Category: Fikh

  • Ndalohet përshëndetja e mosbesimtarit me selam

    Ndalohet përshëndetja e mosbesimtarit me selam

    Transmeton Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur me të] se i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ka thënë: “Mos i përshëndetni me selam çifutët dhe të krishterët, e nëse e takon ndonjërin prej tyre në rrugë detyrone (të zgjedhë) në më të ngushtën. Transmeton Muslimi.

    Enesi [Allahu e mëshiroftë] tregon se i Dërguari i Allahut [salallahu alejhi ve selem] ka thënë: “Kur ehli kitabët (besimtarët e librave të shenjtë) ju përshëndesin (me selam), thuani: “Ve alejkum” (Edhe mbi ju). Mutteffekun alejhi.

    Transmeton Usame ibn Zejd [Allahu e mëshiroftë] se i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ka kaluar pranë një tubimi, ku kishte edhe nga muslimanët dhe nga idhujtarët dhe u ka dhënë selam. Mmuttefekun alejhi.

     

    Shpjegim:

    Selami është përshëndetje e muslimanëve dhe në këtë ka nderë ndaj muslimanëve, andaj nuk lejohet që ne fillimisht t’i përshëndesim mosbesimtarët me selam, ngase kjo do të ishte respekt dhe nderim ndaj tyre, mirëpo nëse ata na përshëndesin ne ua kthejmë.

     

    Dobitë:

    1.Ndalimi i përshëndetjes së mosbesimtarëve me selam, e nëse na përshëndesin ua kthejmë.

    2.Nëse në tubim ka besimtarë dhe mosbesimtarë, atëherë lejohet përshëndetja e tubimit me selam.

     

    Përktheu nga gjuha arabe:

    Florim Islami

    www.thirrjaislame.com

  • Etika e përshëndetjes-(Pjesa e dytë)

    Etika e përshëndetjes-(Pjesa e dytë)

    Transmeton Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur me të] se i Dërguari i Allahut [salallahu alejhi ve selem] ka thënë: “I hypuri përshëndet atë që është në këmbë, ai që është në këmbë përshëndet atë që është ulur dhe pakica përshëndet shumicën” .Mutefekun Alejhi, ndërsa në transmetimin e Buhariut “i riu të vjetrin”.

     

    Transmeton Ebu Umamete El-Bahilij [Allahu qoftë i kënaqur me të] se i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ka thënë: “Vërtetë ai që ka më së shumti të drejtë te Allahu nga njerëzit, është ai që i përshëndet i pari njerëzit me selam” .Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).

     

    Transmeton Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur me të] në hadithin e atij që e fali keq namazin “Erdhi dhe u fal, pastaj erdhi te i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] e përshëndeti me selam dhe i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ia ktheu (selamin), e i tha kthehu dhe falu se nuk je falur, u kthye (njeriu) dhe e fali (namazin) pastaj erdhi te i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] e përshëndeti me selam, derisa e veproi këtë tri herë” Mutefekun Alejhi.

     

    Transmeton Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur me të] se i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ka thënë: “Nëse dikush nga ju e takon vëllaun e tij le ta përshëndet me selam, e nëse i ndanë në mes tyre ndonjë pemë,  murë, ose guri e pastaj e takon le t’i jep selam” Transmeton Ebu Davudi).

     

    Transmeton Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur me të] se i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ka thënë: “ Nëse dikush nga ju vjen në një tubim le t’i përshëndesë me selam, nëse i sheh të ulet, le të ulet, e pastaj nëse ngrihet (nga tubimi) le të jep selam, ngase selami i parë nuk ka të drejtë më shumë se i fundit” Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

     

     

    Shpjegimi:

     

    Nga rregullat e selamit dhe sunetet e tij që i ka vepruar i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] janë:  ai i cili është hypur t’i jep selam atij që është në këmbë, sepse me këtë tregon modesti para atij dhe ia kënaqë zemrën, kurse ai që është në këmbë (duke ecur) i jep selam atij që është ulur, ndërsa grupi i vogël përshëndet grupin e madh dhe i riu të vjetrin nga nderi që duhet të ketë ndaj tij, e kur të takohen dy besimtarë (në rrugë), më i afërm te Allahu nga ata dy, është ai i cili e përshëndet i pari tjetrin me selam, sepse ia ka kaluar në vepër të mirë. Gjithashtu është e pëlqyer përsëritja e selamit nëse besimtari ndahet nga vëllau i tij e pastaj e takon, edhe sikur të jetë ndarja për një kohë të shkurtër, siç është e pëlqyer të jep selam ai i cili vjen në tubim gjatë hyrjes dhe gjatë largimit nga tubimi.

     

     

    Dobitë:

     

    1.Sunnet është që i hypuri t’i jep selam atij që është duke ecur në këmbë, kurse ai që është në këmbë t’i jep selam atij që është ulur, pakica t’i jep selam shumicës dhe i riu të vjetrit.

    2.Pëlqimi i dhënies selam nëse ndahen dy muslimanë e pastaj takohen, edhe sikur të jetë ndarja e shkurtë dhe të përsëritet.

    3.Pëlqimi i dhënies selam gjatë largimit nga tubimi.

  • Etika e përshëndetjes (Pjesa e parë)

    Etika e përshëndetjes (Pjesa e parë)

    1. Përshëndetja me selam gjatë hyrjes në shtëpi:  Nga Enes ibn Malik [Allahu qoftë i kënasqur me të] se i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] më ka thënë: “O djalosh kur të hysh në shtëpi  te familja jote përshëndeti me selam,  sepse salami do të jetë begati për ty dhe familjen  tënde. Transmeton Tirmidhiu.
    2. Përshëdetja e fëmijëve me selam:  Nga Enesi [Allahu qoftë i kënaqur me të] përcillet  “ se ka kaluar  pranë disa fëmijëve dhe u ka dhënë selam, dhe u drejtua atyre duke u thënë :kështu vepronte i Dërguari [salallahu alejhi ve selem]” Transmeton Buhariu.

    Shpjegim:

    Përshëndetja me selam ka etika të cilave duhet besimtari të u përmbahet dhe prej tyre  është pëlqimi i përshëndetjes me selam familjen gjatë hyrjes në shtëpi, ngase takimi është i begatshëm kur fillohet me këtë përshëndetje të bekuar.

    Gjithashtu nga etika e përshëndetjes me selam, është përshëndetja e fëmijëve me selam, e që tregon modesti dhe njëkohësisht  ua mëson atyre selamin.

    Dobitë:

    1.Pëlqimi i pëshëndetjes me selam kur njeriu hynë në shtëpin e tij.

    2.Pëlqimi i pëshëndetjes me selam fëmijët, ngase tregon modestin dhe ua mëson atyre selamin.

     

    Përktheu nga gjuha arabe:

    Florim Islami

    www.thirrjaislame.com

  • Mënyra e përshëndetjes me selam

    Mënyra e përshëndetjes me selam

    Transmeton Ebu Hurejra se i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ka thënë: “Pasiqë Allahu krijoi Ademin alejhi selam . i tha: “shko te ata –Melekët ulur- dhe dëgjo se si do të përshëndetin, ngase ajo është përshëndetja yte dhe e pasardhësve tu.

    (Ademi a.s.) u tha: “Es-selamu Alejkum” (melekët) u përgjigjën: “Es-selamu Alejke Ve Rahmetullah” e shtuan: “Ve Rahmetullah”. Mutefekun alejhi.

    Transmeton Imran ibn Husejn se një njeri erdhi te Pejgamberi [salallahu alejhi ve selem] dhe tha: “Es-Selamu Alejkum” (i Dërguari [salallahu alejhi ve selem]) ia kthej (selamin), pastaj (njeriu) u ulë, dhe (i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ) tha: dhjetë (sevape-të mira ), pastaj erdhi një tjetër dhe tha: “Es-Selamu Alejkum Ve Rahmetullahi” ia kthej (i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] selamin) dhe (njeriu) u ulë, (i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ) tha: njëzet (të mira), më vonë erdhi një tjetër dhe tha: “Es-Selamu Alejkum Ve Rahetullahi Ve Berekatuhu” ia kthej (selami) dhe (njeriu) u ulë.

    (i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ) tha: tridhjetë (të mira). Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).

    Shpjegimi:

    Selami në islam ka mënyrat që i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] i ka përdorur dhe ka lajmëruar se Allahu i lartmadhëruar ia ka mësuar Ademit dhe pasardhësve të tij dhe ajo mënyrë është: “Es-selamu Alejkum Ve Rahmetullahi Ve Berekatuhu”(Paqa, mëshira dhe begatit e Allahut qofshin mbi ju) .

    Kjo mënyrë, është më e mira, por nëse e shkurton në “Es-Selamu Alejkum Ve Rahmetullahi” mjafton, ndërsa ai që e plotëson ka tridhjetë sevape (të mira).

    Dobitë:

    1.Forma e selamit është: Es-Selamu Alejkum.

    2.Nëse shtonë: “Ve Rahmetullahi” është më mirë, e nëse e shtonë edhe “Ve Berekatuhu” është edhe më mirë.

    3.Obligimi i kthimit të Selamit dhe pëlqimi i shtimit, dhe se nuk mjaftonë fjala “tungjatëjeta”,“mirë se erdhët”, “merhaba”apo “mirë u pafshim” e përshëndetjet tjera.

     

     

    Përktheu nga gjuha arabe:

    Florim Islami 

    www.thirrjaislame.com

     

  • Përshendetja me selam

    Përshendetja me selam

    Allahu i lartmadhëruar thotë: ‘’O ju që besuat, mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa përshëndetur njerëzit e saj’’ Sureja  En-Nur, ajeti  27.

    Allahu i lartmadhëruar thotë: ‘’..Kur të hyni në ndonjë shtëpi përshëndetni me një përshëndetje të caktuar nga Allahu (me selamu alejkum) që është e bekuar dhe e këndshme’’ Sureja  En-Nur, ajeti  61.

    Transmeton Abdullah ibn Amr ibn Asi [Allahu qoftë i kënaqur me te të] se një njeri e pyeti të Dërguarin [salallahu alejhi ve selem], cili Islam është më i miri ? i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ) tha: të ushqesh dhe t’i japish selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh. Mutefekun alejhi.

    Nga Berr’a ibn Azib [Allahu qoftë i kënaqur me të] se ka thënë: “Na ka urdhëruar i Dërguari i Allahut [salallahu alejhi ve selem] me shtatë gjëra: të vizitojmë të sëmurin, të përcjellim xhenazen, të i themi atij që teshet jerhamukellah (Allahu të mëshiroftë), të ndihmojmë të dobëtin, të ndihmojmë atë që i bëhet e padrejtë, të përhapim (pëshendetjen) selamin dhe të shfajësojmë atë që betohet (të pandehurin)” Mmutefekun alejhi..

    Transmeton Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur me të] se i Dërguari i Allahut [salallahu alejhi ve selem] ka thënë: “Nuk do të hyni në xhennet derisa të besoni, e nuk do të besoni derisa të duheni, a dëshironi të ju udhëzojë në diçka nëse e veproni do të duheni? Përhapeni selamin në mes jush”. Transmeton Muslimi.

    Shpjegim:

    Selami është nga simbolet e ithtarëve të Islamit të bekuar.

    Allahu i lartmadhëruare ka bërë përshëndetje në mes tyre dhe nga obligimet që ka muslimani ndaj vëllaut të vet.

    Gjithashtu i Dërguari [salallahu alejhi ve selem] ka lajmëruar se përhapja e selamit është nga shkaqet që shtonë dashurinë në mes muslimanëve e që është shkak për hyrjen në xhennet.

    Dobitë:

    1.Vlera e selamit pasiqë është përshëndetje e bekuar nga Allahu i lartmadhëruar.

    1. Është shkak për dashurin në mes besimtarëve, e cila dashuri është shkak për hyrjen në xhennet.
    2. Pëlqimi i dhënjes selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh nga muslimanët.

     

    Përktheu nga gjuha arabe :

    Florim Islami 

    www.thirrjaislame.com

  • VEÇIMI I NJË VENDI TË CAKTUAR NË XHAMI PËR FALJEN E FARZIT

    VEÇIMI I NJË VENDI TË CAKTUAR NË XHAMI PËR FALJEN E FARZIT

    PYETJE: Shoh ca njerëz që zënë një vend të caktuar në xhami dhe nuk falen veçse në atë vend, pas imamit ose në anën e djathtë të safit etj. A është kjo vepër prej sunnetit?

    PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

    Kjo vepër nuk është prej sunnetit, përkundrazi, është në kundërshtim me sunnetin. I dërguari i All-llahut ka ndaluar një veprim të tillë.

    Nga Abdurr-Rrahman Ibën Shibli radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke ndaluar nga tri gjëra në namaz: Çukitja e korbit,[1] shtrirja e egërsirave,[2] dhe të veçojë njeriu një vend për vete në xhami (çdoherë të falet aty) ashtu siç e merr vendin deveja.” (Shejh Albani në librin e tij es-Silsiletus-Sahiha (1168), e ka klasifikuar si hadith hasen.)

    Shejhul-Islam, Ibën Tejmije, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Asnjë njeriu nuk i takon të veçohet me diçka nga xhamia, gjithnjë duke i ndaluar të tjerët nga ajo gjë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar nga marrja e vendit si deveja, e që d.m.th. të veçojë një vend për vete në xhami dhe çdoherë të falet aty.” (Mexhmuul-Fetava 22/195).

    Dijetarët kanë përmendur disa urtësi për sa i përket kësaj dispozite, si dhe disa aspekte negative që burojnë nga ky veprim.

    Prej tyre po përmendim:

    – Ibadeti në këtë vend të veçuar kalon në rutinë dhe traditë, dhe kështu e humbë kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e tij.

    – Kjo vepër në vete ngërthen një pjesë të syefaqësisë dhe dëshirës për famë, si dhe ka mundësi të falet gjithnjë në atë vend që të thuhet: Ky është vendi i filanit.

    – Ka mundësi që t’i pengojë të tjerët të falen në atë vend dhe kështu u bën zullum të tjerëve dhe ua ha hakun.

    Shejh Xhemaluddin El-Kasimiu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Disa xhematlinjve u pëlqen të kenë një vend të posaçëm apo një anë të posaçme të xhamisë, qoftë mbrapa imamit, pranë minberit, në cepin e djathtë apo të majtë të xhamisë pranë murit, në pjesën e ngritur në fund të xhamisë, e kështu me radhë, saqë nuk është i kënaqur me ibadetin e tij përveçse nëse gjendet në atë vend. Kur sheh se dikush para tij e ka zënë atë vend, ndoshta kjo e detyron të kërkojë prej atij që të largohet nga ai vend, me pretekst se ky është monopol i tij, apo të largohet nga ai vend duke thënë: ‘La havle ve la kuvvete il-la bil-lah’, apo ‘Inna Lil-lahi ve inna ilejhi raxhiun’. Po ashtu ka mundësi ta befasojë njeriun duke i thënë se ai është vendi i tij qe sa e sa vjet, si dhe ka mundësi të kërkojë ndihmë nga disa injorantë të tillë si ai, për ta “detyruar” njeriun t’ia lëshojë vendin, dhe gjëra të tjera të ngjashme të injorancës me të cilat janë sprovuar një numër i madh i xhamive. Sdomend se dashuria ndaj një vendi të caktuar në xhami buron nga injoranca, syefaqësia dhe dëshira për famë, apo që të thuhet se ai nuk falet veçse në filan vendin, apo që të thuhet se ai është njeri i safit të parë, gjëra të cilat ia asgjësojnë veprat, All-llahu na ruajt. Ta zëmë se ky njeri nuk ka për qëllim gjërat që i përmendëm, por të paktën me këtë veprim ai e humbë kënaqësinë e ibadetit për shkak të kujdesit të tepruar për këtë vend saqë gjëja për të cilën ai shkon në xhami është pikërisht ai vend. Ndërsa kjo gjë është e ndaluar nga pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.” (Islahul-Mesaxhid Minel-Bidei Vel-Avaid).

    Shejh Albani, All-llahu e mëshiroftë, bën një ndërlidhje ndaj fjalëve të Kasimiut, dhe thotë: “Kam parë një njeri të tillë, prej xhematit të rëndomtë, i cili nuk falej veçse mbrapa imamit duke mos lëvizur as djathtas e as majtas as sa një fije floku. E nëse dikush ia zinte vendin, qoftë edhe prej dijetarëve, ai i hedhte një shikim nga i cili mjaftueshëm kuptohej se duhej t’ia lironte vendin.”

    Shejh Abdullah El-Fevzani thotë: “I dërguari i All-llahut ka ndaluar që njeriu të veçojë një vend për vete në xhami dhe çdoherë të falet aty ashtu siç deveja e veçon vendin e saj… Veçimi i një vendi të caktuar në xhami bën që njeriu ta humbë kënaqësinë e ibadetit për shkak të lidhjes së madhe dhe kujdesit të tepruar ndaj atij vendi, mund të çojë deri te dëshira për famë dhe syefaqësia, ndikon në pengimin e njeriut të falet në vende të ndryshme të cilat do të dëshmonin për të në ditën e kiametit. Disa njerëz që kanë veçuar një vend për vete, kur shohin se dikush ua ka zërë vendin, i kap inati ndaj tyre, dhe ndoshta kjo i bën që ta largojnë njeriun që ua ka zënë vendin apo i bën që të jenë arrogantë ndaj tyre.” (Ehkamu Huduril-Mesaxhid)

    Një gjë tjetër me rëndësi:

    Ekzistojnë transmetime që tregojnë se nuk ka ndonjë ndalesë nëse dikush veçon një vend të caktuar në xhami për të falur namazet nafile. Nga Jezid ibën Ebi Ubejdi na përcillet se ka thënë: “Shkoja me Seleme ibën Ekve’ në xhami, ndërsa ai falej te ruli (shtylla e rrumbullakët). Unë i thashë: O Ebu Muslim, po e shoh se gjithnjë po falesh te ky rul. Ai më tha: “E kam parë pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem gjithnjë duke u falur te ky rul.” (Shënojnë Buhariu 502 dhe Muslimi 509).

    Ibën Rexhebi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Në këtë hadith shihet qartë se nuk ka ndonjë gjë të keqe nëse njeriu e veçon një vend të caktuar në xhami për të falur namazet nafile. Në këtë hadith në mënyrë të qartë përmendet se ky namaz i pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë nafile.” (Fet’hul-Bari 2/644-648).

    Kjo dispozitë ka të bëjë në veçanti me xhamitë. Ndërsa për sa u përket shtëpive, nuk ka ndalesë që njeriu të veçojë një vend të caktuar në shtëpinë e tij për të falur namazin. “Këtë gjë e ka praktikuar Utban ibën Maliku radijAll-llahu anhu, ndërsa i dërguari i All-llahut e ka miratuar veprimin e tij.” (Shënon Buhariu 424 dhe Muslimi 33).

    Neveviu, All-llahu e mëshiroftë thotë: “Në këtë hadith shihet se nuk ka pengesë që të veçohet një vend për namaz në shtëpi. Ndërsa ndalesa për veçimin e ndonjë vendi për të falur namazin ka të bëjë me xhaminë për shkak të frikës nga syefaqësia, etj.” (Sherh Muslim 15/161).

    All-llahu e di më së miri.

     

    [1] Aludohet në sexhden e shpejtë, d.m.th. është aq e shpejtë saqë i përngjet çukitjeve të korbit me sqepin e tij në tokë për ta marrë ushqimin. (shën. përkth.)

    [2] Aludohet në shtrirjen e krahëve përtokë gjatë sexhdes, mu ashtu siç shtrihen egërsirat. (shën. përkth.)

     

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

    www.thirrjaislame.com

  • DISPOZITA MBI NGRËNIEN E MISHIT TË KALIT

    DISPOZITA MBI NGRËNIEN E MISHIT TË KALIT

    PYETJE: Cila është dispozita mbi ngrënien e mishit të kalit?

     

    PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

    Shumica e dijetarëve janë të mendimit se mishi i kalit lejohet të hahet, duke u bazuar në disa hadithe të vërteta.

    Nga Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut në ditën e Hajberit e ka ndaluar ngrënien e mishit të gomarit të butë (shtëpiak,) ndërsa e ka lejuar mishin e kalit.” (Shënojnë Buhariu 3982 dhe Muslimi 1941).

    Nga Esma’ bintu Ebi Bekri radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “Në kohën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e therëm një kalë dhe e hëngrëm mishin e tij.” (Shënojnë Buhariu 5191 dhe Muslimi 1942).

    Nga Xhabiri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: “Njëherë ishim në një udhëtim bashkë me të dërguarin e All-llahut, dhe gjatë udhëtimit hanim mish kali dhe pinim nga qumështi i pelave.” (Shënojnë Darekutniu dhe Bejhekiu. Neveviu thotë: Senedi i këtij hadithi është i saktë).

    Ndërkaq, disa dijetarë të tjerë, si Ebu Hanifeja dhe dy nxënësit e tij, Ebu Jusufi dhe Muhammedi, janë të mendimit se ngrënia e mishit të kalit është mekruh (e urryer), dhe këtë mendim e mbështesin në një ajet dhe në një hadith.

    Sa i përket ajetit, ai është: Edhe kuajt (i krijoi), edhe mushkat edhe gomarët, për t’u hipur atyre dhe si stoli.” (En-Nahl 8). Ata thonë: All-llahu i Madhërishëm në këtë ajet nuk e ka përmendur ngrënien e mishit të tyre, ndërsa në ajetin para tij e ka përmendur ngrënien e mishit të kafshëve që përmenden në atë ajet.

    Dijetarët e tjerë i janë përgjigjur këtij shpjegimi, duke thënë: “Të përmendurit e hipjes dhe stolisjes nuk argumenton se dobia e tyre është e përkufizuar vetëm në këto dy gjëra, por këto dy gjëra janë përmendur për shkak se janë gjëra që më së shumti përdoren te ato kafshë. I ngjashëm me këtë është edhe ajeti ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësirat, gjaku, mishi i derrit.” (El-Maide 3). Pra, këtu All-llahu i Madhërishëm e ka përmendur mishin ngase ajo është gjëja që më së shumti përdoret nga ajo kafshë. Por myslimanët unanimisht pajtohen se dhjami, gjaku dhe pjesët e tjera të trupit të derrit janë, po ashtu, të ndaluara.”

    Ndërsa për sa i përket hadithit, nga Halid ibën Velidi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut e ka ndaluar mishin e kalit, mushkës, gomarit dhe të gjitha kafshëve me kthetra (mishngrënëse).”(Shënojnë Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibën Maxhe). Por ky hadith është daif (i dobët). Shejh Albani në librin e tij Daif Sunen Ebi Davud e ka klasifikuar si hadith daif.

    “Hafidh Musa ibën Haruni thotë: Ky hadith është daif. Buhariu thotë: Ky hadith është jashtëzakonisht i dobët. Bejhekiu thotë: Senedi i këtij hadithi është i turbullt dhe në kundërshtim me senedet e transmetuesve të besueshëm, në hadithet e të cilëve mishi i kalit lejohet. Hattabiu thotë: Senedi i këtij hadithi është i dobët. Ebu Davudi thotë: Ky është hadith i abroguar. Nesaiu thotë: Hadithi që përmban lejimin e mishit të kalit është më i saktë dhe shton: Mesa duket, edhe sikur ky hadith të jetë i saktë, duhet të jetë i abroguar, bazuar në hadithin sahih ku thuhet: “E lejoi mishin e kalit”, që do të thotë se më parë ka qenë i ndaluar.” (El-Mexhmu’ 5/7-9).

    All-llahu e di më së miri.

     

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

    www.thirrjaislame.com

  • NDËRRIMI I NIJETIT GJATË NAMAZIT

    NDËRRIMI I NIJETIT GJATË NAMAZIT

     

    PYETJE: A lejohet ndërrimi i nijetit pasi të kemi filluar namazin?

     

    PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

    Shejhu i nderuar, Ibën Uthejmini, u pyet në lidhje me ndërrimin e nijetit gjatë namazit, e ai u përgjigj kështu:

    “Ndërrimi i nijetit mund të jetë nga namazi i veçantë për namaz të veçantë, nga namazi i përgjithshëm për namaz të veçantë, dhe këto të dyja nuk vlejnë, ose mund të jetë nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm, e kjo mund të bëhet dhe nuk prish punë.”

    Shembuj konkretë:

    Nga namazi i veçantë për namaz të veçantë: Nëse një njeri fillon të falë namazin e Duhasë, dhe gjatë namazit i kujtohet se nuk e ka falur sunnetin e Sabahut, dhe e ndërron nijetin për sunnetin e Sabahut. Kjo formë e ndërrimit të nijetit nuk është e vlefshme, ngase sunneti i Sabahut përmban dy rekate, nijeti i të cilave duhet bërë para se të fillojë namazin.

    Shembull tjetër: Nëse një njeri fillon të falë farzin e Ikindisë, e gjatë namazit i kujtohet se nuk e ka falur farzin e Drekës, atëherë e ndërron nijetin nga Ikindia për Drekë. Kjo po ashtu nuk është e vlefshme, ngase nijeti për namazin e veçantë patjetër duhet bërë që nga fillimi.

    Nga namazi i përgjithshëm për namaz të veçantë: Nëse një njeri është duke falur namaz të përgjithshëm (nafile, namaz vullnetar), dhe brenda namazit i kujtohet se nuk e ka falur farzin e Sabahut, apo sunnetin e Sabahut, dhe e ndërron nijetin për farzin apo sunnetin e Sabahut. Kjo formë e ndërrimit të nijetit, po ashtu nuk është e vlefshme.

    Nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm: Nëse një njeri fillon të falë sunnetin e Sabahut, dhe gjatë namazit i kujtohet se më herët e ka falur atë namaz, atëherë në këtë rast e ndërron nijetin për namaz të përgjithshëm (nafile).

    Shembull tjetër: Një njeri e fillon namazin farz, e ndërkohë vijnë ca njerëz të tjerë për të falur namazin. Me këtë rast ai e ndërron nijetin nga farzi për nafile duke e shndërruar në dy rekate, në mënyrë që kur të përfundojë nafilen, të falë farzin (me xhemat) bashkë me njerëzit që kanë prezentuar. Kjo mënyrë e ndërrimit të nijetit është e lejuar, ngase e ka ndërruar nijetin nga namazi i veçantë në namaz të përgjithshëm.

    Pra, kjo është rregulla: Nga namazi i veçantë për namaz të veçantë nuk vlen, nga namazi i përgjithshëm në namaz të veçantë nuk vlen, dhe nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm vlen.

    (Shkëputur nga libri Mexhmu’ Fetava Esh-Shejh Ibën Uthejmin, 12/pyetja nr. 347.)

    Po ashtu, shejhu është pyetur: “A lejohet ndërrimi i nijetit nga namazi i veçantë për namaz të veçantë?”, e ai u përgjigj: “Ndërrimi i nijetit nga namazi i veçantë për namaz të veçantë dhe nga namazi i përgjithshëm për namaz të veçantë nuk lejohet. Ajo që lejohet është ndërrimi i nijetit nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm.

    Shembull për rastin e parë, nga namazi i veçantë për namaz të veçantë: Ndërrimi i nijetit nga farzi i Drekës për farzin e Ikindisë. Në këtë rast namazi i Drekës prishet ngase ai e ka braktisur atë duke e shndërruar në namaz tjetër. Po ashtu namazi i Ikindisë nuk i pranohet, ngase nuk e ka bërë nijetin për të që nga fillimi, dhe kështu ai duhet përsëritur të dy namazet.

    Shembull për rastin e dytë, nga namazi i përgjithshëm për namaz të veçantë: P.sh. nëse njeriu fillon të falë namaz të përgjithshëm (nafile), dhe gjatë namazit e ndërron nijetin për të falur namaz të veçantë, si p.sh. sunnetin e Drekës. Kjo mënyrë e ndërrimit të nijetit nuk vlen, ngase nuk e ka bërë nijetin për sunnetin e Drekës që nga fillimi.

    Shembull për rastin e tretë, nga namazi i veçantë për namaz të përgjithshëm: P.sh. një njeri ka filluar të falë farzin e Akshamit, por vendos të ndërrojë nijetin gjatë namazit duke e shndërruar në namaz të përgjithshëm (nafile). Kjo mënyrë e ndërrimit të nijetit është e lejuar, ngase nijeti për namaz të veçantë e përfshin edhe nijetin e namazit të përgjithshëm, kështu që kur nijeti i veçantë anulohet, atëherë mbetet nijeti i përgjithshëm për namaz, por kjo nuk e zëvendëson namazin e veçantë, sepse ai ka hequr dorë prej tij.

    (Shkëputur nga libri Mexhmu’ Fetava Esh-Shejh Ibën Uthejmin, 12/pyetja nr. 348.)

    All-llahu e di më së miri.

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

    www.thirrjaislame.com

  • A LEJOHET NGRËNIA E KËRMILLIT?

    A LEJOHET NGRËNIA E KËRMILLIT?

    PYETJE: Cila është dispozita islame në lidhje me ngrënien e kërmijve? Nëse ngrënia e tyre lejohet, atëherë a lejohet gatuarja (zierja) e tyre duke qenë të gjallë? A janë përdorur për ushqim kërmijtë në kohën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem?

    PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.

    E para: Kërmilli është kafshë e vogël me trup të butë, pa skelet, të përjargur e zakonisht të mbuluar me një guaskë në trajtë spiraleje dhe me dy palë brirthë përpara, që jeton në toka me lagështirë, në pyje, vreshta, kopshte etj. dhe ushqehet me bar; kafshë e tillë pa guaskë, që jeton edhe në banesat përdhese me lagështirë a në ujë. (Fjalori Elektronik Shpjegues).

    Kërmijtë janë dyllojësh: Kërmij të tokës dhe kërmij të detit. Kërmijtë e tokës renditen nën familjen e insekteve, të cilët nuk kanë gjak të rrjedhshëm, ndërsa kërmijtë e detit renditen nën familjen e butakëve, e që janë kafshë deti.

    E dyta: Sa i përket dispozitës mbi ngrënien e kërmijve, themi:

    1. Dispozita mbi ngrënien e kërmijve të tokës është e njëjtë sikur ajo e insekteve. Xhumhuri (shumica dërrmuese e dijetarëve) janë të mendimit se ngrënia e tyre është e ndaluar (haram). Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Sipas medh’hebit tonë (d.m.th. medh’hebit shafii), ngrënia e insekteve (në këtë rast edhe e kërmijve) është haram. Ky është edhe mendimi i Ebu Hanifes, Ahmedit dhe Davud Edh-Dhahiriut. Ndërsa Maliku thotë: Ngrënia e insekteve të tokës është hallall.” (El-Mexhmu’, 9/16).

    Ibën Hazmi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Ngrënia e kërmillit të tokës nuk lejohet, ashtu siç nuk lejohet ngrënia e të gjitha llojeve të insekteve, si brumbujt, milingonat, bletët, mizat, grerëzat, krimbat, morrat, pleshtat, tartabiqet dhe mushkonjat, si dhe të ngjashme me këto.” (El-Muhal-la, 6/76-77).

    Malikijtë nuk e kanë kushtëzuar therjen e kafshëve që nuk kanë gjak të rrjedhshëm, por dispozita e tyre është sikur ajo e karkalecit, therja e të cilit realizohet me anë të zierjes, pjekjes ose me anë të shpimit të tij me ferrë apo gjilpërë derisa të ngordhë duke e shoqëruar me fjalën ‘Bismil-lah’.

    Maliku, All-llahu e mëshiroftë, u pyet: “Një gjallesë që jeton në Marok, quhet kërmill, jeton në shkretëtira dhe ngjitet nëpër pemë. A lejohet të hahet? Ai u përgjigj: E konsideroj sikur karkalecin. Nëse kapet i gjallë, zihet ose piqet; dhe nuk shoh diçka të keqe nëse hahet. E nëse kapet i ngordhur, atëherë nuk hahet.”

    Ebul-Velid El-Baxhiu, All-llahu e mëshiroftë, gjatë shpjegimit të librit El-Muvetta’ të imam Malikut, thotë: “Nëse kjo është e vërtetë (thënia e imam Malikut), atëherë kërmilli e ka statusin e njëjtë sikur të karkalecit. Maliku thotë: Therja e tyre realizohet duke i shpuar me ferrë apo gjilpërë derisa të ngordhë prej saj, dhe me këtë rast duhet thënë ‘Bismil-lah’, ashtu siç thotë ‘Bismil-lah’ gjatë këputjes së kokës së karkalecit.”

    1. Dipozita e ngrënies së kërmillit të detit është hallall (e lejuar), duke u bazuar në lejueshmërinë e përgjithshme të gjuetisë dhe ngrënies së gjallesave të detit. All-llahu i Madhërishëm thotë: Gjahu dhe ushqimi në det u është lejuar, si përjetim për ju dhe për udhëtarët.” (El-Maide 96).

    Ndërsa për sa i përket përdorimit të kërmillit si ushqim në kohën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, nuk kemi hasur në ndonjë hadith që vërteton se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ngrënë kërmij.

    Si përfundim, themi: Ngrënia e kërmijve të tokës dhe të ujit është e lejuar. Edhe nëse gatuhen të gjallë, nuk ka ndonjë problem, ngase kërmilli i tokës nuk përmban gjak që të thuhet se është e domosdoshme therja e tij dhe nxjerrja e gjakut prej tij. Ndërsa kërmilli i ujit hyn në kornizat e përgjithshme të gjahut të lejuar detar dhe ngrënies së tij.

    All-llahu e di më së miri.

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

    www.thirrjaislame.com

  • GJËRA QË S’DUHET BËRË GJATË NAMAZIT

    GJËRA QË S’DUHET BËRË GJATË NAMAZIT

    Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.

    Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën robi do të merret në llogari në ditën e kiametit është namazi. Nëse me të kalon mirë, edhe me veprat e tjera do të kalojë mirë. E nëse me të kalon keq, edhe me veprat e tjera do të kalojë keq.”

    Në vazhdim do të përmendim ca gjëra që namazfalësi nuk duhet bërë gjatë namazit.

    1. Mos e le pa lexuar Fatihanë në çdo rekat

    – Nga Ubade ibën Samiti radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka namaz ai që nuk e lexon Fatihanë (Çelësin) e Librit.”

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Kush fal një namaz pa lexuar në të nënën e kur’anit (Fatihanë), ai namaz është i mangët, i mangët, i mangët, jo i plotë.”

    Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Cilido namaz në të cilin nuk lexohet fatihaja, ai namaz është i mangët, i mangët, i mangët.”

    1. Mos e tejkalo imamin gjatë thënies ‘Amin’ pas Fatihasë

    Sunnet është që imami pasi të përfundojë leximin e Fatihasë të pushojë pakëz, e pastaj të thotë: ‘Amin’, si dhe xhemati të thotë ‘Amin’ pas tij.

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Kur imami thotë amin, edhe ju thuani amin, sepse nëse amini i ndokujt përputhet me aminin e melaikeve, atëherë i falen të gjitha mëkatet që ka bërë.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Kur imami thotë: Gajril-magdubi alejhim veled-dal-lin, thuani ‘Amin’, ngase melaiket thonë ‘Amin’ dhe imami thotë ‘Amin’. Nëse amini i ndokujt përputhet me aminin e melaikeve, atëherë i falen të gjitha mëkatet që ka bërë.”

    1. Mos lexo kur’an në ruku dhe sexhde

    – Nga Ali ibën Ebi Talibi radijAll-llahu anhu na përcillet se “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar leximin e kur’anit në ruku.”

    Tirmidhiu në lidhje me këtë hadith thotë: Hadithi i Aliut është hadith hasen sahih, dhe është mendim i dijetarëve prej sahabëve, të cilët leximin e kur’anit në ruku dhe sexhde e kanë konsideruar të urryer.

    Arsyeja e kësaj ndalese është se rukuja dhe sexhdeja janë dy vendet kulminante të nënshtrimit dhe përuljes së robit ndaj Zotit të tij. Prandaj janë veçuar me dhikër (përmendje të All-llahut) dhe tesbih (madhërim të All-llahut), e jo me lexim kur’ani.

    1. Mos e tejkalo imamin në ruku dhe sexhde

    – Nga Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Unë tashmë jam plakur. Kur të shkoj në ruku, shkoni edhe ju pas meje. Kur të ngre kokën nga rukuja, edhe ju ngriteni pas meje. Kur të shkoj në sexhde, edhe ju shkoni pas meje. Të mos e shoh dikë që më tejkalon në ruku e as në sexhde.”

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na mësonte të mos e tejkalojmë imamin në ruku dhe sexhde. Kur të marrë tekbir, edhe ju merrni tekbir pas tij, dhe kur të bjerë në sexhde, edhe ju bini pas tij.”

    – Nga Bera’ ibën Azibi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kur faleshim mbrapa pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, dhe ai e ngritte kokën nga rukuja, asnjëri prej nesh nuk e kërruste shpinën derisa i dërguari i All-llahut të binte në sexhde, e pastaj edhe ne binim në sexhde.”

    1. Mos e ngrit kokën para imamit

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: A nuk ka frikë ndonjëri prej jush kur e ngritë kokën nga rukuja para imamit që All-llahu t’ia shndërrojë kokën në kokë gomari.”

    1. Mos u ul siç ulet deveja

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur dikush prej jush të bjerë në sexhde, le ti vendosë duart e tij para gjunjëve, e të mos ulet si deveja.”

    1. Mos vjedh në namaz

    – Nga Ebu Katade radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: Vjedhja më e keqe që njeriu e bën është kur vjedhë nga namazi i tij.”  Thanë: E si vjedhë nga namazi i tij, o i dërguari i All-llahut? Tha: “Nuk e plotëson rukunë dhe sexhden.”

    1. Mos u mbështet në duart e tua gjatë uljes në namaz

    – Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka ndaluar që gjatë uljes në namaz, njeriu të mbështetet në dorën e majtë.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “I dërguari i All-llahut vërejti një njeri që po falej dhe gjatë uljes ishte mbështetur në dorën e tij të majtë, dhe i tha: “Mos u ul kështu; kjo është ulje e atyre që do të dënohen.”

    1. Mos i lëviz duart gjatë selamit

    – Nga Xhabir ibën Semure radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Jam falur pas të dërguarit të All-llahut, dhe kur jipnim selam nga namazi, thoshim: Es-selamu alejkum, Es-selamu alejkum, duke lëvizur duart tona anash. I dërguari i All-llahut na shikoi dhe na tha: “Përse i lëvizni duart sikur të jenë bishta të kuajve të tërbuar? Kur të jipni selam nga namazi, kthehuni nga njeriu që e keni pranë dhe mos i lëvizni duart.”

    1. Gjatë namazit, mos u përngjaso me kafshët në vijim: Korbi, qeni, gjeli, dhelpra dhe deveja

    – Nga Abdurr-Rrahman Ibën Shibl El-Ensariu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar të dërguarin e All-llahut duke ndaluar nga tri gjëra në namaz: Çukitja e korbit,[1] shtrirja e egërsirave,[2] dhe të veçojë njeriu një vend për vete në xhami (çdoherë të falet aty) ashtu siç e merr vendin deveja.”

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Miku im i ngushtë më ka porositur me tri gjëra dhe më ka ndaluar nga tri gjëra. Më ka porositur me namazin e vitrit para se të fle, me agjërim të tri ditëve nga çdo muaj dhe me dy rekate të Duhasë. Ndërsa më ka ndaluar gjatë namazit nga shikimi i dhelprës (shikimi rreth e rrotull), shtrirja e qenit (në një transmetim tjetër: shtrirja e majmunit) dhe çukitja e gjelit.”

    – Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Drejtohuni në sexhde, dhe mos i shtrini krahët sikur i shtrinë qeni.”

    1. Mos i përplas duart njëra me tjetrën në namaz

    – Nga Sehl ibën Sa’d Es-Saidiu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Nëse ndokujt diçka ia tërheq vëmendjen në namaz, atëherë le të thotë ‘SubhanAllah’, sepse përplasja e duarve është për gra.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Ç’është puna me ju kur doni të tërhiqni vërejtjen në namaz, i përplasni duart. Kjo është për gra. Nëse ndokujt diçka ia tërheq vëmendjen në namaz, atëherë le të thotë ‘SubhanAllah’.”

    1. Mos thuaj gjë tjetër në namaz veç dhikrit dhe duasë

    – Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: Ne e përshëndesnim me selam pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem duke qenë në namaz, e ai na e kthente selamin, por kur u kthyem nga Abisinia, unë i dhashë selam e ai nuk ma ktheu, ndërsa unë u brengosa shumë për këtë gjë, dhe prita derisa e përfundoi namazin. Pastaj i thashë atij: Më parë ti na e ktheje selamin duke qenë në namaz. Ndërsa ai më tha: “All-llahu bën risi në punët e Tij ç’të dëshirojë. Dhe prej risive që ka bërë është të mosfolurit gjatë namazit.”

    – Nga Zejd ibën Erkami radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Në kohën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i drejtoheshim njëri-tjetrit (flisnim) gjatë namazit për gjëra që kishim nevojë, derisa u shpall ajeti: Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj All-llahut të jeni respektues (në namaze).”[3], dhe që atëherë u urdhëruam të heshtim (në namaz).”

    – Nga Muavije ibën Hakem es-Sulemiu radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Një herë teksa po falja namaz me të dërguarin e All-llahut, kur një njeri i pranishëm teshtiu, e unë i thashë ‘Jerhamukellah’ (All-llahu të mëshiroftë). Njerëzit i drejtuan sytë nga unë, ndërsa unë thashë: Mos qofsha më! Ç’u bë me ju që po më shikoni ashtu? Atëherë ata filluan t’i godisnin me pëllëmbë kofshët e tyre. Kur e kuptova se po më jipnin shenjë që të mos flisja, atëherë heshta. I dërguari i All-llahut, që asnjëherë nuk kam parë mësues më të mirë se ai, as para tij e as pas tij, kur e mbaroi namazin, vallahi as nuk më qortoi, as nuk më mëshoi e as nuk më fyu, por tha: “Namazi nuk duhet të përmbajë asgjë nga llafet e njerëzve. Ai (namazi) është vetëm tesbih, tekbir dhe lexim kur’ani.”

     

    1. Mos e ngrit shikimin në namaz

    – Nga Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos i ngritni sytë lartë (gjatë namazit), se mund t’ju verbërohen (si dënim për këtë gjë).”

    – Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut një ditë u fal me shokët e tij, e kur përfundoi namazi, u kthye nga xhemati dhe u tha: “Ç’është puna me disa njerëz që i ngritin sytë në qiell (gjatë namazit)? Pastaj tha: O do përmbahen nga shikimi lartë në qiell gjatë namazit, o All-llahu do t’ua marrë shikimin.”

    – “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur falej, e mbante kokën ulur dhe shikimin e drejtonte në tokë.”

    1. Mos shiko rreth e rrotull gjatë namazit

    – Nga Aisheja radijAll-llahu anha na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut u pyet në lidhje me lëvizjen e kokës (shikimit) në namaz, e ai tha: “Ajo është një rrëmbim i shejtanit nga namazi i robit.”

    – Nga Ebu Dherri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “All-llahu vazhdon të jetë i kthyer në drejtim të robit gjatë namazit të tij derisa ai nuk shikon rreth e rrotull. E kur ta kthejë kokën anash, atëherë edhe All-llahu e largon shikimin ndaj tij.”

    1. Mos u fal me duar në bel

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka ndaluar që njeriu të falet me duar në bel.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Ka ndaluar vendosjen e duarve në bel gjatë namazit.”

    – Nga Zijad ibën Subejhi na përcillet se ka thënë: “Njëherë u fala pranë Ibën Omerit, dhe dorën time e vendosa në bel, ndërsa ai më mëshoi në dorë. Pasi mbarova namazin, e pyeta një njeri: Kush është ky? Abdullah ibën Omeri, – më tha. I thashë: O Ebu Abdurr-Rrahman: Ç’pate me mua? Ai më tha: Kjo është varje,[4] ndërsa i dërguari i All-llahut na ka ndaluar nga kjo gjë.”

    1. Mos u bëj i pakujdesshëm në namaz

    – Nga Ebu Dherri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush e fillon namazin, mëshira drejtohet nga ai. Prandaj le të mos i lëvizë apo le të mos i prekë guralecat.”[5]

    – Nga Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Jam urdhëruar të mos i tufëzoj flokët dhe të mos i përvjel mëngët e rrobave (në namaz).”

    1. Mos pështyj para vetes në namaz

    – Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur ndonjëri prej jush falet, të mos pështyjë para vetes, as në anën e djathtë, por le të pështyjë në anën e majtë ose nën këmbën e tij të majtë.”

    – Nga Enes ibën Maliku radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Kur ndonjëri prej jush falet, të mos pështyjë në anën e djathtë, as para vetes, sepse ai i drejtohet Zotit të tij, por le të pështyjë në anën e majtë ose nën këmbën e tij.”

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu dhe Ebu Seid El-Hudriu radijAll-llahu anhu na përcillet se kanë thënë: “Njëherë i dërguari i All-llahut pa një këlbazë në drejtim të kibles, kështu që e morri një shkop dhe e gërryu atë, e pastaj tha: “Asnjëri prej jush të mos pështyjë në drejtim të kibles, as në anën e djathtë, por le të pështyjë në anën e majtë ose nën këmbën e tij të majtë.”

    1. Mos u fal me shpatulla të zbuluara

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Mos u falni vetëm me një rrobë në trupin tuaj duke mos pasur asgjë mbi qafë (shpinë).”

    1. Mos u fal në këtë gjendje

    – Nga Ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se ka thënë: I dërguari i All-llahut ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush falet vetëm me një rrobë, atëherë le ta shtrëngojë atë për belin e tij, e të mos mbështillet me të siç mbështillen jehudët.”

    – Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “I dërguari i All-llahut ka ndaluar nga të mbështjellurit e tërë trupit (duke mos lënë asnjë vrimë hapur).”

     

     

    [1] Aludohet në sexhden e shpejtë, d.m.th. është aq e shpejtë saqë i përngjet çukitjeve të korbit me sqepin e tij në tokë për ta marrë ushqimin. (shën. përkth.)

    [2] Aludohet në shtrirjen e krahëve përtokë gjatë sexhdes, mu ashtu siç shtrihen egërsirat. (shën. përkth.)

    [3] El-Bekare 238.

    [4] D.m.th. kjo është një pamje e njeriut që vendoset në trungun e pemës për varje apo gozhdim. (shën. përkth).

    [5] Le të mos angazhohet me pastrimin e vendit ku bën sexhde nga guralecat, pluhuri apo diçka e ngjashme me të, ngase kjo ia humbë përqendrimin në namaz. (shën. përkth.)

     

    Shkroi: Xhemal Abdul-Mun’im EL-KUMI

    Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI

    www.thirrjaislame.com