PYETJE: Si mund ta argumentojmë përjetshmërinë e All-llahut të Madhërishëm? A ka mundësi të përmendni argumente nga kur’ani në lidhje me këtë gjë?
PËRGJIGJE: Falënderimi i takon All-llahut.
Përjetshmëri (ezel) do të thotë diçka që nuk ka fillim, që nuk e ka përfshirë mosekzistenca apo që nuk është e krijuar.
Kur’ani Fisnik këtë gjë e ka përmendur në shumë ajete. Prej tyre po përmendim:
a) Emërtimi i All-llahut të Madhërishëm me emrin El-Evvel (I Pari, që s’ka fillim). All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ai është i Pari që s’ka fillim dhe i Fundit që s’ka mbarim.” (El-Hadid 3).
Pra, El-Evvel do të thotë ai që ekziston para çdo gjëje tjetër, apo që nuk ka fillim, I Lartëmadhëruar qoftë All-llahu. Kështu e ka komentuar pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem kur bëhej gati për gjumë, shtrihej në krahun e djathtë dhe thoshte: “O All-llah, Zot i të shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të Madh, Zoti ynë dhe Zot i çdo sendi, Zbërthyes i farës (i kokrrës së saj) dhe i bërthamës (së pemës), Zbritës i Teuratit, Inxhilit dhe i Furkanit (Kur’anit). Kërkoj mbrojtjen Tënde nga sherri i çdo sendi, balli i të cilit është në dorën Tënde. O All-llah, Ti je i Pari dhe para Teje nuk pati asgjë. Ti je i Fundit dhe pas Teje nuk mbetet asgjë. Ti je i Dukshmi dhe mbi Ty s’ka asgjë. Ti je i Padukshmi dhe nën Teje s’ka asgjë. Largoje nga ne borxhin dhe na shpëto prej varfërisë.” (Shënon Muslimi 2713).
Shejh ibën Uthejmini, All-llahu e mëshiroftë, ka thënë: “El-Evvel do të thotë që para Tij (All-llahut) nuk ka ekzistuar asgjë, ngase sikur të kishte ekzistuar diçka para Tij, All-llahu do të kishte qenë i krijuar, ndërsa All-llahu i Madhërishëm është Krijuesi. Prandaj pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem fjalën El-Evvel e ka komentuar që Ai është I Pari pa të të Cilit nuk pati asgjë. Që të gjitha sendet u gjindën pas All-llahut të Madhërishëm. Nuk ka gjë që ka ekzistuar bashkë me All-llahun e as para Tij.” (Likaul-Babil-Meftuh)
b) Ajetet nga Kur’ani Famëlartë që kanë kuptimin se All-llahu është Krijues, Krijues i Përgjithshëm (i gjithçkaje), Krijues i çdo sendi, ka krijuar çdo gjë, e kështu me radhë. Pra, pasi All-llahu i Madhërishëm është Krijues i çdo gjëje, atëherë Ai është I Pari dhe I Përjetshmi, I Cili nuk ka fillim, ngase ai që ka fillim është i krijuar nga dikush tjetër.
c) Ajetet nga Kur’ani Famëlartë që kanë kuptimin se Ai është Zoti i vërtetë dhe argumentimi për këtë në shumë ajete, ngase e pamundshme është që Zoti të ketë fillim, sepse përndryshe do të ishte krijesë, i krijuar nga dikush tjetër. I Lartëmadhëruar dhe I Pastër është All-llahu nga kjo gjë.
Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem na ka orientuar se si të veprojmë për shërimin e vesveseve dhe dyshimeve për sa i përket kësaj teme. Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shejtani i vjen ndonjërit prej jush dhe i thotë: Kush e krijoi këtë? Kush e krijoi atë? Kështu vazhdon derisa i thotë: Kush e krijoi Zotin tënd?! Kur t’i ndodhë kjo (njeriut), le të kërkojë ndihmën e All-llahut kundër shejtanit dhe le t’i japë fund (këtyre mendimeve).” (Shënojnë Buhariu 3276 dhe Muslimi 134).
Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit qëndron: “Njerëzit do të vazhdojnë me pyetjet derisa të thonë: All-llahu i krijoi krijesat, e kush e krijoi All-llahun? Kush ndjen në vete diçka të tillë, le të thotë: I besova All-llahut.”
Mos e bëj zemrën si sfungjer duke thithur çdo gjë që shejtani të intrigon dhe të cyt, por bëje zemrën sikur qelqi, pranë të cilit kalojnë gjërat duke mos arritur të ndikojnë tek ai, dhe kështu, imani që është në të, është i mbrojtur.
All-llahu e di më së miri.
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI
www.thirrjaislame.com