HADITH nr. 13

13. Isha te i Dërguari i All-llahut a.s. kur erdhën te ai dy burra: njëri ankohej nga vobekësia, e tjetri nga vjedhësit. I Dërguari i All-llahut a.s. tha: “Sa u përket vjedhësve, do të kalojë një kohë e shkurtër, ndërsa karvani do të jetë në gjendje të dalë jashtë Mekkës pa roje (dmth nuk do të ketë më vjedhës). Ndërsa sa i përket vobekësisë, Çasti (Dita e Gjykimit) nuk do të vijë para se ta marrë ndonjëri prej jush pasurinë e vet dhe të shëtitet për t’ia dhënë dikujt, por nuk do të gjejë askend që do t’ia kishte pranuar. Pastaj dikush nga ju do të paraqitet para All-llahut duke mos pasur as perde, e as përkthyes mes Zotit dhe tij. Pastaj All-llahu do t’i thotë: “A nuk të dhash pasuri?” Do të përgjigjet: “Po.” All-llahu do të thotë: “A nuk të dërgova Lajmëtar?” do të thotë: “Po.” Pastaj (i pyeturi) do të shikojë në të djathtë, por nuk do të shohë asgjë pos zjarrit, dhe do të shohë edhe në të majtë, por nuk do të shohë asgjë pos zjarrit. Pra, secili prej jush le ta mbrojë veten e tij prej zjarrit duke bërë mirësi qoftë edhe me një gjysmë hurme, e nëse nuk e ka këtë mundësi, atëherë me një fjalë të mirë.”