PYETJE: A ka argument se xhinni hyn në trupin e njeriut?
PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.
Po, ka argumente nga kur’ani dhe sunneti se xhinni mund të hyjë në trupin e njeriut. Argument nga kur’ani e kemi ajetin ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata që e hanë kamatën, ata nuk ngriten ndryshe vetëm se si ngritet i çmenduri nga të prekurit e shejtanit.” (El-Bekare 275).
Ibën Kethiri, All-llahu e mëshiroftë, gjatë komentit të këtij ajeti thotë: “D.m.th. nuk ngriten nga varret e tyre në ditën e kiametit ndryshe veçse sikur epileptiku gjatë epilepsisë së tij dhe sikur ai që preket nga shejtani.”
Ndërsa argument nga sunneti e kemi hadithin e pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë: “Shejtani shkon në çdo pjesë të trupit të njeriut sikur gjaku.”
Esh’ariu në librin e tij Mekalatu Ehlis-Sunneti vel-Xhemaati thotë: “Ehlus-Sunneti thonë: Xhinni hyn në trupin e të prekurit (sëmurit) nga sihri.”, dhe këtë e bazoi në ajetin që përmendëm më sipër.
Abdullahu, i biri i Ahmed ibën Hanbelit thotë: “I thashë babait tim: Disa njerëz mendojnë se xhinni nuk hyn dot në trupin e njeriut. E ai më tha: O biri im, ata e kanë gabim. Ja, xhinni flet me gjuhën e tij (njeriut).”
Po ashtu, Ahmedi dhe Bejhekiu shënojnë se njëherë të dërguarit të All-llahut i sollën një fëmijë të xhindosur, ndërsa me këtë rast pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem filloi të thotë: “Dil, o armik i All-llahut! Dil, o armik i All-llahut!” Ndërsa në një transmetim tjetër: “Dil, o armik i All-llahut. Unë jam i dërguari i All-llahut!”, dhe fëmija u shërua.
Pra, siç shihet, në lidhje me këtë çështje kemi një argument nga kur’ani dhe dy argumente nga sunneti. Po ashtu ky është mendimi i ehlus-sunnetit dhe xhematit dhe imamëve të selefit. Veç kësaj, edhe realiteti e dëshmon një gjë të tillë.
Por megjithatë, ne nuk mohojmë që xhindosja mund të jetë nga ndonjë shkak tjetër, si çrregullim i sistemit nervor, defekt në tru, etj.
Shejh Muhammed ibën Salih EL-UTHEJMIN
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI
www.thirrjaislame.com