Shumimi i përmendjes së All-llahut të Madhërishëm

Ai që ka besuar All-llahun, e ka dashur Atë, ia ka frikën Atij dhe është lidhur me Të, medoemos që do ta shumojë përmendjen e All-llahut me zemër duke shprehur dashuri, dëshirë, nënshtrim dhe lidhje me Të, me gjuhën e tij duke shprehur lavdërim, falënderim, madhërim, njësim, lutje, kërkim dhe falje, si dhe me gjymtyrët e tij duke vepruar me respekt ndaj Tij. Që të gjitha këto janë gjëra shoqëruese të imanit, dashurisë, lidhjes, frikës, ngase ai që do diçka, e shumon përmendjen e tij. All-llahu i Madhërishëm thotë: “O ju që besuat, përkujtoni All-llahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje.”[1]

Përmendja e shumtë e All-llahut le gjurmë më të bukura në dynja e ahiret. Prej tyre:

a) Qetësimi i zemrës dhe stabilizimi i saj në përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, siç thotë All-llahu i Madhërishëm: “Ata që besuan dhe me të përmendur All-llahun zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur All-llahun zemrat stabilizohen.”[2]

Kjo është prej gjërave që besimtarin përmendës të All-llahut të Madhërishëm e bën stabil në zemrën e tij, të paluhatshëm dhe të përmbajtur gjatë fatkeqësive dhe vështirësive.

b) Përqendrimi në adhurim e respekt ndaj All-llahut

Ai që e angazhon gjuhën e vet në përmendjen e All-llahut të Madhërishëm, nuk ka mundësi të flasë diçka që është mëkat. Po ashtu ai që i angazhon gjymtyrët e veta në adhurim, nuk ka mundësi të angazhohet në mëkat. Pra, kështu ai bëhet i përqendruar në rrugën e All-llahut të Madhërishëm, me zemër, gjuhë dhe gjymtyrë.

c) Mburoja nga shejtani

Kjo, ngase shejtani ikën dhe zhduket kur përmendet All-llahu i Madhërishëm. Andaj kush e shpeshton përmendjen e All-llahut, e ka mbrojtur veten nga shejtani sikur ai që ka vendosur para vetes një fortifikatë të fuqishme për t’u mbrojtur nga armiku.

ç) Shumimi i shpërblimeve

Përmendja e All-llahut është prej veprave të mira më madhështore me të cilat njeriu afrohet tek All-llahu i Madhërishëm dhe e cila ndikon në fitimin e shpërblimeve. Në tekstet sheriatike kemi shumë argumente që tregojnë për shpërblime të llojllojshme varësisht nga lloji i përmendjes së All-llahut, por këtu nuk është momenti për përmendjen e tyre.

d) Përmendja e All-llahut të Madhërishëm dhe të qenët e Tij me robin

Ai që e përmend All-llahun e Madhërishëm, All-llahu e përmend atë, siç shihet në hadithin kudsijj: “All-llahu i Madhërishëm thotë: Unë jam në kujtimin e robit Tim për Mua, Unë jam me të kur më përmend Mua; nëse ai më përmend në veten e tij, Unë e përmend atë në Veten Time, e nëse ai më përmend Mua në bashkësi, edhe Unë atë e përmend në një bashkësi më të mirë se të atij…”[3] E kur All-llahu e përmend një rob, kjo është prej faktorëve më të mëdhenj të lumturisë, suksesit dhe udhëzimit.

[1] Kaptina El-Ehzab, ajetet 41-42.

[2] Kaptina Err-Rra’d, ajeti 28.

[3] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (7405) dhe Muslimi (2675).

 

www.thirrjaislame.com