PYETJE: Cila është dispozita islame në lidhje me ngrënien e kërmijve? Nëse ngrënia e tyre lejohet, atëherë a lejohet gatuarja (zierja) e tyre duke qenë të gjallë? A janë përdorur për ushqim kërmijtë në kohën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem?
PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.
E para: Kërmilli është kafshë e vogël me trup të butë, pa skelet, të përjargur e zakonisht të mbuluar me një guaskë në trajtë spiraleje dhe me dy palë brirthë përpara, që jeton në toka me lagështirë, në pyje, vreshta, kopshte etj. dhe ushqehet me bar; kafshë e tillë pa guaskë, që jeton edhe në banesat përdhese me lagështirë a në ujë. (Fjalori Elektronik Shpjegues).
Kërmijtë janë dyllojësh: Kërmij të tokës dhe kërmij të detit. Kërmijtë e tokës renditen nën familjen e insekteve, të cilët nuk kanë gjak të rrjedhshëm, ndërsa kërmijtë e detit renditen nën familjen e butakëve, e që janë kafshë deti.
E dyta: Sa i përket dispozitës mbi ngrënien e kërmijve, themi:
- Dispozita mbi ngrënien e kërmijve të tokës është e njëjtë sikur ajo e insekteve. Xhumhuri (shumica dërrmuese e dijetarëve) janë të mendimit se ngrënia e tyre është e ndaluar (haram). Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Sipas medh’hebit tonë (d.m.th. medh’hebit shafii), ngrënia e insekteve (në këtë rast edhe e kërmijve) është haram. Ky është edhe mendimi i Ebu Hanifes, Ahmedit dhe Davud Edh-Dhahiriut. Ndërsa Maliku thotë: Ngrënia e insekteve të tokës është hallall.” (El-Mexhmu’, 9/16).
Ibën Hazmi, All-llahu e mëshiroftë, thotë: “Ngrënia e kërmillit të tokës nuk lejohet, ashtu siç nuk lejohet ngrënia e të gjitha llojeve të insekteve, si brumbujt, milingonat, bletët, mizat, grerëzat, krimbat, morrat, pleshtat, tartabiqet dhe mushkonjat, si dhe të ngjashme me këto.” (El-Muhal-la, 6/76-77).
Malikijtë nuk e kanë kushtëzuar therjen e kafshëve që nuk kanë gjak të rrjedhshëm, por dispozita e tyre është sikur ajo e karkalecit, therja e të cilit realizohet me anë të zierjes, pjekjes ose me anë të shpimit të tij me ferrë apo gjilpërë derisa të ngordhë duke e shoqëruar me fjalën ‘Bismil-lah’.
Maliku, All-llahu e mëshiroftë, u pyet: “Një gjallesë që jeton në Marok, quhet kërmill, jeton në shkretëtira dhe ngjitet nëpër pemë. A lejohet të hahet? Ai u përgjigj: E konsideroj sikur karkalecin. Nëse kapet i gjallë, zihet ose piqet; dhe nuk shoh diçka të keqe nëse hahet. E nëse kapet i ngordhur, atëherë nuk hahet.”
Ebul-Velid El-Baxhiu, All-llahu e mëshiroftë, gjatë shpjegimit të librit El-Muvetta’ të imam Malikut, thotë: “Nëse kjo është e vërtetë (thënia e imam Malikut), atëherë kërmilli e ka statusin e njëjtë sikur të karkalecit. Maliku thotë: Therja e tyre realizohet duke i shpuar me ferrë apo gjilpërë derisa të ngordhë prej saj, dhe me këtë rast duhet thënë ‘Bismil-lah’, ashtu siç thotë ‘Bismil-lah’ gjatë këputjes së kokës së karkalecit.”
- Dipozita e ngrënies së kërmillit të detit është hallall (e lejuar), duke u bazuar në lejueshmërinë e përgjithshme të gjuetisë dhe ngrënies së gjallesave të detit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Gjahu dhe ushqimi në det u është lejuar, si përjetim për ju dhe për udhëtarët.” (El-Maide 96).
Ndërsa për sa i përket përdorimit të kërmillit si ushqim në kohën e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, nuk kemi hasur në ndonjë hadith që vërteton se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka ngrënë kërmij.
Si përfundim, themi: Ngrënia e kërmijve të tokës dhe të ujit është e lejuar. Edhe nëse gatuhen të gjallë, nuk ka ndonjë problem, ngase kërmilli i tokës nuk përmban gjak që të thuhet se është e domosdoshme therja e tij dhe nxjerrja e gjakut prej tij. Ndërsa kërmilli i ujit hyn në kornizat e përgjithshme të gjahut të lejuar detar dhe ngrënies së tij.
All-llahu e di më së miri.
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI
www.thirrjaislame.com