MIRËSITË E SHPESHTIMIT TË FJALËS LA ILAHE ILALLAH

E para: Ripërtrirja e imanit (besimit):

Shqiptimi i shahadetit e ripërtrinë imanin (besimin) në zemrën e muslimanit.Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Ripërtrijeni imanin (besimin) tuaj.” U tha: “O i Dërguari i Allahut, si ta ripërtrijmë imanin (besimin) tonë?” (Ai – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të -) tha: “Shpeshtojeni fjalën ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut).”[1]

Ripërtrirja e imanit (besimit) është i kërkuar sepse ai (besimi) pakësohet në vazhdimësi në brendësi të gjoksit të muslimanit përderisa ai nuk e përmendë Allahun dhe nuk bën vepra të mira. Transmeton Abdullah ibn Amri, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Vërtet, imani (besimi) vjetërsohet në brendësi të ndonjërit prej jush (zemrave tuaja) ashtu sikurse vjetërsohet rroba. Luteni Allahun që t’ua ripërtërijë imanin (besimin) në zemrat tuaja.[2]

E dyta: Është nga veprat më të mira dhe e rëndon peshoren e veprave (të mira):

Transmeton Ebu Dherr el-Gifari, Allahu qoftë i kënaqur me të, i thash: “O i Dërguari i Allahut, më këshillo!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Kur ta veprosh një vepër të keqe pasoje atë (veprën e keqe) me të mirë, që kjo (vepra e mirë) ta shlyejë atë (të keqen)”. I thash: “O i Dërguari i Allahut, a është nga veprat e mira fjala ‘la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut)?” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Ajo është më e mira prej tyre (nga veprat e mira).”[3]

Transmeton Ebu Selma, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

Behin behin , bëri shenjë pesë me dorën e tij, sa të rënda janë në peshore (në Ditën e Gjykimit): ‘Subhanallah’ (I shenjtë, e i pa të meta është Allahu!), ‘Elhamdulilah’ (Falënderimet qofshin për Allahun), ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), ‘Allahu ekber’ (Allahu është më i madhi) dhe një fëmijë i mirë që i vdes muslimanit dhe ai duron duke pritur shpërblimin (prej Allahut).”[4]

Transmeton Ebu Seid el-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

Musa, paqja qoftë mbi të,  tha: “O Zot, më mëso mua diçka me të cilën të të përmend Ty dhe me të cilën të të lutem.” (Allahu i Lartëmadhëruar) tha: “Thuaj o Musa ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut).”  Musa alejhi selam tha: “O Zot, të gjithë robërit e Tu e thonë këtë!” (Allahu i Lartëmadhëruar) tha: “O Musa, sikur shtatë qiejt dhe banorët e tyre, përveç Meje, si dhe shtatë tokat të jenë në një anë të peshores, dhe fjala ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) në anën tjetër të saj, më shumë do të rëndojë fjala ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut).”[5]

Transmeton Abdullah ibn Amr ibn el-Asi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Me të vërtetë Allahu në Ditën e Gjykimit do ta nxjerrë një njeri para të gjithë krijesave dhe ia shfaqë nëntëdhjetë e nëntë regjistra me mëkate, çdo regjistër i tij është i madh sa sheh syri larg, për arsye se çdo gjë iu është shënuar. Pastaj (Allahu i Lartëmadhëruar) i thotë: “A mohon nga këto diçka? A mos të kanë bërë padrejtësi melaqet që kanë shënuar çdo gjë?” (Ai njeriu) thotë: “Jo, o Zot.” (Allahu i Lartëmadhëruar) i thotë: “A ke ndonjë arsyetim?” (Ai njeriu) thotë: “Jo, o Zot.” (Allahu i Lartëmadhëruar) i thotë: “Me të vërtetë ti e ke një vepër të mirë (e cila nuk është paraqitur tek këto regjistra).” Atëherë i nxjerret një kartë në të cilën shkruhet ‘Eshehedu en la ilahe ilAllah ue eshhedu ene Muhameden abduhu ue rasuluhu’ (Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe dërguar i Tij). (Pastaj Allahu i Lartëmadhëruar) thotë: “Sillni regjistrat e këtij robit Tim që t’i peshojmë me këtë kartë.”  (E ky rob i shkretë i sheh regjistrat e mëdhenj të tij, i sheh mëkatet e tij të shumta e të mëdha dhe thotë): “O Zot, ç’do të peshoj kjo kartë e vogël përballë këtyre (nëntëdhjetë e nëntë) regjistrave.” (Allahu i Lartëmadhëruar) i thotë: “Ty nuk do të të bëhet padrejtësi.” Atëherë merren (nëntëdhjetë e nëntë) regjistrat, vihen në njërën anë të peshores dhe karta (në të cilën shkruhet shahadeti) në anën tjetër, do të lehtësohet ana e peshores ku janë regjistrat dhe do të rëndojë ana e peshores ku është kjo kartë, pra para Emrit të Allahut asgjë nuk mund të jetë i rëndë.”[6]

E treta: Nëse e thua atë një herë me disa fjalë të tjera, t’i fshijnë mëkatet:

Transmeton Abdullah ibn Amr ibn Asi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nuk ka person mbi tokë i cili thotë këto fjalë: ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), ‘Allahu ekber’ (Allahu është më i madhi) dhe ‘La haule ue la kuvete ila bilah’ (Nuk ka ndryshim e as forcë, pa ndihmën e Allahut), veçse i falen atij gjynahet, edhe sikur të jenë sa shkuma e detit.”[7]

E katërta: Nëse e thua atë njëqind herë, t’i fshinë mëkatet edhe sikur të jenë sa shkuma e detit:

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të: Ka thënë Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:

“Kush thotë njëqind herë ‘Subhanallah’ (I shenjtë, e i pa të meta është Allahu!) dhe ‘La ilahe ilallah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut) i falen atij mëkatet edhe sikur të jenë sa shkuma e detit.”[8]

E pesta: Ai i cili e thotë më shumë këtë fjalë, me shumë mundësi do të jetë edhe fjala e tij e fundit para se të largohet nga kjo dunja:

Me shumë mundësi atij i cili e thotë sa më shumë shahadetin, Allahu do t’i ndihmojë atij që ta thotë atë (shahadetin) edhe në momentet e fundit të kësaj jete. Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të se, Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Shpeshtojeni shahadetin ‘en la ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhururar me të drejtë përveç Allahut) para se të ndërhyhet mes jush dhe saj (la ilahe ilAllah), dhe pëshpëriteni këtë fjalë tek personi që gjendet në agoninë e vdekjes.”[9]

Transmeton Ebu Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të: Shkova një herë tek Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, dhe e gjeta duke fjetur me një rrobë të bardhë. Pastaj shkova përsëri pasi ishte zgjuar nga gjumi.  (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha:

“Çdo njeri i cili thotë ‘La ilahe ilAllah’ (Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut), pastaj vdes me këtë bindje do të hyjë në Xhenet.” I thash: “Edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur?!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “(Po) edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur.” I thash: “Edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur?!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “(Po) edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur.” I thash: “Edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur?!” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “(Po) edhe nëse ka bërë marrëdhënie intime jashtë kurore dhe ka vjedhur, ndonëse Ebu Dherrit nuk i pëlqen.”[10]

Lutja jonë e fundit është: “Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Zotin e gjithë botëve, njerëzve, xhinëve dhe gjithçkaje që është.”

 

[1] Transmeton Hakimi; Shejh Albani e cilësoi daif.

[2] Transmeton Hakimi; E saktësoi Shejh Albani.

[3] Transmeton Ahmedi; E saktësoi Shejh Albani.

[4] Transmeton Nesaiu; E saktësoi Hakimi.

[5] Transmeton Ibn Hibani.

[6] Transmeton Tirmidhiu; E saktësoi Shejh Albani.

[7] Transmeton Tirmidhiu; Shejh Albani e cilësoi hasen.

[8] Transmeton Nesaiu; E saktësoi Shejh Albani.

[9] Transmeton Ebu Je’ala; Shejh Albani e cilësoi hasen.

[10] Transmeton Buhariu.

 

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

www.thirrjaislame.com