Vëllezër të dashur,
Vërtet përmendja e All-llahut të Madhërishëm është prej ibadeteve më madhështore me të cilat afrohemi tek All-llahu i Madhërishëm, madje ajo është thelbi i punëve të mira, shkak i zbritjes së mëshirës dhe kënaqësisë së Zotit të qiejve e të tokës, mbjellje e xhennetit, si dhe shkak i arritjes së lumturisë në dynja e ahiret.
GJUHA JOTE ËSHTË PANDËRPRERË E NJOMË NGA TË PËRMENDURIT E ALL-LLAHUT
O ti që synon lumturinë e vërtetë, përmbaju përmendjes së All-llahut të Madhërishëm. A nuk e ke dëgjuar fjalën e All-llahut të Madhërishëm: “Me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.”[1] All-llahu i Madhërishëm po ashtu thotë: “Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim).”[2] “Përmendeni shpeshherë All-llahun, ashtu që të gjeni shpëtim.”[3] “shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.”[4]
Nga Ebu Musa El-Esh’ariu radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend All-llahun dhe atij që nuk e përmend është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.”[5]
Ndërsa në transmetimin e Muslimit qëndron: “Shembulli i shtëpisë ku përmendet All-llahu dhe shtëpisë ku nuk përmendet All-llahu është sikur shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.”[6]
Nga Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu na përcillet se një njeri tha: “O i dërguari i All-llahut, obligimet e fesë janë bërë shumë për mua (ngarkesë e tepërt), andaj më trego diçka të cilës do t’i përmbahem. Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: Le të jetë gjuha jote gjithmonë e njomë nga të përmendurit e All-llahut.”[7]
Nga Xhabiri radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush thotë: SubhanAll-llahil-Adhim ve bihamdihi,[8] atij do t’i mbillet në palmë në xhennet.”[9]
Nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Natën që u dërgova në qiell e takova Ibrahimin, alejhis-selam, e ai më tha: O Muhammed, bëji selam ummetit tënd prej meje dhe tregoju se xhenneti e ka dheun e pastër, ujin e ëmbël dhe është rrafshinë, ndërsa shkak për të fituar pemët e tij janë fjalët: SubhanAll-llah (i lartësuar qoftë All-llahu); El-hamdu li-lah (i falënderuar qoftë All-llahu); La ilahe il-lAll-llah (nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç All-llahut) dhe All-llahu ekber (All-llahu është më i madhi).”[10]
Nga Ebu Derda’ radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “A nuk doni t’ju tregoj për punët tuaja më të mira dhe më të pastra tek Sunduesi juaj; që i lartësojnë më së shumti gradat dhe janë më të mira për ju se shpenzimi i floririt dhe argjendit (për të fituar kënaqësinë e All-llahut) dhe që janë më mirë për ju se ta takoni armikun tuaj e t’i godisni ose t’ju godasin në zverqe?!” I thanë: “Po.” Ai tha: “Të përmendurit e All-llahut të Madhërishëm.”[11]
Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se një ditë fukarenjtë e muhaxhirëve erdhën tek i dërguari i All-llahut dhe i thanë: “Pasanikët na tejkaluan në shkallët e larta dhe në bekimet e vlefshme. Falen siç falemi, agjërojnë siç agjërojmë, dhe me pasuritë që i kanë, e bëjnë haxhin dhe e kryejnë umren, bëjnë xhihad dhe japin sadeka! I Dërguari i All-llahut u tha: “A dëshironi t’ju mësoj diçka me të cilën do t’i arrini ata që kanë qenë para jush dhe do t’i tejkaloni ata që vijnë pas jush, dhe askush nga ju nuk do të jetë më i vlefshëm, përveç nëse vepron ç‘veproni edhe ju?” Ata thanë: “Po, gjithqysh, o i dërguari i All-llahut!”. I Dërguari i All-llahut u tha: “Do të thoni SubhanAll-llah, Elhamdu lil-lah dhe All-llahu ekber pas çdo namazi nga tridhjetë e tri herë.”[12]
Ndërsa në transmetimin e Muslimit qëndron edhe kjo shtojcë: Fukarenjtë e muhaxhirëve u kthyen tek i dërguari i All-llahut dhe i thanë: “Vëllezërit tanë pasanikë dëgjuan për atë që ne bëmë dhe edhe ata e bënë të njëjtën.” Atëherë i dërguari i All-llahut u tha: “Kjo është mirësi e All-llahut, që ia jep atij që do.”
Nga Muadh ibën Xhebeli radijAll-llahu anhu na përcillet se i dërguari i All-llahut një herë i kishte thënë atij: “Po të porosis, o Muadh, që në fund të çdo namazi (para selamit) të thuash: O All-llah, më ndihmo, që të të përmend e të të falënderoj, dhe më mundëso që të të adhuroj sa më mirë.”[13]
Rregullat gjatë përmendjes së All-llahut
- Sinqeriteti në nijet vetëm për hirin e All-llahut të Madhërishëm dhe shpresa vetëm në shpërblimin e Tij. All-llahu i Madhërishëm thotë:” E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”[14]
- Mallëngjimi i zemrës për përmendje të All-llahut ashtu siç trupi mallëngjehet për haje e pije, kështu që robi e përmendë All-llahun me mall, dashuri, pasion dhe përqendrim, ngase All-llahu i ka përshkruar munafikët me fjalët: “Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin All-llahun.”[15] Pra, prej rregullave dhe edukatës gjatë përmendjes së All-llahut është përmendja e Tij me mall.
- Marrja e avdesit apo guslit paraprakisht. Kjo, ngase Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk ka parapëlqyer përmendjen e All-llahut pa praninë e pastërtisë (avdesit apo guslit). Nga Muhaxhir ibn Kunfudhi radijAll-llahu anhu na përcillet se ai një herë kishte kaluar përreth Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem, ndërsa ai po urinonte, e kishte përshëndetur me selam, por Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem nuk ia kishte kthyer selamin derisa kishte marrë avdes, e pastaj i kishte kërkuar falje, duke i thënë: “Mua nuk më pëlqen të përmend emrin e All-llahut të Madhërishëm kur nuk jam në gjendje të pastër.” [16]
Ndërsa Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhu thotë: “Avdesi (i marrur) mirë e largon shejtanin prej teje.”
- Ulja në drejtim të kibles me përkushtim dhe maturi. Kështu duhet të jetë nënshtrimi yt gjatë lutjes ndaj All-llahut, Zotit të botëve, e në veçanti kur e përkujton fjalën e All-llahut: “Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim).”[17] ose fjalën: “Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua, Unë jam me të kur më përmend Mua; nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time, e nëse ai më përmend Mua në bashkësi, edhe Unë atë e përmend në një bashkësi më të mirë se të atij.”[18]
- Ta pastrosh brendësinë tënde me kërkim faljeje (nga All-llahu), duke pasur parasysh mbikëqyrjen e All-llahut, si dhe me pendim nga mëkatet e gjynahet, në mënyrë që zemra dhe gjuha të parapërgatiten për përmendje të All-llahut.
- Zgjedhja e kohëve të përshtatshme për përmendje të All-llahut, gjatë kohës kur njeriu është i lirë nga obligimet e ngarkesat, shpirti është i gatshëm për pranimin e dritës dhe zemra është e përmalluar për lutje ndaj All-llahut të Madhërishëm, si koha para agimit, para perëndimit të diellit, menjëherë pas farzit të çdo namazi, si dhe në netët e bekuara dhe ditët e vlefshme.
- Ndjellja e madhërisë së All-llahut të Madhërishëm, meditimi në fjalët e dhikrit dhe përmendja e All-llahut të Madhërishëm me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta. Kështu arrihet përkulja, nënshtrimi dhe adhurimi i vërtetë ndaj All-llahut të Madhërishëm. Në këto momente zemra ndien rehati.
- Gjatë përmendjes së All-llahut rekomandohet e qara. Në hadithin e shtatë grupeve të njerëzve të cilët All-llahu do t’i fusë nën hijen e Tij, në ditën kur nuk do të ketë hije tjetër por asaj, Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem mes tjerash thotë: “… dhe një njeri që e përmendë All-llahun dhe i mbushen sytë me lot…”[19] Ai që përqendrohet me zemër gjatë përmendjes së All-llahut, e ndien afërsinë e All-llahut të Madhërishëm ndaj tij dhe e kupton nga All-llahu i Madhërishëm qëllimin përse robi e përmendë Zotin e tij, nuk e përmban dot veten nga lotët.
- Fshehja e saj nga të tjerët në mënyrë që të ruhet sinqeriteti dhe t’i iket syefaqësisë. Kështu përmendja e All-llahut arrin në thellësinë e shpirtit dhe troket me trokitjet e zemrës.
- Kërkimi i fryteve të përmendjes së All-llahut. Kjo arrihet duke qenë i përpiktë në adhurimet ndaj All-llahut, duke u larguar nga dëfrimet, fjalët e kota, veprat e kota, mëkatet, si dhe duke u përqendruar në fjalë, vepra dhe marrëdhënie ndërnjerëzore.
Hasen El-Basriu, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “Përmendja e All-llahut (dhikri) është dyllojësh: Njëri ka të bëjë me përmendjen e All-llahut të Madhërishëm që është mes teje dhe Tij, e që është një dhikër shumë i mirë dhe me shpërblim të madh. Ndërsa dhikër akoma më i mirë se i pari është kur përmendet All-llahu në momentin kur bëhet mëkat ndaj Tij.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Vërtet, ata që janë të ruajtur, kur i prek ndonjë iluzion nga djalli, ata përkujtojnë (All-llahun), dhe atëherë shohin (të vërtetën).”[20] Po ashtu thotë: “Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë (mëkat) të shëmtuar ose i bëjnë zullum vetvetes, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre – e kush i falë mëkatet përveç All-llahut?”[21]
Pra, fryti i vërtetë i dhikrit është që nefsi yt mos të të nxisë në ndonjë haram, por kur e përmend All-llahun në mënyrë konstante, e sheh se je para All-llahut, dhe realisht e do Atë, realisht turpërohesh prej Tij, ia ke frikën sikur e ke para vetes dhe e sheh dhe kështu bëhesh prej përmendësve të mëshiruar të All-llahut. E lusim All-llahu të na bëjë prej tyre.[22]
[1] Kaptina Err-Rra’d, ajeti
[2] Kaptina El-Bekare, ajeti 152.
[3] Kaptina El-Xhumuah, ajeti 10.
[4] Kaptina El-Ehzab, ajeti 35.
[5] Sahih: shënon Buhariu (6407).
[6] Sahih: shënon Muslimi (779).
[7] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3375) dhe Ibën Maxhe (3793) nga Abdullah ibën Busri radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7700) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[8] ‘SubhanAll-llahil-Adhim ve bihamdihi’: I Lartësuar qoftë All-llahu, Atij i takon lavdërimi. (shën.përkth.)
[9] Sahih: shënon Tirmidhiu (3464, 3465). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (64) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[10] Hasen: shënon Tirmidhiu (3462) nga Ibën Mes’udi radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin Es-Silsiletus-Sahiha (105) e ka klasifikuar si hadith hasen.
[11] Sahih: shënojnë Tirmidhiu (3377), Ibën Maxhe (3790) dhe Ahmedi (21195) nga Ebu Derda’ radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (2629) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[12] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (843) dhe Muslimi (595), nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu.
[13] Sahih: shënojnë Ebu Davudi (1522), Nesaiu (1303) dhe Ahmedi (21621) nga Muadh ibën Xhebeli radijAll-llahu anhu. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (7969) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[14] Kaptina El-Bejjine, ajeti 5.
[15] Kaptina En-Nisa’, ajeti 142.
[16] Sahih: shënon Ebu Davudi (17). Shejh Albani në librin e tij Sahih Ebi Davud e ka klasifikuar si hadith sahih.
[17] Kaptina El-Bekare, ajeti 152.
[18] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7405) dhe Muslimi (2675).
[19] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (660) dhe Muslimi (1031).
[20] Kaptina El-E’raf, ajeti 201.
[21] Kaptina Alu Imran, ajeti 135.
[22] Shkëputur nga libri Minhaxhus-Salihin, fq. 236-238, me pak ndërhyrje. Autor: Prof. Muhammed Abdul-Ati Buhajri.
www.thirrjaislame.com