Përvetësimi i sjelljeve dhe moralit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem
Nëse sinqerisht e do të dërguarin e All-llahut, atëherë përvetësoje moralin e tij.
1) Lëri gjërat e prishura. Kjo ka të bëjë me fjalët apo veprat.
2) Ule zërin kur të flasësh, e sidomos në vende publike, si tregje, xhami, autobus e kështu me radhë.
3) Të keqen që ta bën dikush, ktheja me të mirë, duke ia falur gabimin, dhe duke mos u larguar prej tij.
4) Lëre qortimin ndaj shërbëtorit apo punëtorit tënd, shokut apo fëmijës tënd, nxënësit apo bashkëshortes tënde, kur ata lënë diçka mangu.
5) Mos i lë mangu obligimet dhe detyrimet e tua dhe mos ia ha hakun tjetrit saqë ta detyrosh të të thotë: Përse e bëre këtë, apo përse nuk e bërë këtë? – duke dashur të të qortojë.
6) Largoju të qeshurave të shumta, dhe e qeshura e jote më e madhe le të jetë buzëqeshja.
7) Mos ngurro t’i ndihmosh të dobëtit, të varfërit dhe shoqërohu me ta pa mos shfaqur mendjemadhësi.
8) Ndihmoju familjarëve në punët e shtëpisë, madje edhe nëse ka nevojë për mjeljen e deleve apo përgatitjen e ndonjë ushqimi, etj.
9) Vishi teshat më të bukura që ke, e sidomos gjatë namazit, gjatë festave dhe gëzimeve familjare.
10) Mos u bëj mendjemadh para ushqimit, por haje atë që gjendet para teje në tavolinë dhe mjaftohu me pak ushqim.
11) Bashkëngjitu në punë kur ka nevojë, qoftë edhe nëse është gërmim i ndonjë kanali, bartje dheu etj, duke shfaqur gëzim dhe duke iu shmangur mendjemadhësisë.
12) Mos u bëj i kënaqur me lavdërata të tepërta e të panevojshme ndaj të tjerëve, por përmbaju asaj që është reale.
13) Mos fol fjalë të kota e boshe dhe mos fol fjalë të këqija qoftë edhe me shaka.
14) Mos fol keq dhe mos bëj keq.
15) Mos iu drejto askujt nga vëllezërit e tu me diçka të rrezikshme.
16) Përmbaju fjalëve të mira e të ëmbla.
17) Mos e tepro në shaka dhe thuaje vetëm të vërtetën.
18) Ki mishirë ndaj njerëzve dhe kafshëve, që të mëshirohesh nga All-llahu.
19) Ki kujdes nga koprracia, sepse ajo është e urryer nga All-llahu dhe nga njerëzit.
20) Fli herët dhe zgjohu herët, që të jesh i freskët për adhurim, angazhime dhe punë.
21) Mos e lër namazin me xhemat në xhami.
22) Përmbaju nga hidhërimi dhe gjërat që rrjedhin nga ajo. E kur të hidhërohesh, atëherë kërko ndihmën e All-llahut që të të mbrojë nga shejtani.
23) Përmbaju heshtjes dhe mos fol shumë sepse çdo gjë që flet, regjistrohet dhe mund të shërbejë kundër teje.
24) Lexoje kur’anin me meditim dhe dëgjoje prej të tjerëve.
25) Përdor parfum shpesh, sidomos gjatë namazit.
26) Përdor misvak sepse është shumë i dobishëm, sidomos gjatë namazit.
27) Bëhu trim dhe thuaje të vërtetën edhe nëse është kundër vetes tënde.
28) Pranoje këshillën nga secili njeri dhe mos refuzo.
29) Bëhu i drejtë ndaj fëmijëve të tu dhe në çdo punë.
30) Bëhu durimtar ndaj padrejtësive që t’i bëjnë njerëzit dhe fali ata që All-llahu të të falë ty.
31) Duaj për njerëzit atë që do për vete.
32) Shpeshtoje përshëndetjen me selam gjatë hyrjes, daljes dhe takimit në rrugë a kudo tjetër.
33) Përdore shprehjen e përshëndetjes sipas sunnetit, e që është: “Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu”, ndërsa përshëndetjet e tjera si “Mirëdita, mirëmbrëma, mirë se erdhe”, e kështu me radhë, nuk e zëvendësojnë dot përshëndetjen me selam. Ato mund të përdoren, por pas përshëndetjes me selam.
34) Përmbaju pastërtisë në dukje dhe në rrobat e tua.
35) Thinjat ngjyrosi me të verdhë apo të kuqe, dhe ki kujdes nga ngjyrosja me të zezë, duke iu përmbajtur urdhrit të të dërguarit të All-llahut.
36) Kapu për sunnetin e të dërguarit të All-llahut, që të bëhesh pjesë e fjalës së tij: “Ta dini që pas jush do të ketë ditë durimi. Kush është i aftë ta bëjë këtë (të durojë) do të ketë shpërblimin e pesëdhjetë personave sikur ju.” Sahabët pyetën: “O i Dërguari i All-llahut, shpërblimin e pesëdhjetë personave sikur ata?” Ai u përgjigj: “Jo, shpërblimin e pesëdhjetë personave sikur ju.”[1]
O All-llah, na mundëso të veprojmë sipas librit Tënd dhe sunnetit të të dërguarit Tënd. Po ashtu na e mundëso dashurinë ndaj tij, pasimin e tij dhe ndërmjetësimin e tij.[2]
[1] Sahih: shënon Taberaniu në Mu’xhemul-Kebir (17/117) si dhe në Mu’xhemul-Evset (3/272). Shejh Albani në librin e tij Es-Silsiletus-Sahiha (494) e ka klasifikuar si hadith sahih.
[2] Shkëputur nga libri Esh-Shemailul-Muhammedijje vel-Ehlakun-Nebevijje, fq. 131-134. Autor: Muhammed Xhemil Zejno.