S’ka dyshim se njeriu nganjëherë ka nevojë të udhëtojë, qoftë për ndonjë interes të kësaj apo botës tjetër. Prandaj, çdo mysliman e ka për obligim t’i mësojë rregullat që kanë të bëjnë me udhëtimin. Ato janë:
- Nijeti i mirë
Kjo do të thotë që të udhëtojë për të vizituar farefisin apo ndonjë vëlla që e do për hirin e All-llahut, ose të niset për të siguruar kafshatën e gojës me hallall, kështu që udhëtimi i tij shndërrohet në adhurim ndaj All-llahut.
Me këtë rast, All-llahu e nderon atë duke ia regjistruar shpërblimin e veprave që i ka bërë para udhëtimit.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur robi sëmuret apo udhëton, i shkruhen shpërblimet e veprave që i bënte kur ishte në vendlindje dhe i shëndoshë.”[1]
- Pendimi dhe kthimi i gjërave të huaja të marra padrejtësisht
Udhëtari, para se të niset për udhëtim, duhet të ketë i kujdesshëm që ta ripërtërijë pendimin mes tij dhe All-llahut të Madhërishëm, si dhe gjërat e huaja t’ua kthejë pronarëve të tyre, duke kërkuar hallallëk për padrejtësinë që ua ka bërë.
- Mosudhëtimi për mëkat
Ka mundësi që njeriu të vdesë gjatë udhëtimit në të cilin është nisur për mëkat, kështu që vdekja e tij të ketë përfundim të keq… Prandaj, ai duhet përpjekur që udhëtimet e tij të jenë udhëtime me të cilat All-llahu është i kënaqur.
- Istihareja para nisjes për udhëtim
Xhabir ibën Abdullahu radijAll-llahu anhuma ka thënë: “Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na e mësonte duanë e istihares për çdo çështje ashtu siç na i mësonte suret e kur’anit dhe thoshte: Kur dikush prej jush dëshiron të vendosë për një punë me rëndësi, le t’i falë dy rekate namaz (nafile) dhe pastaj le të thotë: O All-llah, me diturinë Tënde (të pakufishme) kërkoj mbarësi. Kërkoj ndihmë prej fuqisë Tënde. Kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti ke mundësi, e unë s’kam mundësi, Ti di gjithçka e unë nuk di asgjë. Ti je Ai që i di të fshehtat. O All-llah, nëse kjo punë e imja (e përmend nevojën e tij) është e dobishme për fenë time, jetën time dhe për të ardhmen time, ma bëj të mundshme që kjo të realizohet, ma lehtëso mua këtë dhe më beko me të. E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë time, jetën time dhe për të ardhmen time, largoje atë nga unë dhe më largo mua nga ajo, dhe më përcakto mirësinë (mbarësinë) kudo që të jetë dhe më bëj të jem i kënaqur me të.”[2]
- Mosudhëtimi i gruas pa mahrem[3]
Kjo është një gjë e ndaluar dhe haram. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një gruaje, e cila e beson All-llahun dhe ditën e fundit, nuk i lejohet të udhëtojë përveçse me mahrem.”[4]
- Shkrimi i porosisë (testamentit)
Duke e pasur parasysh që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar ta shkruajmë porosinë duke qenë në vendlindjet tona, atëherë më prioritare është që ajo të shkruhet para udhëtimit. Kjo, ngase mund të ndodhë që udhëtari të mos kthehet i gjallë nga udhëtimi, dhe mu për këtë duhet shkruar haqet e pakryera ndaj All-llahut të Madhërishëm, si zeqati, agjërimi, etj, si dhe borxhet që i ka ndaj njerëzve. Po ashtu duhet porositur familjarët që t’i kryejnë këto obligime.
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Nuk i takon një myslimani që ka diçka në pronësi, e të kalojë një apo dy net pa mos e pasur porosinë e shkruar.”[5]
- Marrja e lejes nga prindërit
Kjo është kështu ngase kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindërve dhe hidhërimi i Zotit është në hidhërimin e tyre, si dhe kënaqësia e prindërve i sjell atij bereqet në udhëtimin e tij. Po ashtu gruaja duhet marrë leje nga bashkëshorti i saj, me kusht që të udhëtojë e shoqëruar me mahrem. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një gruaje, e cila e beson All-llahun dhe ditën e fundit, nuk i lejohet të marrë rrugë që zgjat tri netë, përveçse me mahrem.”[6]
- T’u lërë anëtarëve të familjes të holla që u mjaftojnë
Kjo, me qëllim që të mos detyrohen t’u kërkojnë të tjerëve, sepse ai është përgjegjës për shpenzimet e tyre edhe kur është në shtëpi por edhe kur është në udhëtim.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mjafton si mëkat për njeriun që t’i humbë anëtarët e familjes (duke mos shpenzuar për ta).”[7]
- Kërkimi i rizkut me hallall
Kjo, ngase rizku me haram e pengon përgjigjen e duasë nga All-llahu i Madhërishëm.
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Vërtet All-llahu i Madhërishëm është i bukur dhe nuk pranon përveç të bukurës, dhe vërtet All-llahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar të dërguarit dhe ka thënë: O ju të dërguar, hani gjërat e mira dhe punoni mirë.”[8] Po ashtu ka thënë: “O ju besimdrejtë, hani gjërat e mira me të cilat u kemi furnizuar.”[9] Pastaj e përmendi njeriun, i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura dhe i cili i ngritë duart e tij nga qielli duke thënë: ‘O Zot, o Zot!’ Kurse ushqimi i tij është haram, pija e tij haram, veshmbathja e tij haram, dhe është ushqyer me haram. E si do t’i pranohet lutja e tij!”[10]
- Zgjedhja e shoqëruesit të mirë
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar të mos shoqërohemi përveçse me të mirët, dhe ka thënë: “Njeriu është në moralin e shokut të tij. Prandaj kini kujdes me kë shoqëroheni.”[11]
Po ashtu ka thënë: “Mos u shoqëro me askënd përveçse me besimtarin dhe të mos e hajë ushqimin tënd askush përveç të devotshmit.”[12]
Gjatë udhëtimit, udhëtarit mund t’i ndodhin gjëra të papritura. Prandaj ka nevojë që të ketë dikë afër vetes për t’i ndihmuar dhe për ta drejtuar nga kënaqësia e All-llahut të Madhërishëm.
- Përshëndetja me familjarët dhe të afërmit
Kjo bëhet me qëllim të lënies së përshtypjes së mirë mes familjarëve, shokëve dhe të afërmve.
Kështu, ai që e përcjell mysafirin, i thotë këtij të fundit: “Në mbrojtjen e All-llahut qofshin feja jote, besa jote dhe përfundimi i punëve të tua.”[13], ndërsa mysafiri përcjellësit të tij i thotë: “Ju lë nën kujdesin e All-llahut, Ai i Cili nuk i humb amanetet.”[14]
12.Udhëtimi në ditën e enjte, nëse ka mundësi
Nëse udhëtari ka mundësi të udhëtojë ditën e enjte, preferohet ta bëjë këtë, e nëse jo, atëherë udhëton në çfarëdo dite tjetër. Në një hadith thuhet se: ”… i dërguari i All-llahut kur udhëtonte, rrallë herë nisej në ndonjë ditë tjetër përveç ditës së enjte.”[15]
- Kërkimi i porosive nga dijetarët dhe njerëzit e mirë
Një njeri erdhi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “O i dërguari i All-llahut! Unë do të nisem për rrugë, dhe kërkoj ndonjë porosi prej teje.” I dërguari i All-llahut i tha: “All-llahu të furnizoftë me devotshmëri.” Njeriu tha: “Shtoma edhe një.” I dërguari i All-llahut i tha: “All-llahu t’i faltë mëkatet.” Njeriu tha: “Shtoma edhe një.” I dërguari i All-llahut i tha: “All-llahu t’i lehtësoftë punët e mira kudo që të jesh.”[16]
14.Hershmëria gjatë udhëtimit
Kjo, ngase udhëtimi i hershëm në vete ngërthen bereqet.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “O All-llah! Jipi ummetit tim bereqetin në mëngjesin e hershëm.” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, po ashtu, kur dëgonte ndonjë ekspeditë apo ushtri për në luftë, i niste prej herët në mëngjes.[17]
- Zgjedhja e mjeteve të përshtatshme të transportit
Kjo me qëllim që udhëtimi të mos jetë i vështirë. Prandaj udhëtari duhet zgjedhur mjet të rehatshëm e të shpejtë të udhëtimit, kështu që të mbërrijë shpejt në vendin për ku është nisur dhe të kthehet shpejt te familja e tij.
- Të mos e harrojë dhikrin e daljes nga shtëpia, dhikrin me rastin e ngjitjes në mjetin me të cilin udhëton dhe duanë e udhëtimit
Gjatë daljes nga shtëpia duhet thënë: “Bismil-lah, iu mbështeta All-llahut, s’ka fuqi e as ndryshim përveçse me All-llahun!”, ndërsa atij i thuhet: “U udhëzove, u mjaftove, u mbrojte; dhe atij i përulet shejtani.”[18] Po ashtu duhet thënë: “O All-llah, kërkoj mbrojtjen Tënde të mos bie në humbje, e as dikush të mos më çojë në humbje, të mos lajthis (nga e vërteta) dhe të mos më lajthitin të tjerët, të mos dëmtoj kënd dhe të mos më dëmtojë kush, të mos sillem si injorant e as ndaj meje të mos sillen si injorantë.”[19]
Me rastin e ngjitjes në mjetin e udhëtimit duhet thënë duanë e ngjitjes, e që është: “Bismil-lah.”, e pastaj kur të ulet në mjetin e udhëtimit e thotë këtë dua: “Falënderimi i takon All-llahut, ‘I Lartëmadhëruar qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë; ne me të vërtetë te Zoti ynë do të kthehemi.’ Falënderimi i qoftë All-llahut, falënderimi i qoftë All-llahut, falënderimi i qoftë All-llahut, All-llahu është më i Madhi, All-llahu është më i Madhi, All-llahu është më i Madhi. I Lartësuar qofsh o Zoti im, unë i kam bërë dëm (zullum) vetes, prandaj më fal, sepse askush përveç Teje nuk mund t’i falë mëkatet).[20]
Pastaj e thotë duanë e udhëtimit, ashtu siç e ka bërë i dërguari i All-llahut, e ajo është: “O All-llah, të lutemi që në udhëtimin tonë të na mundësosh të bëjmë mirësi dhe të jemi të devotshëm, të bëjmë vepra me të cilat Ti je i kënaqur. O All-llah, na e lehtëso neve udhëtimin tonë dhe na e shkurto rrugën. O All-llah, Ti je shoqërues në udhëtim dhe mbrojtës i familjes sonë. O All-llah, kërkoj që të më mbrosh nga vështirësitë e udhëtimit dhe pamjet prekëse, dhe nga shndërrimi i keq i pasurisë dhe familjes.”[21]
- Të mos udhëtojë vetëm
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Një udhëtar është shejtan, dy udhëtarë janë dy shejtanë, tre udhëtarë janë (grup) udhëtarë(sh).”[22]
- Dhikri i ngjitjes dhe i lëshimit
Kur aeroplani fillon të ngjitet përpjetë, apo vetura kalon nëpër ndonjë tatëpjetë, prej sunnetit është që udhëtari të thotë: ‘All-llahu Ekber’, ndërsa kur aeroplani lëshohet teposhtë, apo vetura kalon nëpër ndonjë teposhtë, prej sunnetit është që udhëtari të thotë: ‘SubhanAll-llah’.
Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Kur ngjiteshim përpjetë thonim ‘All-llahu Ekber’, ndërsa kur lëshoheshim tatëpjetë thonim ‘SubhanAll-llah’.”[23]
- Ndihma reciproke mes udhëtarëve
Gjatë udhëtimit, i fuqishmi e ndihmon të dobëtin, pasaniku të varfrin, ndihmohen mes vete në bartjen e mallrave të ndryshme, në lehtësimin e vështirësive të udhëtimit, e kështu me radhë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi.”[24]
- Pushimi gjatë udhëtimit
Kjo vlen posaçërisht kur udhëtimi është i gjatë. Sa herë që jepet rasti, udhëtarët duhet ndaluar për t’i pushuar mjetet e tyre të udhëtimit, qofshin moderne apo klasike, duke u ofruar ushqim e pije dhe gjërat e tjera për të cilat kanë nevojë. Po ashtu për të ngrënë e pirë diçka, e kështu me radhë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka udhëzuar për një gjë të tillë dhe ka thënë: “Kur të udhëtoni nëpër fusha të blerta, jipjuni deveve mundësinë të hanë nga fusha aq sa kanë nevojë…”[25] Prandaj, këtë sjellje duhet pasur parasysh, që mjeti i udhëtimit të jetë i fuqishëm për të përballuar vështirësitë e udhëtimit.
- Dhikri i ndalimit në ndonjë vend gjatë udhëtimit
Kur udhëtarët ndalen në ndonjë vend gjatë udhëtimit, ata duhet kërkuar mbrojtje me fjalët e plota të All-llahut, siç e kemi në hadithin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, i cili thotë: “Kush ndalet në ndonjë vend dhe thotë: Kërkoj mbrojtje me fjalët e përsosura të All-llahut nga sherri që ka krijuar, asnjë gjë nuk do t’i bëjë dëm derisa të largohet nga ai vend.”[26]
Ky është një udhëzim fisnik nga Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ngase njeriu mund të goditet me ndonjë të keqe nga shejtani, apo nga ndonjë insekt i dëmshëm, e kështu me radhë. Prandaj bëhet ky dhikër, sepse All-llahu ëshët mbrojtësi më i mirë.
- Duaja për familjen dhe miqtë
Udhëtari duhet kujdesur për dua ndaj vetes, familjes dhe miqve të tij. Kjo, ngase duaja e udhëtarit është e pranuar.
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Tri dua janë të pranuara (nga All-llahu), pa dyshim: Duaja e të dëmtuarit, duaja e udhëtarit dhe duaja e prindërve për fëmijën e tyre.”[27]
- Kujdesi ndaj farzeve dhe dhikreve sipas sunnetit
Udhëtari duhet pasur kujdes për pesë namazet e ditës. Dihet që udhëtari ka lehtësim për të shkurtuar namazin, si dhe për të bërë bashkimin mes tyre nëse e sheh të domosdoshme. Po ashtu duhet pasur kujdes ndaj leximit të kur’anit dhe këndimit të dhikrit, si dhe të largohet krejtësisht nga mëkatimi ndaj All-llahut të Madhërishëm.
- T’i mësojë rregullat e udhëtimit që kanë të bëjnë me ibadetet
Kjo do të thotë që duhet mësuar dispozitat e udhëtimit dhe lehtësimet sheriatike për sa i përket ibadeteve, si bashkimi dhe shkrutimi i namazeve, mes’hu mbi meste, lejimi i mosagjërimit, lejimi i tejemmumit etj.
- Të shpejtuarit për t’u kthyer në vendlindje
Kjo do të thotë që të kthehet në vendlindje sapo të mbarojë punën për të cilën ka shkuar. Ky është një sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, të cilin e kuptojmë nga ky hadith: “Udhëtimi është pjesë e dënimit. E pengon njeriun nga haja, pija e gjumi. Kur ndonjëri prej jush kryen nevojën për të cilën ka udhëtuar, le të kthehet sa më shpejt te familja e tij.”[28]
- Sjellja e dhuratave për familjarët
Ky ka qenë prej veprimeve të selefëve, All-llahu i mëshiroftë. Kjo gjë paraqet argëtim për familjen, shfaqje kujdesi për ta, gëzim i tyre dhe kompensim për mungesën e familjarit të tyre për shkak të udhëtimit.
- Mostrokitja te familja e tij natën
Kjo, përveç nëse i ka informuar për kthimin e tij paraprakisht. Ndërsa befasimi i tyre natën pa mos i informuar paraprakisht, e në veçanti kur mungesa e tij ka qenë e gjatë, është gjë e ndaluar. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “e ka ndaluar që njeriu të trokasë në derën e familjes së tij natën.”[29] Nëse ai vepron një gjë të tillë, gruas mund t’i shkojë mendja se ai dyshon tek ajo se mos ndoshta e tradhton, dhe kështu dëshiron ta zërë në flagrancë. Po ashtu, me anë të trokitjes natën apo nëse i bie ziles befasisht, mund t’i shqetësojë. Po ashtu gruaja mund të jetë e papërgatitur për kthimin e tij, të mos i ketë kushtuar vetes kujdes dhe kështu ai e sheh atë në një pamje që nuk i pëlqen. Por nëse udhëton në mëngjes me nijet që të kthehet natën, dhe familja është në dijeni për këtë, atëherë nuk ka problem nëse troket natën.
- Informimi i familjarëve për kthimin e tij
Informimi mund të jetë verbal, me anë të telefonit, apo me mënyra të tjera, por kryesorja është që t’i informojë se është nisur, apo se në filan ditën dhe në filan orën do të mbërrijë në shtëpi, në mënyrë që të përgatiten për pritjen e tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, njëherë kur u kthye nga udhëtimi me shokët e tij, u tha: “Pritni deri natën, e pastaj hyni në Medinë, derisa e pakrehura (të ketë kohë të mjaftueshme) të krehë flokët e saj dhe ajo burri i së cilës ka qënë larg ta pastrojë (rruajë) vendin e turpshëm të saj.”[30] Ajo që myslimanët duhet bërë është të zbatojnë këtë udhëzim fisnik pejgamberik.
- Pritja e udhëtarit kur ai kthehet
Kjo duhet bërë sidomos kur udhëtimi i tij ka qenë i gjatë me ditë apo muaj, kështu që të afërmit bashkë me fëmijët e tyre dalin për ta pritur, nëse u mundësohet një gjë e tillë. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur kthehej nga udhëtimi, pritej në rrugë nga fëmijët e familjarëve të tij.”[31] Kjo është një edukatë e mirë islame të cilën pak njerëz e dinë, e akoma më të paktë janë ata që e bëjnë.
- Marrja ngrykë e udhëtarit kur kthehet
Enesi radijAll-llahu anhu thotë: “Shokët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur takoheshin mes vete, përshëndeteshin duke shtrënguar dorën njëri-tjetrit, e kur ktheheshin nga udhëtimi, merreshin ngrykë mes vete.”[32] Kjo gjë e nxjerr në pah gëzimin e njerëzve me kthimin e udhëtarit dhe mallin që kanë për të, si dhe në zemrën e udhëtarit e mbjell harenë dhe gëzimin.
31.Fillimi me namaz në xhami
Kjo do të thotë që udhëtari të shkojë në xhami para se të shkojë në shtëpinë e tij, dhe të falë dy rekate namaz. Kështu ai e shpreh falënderimin ndaj All-llahut për kthimin e tij shëndoshë e mirë në vendlindje, si dhe për t’ju dhënë familjarëve kohë më të gjatë për përgatitjet për pritjen e tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem “kur kthehej nga udhëtimi, së pari shkonte në xhami dhe falte dy rekate namaz.”[33] Ky është një sunnet madhështor dhe i bekuar të cilin pakkush prej myslimanëve e bën në ditët e sodit, dhe në të ka bereqet të madh nga All-llahu i Madhërishëm për njeriun që e praktikon.
- Përgatitja e ushqimit për njerëzit
Kjo vlen sidomos nëse ka munguar për një kohë të gjatë. Pra, nëse ka mundësi të mbledhë familjarët dhe fqinjët për ushqim, do të ishte mirë, sepse kjo sjellë atmosferë gëzimi dhe hareje për shkak të kthimit të tij nga udhëtimi, si dhe me anë të kësaj udhëtari e shfaq falënderimin e begatisë së All-llahut ndaj tij. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem njëherë kur u kthye në Medinë pas një udhëtimi, theri një deve apo një lopë.[34]
S’ka dyshim se praktikimi i kësaj edukateje ka një ndikim të fuqishëm te familja, fqinjët dhe miqtë, edhe pse është e kushtueshme. Por kur e shikojmë dobinë dhe ndikimin pozitiv të saj, atëherë, ia vlen të bëhet ky shpenzim. Sidoqoftë, ky është një sunnet i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, prandaj edhe ia vlen të bëhet.[35]
[1] Sahih: shënon Buhariu (2996).
[2] Sahih: shënon Buhariu (1166).
[3] Mahrem: Burrat e afërm të një gruaje me të cilët ajo e ka të ndaluar martesën sheriatikisht. (shën. përkth.)
[4] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1088) dhe Muslimi (1339).
[5] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (2738) dhe Muslimi (1627).
[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1036) dhe Muslimi (1338).
[7] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (1692) dhe Ahmedi (2/194). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (4481) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[8] Kaptina El-Mu’minun, ajeti 51.
[9] Kaptina El-Bekare, ajeti 172.
[10] Sahih: shënon Muslimi (1015).
[11] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (4833), Tirmidhiu (2378) dhe Ahmedi (2/334). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (3545) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[12] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (4832), Tirmidhiu (2395) dhe Ahmedi (3/38). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7341) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[13] Sahih: Shënojnë Tirmidhiu (3443) dhe Ahmedi (2/7). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (14) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[14] Sahih: shënon Ibën Maxhe (2825). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (16) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[15] Sahih: shënon Buhariu (2949).
[16] Sahih: Shënojnë Tirmidhiu (3444) dhe Ahmedi (2/7). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (3579) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[17] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (2606), Tirmidhiu (1212), Ibën Maxhe (2236) dhe Ahmedi (3/339). Shejh Albani në librin Sahih el-Xhami’ (1300) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[18] Sahih: shënon Ebu Davudi (5095). Shejh Albani në librin e tij Sahih et-Tergibu vet-Terhib (1605) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[19] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (5094), Ibën Maxhe (3427) dhe Ahmedi (6/321). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (3163) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[20] Sahih: shënon Tirmidhiu (3447). Shejh Albani në librin e tij Sahih Sunen et-Tirmidhi e ka klasifikuar si hadith sahih.
[21] Sahih: shënon Muslimi (1342).
[22] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (2607), Tirmidhiu (1674) dhe Ahmedi (2/186). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (62) e ka klasifikuar si hadith hasen. Ndërsa qëllimi përse Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për udhëtarin ka përdorur fjalën ‘shejtan’ është se kur njeriu udhëton vetëm, shejtani mund të ketë më shumë ndikim tek ai, kështu që njeriu mund t’i nënshtrohet shejtanit dhe të bie në mëkat, e në këtë rast ai i përngjan shejtanit dhe bëhet sikur ai vetë të jetë shejtani. E njëjta vlen edhe për dy udhëtarë. Por nëse janë tre udhëtarë e më tepër, atëherë shejtani e ka vështirë të ndikojë negativisht tek ata. (shën. përkth).
[23] Sahih: shënon Buhariu (2993).
[24] Kaptina El-Maide, ajeti 2.
[25] Sahih: shënon Muslimi (1926).
[26] Sahih: shënon Muslimi (2708).
[27] Hasen: shënojnë Ebu Davudi (1536), Tirmidhiu (1905), Ibën Maxhe (3862) dhe Ahmedi (2/348). Shejh Albani në librin Es-Silsiletus-Sahiha (596) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[28] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1804) dhe Muslimi (1927).
[29] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1801) dhe Muslimi (1928).
[30] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5079) dhe Muslimi (715).
[31] Sahih: shënon Muslimi (2428).
[32] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset (1/97), ndërsa Hejthemiu në librin e tij Mexhmeuz-Zevaid (8/36) thotë: Këtë hadith e shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset me transmetues të besueshëm. Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (2647) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[33] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (4418) dhe Muslimi (2769).
[34] Sahih: shënon Buhariu (3089).
[35] Shkëputur nga libri Meusuatul-Adabil-Islamijje (1/445-448), me ndërhyrje. Autor: Abdul-Aziz Neda.
www.thirrjaislame.com