Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve. Ndërsa përshëndetjet dhe bekimet qofshin për të dërguarin e All-llahut, familjen, shokët e tij dhe për ata që e pasojnë udhëzimin e tij.
Në vazhdim do t’i përmendim disa hadithe që na ndihmojnë të gjejmë rrugën për xhennet:
- “Kush e takon All-llahun pa i bërë Atij shirk, do të hyjë në xhennet.” (Shënon Buhariu).
- “Kush e beson All-llahun dhe të dërguarin e Tij, e falë namazin dhe e agjëron ramazanin, All-llahu ia ka bërë obligim Vetes që këtë njeri ta fusë në xhennet.” (Shënon Buhariu).
- “Kush ndërton një xhami duke pasur për qëllim arritjen e kënaqësisë së All-llahut, All-llahu do t’i ndërtojë atij një pallat në xhennet.” (Shënon Buhariu).
- “Kush i falë dy namazet e ftohta (sabahun dhe ikindinë), do të hyjë në xhennet.” (Shënon Buhariu).
- “Sa herë që dikush shkon në xhami, All-llahu për këtë i përgatit një vend gostie në xhennet.” (Shënon Buhariu).
- “Kush ma garanton atë që ka mes dy nofullave dhe atë që ka mes dy këmbëve, unë ia garantoj xhennetin.” (Shënon Buhariu).
- “Kushdo që fal dymbëdhjetë reqate (sunnete) gjatë ditës dhe natës, do t’i ndërtohet një shtëpi në xhennet: katër reqate para drekës dhe dy pas saj, dy reqate pas akshamit, dy reqate pas jacisë dhe dy reqate para sabahut.” (Shënon Muslimi).
- “Kush ndjek një rrugë për t’u pajisur me dituri, All-llahu me anë të kësaj do t’ia lehtësojë rrugën për në xhennet.” (Shënon Muslimi).
- “Kush e thotë (përsëritë) nga zemra atë që e thotë myezini, do të hyjë në xhennet.” (Shënon Ebu Davudi).
- “Kush merr abdest si duhet, pastaj falë dy reqate (namaz nafile) me përqendrim dhe kënaqësi në to, xhenneti do t’i patjetërsohet.” (Shënon Ebu Davudi).
- “Kush thotë: Jam i kënaqur me All-llahun për Zot, me islamin për fe dhe me Muhammedin sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem për pejgamber, xhenneti i bëhet obligim.” (Shënon Ebu Davudi).
- “Kush e ka fjalën e fundit (në këtë botë) ‘La ilahe Il-lAllah’, do të hyjë në xhennet.” (Shënon Ebu Davudi).
- “Kush thotë: ‘SubhanAll-llahil-Adhim ve bihamdihi’, atij do t’i mbillet një palmë në xhennet.” (Shënon Tirmidhiu).
- “Kush vdes duke qenë i pastër nga tri gjëra: Mendjemadhësia, teprimi dhe borxhi, do të hyjë në xhennet.” (Shënon Tirmidhiu).
- “Kush i rritë dy vajza, do të hyjë me mua në xhennet.” (Shënon Tirmidhiu).
- “Kush e kërkon prej All-llahut xhennetin tri herë, xhenneti thotë: O All-llah, bëje banor të xhennetit.” (Shënon Tirmidhiu).
- “Kush viziton një të sëmurë apo një vëlla për hirin e All-llahut, një thirrës do ta thirrë duke i thënë: Paç jetë të mirë (në dynja dhe ahiret), ecja yte qoftë gjithnjë e mirë dhe fitofsh një vend të lartë në xhennet.” (Shënon Tirmidhiu).
- “Sinqeriteti shpie në bamirësi, e bamirësia shpie në xhennet.” (Shënon Buhariu).
- “All-llahu ka marrë përsipër për atë që lufton në rrugën e Tij dhe që nuk synon asgjë tjetër veç xhihadit dhe ngritjes së fjalës së Tij, që ta fusë në xhennet.” (Shënon Buhariu).
- “O ju njerëz! Përhapeni selamin (përshëndetjen) mes jush, ushqeni nevojtarët, faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni në xhennet me selam (paqe dhe qetësi).” (Shënon Tirmidhiu).
- “Mëkatet e bëra prej umres deri te umreja tjetër shlyhen (për shkak të dy umreve), dhe haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveçse xhennetit.” (Shënon Buhariu).
- “All-llahu i ka nëntëdhjetë e nëntë emra, njëqind pa një. Ai që i numëron (mëson) këta emra, do të hyjë në xhennnet.” (Shënon Buhariu).
- “Kam parë një njeri në xhennet, që ka hyrë për shkak se ka larguar një degë na rruga, e cila u pengonte njerëzve.” (Shënon Muslimi).
- “O All-llah, Ti je Zoti im, s’ka të adhuruar tjetër përveç Teje, Ti më krijove mua dhe unë jam robi Yt, do të qëndroj besnik ndaj marrëveshjes dhe premtimit Tënd me të gjitha mundësitë e mia. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar, unë i pohoj begatitë e Tua ndaj meje, i pranoj gjynahet e mia, prandaj më fal, sepse askush nuk m’i fal gjynahet përveç Teje.’ Kush e thotë këtë në mëngjes duke qenë i bindur në të dhe vdes po atë ditë, ai do të jetë prej banorëve të xhennetit. Dhe kush e thotë këtë në mbrëmje duke qenë i bindur në të dhe vdes po atë natë, ai do të jetë prej banorëve të xhennetit.” (Shënon Buhariu).
www.thirrjaislame.com
Shkroi: Selman ibën Jahja El-Maliki
Përktheu nga arabishtja: Fahrudin REXHEPI