Kjo arrihet duke e ditur se All-llahu të sheh dhe i di veprat e tua të fshehura e publike. Ai gjithnjë të ka nën mbikëqyrje dhe Atij nuk i fshihet asnjë çështje e jotja.
All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ta dini se All-llahu e di çka fshihni në vete, pra kini frikë prej Atij.”[1] “All-llahu është përcjellës ndaj çdo sendi.”[2] “A nuk e di ai se All-llahu e sheh?“[3] “se ti je nën mbikëqyrjen tonë.”[4] “Ai di për shikimin me cep të syve, e edhe për atë që e fshehin në zemra.”[5]
Ndërsa në hadithin e njohur si Hadithi i Xhibrilit, Xhibrili alejhis-selam e pyeti Pejgamberin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për ihsanin, ndërsa Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem iu përgjigj: “Ta adhurosh All-llahun sikur e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh.”[6]
Prandaj kur Xhunejdi, All-llahu e mëshiroftë, u pyet: “Me se njeriu e ka më lehtë të ulë shikimin (nga harami)? Ai u përgjigj: Duke e pasur në vetëdije se shikimi i shikuesit tënd (All-llahut) është më i shpejtë sesa shikimi yt që ia bën diçkaje.”
Abdullah ibën Mubareku njëherë i tha një njeriu: “Përmbaju mbikëqyrjes së All-llahut.” Njeriu e pyeti: “E ç’nënkuptojmë me mbikëqyrjen?” Ai u përgjigj: “Llogarite gjithnjë se je duke e parë All-llahun e Madhërishëm.”
Sa fjalë e bukur është kjo e Sufjan e Theuriut, All-llahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Përmbaju mbikëqyrjes së Atij të Cilit nuk i fshihet asgjë; përmbaju lutjes së Atij që e ka në pronë besnikërinë; përmbaju kujdesit ndaj Atij që në Dorë e ka ndëshkimin.”
Abdullah ibën Dinari thotë: “Një herë dola me Abdullah ibën Omer ibën Hattabin radijAll-llahu anhuma për në Mekë dhe në mbrëmje u ulëm në një vend për të pushuar. Papritmas pamë një njeri që po zbriste nga kodra. Abdullah ibën Omeri i tha: O ti bari, a na shet një dele?
Bariu tha: Bagëtia nuk është e imja, unë jam rob dhe rrogëtar i zotërisë tim… Prandaj nuk mund të shes gjë prej saj.
Abdullahu, duke dashur ta provojë bariun, i tha: Thuaj zotërisë tënd: E hëngri ujku.
Bariu tha: Nëse këtë ia them zotërisë dhe mikut tim, ku mbeti All-llahu? Ç’do t’i them All-llahut të Madhërishëm?
Abdullahu qau nga kjo fjalë, e pastaj shkoi te zotëria i bariut dhe e bleu këtë rob prej tij dhe bashkë me të i bleu të gjithë bagëtinë… Pastaj këtij bariu ia fali lirinë ndërsa bagëtinë ia bëri dhuratë.”
[1] Kaptina El-Bekare, ajeti 235.
[2] Kaptina El-Ehzab, ajeti 52.
[3] Kaptina El-alek, ajeti 14.
[4] Kaptina Et-Tur, ajeti 48.
[5] Kaptina Gafir, ajeti 19.
[6] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (50) dhe Muslimi (9, 10) nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu. Po ashtu Muslimi (8) nga Omer ibën Hattabi radijAll-llahu anhu.
www.thirrjaislame.com