2. Veçimi i adhurimit ndaj All-llahut të Madhërishëm

       Pranimi i veprave është i lidhur drejtpërdrejt me veçimin e adhurimit ndaj All-llahut të Madhërishëm. Kjo, ngase njeriu mund të bëjë mirësi të mëdha por megjithatë ka mundësi të mos arrijë as edhe një shpërblim të vetëm, sepse me ato vepra nuk ka pasur për qëllim arritjen e kënaqësisë së All-llahut.

    Prandaj myslimani duhet ta ripërtërijë nijetin në zemrën e tij para çdo veprimi që bën, duke synuar që me atë vepër të arrijë kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm.

    All-llahu i Madhërishëm thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin All-llahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.”[20] “Thuaj: “Unë jam i urdhëruar ta adhuroj All-llahun, të jem i sinqertë në adhurimin ndaj Tij!”[21]Thuaj: “Vetëm All-llahun e adhuroj, sinqerisht ndaj Tij e bëj adhurimin tim.”[22] “S’ka dyshim, munafikët do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të zjarrit dhe për ta nuk do të gjesh mbrojtës, përveç atyre që u penduan, u përmirësuan, iu përmbajtën All-llahut (mësimeve të Tij) dhe praktikojnë sinqerisht fenë e tyre për hirin e All-llahut. Të tillët do të jenë bashkë me besimtarët, e All-llahu ka për t’u dhënë besimtarëve shpërblim të madh.”[23]

    I dërguari i All-llahut thotë: “Në trup gjendet një copë mishi, e cila kur përmirësohet, atëherë i tërë trupi përmirësohet, dhe kur ajo prishet, i tërë trupi prishet. Ajo është zemra.”[24]

    Nga Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Me të vërtetë, All-llahu nuk shikon pamjen dhe pasurinë tuaj, por shikon zemrat dhe veprat tuaja.”[25]

    Nga Muavije radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Veprat janë sikur ena; nëse ushqimi në fund të saj zihet si duhet, atëherë edhe pjesa e sipërme zihet si duhet, e nëse është pjesa e poshtme digjet, atëherë edhe pjesa e sipërme e saj digjet.”[26]

     Ebu Hurejra radijAll-llahu anhu thotë: “Zemra është mbret ndërsa organet e tjera janë ushtarët e saj. Kur mbreti është i mirë, atëherë edhe ushtria do të jenë të mirë, ndërsa kur mbreti është i prishur, atëherë edhe ushtria do të prishen.”

______________________
[20] Kaptina El-Bejjine, ajeti 5.
[21] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 11.
[22] Kaptina Ez-Zumer, ajeti 14.
[23] Kaptina En-Nisa’, ajetet 145-146.
[24] Muttefekun alejhi: shënojnë Buhariu (52) dhe Muslimi (1599).
[25] Sahih: shënon Muslimi (2564).
[26] Sahih: shënon Ibën Maxhe (4119) dhe Ebu Ja’la. Shejh Albani në librin e tij Sahih el-Xhami’
______________________

Vazhdojmë…
Shkëputur nga libri: Edukata Islame
www.thirrjaislame.com