje, dhe ai të shpallte nga Mesazhi ose fliste (ose ndërtonte diçka me përpjekje), shejtani të mos hidhte (mashtrime) në të.2 Pra, Allahu e bëri dallimin mes të dërguarve dhe pejgamberëve.

    Çdo i dërguar është pejgamber, kurse çdo pejgamber nuk është i dërguar. Thotë Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’an: Përmende në Libër (Kur’an) edhe Musain. Vërtetë që ai ishte i zgjedhur dhe ishte i dërguar (dhe) pejgamber.3

    Gjithashtu edhe për Ismailin alejhi selam thotë Allahu i Lartëmadhëruar: Dhe ishte i dërguar (dhe) pejgamber.4

    Dijetarët kanë përmendur disa dallime në mes të dërguarit dhe pejgamberit ku thanë:

    1)I dërguar është ai të cilit i ka ardhur shpallja nga ana e Allahut dhe është urdhëruar ta shpërndajë atë tek njerzit (pra të bëj thirrje në të) kurse pejgamber është ai të cilit i ka ardhur shpallja nga ana e Allahut mirëpo nuk është urdhëruar ta shpërndajë atë (pra nuk është urdhëruar të bëj thirrje në të).

    2)I dërguar është ai i cili është dërguar me sheriat të ri kurse pejgamber është ai i cili e pason sheriatin e të dërguarit para tij.

    3)I dërguar është ai i cili u dërgua tek një popull pabesimtarë kurse pejgamber është ai i cili u dërgua tek një popull besimtarë. Pra kush është dërguar tek Beni Israilët

    (pasardhësit e Jakubit alejhi selam) është pejgamber sepse ata kanë qenë pasusesit e Musait alejhi selam apo të Jakubit alejhi selam, ashtu siç thotë Allahu në Kur’an: Kujto kur Musai i tha popullit të tij: O Populli im! Përkujtoni mirësitë e Allahut mbi ju, kur Ai nxorri Pejgamberë nga gjiri juaj, ju bëri mbretër dhe ju dha çfarë Ai nuk i kishte dhënë askujt në gjithë Alemin (ndër njerëz e xhinë më parë).1 Pra pejamberët janë ata të cilët janë dërguar tek populli besimtarë, kurse të dërguar janë ata të cilët janë dërguar tek populli jobesimtarë siç është dërguar edhe i dërguari i parë Nuhi alejhi selam.

    Dobitë nga mësimi i historisë së pejgamberëve

    Nga mësimi i historisë së pejgamberëve nuk e kemi për qëllim vetëm të dijmë rreth tyre, tek cilët popuj janë dërguar, sa ka qenë periudha në të cilën kanë thirrur, kush i ka besuar ata… mirëpo përmes këtyre mësimeve ne të përfitojmë që ato t’i praktikojmë në jetët tona, ku mund t’i përmendim:

    1)Se këta janë robërit më të përzgjedhur tek Allahu. Thotë Allahu në Kur’an: Allahu zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit përmbi të gjithë Alemin (njerëzimin, xhinët dhe gjithçka ekziston) (në kohën e tyre).2 Pra këta janë të përzgjedhurit e Allahut ne duhet të mësojmë për to që të dijmë të shkojmë rrugës së tyre edhe të bëhemi prej të përzgjedhurve tek Allahu.

    2)Që të marrim mësim nga këto ndodhi, dhe t’i ndjekim e pasojmë pejgmberët që të jemi më afër Allahut. Thotë Allahu në Kur’an: Vërtetë që në ndodhitë e tyre ka mësim për njerëzit me mend.3

    3)Që ta mësojmë mënyrat e thirrjes në rrugë të Allahut. Pra ai i cili bën thirrje në rrugë të Allahut përfiton shumë kur mëson sesi kanë bërë thirrje pejgamberët në rrugë të Allahut, pra metoda e një populli që janë shumë rebel apo të një populli që i jep përparsi logjikës, si t’i qasemi një populli që nuk pranojnë të thirren në mënyrë kolektive por indivudualisht, si t’i qasemi një populli që e ka të ndërtuar jetesën e tyre me magji dhe me çfarëdo problemi gjatë thirrjes në rrugë të Allahut, Allahu ka sjellur shembuj nga jeta e pejgamberëve.

    4)Mëson njeriu sesi të bëj durim në sprova. Pra t’i marrim për model pejgamberët. Thotë Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’an: Ata (pejgamberët) janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre.4

    Ku e kemi Nuhun alejhi selam i cili ka thirrur nëntëqind e pesëdhjetë vite në rrugë të Allahut, ai ka duruar për gjithë këto vite duke i thirrur njerëzit në rrugë të Allahut, poashtu Ejubi alejhi selam pasiqë kishte shëndet dhe familje, Allahu ia mori të gjithë fëmijët e tij si dhe ia mori shëndetin, Ejubi alejhi selam shtatë vite ishte i palëvizshëm, saqë ka ardhur në transmetime se trupi i tij kishte filluar të kalbej dhe nuk kishte kush që t’i qëndronte pranë nga era e keqe, por asnjëherë nuk tha ‘o Zot pse më sprovove me këtë sprovë’ dhe nuk tha ‘o Zot a nuk jam unë më i dashuri Yt?’ për arsye se ka qenë pejgamberi i asaj kohe, por ai kësaj sprove i bëri ballë me durim të çmuar.

    5)Shtimi i imanit (besimit). Pra kur njeriu e di se Allahu i Lartëmadhëruar gjithmonë iu ndihmon robërve të tij të cilët i ka dërguar, ai bindet se Allahu siç i ka ndihmuar të dërguarit e Tij, Ai i ndihmon edhe thirrësit në rrugë të Tij.

    6)Përforcimi i pejgamberisë së Muhamedit, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili na tregon për gjëra të fshehta tek të cilat nuk ka prezantuar, ku tregon për to sikur të kishte qenë aty. Thotë Allahu në Kur’an: Kjo është pjesë nga njoftimet për gajbin (për të panjohurën, njoftimet për ndodhitë e shkuara për të cilat nuk ke asnjë njohuri) e të cilat po t’i shpallim ty (o Muhamed). Ti nuk ke qenë me ata kur ata hodhën short me pendat e tyre të shkrimit se cili duhej të ngarkohej për t’u kujdesur për Merjemen, nuk ishe me ta as edhe kur ata u kundërshtuan mes tyre.1

    7)Për të treguar se thirrja e pejgamberëve ishte e njejtë. Pra të gjithë pejgamberët kanë thirrur që të mos i shoqërojë askush asgjë Allahut në adhurim.

    Si dhe dobi të tjera të shumta nga të cilat do të përfitojmë me lejen e Allahut.

    Lutja jonë e fundit është: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Zotin e gjithë botëve, njerëzve, xhinëve dhe gjithçkaje që është.”

     

    Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

    (Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Ata janë të cilët Allahu i ka udhëzuar, kështu që ndiqni udhëzimin e tyre”)

    www.thirrjaislame.com