PYETJE: A ka, sipas islamit, diçka që quhet “El-Karin” (shoqërues)? Dëshiroj të di nëse edhe unë kam një shoqërues të tillë apo jo? Ç’thotë islami në lidhje me këtë gjë apo kjo praktikisht nuk ekziston?
PËRGJIGJJA: Falënderimi i takon All-llahut.
Po, ekziston diçka që quhet El-Karin, dhe All-llahu ka veçuar nga një të tillë për çdo njeri. Ai është i cili e nxitë njeriun në sherr dhe mëkat, përveç pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, siç do të përmendim më pas.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “E shoku i tij (djalli) thotë: “Zoti ynë, unë nuk e shmanga prej rrugës së drejtë, por ai vetë ka qenë i humbur larg”. Ai (All-llahu) thotë: “Mos u grindni tash para Meje, se Unë më parë ju tërhoqa vërejtjen. Tek Unë nuk ndryshon fjala (vendimi) dhe Unë nuk jam zullumqar për robërit.” (Kaf 27-29).
Ibën Kethiri thotë: “Ibën Abbasi radijAll-llahu anhuma, Muxhahidi dhe Katadeja thonë: Te pjesa e ajetit “E shoku i tij”, fjala është për shejtanin i cili është angazhuar si shoqërues i njeriut (El-Karin). Pra shejtani që është shoqërues i njeriut nga lindja e derisa të vdesë, thotë: “Zoti ynë, unë nuk e shmanga prej rrugës së drejtë, por ai vetë ka qenë i humbur larg.”, d.m.th. ai vetë e ka humbur veten, e ka pranuar të pavërtetën dhe ka qenë kryeneç ndaj së vërtetës. Këtë gjë më së miri e ilustrojnë disa ajete të tjera ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “E pasi të kryhet çështja (xhennetlinjtë të hyjnë në xhennet dhe xhehennemlinjtë në xhehennem) djalli (u mban ligjëratën e shëmtuar), dhe u thotë: “Vërtet, All-llahu ju pat premtuar premtim të vërtetë, e unë ju pata premtuar dhe, ja, unë nuk e zbatova premtimin ndaj jush. Po unë nuk pata kurrfarë pushteti ndaj jush (që t’ju detyroj), përpos që ju thirra (në rrugë të gabuar), e ju m’u përgjigjët; atëherë pra mos më qortoni mua, po qortojeni veten. Unë nuk mund t’ju shpëtoj juve, e as ju nuk mund të më shpëtoni mua. Unë mohoj shoqërimin tuaj që ma bëtë mua më parë (më adhuruat në vend të Zotit)”. S’ka dyshim, jobesimtarët kanë dënim të dhembshëm.” (Ibrahim 22).
Pra, në ditën e kiametit, njeriu dhe shejtani grinden mes vete përpara All-llahut të Madhërishëm, duke u munduar t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit, kështu që njeriu thotë: “pasi e gjeta rrugën e drejë, ai më largoi mua prej saj.” (El-Furkan 29), ndërsa shejtani thotë: “Zoti ynë, unë nuk u shmanga prej rrugës së drejtë, por ai vetë ka qenë i humbur larg.” Ndërsa, All-llahu i Madhërishëm u thotë atyre dyve: “Mos u grindni tash para Meje, se Unë më parë ju tërhoqa vërejtjen.”, d.m.th. duke ju dërguar pejgamberë dhe duke ju shpallur libra, kështu që tani nuk keni argumente për të shfajësuar veten.
Pastaj All-llahu i Madhërishëm thotë: “Tek Unë nuk ndryshon fjala (vendimi).” Muxhahidi thotë: Me këtë fjalë All-llahu i Madhërishëm u bën me dije se vendimi dhe gjykimi i Tij ka marrë fund dhe është i pandryshueshëm.
E pastaj u thotë: “dhe Unë nuk jam zullumqar për robërit.”, d.m.th. nuk e dënoj askënd për mëkatin e tjetrit, por secilin e dënoj për mëkatin e vet, pasi i ka ardhur argumenti nga Unë. (Tefsiri i Ibën Kethirit 4/227).”
Nga Abdullah ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka njeri përveçse i është caktuar një shoqërues prej xhinnëve.” Sahabët pyetën: A edhe ty, o i dërguari i All-llahut? Ai tha: “Po, edhe mua. Por All-llahu më ka nduhmuar ndaj tij dhe ai ka pranuar islamin, kështu që më urdhëron vetëm në të mirë.” Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Nuk ka njeri përveçse i është caktuar një shoqërues prej melaikeve dhe një shoqërues prej xhinnëve.” (Shënon Muslimi 2814).
Neveviu thotë: “Kadi Ijadi thotë: “Dije se i gjithë ummeti është i pajtimit (Ixhma’) për sa i përket asaj se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është i mbrojtur nga shejtani në trupin e tij, mendjen e tij dhe gjuhën e tij.”
Nga ky hadith mësojmë se duhet të jemi të kujdesshëm nga fitnet, vesveset dhe devijimet e shejtanit, si dhe të ruhemi prej tij sa më shumë që mundemi.” (Sherhu Sahih Muslim 17/157-158).
Nga Abdullah ibën Omeri radijAll-llahu anhuma na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush falet, të mos lejojë askënd të kalojë para tij. E nëse refuzon, atëherë le ta shtyjë, sepse me të është karini (shoqëruesi prej xhinnëve) i tij.” (Shënon Muslimi 506).
All-llahu e di më së miri.
Shejh Muhammed Salih EL-MUNEXH-XHID
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI
www.thirrjaislame.com