T’i japësh përparësi All-llahut para të gjitha krijesave në përgjithësi

Kjo do të thotë t’i japësh përparësi kënaqësisë së All-llahut para kënaqësisë së të gjitha krijesave dhe të jesh i përpiktë të bësh çdo gjë që e kënaq All-llahun edhe nëse të gjithë njerëzit hidhërohen me ty.

 Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i kënaq njerëzit duke e hidhëruar All-llahun, All-llahu do ta lërë në dorë të njerëzve. Ndërsa kush i hidhëron njerëzit duke e kënaqur All-llahun, All-llahu do ta bëjë të pavarur prej njerëzve.”[1]

Tani mendo rreth një ndodhie të bukur që do ta përmendim në vazhdim

Kur kalifi asket, Omer ibën Abdul-Azizi ndërroi jetë, në krye të kalifatit erdhi Jezid ibën Abdul-Meliku, i cili për udhëheqës të Irakut e emëroi Omer in Hubejre el-Fizariun. Jezid ibën Abdul-Meliku shpesh i dërgonte letra Omer ibën Hubejres në të cilat e urdhëronte të zbatojë urdhrat që gjendeshin të shkruara në ato letra, edhe nëse urdhrat e tij ishin në kundërshtim me hakun.

Një ditë Ibën Hubejre i ftoi dy dijetarët e vyer, Hasen el-Basriun dhe Sha’biun dhe u tha: Kalifi i besimtarëve, Jezid ibën Abdul-Meliku po i detyron njerëzit t’u binden urdhrave të tij. Siç po e shihni, ai më ka emëruar si udhëheqës të Irakut dhe herë pas here më dërgon letra duke më urdhëruar t’i zbatoj urdhrat e tij ndër të cilat unë shoh gjëra të padrejta. A mendoni se mund të më gjeni rrugëdalje në sheriat për pasimin që unë po ia bëj atij?

Sha’biu i dha një përgjigje që në njëfarë mënyre i justifikonte veprimet e Omer ibën Hubejres… ndërsa Haseni rrinte i heshtur.

Omer ibën Hubejre iu drejtua Hasenit e i tha: Ç’thua ti për këtë, o Ebu Seid?

Ai u përgjigj: O Ebu Hubejre, jipi përparësi frikës së All-llahut ndaj Jezidit, e jo frikës së Jezidit ndaj All-llahut… Dije se All-llahu i Madhërishëm të mbron nga Jezidi, ndërsa Jezidi nuk të mbron nga All-llahu. O Ebu Hubejre, në çdo moment është e mundshme të të zbresë një melek i ashpër, i cili nuk e thyen urdhrin e All-llahut, dhe të të zhdukë nga ky krevat i yti, e të të transferojë nga gjerësia e pallatit tënd në ngushtësinë e varrit tënd, ku nuk do ta gjesh Jezidin, por do t’i gjesh veprat e tua në të cilat e ke kundërshtuar Zotin e Jezidit.

O Ibën Hubejre: Nëse ti je me All-llahun e Madhërishëm dhe nën urdhrin e Tij, kjo të mjafton ndaj të këqijave të Jezidit (që mund të t’i bëjë) në dynja e ahiret. Por nëse je me Jezidin dhe i mëkaton All-llahut të Madhërishëm, atëherë All-llahu të lë në mbështjen e Jezidit.

Dije, o Ebu Hubejre, se nuk i bëhet respekt krijesës derisa i bën mëkat Krijuesit të Madhërishëm.

Nga këto fjalë, Omer ibën Hubejre qau derisa lotët ia lagën mjekrën.

Nga kjo ditë, Hasen El-Basriu tek ai gëzonte një respekt të veçantë. Ata dy pasi dolën nga Shtëpia e Omerit, u drejtuan për në xhami. Njerëzit u mblodhën rreth tyre dhe i pyesnin për vizitën e tyre që i bënë udhëheqësit të Irakut, Omer ibën Hubejres, ndërsa Sha’biu u kthye nga ata dhe u tha: O ju njerëz, kush ka mundësi që t’i japë përparësi All-llahut të Madhërishëm para çdo gjëje, le ta bëjë këtë, sepse, pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, atë që Haseni ia tha Omer ibën Hubejres nuk është që nuk e dija, por me atë që thash unë synova kënaqësinë e Ibën Hubejres, ndërsa Haseni me atë që tha synoi kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm, kështu që All-llahu më largoi nga Ebu Hubereja, ndërsa Hasenin e afroi tek ai dhe ia bëri të dashur.

[1] Sahih: Shënon Tirmidhiu (2414). Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’ (6010) e ka klasifikuar si hadith sahih.

 

www.thirrjaislame.com