Rëndësia e shpeshtimit të përmendjes së Allahut

Nuk ka dyshim se shpeshtimi i përmendjes së Allahut është me rëndësi në jetën e muslimanit, ajo e forcon lidhjen mes robit dhe Zotit të tij, ia largon brengat dhe pikëllimin, e mbron nga kurthi i shejtanit, ia fshinë mëkatet, e shpëton nga dënimi i Allahut, e angazhon atë me përmendjen e Allahut duke mos folur për njerëzit, është siguri që mos të na harrojë Allahu, pra nuk na harron as në këtë botë e as në Botën Tjetër.

Shkurtimisht rëndësinë e përmendjes së Allahut mund ta themi në çështjet e ardhshme:

E para: Është nga veprat më të dashura tek Allahu i Lartëmadhëruar

Transmeton Malik ibn Jehamir, Allahu e mëshiroftë, se Muadh ibn Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, iu tha atyre:

E kam pyetur të Dërguarit e Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Cilat vepra janë më të dashura tek Allahu?” (Ai. paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Të vdesësh me gojën e lagur nga përmendja e Allahut të Lartëmadhëruar.”[1]

E dyta: Largon hipokrizinë

Nëse muslimani e pakëson përmendjen e Allahut cilësohet me njërën nga cilësitë e hipokritëve, të cilët nuk e përmendin Allahun vetëm se pak.

Thotë Allahu në Kur’an:

Padyshim që Munafikët (njerëzit me dy fytyra, hipokritët) mundohen të mashtrojnë Allahun, por është Allahu Ai i Cili i mashtron ata. Dhe kur ngrihen për falje, qëndrojnë me përtaci dhe sa për t’u parë prej njerëzve dhe nuk e përmendin Allahun veçse fare pak.[2]

E treta: Atij i cili shpeshton përmendjen e Allahut, Allahu nuk ia refuzon lutjen

Transmeton Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Tre personave lutja nuk ju refuzohet: Atij që përmendë Allahun shpesh, atij që i është bërë padrejtësi dhe lutja e prijësit të drejtë.”[3]

E katërta: Ata të cilët e përmendin Allahun shumë janë të mbrojtur nga shejtani

Transmeton Harith el-Esharij, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Allahu i shpalli Jahjas, të birit të Zekerijas, paqja qoftë mbi ta, pesë fjalë që me to të veprojë e t’i urdhërojë Beni Israilët të veprojnë me to, sikur ai (Jahja) u vonua, e i erdhi Isau, paqja qoftë mbi të, e i tha: “Je urdhëruar (nga Allahu) me pesë fjalë që të veprosh me to e t’i urdhërosh Beni Israilët të veprojnë me to, ose do t’i informosh ose do t’i informoj unë.” Ai (Jahja), paqja qoftë mbi të, tha: “O vëlla kam frikë se nëse ti më paraprinë me këtë do të ndëshkohem apo të shkatërrohem.” Kështu që i tuboi Beni Israilët në xhaminë e Kudsit derisa u stërmbush, saqë u ulën edhe në ballkone. Pasi që lavdëroi dhe falëndëroi Allahun tha: “Allahu m’i ka shpallur pesë fjalë që të veprojë me to dhe që t’iu urdhëroj juve që të veproni me to: të adhuroni Allahun dhe të mos i shoqëroni askënd në adhurim, të falni namazin, të agjëroni, të jepni zekatin, të përmendni Allahun shumë sepse shembulli i atij është sikur njeriu të cilin armiqtë e ndjekin me shpejtësi, derisa arriti tek një fortifikatë dhe e mbrojti veten e tij aty. Kështu robi ështu më i mbrojtur kur e përmendë Allahun e Lartëmadhëruar.”[4]

E pesta: Ata që e shpeshtojnë përmendjen e Allahut, janë ata që paraprijnë në Ditën e Gjykimit

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:

“Ua tejkaluan el-Muferidun” Thanë: “Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?” (Ai, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) tha: “Ata dhe ato që shumë dhe në vazhdimësi e përmendin Allahun.”[5]

E gjashta: Allahu ka përgaditur falje dhe shpërblim të madh për ata të cilët e përmendin Allahun shumë

Thotë Allahu në Kur’an:

Me të vërtetë që muslimanët dhe muslimanet (që i nënshtrohen Vullnetit të Allahut në Islam), besimtarët dhe besimtaret (që besojnë dhe që janë në Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm), të bindurit dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtit dhe të drejtat (me fjalë e me vepra), durimtarët dhe durimtaret (në plotësimin e detyrave ndaj Allahut dhe në ndalimin nga çfarë ka urdhëruar Allahu), të nënshtruarit dhe të nënshtruarat (para Zotit të tyre, Allahut), sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset (gjatë Ramazanit dhe agjërimi i lirë gjatë kohëve të tjera), ruajtësit e nderit dhe ruajtëset (që mbajnë veten të pastër e të pastra larg marrëdhënieve të paligjshme), shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut me zemër e me gojë, mu për këta Allahu ka përgaditur falje dhe shpërblim të madh (Xhenetin).[6]

Shiko me vëmendje sesi Allahu e përshkruajti shpërblimin se ai është i madh. Ka thënë Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënqur me të: “Allahu e shumëfishon një vepër të mirë në dy mijë të mira, pastaj lexoi fjalët e Allahut: Sigurisht që Allahu nuk bën padrejtësi as sa grimca, e nëse ajo vepër është e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe jep prej Tij shpërblim të madh.[7] dhe tha: Kur thotë Allahu: “shpërblim të madh”, kush është në gjendje ta dijë madhësinë e atij shpërblimi?”[8]

 

[1] Transmeton Ibn Hibani; E saktësoi Shejh Albani.

[2] En-Nisa: 142.

[3] Transmeton Bejhakiu; Shejh Albani e cilëson hasen.

[4] Transmeton Ahmedi; E saktësoi Shejh Albani.

[5] Transmeton Muslimi.

[6] El-Ahzab: 35.

[7] En-Nisa: 40.

[8] Transmeton Ahmedi.

 

Përktheu dhe përshtati: Arian Brruti

(Sqarim: Kjo temë është pjesë e zingjirit të temave “Veprat më të shpeshta të Pejgamberit për të cilat na nxiti që t’i veprojmë edhe ne”)

www.thirrjaislame.com