Braktisja e çdo gjëje që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar dhe ka tërhequr vërejtjen
Ashtu siç bindja ndaj urdhrit të Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem është obligim, po ashtu edhe braktisja e asaj që Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka ndaluar, është obligim për myslimanin. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Çka t’ju jep i dërguari, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni asaj.”[1]
I dërguari i All-llahut ka thënë: “Veproni me aq sa ju kam porositur,[2] sepse popujt që kanë qenë para jush janë shkatërruar për shkak të pyetjeve të shumta dhe kundërshtimit të tyre ndaj pejgamberëve. Kur t’ju ndaloj diçka, largohuni prej saj, ndërsa kur t’ju urdhëroj me diçka, përmbusheni atë sa më shumë që mundeni.”[3]
Pasimi i tij
Kjo, ngase i tërë hairi është në pasimin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.”[4] Po ashtu thotë: “Nëse i bindeni atij, atëherë keni gjetur të vërtetën. I dërguari ka obligim vetëm komunikimin e qartë.”[5] E në një ajet tjetër thotë: “Thuaj: Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë.”[6]
Besimi në gjithçka që ka treguar (lajmëruar)
Kjo, për arsye se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem informatat i merr nga Zoti i Tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Pasha yllin kur ai bie (prej së larti poshtë)! Shoku juaj (Muhammedi që ju e njihni) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga e vërteta). Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (kur’ani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet. Atë ia mësoi Ai, fuqiforti, (Xhibrili).”[7]
I dërguari i All-llahut në çdo gjë që infromon nga Zoti i Tij është i sinqertë. Madje do të çuditeni se sinqeritetin e Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e ka vërtetuar edhe jobesimtari përpara se ta vërtetojë besimtari mysliman. Mushrikët e Mekës para pejgamberllëkut të Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem e kanë emërtuar atë me nofkën “I sinqerti, Besniku”.
[1] Kaptina El-Hashr, ajeti 7.
[2] D.m.th. qëllimi i Pejgamberit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka qenë që njerëzit të mos pyesin pyetje të shumta e të panevojshme, për shkak të të cilave mund të lind ndonjë dispozitë sheriatike, por t’i përmbahen vetëm asaj që u është lejuar apo ndaluar, pa mos e angazhuar veten me detale të shumta, të cilat mund t’u sjellin ngarkesë të padëshirueshme. (shën. përkth.)
[3] Sahih: shënon Buhariu (7288).
[4] Kaptina El-E’raf, ajeti 158.
[5] Kaptina En-Nur, ajeti 54.
[6] Kaptina Alu Imran, ajeti 31.
[7] Kaptina En-Nexhm, ajetet 1-5.