EDUKATA ME JETIMIN

Vëllezër të dashur,

Ne e dimë se feja jonë është fe e mëshirës, dhe si e tillë, na i ka hapur të gjitha dyert e mëshirës që ne të mëshirohemi mes vete.

E prej njerëzve që më së shumti ka nevojë për atë mëshirë pa dyshim është fëmija jetim, i cili e ka hunbur babanë që në vegjëli dhe ka jetuar si jetim dhe i privuar nga fjala “O baba”.

All-llahu, si shpërblim për atë që kujdeset dhe e mëshiron jetimin, e ka bërë shoqërimin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në xhennet.

Por, para se t’ju tregoj për rregullat e sjelljes me jetimin, fillimisht t’ju tregoj për frytet e përkujdesjes ndaj jetimit.

 

FRYTET DHE VLERA E PËRKUJDESJES NDAJ JETIMIT

 

  1. Përkujdesja ndaj jetimit dhe mirësjellja me të është zbatim i urdhrit të All-llahut

 

Ai që ka urdhëruar me këtë është All-llahu i Madhërishëm. Prandaj Ai adhurimin ndaj Tij e ka lidhur me mirësjelljen ndaj jetimit, duke thënë: Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet.”[1]

Pra, kush sillet mirë me jetimin, ai e ka adhuruar Al-llahun dhe ka zbatuar urdhrin e Tij.

 

  1. Atij që përkujdeset për jetimin, i shtohet bereqeti

 

Kush përkujdeset për jetimin dhe sillet mirë me të, atij dhe familjes së tij i shtohet bereqeti.

Përkujto se çfarë ndodhi në shtëpinë e Ebu Talibit, xhaxhait të Pejgamberitsal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, kur ai ishte i varfër, por megjithatë, me të marrë përsipër përkujdesjen ndaj Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, bereqeti e gjeti rrugën deri te shtëpia e tij.

Ebu Talibi ka qenë njeri i varfër, dhe gruaja e tij ndjente se fëmijët e saj nuk ngopen asnjëherë, por kur në mesin e tyre erdhi Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, për herë të parë hyri bereqeti në këtë shtëpi fisnike, e në veçanti për sa i përket ushqimit të fëmijëve kur me ta hante bashkë edhe Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

Kështu, fëmijët e Ebu Talibit kur hanin bashkë apo secili vetëm, nuk ngopeshin, ndërsa kur me ta hante i dërguari i All-llahut, ngopeshin. Ebu Talibi kur donte t’i ushqente, thoshte: ”Rrini ashtu siç jeni derisa të vijë biri im (Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem). Kështu i dërguari i All-llahut vinte dhe hante bashkë me ta, ndërsa në këtë rast ushqimi u tepronte.

Kur kishte qumësht, i dërguari i All-llahut pinte i pari, e pastaj ua jipte enën që të pinin derisa që të gjithë pinin nga ajo enë, edhe pse në raste normale, ajo enë mjaftonte vetëm për një person.

 

  1. Kush dëshiron t’i zbutet zemra dhe t’i përmbushet nevoja, le ta mëshirojë jetimin, le t’ia lëmojë kokën dhe le ta ushqejë nga ushqimi i vet

 

Transmetohet se një njeri iu ankua Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nga zemërgurtësia, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “A dëshiron që të të zbutet zemra dhe të të përmbushet nevoja? Mëshiroje jetimin, lëmoja kokën, ushqeje nga ushqimi yt, do të të zbutet zemra dhe do të të përmbushet nevoja.”[2]

Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Afroje jetimin afër vetes, merre me të butë, lëmoja kokën, ushqeje nga ushqimi yt, ngase këto gjëra ta zbusin zemrën dhe ta përmbushin nevojën që ke.”[3]

 

      4. Shpëtimi i shoqërisë nga mllefi dhe urrejtja

 

Përkujdesja për jetimin ndihmon në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë, të pastër nga mllefi dhe urrejtja, si dhe në atë shoqëri mbretëron fryma e dashurisë.

 

  1. Është argument për mirësinë e gruas e cila e ka sakrifikuar jetën për mbikëqyrjen e jetimëve të saj

 

Përkujdesja për jetimin është argument për mirësinë e gruas të cilës i vdes burri, ndërsa ajo zgjedh që të përkujdeset për jetimët e saj duke sakrifikuar jetën, por duke shpresuar xhennetin dhe shoqërimin me Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem në ahiret.

Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: “Unë jam i pari të cilit do t’i hapen dyert e xhennetit, por një grua afrohet nga dera e xhennetit me nxitim, ndërsa unë do t’i them asaj: Ç’ke? Dhe kush je ti? Ajo do të më përgjigjet: Unë jam një grua që jam kujdesur për jetimët e mi.”[4]

 A thua cila ka qenë merita e kësaj gruaje për të arritur kaq pozitë të lartë? Asgjë tjetër veç asaj se ajo ka mbikëqyrur fëmijët e saj jetimë!… Asgjë tjetër veç asaj se ajo është privuar nga të mirat e jetës për edukimin dhe mbikëqyrjen e fëmijëve të saj jetimë.

  1. Fitimi i shpërblimeve me lëmimin e kokës së jetimit

 

Nga Ebu Umame El-Bahiliu radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut ka thënë: Kush ia lëmon kokën jetimit dhe nuk e lëmon atë vetëm se për hirin e All-llahut, do të ketë shpërblime për çdo qime floku që dora e tij e ka përshkuar. E, kush sillet mirë me jetimen apo jetimin që e ka nën përkujdesje, unë dhe ai do të jemi së bashku në xhenet sikurse këta dy gishta”, dhe bëri me shenjë me gishtin tregues dhe atë të mesëm.[5]

 

  1. Ai që i jep lëmoshë vejushës ose fukarasë, e ka shpërblimin sikur të muxhahidit në rrugë të All-llahut

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që i jep lëmoshë vejushës ose fukarasë, e ka shpërblimin sikur të muxhahidit në rrugë të All-llahut ose atij që falë namaz nate dhe agjëron ditën.”[6] Grua e vejë është ajo të cilës i ka vdekur burri dhe ka mundësi që t’i ketë lënë edhe fëmijë jetimë të cilët kanë gëlltitur dhembjen e të qenit jetim që nga vegjëlia e tyre. Prandaj ata janë që më së shumti kanë nevojë për një dorë të mëshirshme që do t’ua mjekonte plagët nga faqet e zemrës së thyer të tyre, dhe nga ky këndvështrim Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i ka nxitur zemërmirët që të garojnë për ata jetimë dhe për atë nënë të cilës i është copëtuar zemra me vdekjen e burrit të saj. Pra, kush përkujdeset për të dhe për fëmijët e saj, e ka shpërblimin sikur të muxhahidit në rrugë të All-llahut ose atij që falë namaz nate dhe agjëron ditën.

 

  1. Shoqërimi i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem

 

Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Unë dhe kujdestari (i mirë) i jetimit do të jemi së bashku në xhennet kështu.” dhe bëri me shenjë me gishtin tregues dhe atë të mesëm.[7]

Ndërsa në një transmetim tjetër qëndron: “Unë dhe kujdestari (i mirë) i jetimit të tij apo të tjetërkujt do të jemi bashkë në xhennet. Po ashtu kush përkujdeset për vejushën dhe fukaranë, e ka shpërblimin sikur të muxhahidit në rrugën e All-llahut.”[8]

 

Edukata e sjelljes me jetimët

 

Ejani me ne së bashku të njoftohemi me disa sjellje që duhet përvetësuar në raport me marrëdhëniet tona me jetimët.

 

  1. Përkujdesja për jetimin

 

Kjo bëhet duke i dhënë gjërat për të cilat ka nevojë në jetën e tij, si dhe t’i sigurojmë një kapital pasurie. I dërguari i All-llahut ka thënë: Unë dhe kujdestari (i mirë) i jetimit do të jemi së bashku në xhennet kështu.” dhe bëri me shenjë me gishtin tregues dhe atë të mesëm.[9]

 

  1. Bamirësia e vazhdueshme ndaj tij, lumturimi i tij dhe mos-shqetësimi i tij

 

  1. Lëmimi i kokës së tij, nderimi i tij dhe duaja për të

 

  1. Gëzimi i zemrës së tij me dhurata dhe gjëra të ngjashme, dhe lavdërimi i tij

 

  1. Ruajtja e pasurisë së jetimit… All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë ata hanë atë që mbush barkun e tyre zjarr dhe do të futen në zjarrin e xhehennemit.[10]

 

  1. Mosmburrja me origjinën familjare, sidomos në praninë e jetimëve.

 

Mburrja me origjinën familjare është traditë e xhahilijetit të cilën islami i pastër e ka shembur dhe rreptësisht e ka ndaluar. Vlera nuk arrihet me origjinë familjare, por me devotshmëri dhe mirësi… Kur dikush mburret me origjinën familjare dhe paraardhësit e tij në praninë e jetimit, ai ndjehet keq dhe i mërzitur. Sikur ta dinte se islami është përkatësia dhe origjina më e mirë, nuk do të mërzitej. Ai që gjendet nën ombrellën e islamit dhe strehohet nën udhëzimet e tij, nuk është jetim, ngase ai llogaritet bir i islamit.[11]

[1] Kaptina En-Nisa’, ajeti 36.

[2] Sahih: shënon Taberaniu. Po ashtu këtë hadith e gjejmë në et-Tergibu vet-Terhib (3/237) si dhe në Mexhmeuz-Zevaid (8/160), autorët e të cilave thonë: Në senedin e këtij hadithi ka transmetues që nuk janë përmendur me emër, si dhe Bekije është Mudel-lis. Po ashtu e shënon edhe Abdurr-Rrezzaku në librin e tij El-Xhami’ (11/96). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (80) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[3] Hasen: shënojnë Bejhekiu (4/60), Haraitiu në Mekarimul-Ehlak (fq. 218) dhe Ibën Asakiri (47/153). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (250) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[4] Shënon Ebu Ja’la. Po ashtu e përmend Hejthemiu në Mexhmeuz-Zevaid (8/162). E përmend edhe Hafidh Ibën Haxheri në Fet’hul-Bari (10/436) me një sened jo aq të keq.

[5] Shënon Ahmedi (5/250). Hejthemiu në Mexhmeuz-Zevaid (8/190) ka thënë: Këtë hadith e shënon Ebu Davudi shkurtimisht, si dhe Ahmedi, transmetuesit e të cilit janë të besueshëm.

[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (5353) dhe Muslimi (2982).

[7] Sahih: shënon Buhariu (6005).

[8] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Evset. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (1476) e ka klasifikuar si hadith sahih.

[9] Sahih: shënon Buhariu (5546).

[10] Kaptina En-Nisa’, ajeti 10.

[11] Shkëputur nga libri Ibnul-Islam (6/124-125). Autor: Shejh Muhammed Husejn Ja’kub.

 

www.thirrjaislame.com