Category: Haxhi

  • PREJ KUR ËSHTË BËRË KURBAN BAJRAMI PROBLEM PËR NJË FAMILJE!!

    PREJ KUR ËSHTË BËRË KURBAN BAJRAMI PROBLEM PËR NJË FAMILJE!!

    Prej atëherë kur emri i tij është shndërruar nga kurban bajram në bajramin e madh!

    Prej atëherë kur therja e kurbanit është bërë traditë shoqërore, e jo adhurim që të afron kah Allahu!

    Prej atëherë kur lëkura e kurbanit ka filluar të shitet!

    Prej atëherë kur kurbani ka filluar të blihet për hir të fëmijëve, e jo për hir të afrimit kah Allahu!

    Prej atëherë kur mishi i kurbanit ka filluar të ruhet nëpër frigoriferë, dhe nuk është shpërndarë për të varfrit e jetimët!

    Prej atëherë kur është bërë bajrami shans për ta prezantuar fuqinë e blerjes dhe të garuarit me numrin e kurbaneve!

    Prej atëherë kur filluam të shkojmë në xhami me fal namazin e bajramit dhe të shohim se si komshiu jonë e ka therë kurbanin para se të falet namazi.

    Prej atëherë kur mishi i kurbanit është bërë pjesë e ndejave me alkool dhe me haram.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • IBADETI NË MUAJIN DHUL HIXHE

    IBADETI NË MUAJIN DHUL HIXHE

    O ju musliman, Frikojuni Allahut, mos harroni se jeni duke jetuar në një botë kalimtare ku statusi i juaj në të është ai i mysafirit dhe se tek Allahu është kthimi i vërtet. Tani jemi në prag të muajit Dhul Hixhe, muaj madhështor i cili në vete përmban shumë begati e merita dhe adhurime të llojllojshme. Dhjetë ditët e para të këtij muaji Allahu i theksoi në Kuran duke thënë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (e para të muajit Dhul Hixhe)!”. Fexhër 1-2.

    Imam Buhari, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk ka vepër më të vlerësuar dhe me sevap më të madh, sesa një vepër e mirë që bëhet gjatë dhjetë ditëve të Dhul Hixhes”. Dikush e pyeti: “As pjesëmarrja në xhihad?!” Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “As pjesëmarrja në xhihad, përveç një burri i cili del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën”.

    Në një transmetim tjetërNuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Zoti, sesa këto dhjetë ditë”. Shokët e tij, të çuditur e pyetën: “Edhe se pjesëmarrja në xhihad, o i dërguar i Allahut?!” Profeti,sal-lallahu alejhi ue selem, ua ktheu: “Përveç një burri i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën”.

    Këto dy hadithe, janë tregues se dhjetë ditët e Dhul Hixhes, janë ditët më të mira të vitit pa përjashtim, madje janë më të mira edhe se dhjetë ditët e fundit të ramazanit. Por, dhjetë netët e fundit të ramazanit janë më të mira, pasi në to gjendet nata e Kadrit e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Kështu, kuptohen më mirë hadithet dhe vlerat e secilit sezon.

    Po ashtu hadithet na mësojnë se veprat që kryhen në dhjetë ditët e para të këtij muaji janë më të dashura tek Allahu  se sa veprat e ditëve të tjera të çdo muaji, dhe se këto ditë janë më të mira se lufta në rrugë të Allahut, duke e bërë përjashtim këtu luftën në të cilën burri del me veten dhe me pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën. I vetmi ky lloj i luftës në rrugë të Allahut është më me vlerë se sa dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe.

    Allahu në këto ditë e preferoi agjërimin duke e përjashtuar këtu ditën e dhjetë, për shkak se ajo është dita e Kurban Bajramit. Hafsa, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tregon se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, katër gjëra nuk i linte kurrë: “Agjërimin e ashuras (ditës së dhjetë të Muharremit), agjërimin në dhjetë ditët e Dhul Hixhes, agjërimin e tri ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve përpara sabahut”.

    Në këto ditë  po ashtu preferohet shpeshtimi i përmendjes së Allahut, falënderimi i Tij, madhërimi i Tij dhe është mirë që të ngrihet zëri gjatë përmendjes së Allahut nëpër tregje. Allahu, azze ue xhel, thotë: “të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara” Haxh 28.

    Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon prej Ibën Omerit dhe Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se këta dy dilnin në tregje, e madhëronin Allahun me tekbire dhe njerëzit e madhëronin se bashku me ta.

    Tekbiret janë sunet të thuhen gjatë tërë ditëve të dhjetëditëshit të parë të Dhul Hixhes dhe ditëve të bajrameve, në çdo kohë. Kurse në mëngjesin e ditës së Arafatit, pas namazit të sabahut e deri në ditën e katërt të Bajramit pas ikindisë është sunet pas çdo namazi t’i këndojmë tekbiret pas namazeve të detyruara (farze). Forma e tekbireve është: Allahu Ekber, Allahu Ekber, la ilahe il-lAllahu uallahu Ekber. Allahu Ekber ue lilahil hamd.

    Pasi që secili njeri nuk mundet të shkojë në Haxh, Allahu ia zëvendësoi robit Haxhin me këto ditë të bekuara e të vlefshme, dhe e mësoi se veprimi i punëve të mira në to ia tejkalon në shpërblim edhe luftës në rrugë të Allahut.  Në këto ditë bie dita e Arafatit e cila është dita më e mirë. Ibën Hibani, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij shënon një hadith prej Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem,ka thënë: “Dita më e mirë është dita e Arafatit”. Agjërimi i kësaj dite është shkak për faljen e mëkateve të vogla të vitit të kaluar dhe atij që vijon. Është pyetur Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, për agjërimin e ditës së Arafatit dhe ka thënë: “Agjërimi i Ditës së Arafatit i shlyen mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm”. Po ashtu thoshte, sal-lallahu alejhi ue selem: “Për agjërimin e ditës së Arafatit shpresoj që Allahu të mi falë mëkatet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm.”

    Kjo ditë pëlqehet të agjërohet nga ai i cili nuk është në Haxh, ndërsa haxhiu nuk duhet ta agjërojë për arsye se atë ditë duhet të jetë i fortë që ta adhurojë Allahun më tepër, ta përmend më tepër, të lutet më tepër, se ajo ditë është ditë e faljes së gjynaheve dhe lirim prej zjarri. Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith prej Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë:“Nuk ka ndonjë ditë që lirohen më së shumti nga zjarri i xhehenemit se dita e Arafatit, Allahu u afrohet atyre, pastaj lavdërohet me ata para melaqeve dhe thotë: “Çfarë dëshirojnë ata?!”.

    Ibën Abdulberri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kjo aludon se ata janë të falur nga mëkatet, për shkak se Allahu nuk lavdërohet me gabimtarët dhe mëkatarët, përveç pas pendimit dhe faljes”.

    Gjithashtu, Ibën Hibani, Allahu e mëshiroftë, transmeton se Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Nuk ka ndonjë ditë që është më me vlerë tek Allahu se dita e Arafatit. Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e kësaj bote dhe lavdërohet me banorët e tokës ndaj banorëve të qiellit”.Kurse në një transmetim tjetër thuhet: “Allahu i Lartësuar lavdërohet me ata që qëndrojnë në Arafat tek melaqet dhe thotë: “O melaqet e Mi, shikoni robërit e Mi, më kanë ardhur të pakrehur, të pluhurosur (nga rruga) dhe duke sakrifikuar”.

    Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thoshte: “Lutja më e mirë është ajo e ditës së Arafatit, ndërsa fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje është “La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul Hamdu ue Huve ala kul-li shejin Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

    Në këtë muaj të begatshëm bie edhe dita e Kurban Bajramit, e cila njihet edhe si dita e Haxhit të Madh. Në këtë ditë haxhilerët e plotësojnë Haxhin e tyre, i therin kurbanët, i gjuajnë gurët, i rruajnë ose i shkurtojnë flokët, e kryejnë Tavafin në Qabe, ecin mes Safës dhe Meruas, ndërsa muslimanët të cilët nuk janë në Haxh anekënd botës e falin namazin e Bajramit dhe e përmendin Allahun.

    Në këtë muaj të begatshëm bien edhe ditët e ashtuquajtura “të caktuara”, të cilat janë ditët e qëndrimit në Mina. Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, e përcjell një hadith prej Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, i cili ka thënë: “Ditët e qëndrimit në Mina janë ditë të ngrënies, pirjes dhe përmendjes së Allahut”.

    Këto ditë janë ditët e numëruara, të caktuara, të cilat i thekson Allahu në Kuran: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)“. Bekare 203.

    Këto tre ditë janë pas ditës së Bajramit, preferohet në to përmendja e Allahut, duke filluar prej tekbireve të caktuara pas çdo namazit të detyruar, pastaj përmendja dhe madhërimi i Allahut gjatë prerjes së kurbanit, gjatë gjuajtjes së gurëve, gjatë ngrënies dhe pirjes, e kështu me radhë.

    Në përgjithësi muaji i Dhul Hixhes është muaj i adhurimeve të llojllojshme, muaj i begative të ndryshme, është muaj prej muajve të Haxhit ku ndalohen luftërat dhe në këtë muaj kryhet Haxhi në Qabe.

    O ju musliman

    Frikojuni Allahut dhe dijeni se agjërimi i ditëve të Caktuara (tre ditëve pas Bajramit) është i ndaluar. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ditët e qëndrimit në Mina janë të ndaluara për agjërim. Ato janë ditë të ngrënies dhe pijes”.

    Në një transmetim tjetër: “Dita e Arafatit, dita e Bajramit dhe ditët e Teshrikut (Dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Bajramit ) janë festa tona dhe ato ditë janë ditë të ngrënies dhe pijes”.

    Në ndalesën e agjërimit të këtyre ditëve gjejmë urtësi të madhe. Allahu, azze ue xhel, duke i ditur vështirësitë e haxhiut që i përjeton gjatë udhëtimit, lodhjet e tij gjatë periudhës së qëndrimit në Ihram, pastaj luftën shpirtërore dhe atë trupore gjatë kryerjes së riteve të Haxhit, ia ligjësoi atij qëndrimin në Mina, ditën e Bajramit dhe tre ditë pas saj, që të jetë për haxhiun pushim, të hajë e të pijë në to, për shkak se ai është mysafir i Allahut dhe është në gostinë e Tij.

    Haxhilerëve i bëjnë shoqëri edhe muslimanët anekënd botës të cilët nuk janë pjesëmarrës në Haxh, për shkak se ata iu bashkëngjitën në dhjetë ditët e para të muajit, me agjërim, me lutje, me përmendje të shpeshtë të Allahut, me tekbire, dhe me therje të kurbanit ditën e Bajramit. Të gjithë morën pjesë në faljen e Bajramit, në ritet e tij, atë ditë u ushqyen dhe pushuan prej lodhjeve të agjërimit, kështu që të gjithë muslimanët morën pjesë në gostinë e Allahut.

    Këto ditë muslimanët hanë dhe pinë prej furnizimit të Tij, e falënderojnë për të mirat e Tij, prandaj edhe ndalohen prej agjërimit të këtyre ditëve.

    E lus Allahun, azze ue xhel, të na mundëson agjërimin e këtyre ditëve, po ashtu lehtësimin e veprimit të adhurimeve dhe faljen e mëkateve.

    nga arabishtja. Irfan JAHIU

  • QARTËSIMI I TEUHIDI I ADHURIMIT NË RITET E HAXHIT

    QARTËSIMI I TEUHIDI I ADHURIMIT NË RITET E HAXHIT

    Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.

    O ju njerëz,

    Frikojuni Allahut dhe dijeni se qëllimi i krijimit tuaj nuk është tjetër përpos adhurimi i Tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë”. Dharijat 56.

    Allahu me këtë mesazh i porositi të gjitha krijesat: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun”. Bekare 21-22.

    Adhurimi pa teuhid (njësim) i përngjanë namazit pa abdes. Sikurse papastërtia që e prish abdesin ashtu shirku i vepruar nga ana e robit e shkatërron teuhidin. Allahu, azze ue xhel, për këtë shkak i drejtohet krijesës më të dashur duke i thënë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit”. Zumer 65.

    Shirku (politeizmi) është arsyeja kryesore për mospranimin e veprave dhe adhurimeve, prandaj urdhri për adhurimin e Allahut shumë herë vjen i shoqëruar me ndalesën prej shirkut, sikurse në thënien e Allahut, azze ue xhel“Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë(në adhurim)“. Nisa 36. Ky ishte edhe mesazhi i të gjithë Profetëve drejtuar popujve të tyre: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! “.  Earaf 59.

    O ju robër të  Allahut,

    Allahu na e detyroi Haxhin, prandaj le të përsiatim në të, manifestimin e teuhidit dhe largimin prej shirkut, që të mbetet shembull praktik që do ta përpilojmë në të gjitha adhurimet tona.

    Në rend të parë nëse përsiatim themelimin e Qabesë do të vërejmë se ajo është themeluar mbi teuhid, siç na njofton edhe Allahu, azze ue xhel: “Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. Bekare 125.

    Allahu i urdhëroi ata të dy që ta pastrojnë Qabenë prej të gjitha papastërtive, e posaçërisht prej shirkut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të papastër (për shkak të besimit të kotë), prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti”. Teube 28, dhe “Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. Haxh 26.

    Kjo shtëpi pra, është themeluar mbi teuhid dhe detyrohet të mbetet ashtu deri në Ditën e Kiametit, nuk lejohet që t’i afrohet asnjë jobesimtar (mushrik) ose të depërtojë ndonjë lloj i shirkut përreth saj. Prandaj Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, kur e çliroi Mekën hyri në Qabe dhe përreth saj i gjeti treqind e gjashtëdhjetë idhuj të cilët filloi t’i shkatërrojë dhe të përsërisë ajetin: “E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua. Sigurisht, e pavërteta është e paracaktuar të zhduket! “. Isra 81. Pastaj urdhëroi që të nxirren prej Qabesë dhe të digjen, ndërsa Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, hyri në brendësinë e saj dhe filloi t’i fshijë vizatimet e pikturuara në mure duke u bazuar në fjalën e Allahut: “Dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur”. Haxh 26.

    Qabeja është Kibla e muslimanëve, në të kryhet Haxhi dhe Umreja, është vend takim i zemrave dhe trupave të tyre, prandaj detyrohet të jetë burim i teuhidit (njësimit) dhe i besimit të pastër ku do të adhurohet Allahu me sinqeritet, dhe të largohet prej saj çdo lloj i idhujtarisë dhe risive. Prandaj edhe erdhi urdhri që të kryhet Haxhi dhe Umreja vetëm për Allahun: “Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!”. Bekare 196.

    O ju robër të  Allahut,

    Prej manifestimeve të teuhidit të adhurimit në Haxh është ngritja e zërave pas veshjes së Ihramit duke iu përgjigjur ftesës së Haxhit vetëm për hir të Allahut, dhe duke e publikuar njësimin e Tij në falënderim, begati e sundim: “Lebbejke Allahume Lebbejk, Lebbejke La sherike Leke Lebbejk, innel Hamde ven ni’ëmete leke uel Mulk La sherike Lek” (Të përgjigjem o Zot, Ti je i pashoq, vetëm Ty të përgjigjem, falënderimi të takon vetëm Ty. Të gjitha begatitë dhe i tërë sundimi të takon Ty, Ti je i pashoq).

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është përmendja e Allahut në ditën e Arafatit me lutjen: “La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul Hamdu ue Huve ala kul-li shejin Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

    Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thoshte: “Lutja më e mirë është ajo e ditës së Arafatit, ndërsa fjala më e mirë që e kam thënë unë dhe Profetët para meje “La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul Hamdu ue Huve ala kul-li shejin Kadir” (S’ka të adhuruar përveç Allahut Një dhe të pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send).

    Kjo lutje është kumtesë e njësimit të adhurimit në këtë shoqëri madhështore dhe në këtë ditë të bekuar, dhe preferohet të shqiptohet sa më shpesh me qëllim që haxhiu ta kupton thelbin e saj dhe të vepron sipas asaj çka e aludon ajo, që në fund t’i kryen ritet e Haxhit me sinqeritet dhe t’i largohet çdo llojit të shirkut e risive.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është Tavafi përreth Qabesë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. Haxh 29.

    Tavafi përreth Qabesë është i veçantë për të dhe nuk lejohet veprimi i tij ndokund tjetër në gjithë rruzullin tokësor. Haxhiu prej këtu e kupton se Tavafi përreth varreve, drunjve, gurëve e tyrbeve, nuk është adhurim i lejuar nga Allahu, por është adhurim i urdhëruar nga shejtanët qofshin ata njerëz apo xhind.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është madhërimi i Allahut me puthjen dhe fërkimin e Gurit të Zi. Haxhiu e puthë atë gur me bindje të thellë se është prej riteve të Haxhit dhe se me këtë vepër i nënshtrohet Allahut dhe Profetit të Tij. Mu për këtë arsye Omer ibën Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur e puthi Gurin e Zi tha: “Pasha Allahun, unë e di se ti je gur, nuk bën dobi e as dëm, dhe mos ta kisha parë Profetin, sal-lallahu alejhi ue selem, duke të puthur asnjëherë nuk do të të puthja”.

    Muslimani prej kësaj vepre e kupton se nuk lejohet puthja dhe fërkimi për bereqet  të asnjë objekti apo guri, duke e përjashtuar këtu puthjen dhe fërkimin e Gurit të zi për arsye se kjo është prej riteve të Haxhit, ndërsa puthja dhe fërkimi i  varreve, tyrbeve e drunjve për bereqet është prej veprave që e kundërshtojnë fenë e Allahut dhe nuk janë prej riteve të Tij.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është që haxhiu pasi ta kryen Tavafin t’i fal dy rekate pas Mekami Ibrahim duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel,“Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vend grumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!”. Bekare 125.

    Preferohet që në rekatin e parë pas Fatihas të lexon suren el Kafirun, ndërsa në të dytin suren el Ihlas. Urtësia e leximit të këtyre dy sureve qëndron në faktin se ato në vete përmbajnë njësimin e Allahut me njohje dhe pohim (teuhid rububije) dhe njësimin e Allahut me adhurim (teuhid uluhije). Surja e parë përmban mospranimin e fesë së mushrikëve dhe njësimin e Allahut me adhurim, ndërsa surja e dytë përmban njësimin e Allahut me cilësitë e përkryera dhe dëlirjen e Tij prej cilësive të mangëta.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është sa’ji (ecja) mes kodrinave të Safës dhe Meruas duke u bazuar në thënien e Allahut, azze ue xhel: “Kodrinat Safa dhe Merua (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qabenë për haxh ose për umre, s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm”. Bekare 158.

    Prej këtij riti të Haxhit muslimani mëson se Sa’ji nuk kryhet në vend tjetër përveç se në Safa dhe Merua, për arsye se këto janë rite të Haxhit, ndërsa saji i kryer në ndonjë vend tjetër është mashtrim nga ana e shejtanit dhe  nuk është adhurim i Allahut.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është ajo çka e ligjësoi Allahu në ditën e Bajramit dhe në ditët e caktuara (të Teshrikut) prej përmendjes së Tij: “Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)“. Bekare 203.

    Përmendja e Allahut në këto ditë qartësohet në veprat e mëdha që kryhen gjatë atyre ditëve duke filluar prej qëndrimit në Mina, pastaj gjuajtjes së gurëve, prerjes së Kurbanit, faljes së pesë kohërave të namazit në atë vend të bekuar dhe në ato ditë të bekuara. Muslimani kur i gjuan gurët thotë “Allahu Ekber (Allahu është më i madhi)”, e kjo është përmendje e Allahut, po ashtu kur e ther Kurbanin e përmend Allahun, ashtu siç na njofton Allahu në Kuran: “Për çdo popull, Ne kemi caktuar një ritual, që ata të përmendin emrin e Allahut gjatë flijimit të kafshëve, që Ai ua ka dhuruar për ushqim”. Haxh 34.

    Allahu, azze ue xhel, po ashtu thotë: “Devetë dhe gjedhët i kemi bërë për ju si një nga ritet e Allahut për flijim dhe ju keni dobi nga ato. Prandaj, përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur). Kur ato të bien në tokë, hani prej (mishit të) tyre dhe ushqeni edhe atë që lyp, edhe atë që nuk lyp. Kështu pra, Ne i kemi vënë ato në shërbimin tuaj, që ju të jeni mirënjohës. Tek Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por arrin përkushtimi juaj. Kështu, Ai i ka vënë ato në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe, jepu lajmin e mirë, punëdrejtëve!”. Haxh 36-37.

    Muslimani prej këtyre ajeteve kupton se therja e Kurbanit është adhurim dhe se therja e tij nuk lejohet t’i kushtohet dikujt tjetër veç Allahut, se kjo është shirk.

    Po ashtu prej manifestimeve të teuhidit (njësimit) të adhurimit në Haxh është se Allahu i ka porositur haxhilerët që ta përmendin Atë shumë gjatë kryerjes së riteve të Allahut dhe pas përfundimit të saj. I ndaloi prej përmendjes së parive dhe njerëzve të mëdhenj me ndikim, të gjallë apo të vdekur, dhe i porositi që të mos krenohen me fise dhe gjenezë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër. Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit) Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut). Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut. Ta keni frikë Allahun e ta dini mirë se vetëm tek Ai do të tuboheni!”. Bekare 198-203.

    Haxhi pra, nuk qenka thjesht një udhëtim vëzhgues e turistik dhe manifestim i riteve, por është përvojë dhe mësim praktik për besimin e pastër dhe largimin e besimeve të kota të kohës së injorancës. 

    O ju që Allahu jua mundësoi ta kryeni Haxhin dhe e mësuat prej riteve të tij besimin e pastër, dhe i vërejtët të tjerët qofshin prej vendit tuaj apo prej ndonjë vendi tjetër se kanë gabime që bien ndesh me besimin e pastër, mësojuani atyre besimin dhe përmirësoni gabimet e tyre për arsye se detyra e të dijshmit është mësimi i të paditurit dhe mos harroni se ju jeni përgjegjës para Allahut i cili thotë: “Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut”. Teube 122, dhe“Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit”. Ali Imran 104.

    Besimtari pra, së pari shpreson në përmirësimin e vetes e pastaj në përmirësimin e të tjerëve. Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë:“Nuk ka besuar ndonjëri prej jush deri sa nuk e do për vëllanë e tij musliman atë çka e do për vetvete”.

    O ju robër të Allahut,

    Frikojuni Allahut, kujdesuni për fenë e juaj në përgjithësi dhe për besimin e juaj në veçanti, për shkak se ajo është baza dhe themeli. Kjo fe është e ndërtuar mbi dy parime: sinqeritetin në adhurim dhe pasimin e Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe këto dy parime nuk mund të njihen përveç se me përsiatje të Kuranit dhe Sunetit dhe me pasimin e tyre.

    SHEJH DR. SALIH EL FEUZAN                                         

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU 

  • DISA VEÇORI TË HAXHIT DHE KUSHTET E TIJ

    DISA VEÇORI TË HAXHIT DHE KUSHTET E TIJ

    Haxhi është një prej shtyllave të Islamit dhe bazament i fortë i tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt; dhe vizita (për Haxh) e kësaj Faltoreje është detyrë për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd”. Ali Imran 96-97.

    Prej kuptimit të ajetit dijetarët kanë konstatuar se Haxhi është detyrim mbi çdo musliman dhe ai i cili e mohon këtë dispozitë është qafir me pajtim të dijetarëve. Allahu, azze ue xhel, i drejtohet të dashurit të Tij Ibrahimitalejhi selam, duke i thënë: “Thirri njerëzit për haxhillëk” Haxh 27.

    Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Islami është i ngritur mbi pesë bazamente: Dëshmia se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zeqatit, agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh, për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”.

    Qëllimi i thënies “për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën”, është: kush ka ushqim të mjaftueshëm të merr me vete dhe t’i lë familjes deri sa të kthehet dhe të posedon mjet transporti i cili do ta çojë deri në Qabe dhe do ta kthejë deri në vatanin e tij.

    Në ligjësimin e Haxhit gjejmë urtësi, dhe urtësinë e ligjësimit të saj na e qartëson Allahu, azze ue xhel, ku thotë: “Që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. Haxh 27-29.

    Dobia e Haxhit pra, i kthehet vetëm haxhiut e jo Allahut, azze ue xhel, për shkak se: “Allahu nuk ka nevojë për askënd”. Ali Imran 97. Ai nuk është nevojtarë për haxhilerë, por ata kanë nevojë për Atë.

    Urtësia e vonimit të detyrimit të Haxhit krahas namazit, zeqatit dhe agjërimit qëndron në faktin se namazi është shtylla e fesë e cila përsëritet çdo ditë e natë nga pesë herë, zeqati është shtyllë e cila ceket shumë herë si shok i pa ndashëm i namazit, ndërsa agjërimi për shkak se përsëritet çdo vit. Haxhi është bërë i obliguar në Islam në vitin e nëntë pas hixhretit, kurse Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, nuk e ka kryer Haxhin më shumë se një herë edhe atë në vitin e dhjetë pas hixhretit, ndërsa gjatë jetës së tij i ka kryer katër Umre.

    Synimi i Haxhit dhe Umres është adhurimi i Allahut në ato vende ku i ka caktuar që të adhurohet. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem,thotë: “Qëllimi i gjuajtjes së gurëve dhe sajit mes Safës dhe Merues nuk është tjetër veç se të përmendet Allahu, azze ue xhel”.      

    Haxhi pra, është obligim me njëzëshmëri të muslimanëve dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit. Është detyrim individual një herë në jetë për atë që ka mundësi dhe detyrim kolektiv i muslimanëve për çdo vit, ndërsa ai i cili shton më shumë se Haxhin e detyruar i llogaritet si vullnetar.

    Umreja po ashtu është detyrim sipas mendimit të shumë dijetarëve, dhe si argument e marrin hadithin e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, kur është pyetur se a ka xhihad për gratë? Përgjigja e tij ka qenë: “Po, për gratë ka xhihad, mirëpo pa luftë: Haxhi dhe Umreja”.

    Pasi që është vërtetuar se Umreja për gratë është detyrim, atëherë kjo dispozitë për burrat është edhe më e kërkuar. Një njeri e pyeti Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue selem, për babanë e tij i cili ishte plak e i lodhur dhe nuk kishte mundësi të shkojë në Haxh e as në Umre. Përgjigja e tij ishte: “Kryeje Haxhin dhe Umren në vend të tij”. 

    Haxhi dhe Umreja janë detyrim i çdo muslimani një herë në jetë dhe duhet të përshpejton në kryerjen e tyre sipas mundësive, ndërsa çdo vonesë pa arsye është mëkat. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thuhet të ketë thënë: “O ju njerëz, ju është bërë Haxhi detyrim, prandaj kryeni”. – E pyeti njëri prej të pranishmëve: A çdo vit? – U përgjigj: “Po të kisha thënë se po, atëherë do t’ju bëhej detyrim për çdo vit e ju nuk do të kishit mundësi ta përballoni”.

    Imam Ahmedi shënon një hadith ku Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Përshpejtoni në kryerjen e Haxhit se asnjëri prej jush nuk e di se çka do t’i ndodhë në të ardhmen”.

    Kushtet e Haxhit janë pesë: Islami, mendja e shëndoshë, pjekuria, liria dhe mundësia. Kur plotësohen këto kushte obligohet përshpejtimi i kryerjes së tij.

    Haxhi dhe Umreja të bëra nga ana e fëmijës janë të pranuara mirëpo si vullnetare. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e ngriti fëmijën e saj dhe ia tregoi Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, dhe i tha: Për këtë fëmijë a ka Haxh?  Iu përgjigj. “Po, Haxhi i tij është i pranuar (si vullnetar) dhe ti ke shpërblim”. 

    Në mesin e dijetarëve ka pajtim se Haxhi i fëmijës i kryer para moshës madhore nuk e zëvendëson Haxhin e detyruar (Haxhin e Islamit), por detyrohet që kur ta arrijë moshën madhore ta kryen edhe një herë në rast se ka mundësi. Kur fëmija është në moshën e papjekurisë, përgjegjësi i tij detyrohet që ta bëjë nijetin në vend të tij, gjatë kryerjes së tavafit dhe sajit dhe gjatë qëndrimit në Mina, Arafat dhe Muzdelife duhet ta shoqëron, gurët t’i gjuan në vend të tij dhe ta largon prej të gjitha ndalesave të Haxhit. Në rast se fëmija është në moshën kur kupton dhe i dallon gjërat (por ende para pubertetit) nijetin e Haxhit e bën vetë, por me lejen e përgjegjësit, ritet e Haxhit i kryen vetë ndërsa ato rite të cilat nuk ka mundësi t’i kryejë vet i kryen përgjegjësi i tij dhe detyrohet t’i largohet të gjitha ndalesave të Haxhit sikurse i rrituri.

    I aftë për kryerjen e Haxhit është ai i cili ka mundësi fizike e materiale, i përballon rrugës dhe mjetit të udhëtimit, i mjaftojnë të hollat gjatë shkuarjes dhe kthimit, po ashtu ka pasuri të mjaftueshme për anëtarët e familjes deri sa të kthehet, rruga deri në Haxh është e sigurt për jetën dhe pasurinë e tij dhe nuk duhet të niset pa i la borxhet (ose të merr leje prej borxhliut që të shkon në Haxh) dhe të kërkon falje prej atyre që u ka bërë padrejtësi. Në rast se ka pasuri mirëpo fizikisht është i dobët për shkak pleqërisë apo sëmundjes prej të cilës nuk shpresohet shërim, detyrohet që ta dërgon ndokënd që ta kryen Haxhin në vend të tij qoftë prej të njëjtit vend apo ndonjë vendi tjetër. Ibën Abasi, radijallahu anhu, na përcjell se një grua e pyeti Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, se babai i saj është plak i cili nuk e ka kryer Haxhin e detyruar dhe nuk mundet t’i përballojë udhëtimit, a mundet që ta kryej Haxhin në vend të tij? – Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, iu përgjigj: “Kryeje Haxhin në vend të tij”.

    Kusht për atë që e kryen Haxhin për ndonjë tjetër është ai ta ketë kryer Haxhin e Islamit për vete, duke u bazuar në atë që na e përcjell Ibën Abasi, radijallahu anhu, se ai e kishte dëgjuar një njeri të ketë thënë: “O Zot, i përgjigjëm ftesës Tënde për në Haxh në vend të Shubrumes”. – Ibën Abasi i tha: “A e kryer Haxhin për vete”? – Iu përgjigj: “Jo, nuk e kam kryer Haxhin e Islamit për vete”. – Ibën Abasi i tha: “Atëherë bëje së pari për vete e pastaj mundesh që ta bësh për ndonjë tjetër”.

    Zëvendësit (bedelit) duhet t’i jepen të holla për rrugë, për ushqim dhe për nevojat tjera që i nevojiten gjatë Haxhit, nuk lejohet qiraja për Haxh dhe nuk lejohet ta merr Haxhin si mjet për përfitim të hollave. Synimi i zëvendësit duhet të jetë dobia e atij vëllait musliman që e kryen Haxhin për të, pastaj vizita e vendeve të shenjta, vizita e Qabesë, kështu që Haxhi duhet të kryhet vetëm për Allah e jo për dynja. Nëse Haxhin e kryhen për të holla, Haxhi i tij nuk është i pranuar dhe  po ashtu nuk i pranohet edhe atij i cili e ka dërguar për në Haxh. Prandaj duhet te kemi kujdes se kë e dërgojmë si zëvendësim në Haxh, për shkak se Haxhi është adhurim ndërsa adhurimet nuk kryhen përveçse për Allah.

    nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • PËRGATITJA PËR HAXH

    PËRGATITJA PËR HAXH

    Këto ditë të bekuara muslimanët përgatiten për udhëtim kah Qabeja për ta kryer Haxhin, disa prej tyre Haxhin e detyruar (Haxhin e Islamit) e disa prej tyre Haxhin vullnetar. Pa dyshim se ky udhëtim i gjatë disa ditësh kërkon prej haxhiut përgatitje materiale, fizike e shpirtërore, me qëllim që kjo pajisje t’i mjaftojë gjatë kohës së Haxhit që të mos varet prej të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria”. Bekare 197.

    Allahu, azze ue xhel, na urdhëroi me pajisje të mjaftueshme e cila përbëhet prej marrjes së ushqimit të mjaftueshëm me vete, lënia e ushqimit të mjaftueshëm për familjen deri sa të kthehemi dhe posedimi i mjetit të  transportit i cili na çon deri në Qabe dhe na kthen deri në vatanin tanë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është detyrim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo” Ali Imran 97.

    Më herët disa prej haxhilerëve kur niseshin për në Haxh nuk pajiseshin me mjetet e duhura që u nevojiteshin, kështu që rrugës jetonin në kurriz të të tjerëve duke u bërë barrë e parazit i tyre. Prandaj Allahu i ndaloi prej kësaj vepre dhe i urdhëroi ata që të pajisen me aq sa u mjafton që t’i largohen varshmërisë prej të tjerëve. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Pajisuni me gjërat që ju nevojiten (për rrugë) dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!”. Bekare 197.

     Kur njerëzit paragjykonin se tregtia dhe përfitimet në sezonin e Haxhit janë të ndaluara Allahu, azze ue xhel, e zbriti ajetin: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit)“. Bekare 198.

    Allahu në dy ajetet e lartpërmendura na bëri me dije se haxhiu duhet t’i merr dy llojet e furnizimeve, atë të udhëtimit për dynja me ushqim e me pije të mjaftueshme deri në fund të udhëtimit, dhe atë të udhëtimit për ahiret duke vepruar vepra të mira dhe duke u larguar prej mëkateve. Allahu pastaj na e bëri me dije se tregtia dhe kërkimi i rrëskut të lejuar nuk bie ndesh me Haxhin dhe ritet e tij, në rast se ajo tregti nuk e preokupon dhe e largon haxhiun prej veprimit të adhurimeve. Kjo aspak nuk bie ndesh edhe me mbështetjen në Allahun (tevekulin), dhe nuk duhet harruar faktin se haxhiu është i detyruar që kur të niset për në Haxh t’i len familjes furnizim të mjaftueshëm deri sa të kthehet dhe nuk lejohet që t’i len pa furnizim ose t’ua pakëson atyre furnizimin për ta kryer Haxhin e tij. Në këtë rast haxhiu nuk ka shpërblim, por ka mëkat. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Mjafton si mëkat për dikë, nëse dëmton ata që duhet t’i ushqejë”.

    Haxhiu po ashtu duhet t’i pastron borxhet e tij që ua ka njerëzve. Në rast se nuk ka pasuri të mjaftueshme për shpenzimet e Haxhit dhe larjes së borxheve, i jepet përparësi larjes së borxheve dhe nuk lejohet që të shkojë në Haxh.

    Haxhiu po ashtu gjatë Haxhit duhet të shpenzon pasurinë e tij të fituar hallall, që Haxhi i tij të pranohet dhe mëkatet t’i falen. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Vërtet Allahu është i mirë dhe nuk pranon përveç të mirës, dhe vërtet Allahu u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve. Allahu, azze ue xhel, ka thënë: “O të dërguar! Hani nga të lejuarat dhe bëni vepra të mira! Vërtet, Unë e di mirë çfarë bëni ju!”.  Dhe ka thënë: “O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar”. Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura, dhe i cili i shtriu duart e tij nga qielli: O Zot, o Zot! Kurse ushqimi i tij është haram, dhe pija e tij haram, dhe veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”.

     Pasuria e shpenzuar për në Haxh në rast se është e fituar në mënyrë të lejuar atëherë bën pjesë në pasurinë që shpenzohet për në rrugë të Allahut. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Shpenzojeni pasurinë në rrugën e Allahut dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira, Allahu me të vërtetë i do bamirësit”. Bekare 195. Një prej sahabëve e dhuroi devenë e tij për në rrugë të Allahut dhe një grua kur deshi ta përdorë po të njëjtën deve për udhëtim për në Haxh Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem i tha: “Përdore atë për në Haxh, se Haxhi bën pjesë në rrugë të Allahut”.

     Një grup dijetarësh u argumentuan me këtë hadith se ai i cili nuk e ka kryer Haxhin e detyruar i lejohet që të merr prej të hollave të zeqatit dhe ta kryen këtë shtyllë të Islamit, se ai bën pjesë në grupin e atyre që u jepet zeqati: “për në rrugë të Allahut”. Teube 60.

    Haxhiu po ashtu detyrohet që të pendohet me sinqeritet prej të gjitha mëkateve, në rast se ka bërë padrejtësi kundrejt njerëzve të kërkon falje prej tyre dhe t’ua kthen hakun që ua ka marrë padrejtësisht. Po ashtu detyrohet që t’i largohet mëkateve dhe gjynaheve, të kujdeset për faljen e namazeve, t’i kryen të gjitha detyrimet dhe ta merr rrugën drejt shtëpisë së Allahut i penduar dhe i pastër prej padrejtësive ndaj robërve të Allahut. Haxhiu pra, nuk duhet që të hyjë në shtëpinë e Allahut i njollosur me mëkate ose t’i vepron ato gjatë kohës së Haxhit. Allahu, azze ue xhel, thotë: Haxhi është në muajt e caktuar e kush bën (ia fillon të zbatojë) haxhin në këta muaj, nuk duhet afruar gruas, nuk bën të merr nëpër këmbë dispozitat e sheriatit, as nuk duhet shkaktuar grindje”. Bekare 197.   

    Përcillet se Pejgamberi, sal-allahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush kryen haxhin për Allahun dhe nuk kryen marrëdhënie seksuale (gjatë kohës sa është në Ihram) dhe nuk shkel dispozitat, kthehet nga Haxhi i pastër prej mëkateve sikur atë ditë kur e ka lindur nëna”. Kjo për haxhiun hap një faqe të re të jetës së tij, të pastër nga mëkatet dhe gjynahet.

    Haxhi konsiderohet i pranuar me bashkimin e dy çështjeve në të:

    Çështja e parë: Ardhja e njerëzve në Haxh me punë të mira, prej saj, bamirësia ndaj njerëzve dhe sjellja e mirë. Kur u pyet Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, për bamirësinë, u përgjigj: “Bamirësia është moral i mirë”.

     Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, në Musnedin e tij shënon një hadith prej Xhabir ibën Abdullah,radijallahu anhu, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit”. – Të pranishmit pyetën: Çka është bamirësia e Haxhit, o i Dërguar i Allahut? – U përgjigj: “Dhënia ushqim nevojtarit dhe përhapja e selamit”.

     Është pyetur Seid ibën Xhubejr, radijallahu anhu, se cili haxhi është më i miri? – Përgjigja e tij ishte: “Ai i cili i ushqen të varfrit dhe e ndal gjuhën e tij prej mëkateve”.

     Në përgjithësi, njerëzit më të mirë janë ata të cilët i bëjnë dobi të tjerëve dhe bëjnë durim prej torturave të tyre, ashtu si i përshkroi Allahu të devotshmit në Kuran: “Të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit”. Ali Imran 134.  

     Çështja e dytë: Një ndër veprimet më të mëdha të mirësisë në Haxh, është përmendja e shumtë e Allahut, azze ue xhel. Allahu urdhëroi në përmendjen e Tij të shumtë gjatë kryerjes së riteve të Haxhit, veçanërisht kur haxhiu është në gjendje të Ihramit, për shkak se pajisja më e mirë është ajo e devotshmërisë e cila i përmbledh në vete të gjitha karakteristikat e mirësisë.

     Haxhiu detyrohet që nijetin ta ketë të sinqertë për Allahun, synimi i tij prej Haxhit mos të jetë fitimi i autoritetit para njerëzve dhe në ambiciet e tij prej Haxhi mos të ketë aspiratë prej aspiratave të dynjasë. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kryeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut!”. Bekare 196.

    Haxhiu para se të udhëton duhet që t’i shkruan porositë e amanetet, borxhet e tij dhe ato që i kanë borxh atij,  për shkak se rruga është e gjatë dhe nuk dihet se çka mund të ndodh gjatë kohës së Haxhit, prandaj në rast se nuk kthehet i gjallë apo kthehet me vonesë, porositë i kryen familja e tij dhe shpëton nga përgjegjësia.

    O ju robër të Allahut,

    Frikojuni Allahut dhe përgatituni për në Haxh ashtu si i ka hije. Plotësoni ritet e juaja, pastroni nijetin, bëhuni modest, silluni mirë me vëllezërit e juaj haxhilerë, mos i torturoni, mos i ofendoni, dhe bëhuni të durueshëm në të gjitha vështirësitë e lodhjet e Haxhit, për shkak se Haxhi është prej xhihadit ndërsa xhihad pa mundime e lodhje nuk ka.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!”. Bekare 197.

    O ju muslimanë,

    Frikojuni Allahut dhe mos e ndërtoni fenë tuaj në një anë duke e shkatërruar anën tjetër. Disa njerëz Haxhit dhe Umres i kushtojnë rëndësi të veçantë e në anën tjetër i anashkalojnë shtyllat e tjera të Islamit. Aspak nuk kujdesen për përmirësimin e besimit i cili është bazament i fesë, prandaj i sheh se si i drejtohen me lutje të vdekurve dhe afrohen kah ata me lloje të ndryshme të adhurimeve, ose e anashkalojnë  faljen e namazit e cila është shtyllë e fesë ndërsa braktisja e saj është kufër dhe dalje prej fesë. Po ashtu nuk kujdesen për dhënien e zeqatit e cila është shtylla e tretë e Islamit, nuk e agjërojnë Ramazanin i cili u detyrua prej anës së Allahut për besimtarët dhe këtij lloji të njerëzve nuk i pranohet Haxhi e as Umreja, deri sa nuk kujdesen për shtyllat e tjera të Islamit. Feja pra, nuk është vetëm Haxh, Haxhi është pjesë e fesë dhe shtyllë prej shtyllave të Islamit.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “A e besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni. Si mund të jetë ndëshkimi ndaj atij që punon ashtu prej jush, pos poshtërim në jetën e kësaj bote, e në Ditën e Gjykimit ata hidhen në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju. Të tillë janë ata që e vlerësuan jetën e kësaj bote mbi botën tjetër, andaj atyre as nuk do t’u lehtësohet dënimi, e as që do të ndihmohen ata”. Bekare 85-86.

    Pas kryerjes së Haxhit, haxhiu detyrohet të përqendrohet në fe, t’i largohet mëkateve, të vepron vepra të mira, për arsye se veprat shpërblehen sipas përfundimit. Dera e pendimit është e hapur deri sa nuk vjen exheli, ndërsa ardhja e tij pritet çdo moment dhe nuk e di askush se ku dhe kur do të vdesë:  “Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë”. Llukman 34.

    Nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • MUAJT E HAXHIT DHE VLERA E TYRE

    MUAJT E HAXHIT DHE VLERA E TYRE

    O ju njerëz, frikojuni Allahut dhe falënderoni për atë që jua ligjësoi prej legjislacioneve të madhërishme, dhe për atë që ju veçoi prej muajve të dobishëm, të cilat ju përsëriten çdo ditë, çdo javë e çdo vit dhe sjellin me vete çdo të mirë dhe e largojnë prej jush çdo të keqe.

    Namazi largon nga e shëmtuara dhe imoraliteti, është frikërespekt dhe nënshtrim ndaj Allahut, dhe është ndihma më e madhe e besimtarit në bartjen e përgjegjësive të dynjasë dhe ahiretit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O besimtarë! Kërkoni ndihmë për veten nëpërmjet durimit dhe namazit! Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit”. Bekare 153.

    Zeqati është bamirësi dhe shtrirje dore për fukarenjtë dhe nevojtarët, nxitje për ata që duhet përfituar zemrat e tyre të dobëta në besim, ndihmesë për lirimin e robërve dhe të mbyturve në borxhe, dhe pastrim i pasurisë dhe i shpirtrave të njerëzve. Zeqati pra, është trofe për besimtarin e jo gjobë dhe humbje. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka”. Teube 103.

    Zeqati po ashtu është shkak i shtimit të pasurisë dhe shkak i zbritjes së bereqetit në të dhe mbrojtje e saj prej çdo fatkeqësie. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Dhënia e zeqatit nuk e pakëson pasurinë”. 

    Besimtari pra, e konsideron zeqatin trofe për shkak se beson thellësisht në premtimin e Allahut, në krahasim me dyfytyrëshin i cili e konsideron si gjobë për shkak se nuk i beson Allahut dhe premtimit të Tij.

    Agjërimi është lënie e ushqimit dhe epsheve për të cilat shpirti fort anon nga ato, duke iu nënshtruar Allahut me këtë adhurim dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. Po ashtu nuk duhet të harrohet roli edukator i agjërimit i cili nxit në moral të mirë dhe largon prej moralit të shëmtuar. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk është agjërimi abstenim (vetëm) prej të ngrënit dhe të pirit, por agjërimi është zmbrapsje nga e kota (fjalë dhe punë) dhe e ndyra. E nëse dikush të ngacmon apo sillet ashpër me ty, thuaji: Unë po agjëroj, unë po agjëroj!”.

    Haxhi është luftë në rrugë të Allahut. Besimtari për të shpenzon pasurinë, e lodh trupin e tij dhe për hir të Tij e len familjen e vatanin. Me shkuarjen në Haxh besimtari i përgjigjet thirrjes së Allahut e cila erdhi nëpërmjet gjuhës së mikut të Tij, Ibrahimit, alejhi selam, kur i tha Allahu atij:“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato(mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër! Pastaj, haxhinjtë le të pastrojnë trupin e tyre, le t’i kryejnë zotimet e tyre dhe le t’i vijnë rrotull Shtëpisë së lashtë”. Haxh 27-29.

     O ju robër të Allahut,

    Tani jemi në muajt e Haxhit të cilat Allahu i bëri sezon nga ku fillojnë ritet e haxhillëkut. Allahu, azze ue xhel, thotë“Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” Bekare 197.

    Allahu na lajmëron se koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar, e ato janë: Sheval, Dhul Kade dhe dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes. Të caktuara janë për shkak se njerëzit i njohin prej kohës së Ibrahimit, alejhi selam, dhe Ismailit, alejhi selam, dhe nuk ka nevojë për qartësimin e saj sikur se nevojitet qartësimi i kohës së agjërimit dhe namazit.

    Thënia: “Kush vendos të kryejë haxhillëkun” e ka për qëllim se kush e bën nijetin për Haxh në këto muaj qoftë në fillim të saj, në mes apo në fund, i bëhet obligim kryerja e tij qoftë edhe vullnetar Haxhi i tij, dhe nuk lejohet refuzimi i kryerjes së tij.

    Thënia: “le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet” na qartëson se si duhet të jetë etika e haxhiut dhe cilave vepra duhet t’i largohet gjatë të qenit e tij në ihram. Haxhiu duhet të jetë i vetëdijshëm se Haxhi është adhurim i madh dhe se duhet t’i largohet mëkateve dhe ndalesave të cilat mund t’ia zvogëlojnë shpërblimet ose t’ia shkatërrojnë Haxhin. Prej ndalesave, janë marrëdhëniet seksuale dhe çdo vepër apo thënie që nxit në të, sharjet dhe grindjet të cilat nxisin në sherr dhe armiqësi dhe e largojnë haxhiun prej përmendjes së Allahut. Qëllimi i Haxhit është nënshtrim dhe afrim kah Allahu me adhurime dhe largim prej mëkateve që Haxhi i tij të pranohet. Përcillet prej Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, të ketë thënë se haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç se xhenetin.

    Pasi që afrimi nga Allahu nuk realizohet përveçse duke u larguar prej mëkateve e duke vepruar vepra të mira, Allahu, azze ue xhel, urdhëroi në vepra të mira gjatë Haxhit pasi që ndaloi prej atyre të shëmtuarave duke thënë: “Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di”.Nëpërmjet këtij ajeti Allahu nxit në vepra të mira veçanërisht gjatë ditëve të Haxhit në ato vende të bekuara si Arafati e Muzdelifa, duke mos e harruar edhe Qabenë ku veprat në të shumëfishohen më tepër se në vendet tjera. Përcillet prej haditheve se një namaz në Qabe është më me vlerë se njëqind mijë namaze në xhamitë tjera.

    Prej grindjeve dhe polemikave të ndaluara gjatë Haxhit janë edhe ato të cilat ndodhnin mes fiseve në periudhën e injorancës në sezonin e Haxhit dhe në kompleksin e Haremit, duke u krenuar mes veti me paraardhësit dhe fiset e tyre kështu që kohën e Haxhit e shndërronin nga adhurimi në polemika e debate.

    Në kohën tonë u paraqitën disa njerëz të cilët dëshirojnë që ta ringjallin këtë traditë injorante dhe ta shndërrojnë Haxhin në rite djallëzore duke bërë shirk e mëkate dhe duke i dëmtuar haxhinjtë e duke e synuar shkatërrimin e shtëpisë së Allahut. Këta njerëz nuk kanë aspak respekt ndaj shtëpisë së Allahut, ndaj vlerës së ditëve të Haxhit dhe ndaj muslimanëve që i braktisën familjet e tyre për ta kryejnë shtyllën e pestë të Islamit dhe ta fitojnë xhenetin e Allahut.

    Allahu, azze ue xhel, thotë: “Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet”.Bekare 197.

    Allahu, azze ue xhel, për Qaben thotë: “Vërtet, ata që nuk besojnë dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe nga Xhamia e Shenjtë, të cilën Ne e kemi bërë të njëjtë për të gjithë njerëzit, si për vendasin ashtu edhe për atë që vjen nga tjetër vend dhe, ata që synojnë ta përdhosin (Xhaminë), me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm”. Haxh 29.

    O Zot, kush i dëmton haxhinjtë dhe vizitorët e Qabesë dhe synojnë shkatërrimin e saj bëri që ta shijojnë dënimin Tënd më të dhembshëm, të cilin ia premtove çdo njërit që synon shkatërrimin e saj, se Ti ke mundësi të veprosh çka do. O Zot, Ti i cili i dërgove shpendët të vinin tufë-tufë kundër ushtrisë së elefantit dhe i gjuanin ata me gurë nga balta e gurëzuar dhe ata i bëre si gjeth i grimcuar (i përtypur), shijoja të njëjtin dënim atyre që synojnë të bëjnë të njëjtën vepër të shëmtuar, se Ti neve na mjafton dhe sa mbështetës i mirë që je.

    O ju njerëz,

    Frikojuni Allahut dhe shfrytëzoni kohën tuaj në vepra të mira që të shpëtoni dhe mos u bëni si ata të cilët kohën e tyre e kaluan në gjëra të kota, e pastaj të pendoheni kur t’ju vjen vdekja. Allahu, azze ue xhel, thotë“E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova! Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen”. Muminun 99-100.

    O ju robërit e Allahut, merita e Allahut mbi ju është e vazhdueshme. Pas muajit të Ramazanit i bëri muajt e Haxhit mëshirë për njerëzit dhe i nxiti që ta vizitojnë shtëpinë e Allahut, sikurse e bëri që ai i cili e agjëron Ramazanin me bindje të plotë t’i falen mëkatet e kaluara, po ashtu e bëri që kush shkon në Haxh dhe i largohet sharjes, polemikave dhe ndalesave të Haxhit të kthehet në shtëpi i falur prej mëkateve sikur se atë ditë kur e ka lindur nëna e tij.

    Shenja e pranimit të veprës së mirë është kur ajo pasohet me vepër të mirë, ndërsa shenja e mos pranimit të saj është kur ajo pasohet me vepër të shëmtuar. Nuk ka më mirë se kur veprën e keqe e pason një e mirë dhe atë e fshin, por ende më mirë është kur veprën e mirë e pason një e mirë tjetër.

    Hasan Basriu, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Allahu, azze ue xhel,  asnjë veprës së besimtarit nuk i ka përcaktuar afat, përveç se vdekjes, e pastaj lexoi: “Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja)“. Hixhr 99.

    O ju musliman,

    Allahu, azze ue xhel, na porositë“Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur! Nuk është gjynah të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë. E, kur të ktheheni nga Arafati, përmendni Allahun në vendet e shenjta! Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur! Mandej, kthehuni, siç kthehen të gjithë të tjerët dhe kërkoni ndjesë prej Allahut! Se Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut, përmendni Allahun ashtu siç i kujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër! Disa njerëz thonë: “Zoti ynë, jepna të mira në këtë botë!” Por, për këta, s’ka asnjë të mirë në botën tjetër.  Por ka dhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit) Këtyre do t’u jepet shpërblim për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari”. Bekare 197-202.

    nga arabishtja: Irfan JAHIU

  • KRYERJA E HAXHIT PËR TË VDEKURIN

    KRYERJA E HAXHIT PËR TË VDEKURIN

    Një nga veprat që përfiton i vdekuri nga të tjerët është edhe kryerja e haxhit.

    Kjo duke u bazuar në hadithin e ibën Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë: Dikush e ka dërguar gruan e Sinan ibën Abdullah el-Xhuheniut ta pyet të Dërguarin e Allahut, paqa dhe lavdia e Allahut qofshin mbi të, se nëna e saj i ka vdekur, ajo nuk e ka kryer haxhin a lejohet ta kryej unë haxhin për të? – i tha i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqa e Allahut qofshin mbi të: ”Po, e sikur të kishte pasur nëna e saj borxh e ta kompenzoje në vend të saj a do të pranohej një gjë e tillë?” – Tha ajo: Po. – I tha: “Atëherë krye haxhin për nënën e saj.”

    Erdhi një grua – siç theksohet në hadithin e përcjellë nga ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, – tek i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “Nëna ime është zotuar se do ta kryente haxhin, por ndërroi jetë dhe nuk mundi të shkon në haxh, a mund që unë të shkon të kryej haxhin për të? I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut, i tha: “Po, shko dhe kryeje haxhin për të, çfarë mendon, në qoftë se ajo të kishte borxh, a do t’ia kishe paguar?!” Ajo tha: Po. Ai tha: “Atëherë, paguaja, se Allahu është më i merituar që t’ia përmbushësh zotimin.”

    Në një version tjetër qëndron: “Shlyeje atë që i detyrohesh Allahut, sepse Allahu e meriton më shumë larjen e borxhit ndaj tij.”

    Kurse në një version tjetër qëndron: Një njeri ka thënë: Motra ime është zotuar se do ta kryej haxhin porse ajo vdiq. – i tha i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Shlyeje borxhin e saj ndaj Allahut sepse Ai e meriton më shumë që borxhin ndaj ti shlyesh.”

    Abdullah ibën Burejdah, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se një grua i tha të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: O i Dërguari i Allahut, nëna ime kishte për të aghjëruar një muaj dhe nëdrroi jetë, a të agjëroj atë muaj për të? I tha: “Po agjëro për të.” Ajo tha: Nëna nuk e ka kryer haxhin asnjëherë, a ta kryej unë për të? I tha: “Po kryeje për të.”

    Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: Këto hadithe të sakta janë argumente të qarta se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, urdhëroi në kryerjen e haxhit detyrues për të vdekurin dhe kryerjen e haxhit në të cilin është zotuar i vdekuri se do ta kryen dhe nuk e ka kryer zotimin e tij, dhe po ashtu, ka urdhëruar në plotësimin e agjërimit që është zotuar se do ta agjëron i vdekuri dhe nuk e ka agjëruar, e i urdhëruari herë është i biri, e herë i vëllai, dhe këtë i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e shëmbëlleu me borxhin që bie mbi të vdekurin dhe borxhi lejohet që të shlyhet nga çdonjëri dhe e njëjta vlen për haxhin.

    Ajo që vlen të përmendet është se ai që do të shkon të kryen haxhin për të vdekurin fillimisht duhet të ketë kryer haxhin për vete, e pastaj kur e kryen haxhin njëherë për vete atëherë i lejohet që herëve tjera të shkon si zëvendësues për dikë tjetër. Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e dëgjoi një njeri duke thënë: Të përgjigjem o Allah për Shubremeten. – I Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kush është Shubremeteja?” – I tha: Vëllau im. – Ose: Një i afërt i imi – ka thënë personi. – I thotë i Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “A e ke kryer haxhin për vete?” – I tha: Jo. – I tha: “Kryeje haxhin për vete pastaj për Shubremeten”

    Po ashtu ajo që vlen të përmendet është edhe fakti se haxhi është shtyllë e islamit dhe njeriu duhet të mundohet ta kryen duke qenë i gjallë, e nëse ndërron jetë dhe haxhi detyrues i mbetet pa e kryer për shkaqe të pranuara, si varfëria apo mos pasja e sigurisë gjatë rrugës, etj, atëherë ky njeri me lejen e Allahut arsyetohet, kurse ai i cili i ka pasur të gjitha mundësitë për të shkuar dhe këtë adhurim e ka anashkaluar dhe ashtu jetë ka ndërruar, ky njeri është mëkatar, sepse e ka braktisur kryerjen e një prej shtyllave të islamit.

    Ka prej dijetarëve që e cekin se për ata që e kanë anashkaluar shkuarjen në haxh duke i plotësuar të gjitha kushtet nuk shkohet në haxh pas vdekjes së tyre, sepse nga haxhi i kryer për ta nuk përfiton asnjëra palë, pra është e kotë të shkohet në raste të tilla. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: Kjo vlen vetëm për ata që kanë pasur arsye në moskryerjen e haxhit dhe dhënien e zeqatit, kurse ata që kanë pasur mundësi ta kryejnë haxhin detyrues dhe ta japin zeqatin dhe nuk e kanë kryer, për ta nuk shkohet në haxh dhe nuk jepet zeqati, sepse nuk i bën dobi kryerja e ndonjë prej detyrimeve të Allahut nga dikush tjetër për të, pasi që ai ato i ka anashkaluar. Mirëpo më e sakta është se ai që ka pasur mundësi të shkon në haxh dhe nuk ka shkuar dhe pastaj jetë ka ndërruar, ai ka vdekur si mëkatar, mirëpo haxhi lejohet t’i kryhet pas vdekjes së tij.

    Nëse njeriu ndërron jetë dhe haxhi i detyruar i mbetet pas mos e kryer, me arsye apo pa arsye, atëherë nga trashëgimia dhe të hollat e tij që i ka lënë dërgohet dikush për ta kryer haxhin për të, pa marrë parasysh se i vdekuri a ka porositur apo nuk ka porositur të kryhet haxhi për të.

    Kurse nëse i vdekuri nuk ka lënë trashëgimi pas vete me të cilat mundet të shkohet për të në haxh, atëherë trashëgimtarët e tij nuk e kanë për detyrë të shkojnë të kryejnë haxhin për të, mirëpo një gjë e tillë pëlqehet të kryhet nga ana e tyre, qofshin ata vet apo e dërgojnë dikë tjetër të shkon për prindin e tyre.

    Nëse kanë vdekur të dy prindërit dhe fëmija i tyre dëshiron të shkon në haxh për ta apo të dërgon dikë që ta kryen haxhin për ta, i jepet përparësi nënës para babës në kryerjen e haxhit, sepse nëna është më meritore në respekt se sa prindi, duke u bazuar në hadithin që e përcjell Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili thotë se erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “O i dërguar i Allahut, kush është më meritorë për sjelljen dhe shoqërimin timë më të mirë? Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Nëna yte.” Prap e pyeti : e pastaj kush?

    Tha: “Nëna yte.” E pastaj kush? Tha: “Nëna yte.” E pastaj kush? Tha: “Baba yt.”

    Për këtë arsye njëherë kryhet haxhi për nënën, e pastaj vitin tjetër për babën.

    Përgatiti: Hoxhë Irfan Jahiu