EDUKATA NDAJ SAHABËVE

Vëllezër të dashur,

Pasi folëm për edukatën ndaj të dërguarit të All-llahut, radha është të flasim diçka për edukatën ndaj sahabëve të tij.

Çdo njeri i mençur që e beson All-llahun dhe ditën e fundit, nuk dyshon në atë se sahabët e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem janë njerëzit më të mirë pas pejgamberëve alejhimus-selam dhe se Muhammedi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është zotëria i bijve të Ademit alejhis-selam si dhe sahabët e tij janë njerëzit dhe populli më i mirë që ka ekzistuar ndonjëherë në sipërfaqen e tokës.

Njohja e biografisë dhe moralit të tyre ia ndritë rrugën besimtarit i cili dëshiron të jetojë sipas shembullit të Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. All-llahu i Madhërishëm thotë: Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes.”[1]

Sahabët radijAll-llahu anhum janë bartësit dhe mbrojtësit e islamit pas të dërguarit të All-llahut. All-llahu i zgjodhi ata që të jenë shoqëruesit e të dërguarit të Tij dhe kumtuesit e fesë së All-llahut pas tij. All-llahu i cilësoi ata me drejtësi, dëlirësi dhe me moral të lartë në shumë ajete kur’anore. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë All-llahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.”[2] Po ashtu thotë: “Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur All-llahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet.”[3] Po ashtu thotë: “All-llahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve-ndihmëtarë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh.”[4] Po ashtu thotë: Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh duke u përulur (në ruku’), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (All-llahu i shumoi) Për t’ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.”[5]

Ata janë një lloj unikat i njerëzve që historia njerëzore në historinë e gjatë të saj nuk ka njohur njerëz të tillë.

Ja disa nga medaljet e nderit të cilat Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i vendosi në gjoksat e sahabëve radijAll-llahu anhum, por duke e pasur në konsideratë se ato janë të shumta, ne do të përmendim vetëm disa prej tyre.

Nga Abdullahu radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njerëzit më të mirë janë ata të gjeneratës sime, pastaj ata që vijnë pas tyre, e pastaj ata që vijnë pas tyre, derisa të vijnë njerëz që dëshmisë ia bashkëngjesin betimin ose betimit ia bashkëngjesin dëshminë.”[6] Ibrahimi thotë: “Kur ishim të vegjël, neve na rrihnin (të rriturit) kur ishte në pyetje dëshmia.”

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se ka thënë: “Pranë nesh kaloi një xhenaze, e cila u përmend për të mirë, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Iu bë obligim, iu bë obligim, iu bë obligim!” (d.m.th. xhenneti, shën. përkth.). Më pas kaloi një tjetër, por u përmend për të keq, dhe edhe me këtë rast Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem tha: “Iu bë obligim, iu bë obligim, iu bë obligim!” (d.m.th. xhehennemi, shën. përkth.). Omeri radijAll-llahu anhu i tha Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem: “Kaloi një xhenaze dhe u përmend për të mirë, ndërsa ti the: Iu bë obligim, iu bë obligim, iu bë obligim! Pastaj kaloi tjetra dhe u përmend për të keq, ndërsa ti the: Iu bë obligim, iu bë obligim, iu bë obligim!” Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem u përgjigj: “Kë ta përmendni për të mirë, për të është xhenneti, ndërsa kë ta përmendni për të keq, për të është xhehennemi. Ju jeni dëshmitarët e All-llahut në tokë! Ju jeni dëshmitarët e All-llahut në tokë! Ju jeni dëshmitarët e All-llahut në tokë!”[7]

Nga Aidh ibën Amri radijAll-llahu anhu na përcillet se Ebu Sufjani shkoi me disa njerëz te Selmani, Suhejbi dhe Bilali, ndërsa këta të fundit thanë: “Vallahi shpatat e All-llahut akoma nuk e kanë marrë hakun e qafës së armikut të All-llahut.” Ebu Bekri radijAll-llahu anhu tha: “A po ia thoni këto fjalë udhëheqësit dhe zotërisë së kurejshitëve?” Pastaj shkoi te Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem dhe ia tregoi rastin, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem i tha: “O Ebu Bekër, ndoshta i ke hidhëruar ata. Nëse i ke hidhëruar, e ke hidhëruar Zotin tënd.” Atëherë Ebu Bekri radijAll-llahu anhu shkoi te ta dhe u tha: “O vëllezërit e mi, a mos ju kam hidhëruar?” Ata thanë: “Jo, All-llahu të faltë o vëlla!”[8]

Seid ibën Ebi Burde na përcjellë nga i ati i tij se ka thënë: “Një ditë e falëm namazin e akshamit me të dërguarin e All-llahut dhe thamë: Sikur të prisnim të falim me të edhe jacinë – dhe kështu bëmë, kur ja, ai u shfaq dhe kur na pa aty, tha: “Akoma këtu jeni?” U përgjigjëm: “Po, o i dërguari i All-llahut, e falëm me ty namazin e akshamit, e pastaj vendosëm të falim me ty edhe jacinë.” “Shumë mirë keni vepruar” ose “E paskeni qëlluar” – na tha ai. Pastaj e ngriti kokën në qiell, siç e bënte këtë shpeshherë, dhe tha: “Yjet janë siguri për qiellin, nëse ato largohen, atëherë qiellit do t’i vijë ajo që i është premtuar; unë jam siguri për sahabët (shokët) e mi, e kur unë të largohem, atyre do t’u vijë ajo që u është premtuar. Ndërsa sahabët e mi janë siguri për ummetin tim, kur të largohen sahabët e mi, ummetit do t’i vijë ajo që i është premtuar.”[9]

[1] Kaptina Jusuf, ajeti 111.

[2] Kaptina El-Ehzab, ajeti 23.

[3] Kaptina En-Nur, ajeti 37.

[4] Kaptina Et-Tevbe, ajeti 100.

[5] Kaptina El-Fet’h, ajeti 29.

[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (3651) dhe Muslimi (2533).

[7] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (1367) dhe Muslimi (949).

[8] Sahih: shënon Muslimi (2504).

[9] Sahih: shënon Muslimi (2531), Ahmedi (389-390). Neveviu, All-llahu e mëshiroftë, në komentin e tij të Sahihut të Muslimit (fq. 391), thotë: Pjesa e hadithit: “kur të largohen sahabët e mi, do t’i vijë ummetit ajo që i është premtuar.” ka për qëllim paraqitjen e bidateve (risive në fe), fitneve (sprovave), dominimi i bizantinëve ndaj tyre, nëpërkëmbja e Medines dhe Mekës, e kështu me radhë, që tregojnë për mu’xhizet e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

 

www.thirrjaislame.com