HADITHI nr.61 – nga Libri Rijadus Salihin

61. Transmetohet nga Umer ibn Hattabi r.a. të ketë thënë: “Një ditë ishim duke ndenjur tek i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Në të nuk hetohej ndonjë shenjë udhëtimi dhe askush prej nesh nuk e njohu. U ul pranë Pejgamberit s.a.v.s. duke i mbështetur gjunjët e vet në gjunjët e tij, i vendosi duart e veta në kofshët e tij dhe tha: “O Muhammed, më trego ç’është Islami?” I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. tha: “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguar i All-llahut, ta kryesh namazin, ta ndash zekatin, ta agjërosh ramazanin, ta vizitosh Ka’bën, nëse ke mundësi ta bësh këtë!” Ai tha: “Të vërtetën e the.” Ne u çuditëm: “Po e pyet dhe po ia vërteton.” Ai tha: “Më trego, ç’është imani?” (Pejgamberi) Tha: “Të besosh All-llahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij të Dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në caktimin e Tij të së mirës dhe të së keqes.” Tha: “Të vërtetën e the.” Tha: “Më trego ç’është ihsani?” (Pejgamberi) Tha: “Ta adhurosh All-llahun sikur ta shohësh, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai vërtet të sheh ty.” Tha: “Më trego ç’është çasti (i fundit, dita e shkatërrimit)?” (Pejgamberi) Tha: “Për këtë i pyeturi nuk di më shumë nga ai që pyet.” Tha: “Më trego mbi shenjat e tij?” (Pejgamberi) Tha: “Kur robëresha t’i lindë vetes zonjushë, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur e të mjerë se si garojnë në ndërtimin e ndërtesave të mëdha.” Pastaj shkoi, kurse unë mbeta një kohë. Pastaj (i Dërguari) tha: “O Umer, a e di kush ishte pyetësi?” Thashë: “All-llahu dhe i Dërguari i Tij më së miri e dinë.” Tha: “Vërtet ishte Xhibrili, erdhi t’jua mësojë fenë tuaj.” (Transmeton Muslimi)