1. Dashuria ndaj All-llahut të Madhërishëm

Dashuria ndaj All-llahut të Madhërishëm

Kjo do të thotë ta mbushësh zemrën tënde me dashuri ndaj All-llahut të Madhërishëm.

All-llahu është Ai që të ka krijuar e furnizuar, t’i ka plotësuar të mirat e Tij të dukshme e të fshehta. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e All-llahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato.”[15] Ai të ka nderuar që kur të bëri mysliman dhe pasues të Muhammedit sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem.

All-llahu është pronari i mirësisë së madhe dhe pronari i çdo dhuntie në këtë gjithësi. All-llahu i Madhërishëm thotë: Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut.”. [16]

Ai është pronari i mëshirës së gjerë. Ai është i Cili i furnizon robërit e tij (besimtarë dhe mosbesimtarë), dhe nuk ua ndalë atyre furnizimin edhe përkundër mëkateve të tyre, por i përfshin me mëshirën e Tij dhe ua pranon pendimin, i udhëzon, ua falë mëkatet dhe ua fshehë të metat… E kush është ai që mund ta ndalojë zemrën e tij ndaj dashurisë për këtë Zot të Madh, të Urtë, Mirënjohës e të Dashur?!!!
      All-llahu i Madhërishëm thotë: “E nga njerëzit ka asisoj që në vend të All-llahut besojnë idhujt, që i duan (madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) All-llahun, po dashuria e atyre që besuan All-llahun është shumë më e fortë.”[17]

Nga Enesi radijAll-llahu anhu na përcillet se Pejgamberi sal-lAll-llahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që i posedon tri gjëra, e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit (besimit): Që All-llahu dhe i dërguari i Tij të jenë më të dashur tek ai se gjithçka tjetër, ta dojë njeriun (myslimanin) vetëm për hirin e All-llahut, dhe të urrejë të kthehet në kufr (mosbesim) pasi që All-llahu e ka shpëtuar prej tij, sikurse që urren të hidhet në zjarr.”[18]

Monoteizmi në dashuri do të thotë ta duash vetëm All-llahun e Madhërishëm dhe të mos i përshkruash Atij asnjë shok. Për të arritur këtë, duhet plotësuar këto kushte:
      – Dashuria ndaj All-llahut të tejkalojë në zemrën tënde çdo dashuri tjetër.
     – Dashuria ndaj All-llahut të mbizotërojë në zemrën tënde ndaj çdo dashurie tjetër.
    – Të gjithë të dashurit e tjerë në zemrën tënde të jenë si rrjedhojë e dashurisë tënde ndaj All-llahut.

Kjo është edukata e parë dhe më e rëndësishme, pra zemra yte të lidhet vetëm me All-llahun e Madhërishëm.

Ibën Kajjimi, All-llahu e mëshiroftë, në lidhje me të afërmit e All-llahut, thotë: “Gjendja e përgjithshme e tyre është se ata janë njerëz që zemrat e tyre janë mbushur me dashurinë ndaj All-llahut, saqë te ta nuk ka mbetur venë e as nyje në trupin e tyre përveçse janë mbushur me atë dashuri.”[19]

__________________________
[15] Kaptina En-Nahl, ajeti 18.
[16] Kaptina En-Nahl, ajeti 53.
[17] Kaptina El-Bekare, ajeti 165.
[18] Shënon Buhariu (15).
[19] Shkëputur nga libri Ibnul-Islam. Autor: Muhammed Ja’kub, fq. 33.
__________________________

Vazhdojmë…
Shkëputur nga libri: Edukata Islame
www.thirrjaislme.com